Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji “Për Bashkëqeverisjen” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/11/2021

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji “Për Bashkëqeverisjen”

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për projektligjin “Për Bashkëqeverisjen”:

E nderuar drejtuese e seancës

Të nderuar kolegë deputetë

Të nderuar kolegë ministra

Sot po flasim për bashkëqeverisjen dhe realisht jam e sigurt që të gjithë ata që na dëgjojnë në këto momente po pyesin, kjo platformë do jetë e aksesueshme me teserën e Partisë Socialiste apo do jetë e aksesueshme për të gjithë shqiptarët? Kështu që nga momenti që kjo platformë do jetë një platformë ku të gjithë shqiptarët pa dallim nëse janë të majtë apo të djathtë do kenë mundësi të adresojnë problematikat e tyre dhe në rast se kjo platformë të gjithë qytetarëve do t’ju kursejë kohë, para dhe do t’i japë mundësi të jenë të barabartë në zgjidhjen e hallit pa mbetur në dorë të secilit nëpunës.

Thatë më përpara, vazhdojmë e flasim për korrupsionin, vazhdojmë e flasim për dosjet e mbetura, burokracia, korrupsioni, mungesa e transparencës, diskriminimi i qytetarëve janë fenomene që as ju nuk i zhdukët dot, as ne nuk i zhdukëm dot, por ndryshe nga ju ne bëjmë gjithçka për ta minimizuar dhe fakti që sot kemi sjellë në parlament një projektligj për ngritjen e një agjencie e cila bazohet tek marrëdhënia e çdo qeverie me qytetarin, e një agjencie që do të bëjë qytetarin pjesë të vendimmarrjes, realisht ju mund të bëni punën tuaj sepse duhet të bëni opozitë dhe të na kontestoni gjithçka që ne sjellim këtu në parlament megjithatë duhet të ketë dhe një sens logjik.

Çfarë lidhje kanë patronazhistët, ne partonazhistët do vazhdojmë ti kemi sepse siç tha dhe zonja ju jeni strukturë e majtë, ne nuk jemi. Strukturat e majta kështu ngrihen, kështu u ngrenë partitë, me bazë popullin, me organizata partie, me patronazhistë, gjë që nuk e kemi fshehur dhe jemi dhe krenar për këtë. Por ajo që unë nuk kuptoj, kam gjatë që po ju dëgjoj dhe besoj që nuk ju kupton edhe qytetari në shtëpi është ku është diferenca, pse këtu do të jenë të angazhuar dhe do të marrin shërbime vetëm socialistët dhe nuk do të përfitojnë dhe të djathtët dhe ata pa parti.

Ka ardhur koha që të flasim me fakte dhe me shifra. Në fillim të vitit 2019 deklaruam se synimi ynë i Qeverisë Rama ishte që të kthenim mbi 99% të shërbimeve që ofroheshin nga të gjitha ato agjenci apo ndërmarrje që ofrojnë shërbime online. Unë do marr rastin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor duke qenë se është një nga drejtoritë e cila ofron shërbime pothuajse për çdo qytetar në këtë republikë i cili ka një automjet apo kërkon të ketë një leje drejtimi automjeti dhe për më tepër është kompania e parë shtetërore e cila nisi të funksionojnë në bazë të dixhitalizimit.

Edhe ju, si dhe unë, jemi persona që na duhet edhe t’i japim makinës, edhe të marrim leje drejtimi, edhe të ndryshojmë pronësinë apo gjithçka tjetër që na është dashur dhe nuk e mohon dot kush faktin që duke aplikuar online, sot leja e drejtimit merret brenda ditës apo brenda 24 orëve, ndërkohë që më përpara qëndronim nëpër radhë për 2-3 javë të tëra. Sot nuk e mohon dot kush faktin se për të pasur një nga ato targat e veçanta që dikur duhet të shkojnë nën banak të paguaje para, aplikon online, paguan në mënyrë transparente dhe t’i merr atë targë që ke vendosur të kërkosh kundrejt pagesës dhe pa diskriminim.

Askush nuk mund të mohoj faktin se numri i shërbimeve që përpunohen sot  është 200% më i madh se ai që përpunohej kur secili duhet të rrinte në radhë, të mbushte formularin, ta mbushte gabim dhe të kthehej mbas dy javësh, ndërkohë sot vetë deklaron online dhe shërbimi ofrohet në kohë rekord.

Çdo vit ne i kursejmë qytetarëve apo subjekteve rreth 150 milionë lekë nga tarifa që nuk do ti paguajnë më dhe 2.5 milionë minuta në kohë pritje nëpër radha. Koha dhe lëvizja u kursen rreth 3 milionë minuta në trafik dhe 80 milionë lekë karburant në vit qytetarëve të cilët marrin shërbime në drejtorinë e transportit. Ulëm ndjeshëm kohën e praktikave, në vitin 2021 u shërbyen 1243 qytetarë apo subjekte në një orë në të gjithë Shqipërinë ose 317 më shumë ose 34% më shumë se në vitin 2018 dhe kjo falë dixhitalizimit.

Për të kuptuar me shembuj konkretë përfitimet direkte për qytetarët dhe subjektet nga risitë dhe nga vullneti ynë për thjeshtëzimin e shërbimeve, afrimin e tyre online, pa nevojën e lëvizjes, pa nevojën e kostove të shtuara dhe duke zeruar subjektivitetin dhe duke luftuar korrupsionin mund të përmendim disa raste më kuptimplota nga ky revolucion dixhital që kemi bërë në DPSHTRR, por që padyshim është një praktikë që po e ndjekin të gjitha institucionet e tjera. Kemi zeruar tarifën dhe ofrojmë 315 mijë e 717 shërbime online me vulë elektronike në vitin 2021, duke i kursyer qytetarëve apo subjekteve mbi 250 milionë lekë të reja që do të kushtonte shërbime me tarifën 200 lekë në sportel dhe kosto e lëvizjes mesatare me mjet, biletë, autobusi apo taksi, si dhe duke i kursyer 26 mijë e 310 ditë pune nga koha mesatare prej 20 minutash shërbim e 20 minuta në qarkullim.

Unë mund të vazhdojë me shifra dhe me fakte pafundësisht, pasi është bërë një punë konkrete, është bërë një punë që nuk mohohet dot as nga politika, as nga opozita dhe nga askush tjetër. Çështja është që sot ka ardhur një projektligj i cili prek çdo qytetar. Ka ardhur një projektligj i cili bën qytetarin pjesë të bashkëqeverisjes, nuk është as propagandë dhe as utopi. Ne sot po i japim të drejtën çdo qytetari që të kontrollojë të gjithë zinxhirin e qeverisjes, ndaj unë do t’ju kërkoja të gjithëve ta votojmë këtë projektligj.

Faleminderit!