Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/06/2024

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”:

 

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

Para se të kaloj tek ky projektligj do doja të thoja që ajo administratë, e quajtur nga ju sot gjatë gjithë ditës e bërë leckë, është ajo administratë publike e cila përfaqësoi Shqipërinë në të gjithë procesin e skanimit, duke u krahasuar edhe me grupet e tjera të Ballkanit Perëndimor që janë sot në tryezën e Brukselit duke bërë të njëjtin proces, mori vlerësimet më të larta. Dhe nuk ishin as dy as tre, por ishin 1 mijë nëpunës të administratës publike të përfshirë në këtë proces. Dhe si gjithmonë sa mirë që kemi edhe vlerësues të pavarur të cilët nuk ndikohen as nga balta, as nga politika dhe as nga demagogjia. Kështu që bëjmë mirë të jemi krenarë për administratën publike, për ato burra, gra, vajza dhe djem që kontribuojnë se nuk janë socialistë, janë shqiptarë dhe nëse kanë bindje politike jam e sigurt që kanë bindje politike dhe majtas dhe djathtas, pasi kurrë Partia Socialiste nuk ka bërë atë që keni bërë ju që keni hequr dhe pastrueset e Bashkisë së Tiranës në 2011-ën.

Ti kthehemi tani një projektligji i cili ka të bëjë me aviacionin civil dhe unë personalisht, përveçse e kam detyrë dhe përgjegjësi këtë fushë kam dhe një lidhje me aviacionin civil, e kam drejtuar navigimin ajror prej vitesh dhe ja njoh ecurinë që ka pasur në Republikën e Shqipërisë nga 2013-ta dhe deri më sot kur arritjet janë të shprehura me shifra dhe nuk ka asnjë kundërshtim mbi to.

Trafiku ajror në territorin e Shqipërisë ka një rritje progresive. Numri i fluturimeve parashikohet të rritet gjatë vitit 2024 me 10% krahasuar më vitin 2023 dhe 55% krahasuar me 2019-ën, si viti i fundit normal para pandemisë.  Në vitin 2023 trafiku ajror shfaqi rritje dhe tejkalim të fluturimeve, krahasuar me vitet paraardhëse, duke e renditur Shqipërinë në vend të parë në Europë për rikuperim të trafikut. Sipas buletinit të publikuar nga EUROCONTROL për vitin 2023, Shqipëria u rendit e para me një rritje +31%, kjo si pasojë e shtimit të kompanive ajrore të cilat tashmë përdorin aeroportin ndërkombëtar të Rinasit duke sjellë kështu dhe një shtim të destinacioneve të reja, si dhe të flotave të tyre respektive. Gjithashtu parashikimi për vitin 2024 tregon një rritje me 32% të fluturimeve terminale, uljeve dhe ngritjeve, krahasuar me vitin 2023, si edhe një rritje prej 137% nëse e krahasojmë atë me vitin 2019.

Treguesi i trafikut cili shprehet me Service unit për mbikalimet në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë dhe ulje-ngritjet po ashtu, tregojnë një rritje të parashikuar të vlerave të trafikut me 9% krahasuar me 2023, për mbikalimet dhe 35% krahasuar me vitin 2019. Sa i takon atij të trafikut terminal, ose të uljeve dhe ngritjeve, rritja është padyshim shumë më e madhe arrijnë në 33% krahasuar me 2023 dhe 157% krahasuar me 2019.

Po punojmë me ritme të shtuara për të realizuar një objektiv shumë të rëndësishëm strategjik, që është nisja e operimeve në pranverën e 2025 të aeroportit tjetër ndërkombëtar të vendosur në jug të vendit, në Vlorë, duke pasur parasysh se jemi angazhuar për të mbaruar të gjitha punimet civile të këtij aeroporti brenda vitit 2024, në dhjetor të vitit 2024 dhe duke hapur kështu procesin e licensimit për një aeroport tjetër ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë i cili do të jetë dhe aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor duke e kthyer Shqipërinë në një hub edhe për fluturimet transoqeanike.

Sigurisht që të gjitha këto arritje nuk kanë rënë nga qielli, pavarësisht se po flasim për qiellin. Pasi asnjë e mirë nuk vjen nga qielli nëse nuk punohet. Pikërisht një strategji kombëtare për zhvillimin e aviacionit civil që kemi nisur në vitin 2019 është ajo që sot po zbatohet dhe të gjitha arritjet kanë qenë të parashikuara në këtë strategji. Gjithashtu shumë shpejt do të nisim procedurat për garën ndërkombëtare dhe më pas për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës duke e bërë vendin tonë me katër aeroporte ndërkombëtare të shtrirë nga veriu dhe deri në skajin jugor të saj.

Rritja dhe zhvillimi me hapa shumë të shpejt i aviacionit civil në vend ka nxjerrë në pah sigurisht  nevojën për të rritur kapacitetet dhe burimet njerëzore të cilat do të shërbejnë në të gjitha këto vepra të rëndësishme duke pasur parasysh që do të akomodohen edhe pjesë të reja të këtij sektori siç është mirëmbajtja e avionëve apo edhe hangarët. Për këtë qëllim ne kemi vendosur të themelojmë Akademinë Ajrore e cila do të ketë si objektiv të saj rritjen e kapaciteteve njerëzore për të gjithë industrinë e aviacionit civil në vend. Arritjet e vazhdueshme në aviacionin civil janë tashmë një objekt vlerësimi dhe nga partnerët tanë ndërkombëtar sidomos nga Organizata e Aviacionit Civil Ndërkombëtar, ICAO.

Ky vlerësim është shprehur dhe nga drejtori rajonal i ICAO-s për Europën dhe Atlantikun Verior gjatë një takimi që kam pasur me të disa javë më parë. Pikërisht këtij bashkëpunimi të ngushtë që ne synojmë ta ruajmë dhe ta thellojmë edhe më tej i shërben dhe projektligji që kemi sjell sot për diskutim. Projektligji ka për qëllim aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokoll shumë të rëndësishëm, i cili kërkon një ndryshim në nenin 50 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe një ndryshim në nenin 56 të së njëjtës Konventë.

Ku konsistojnë realisht këto dy ndryshime? Republika e Shqipërisë është palë e Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, që prej vitit 1990. Gjatë sesionit të 39-të të Asamblesë së Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar u nënshkrua protokolli në lidhje me një ndryshim të nenit 50, si dhe ai në lidhje me ndryshimin e nenit 56. Këto ndryshime kanë të bëjnë përkatësisht me zgjerimin e anëtarësimit në Këshillin e ICAO-s dhe rritjen e numrit të anëtarëve në Komisionin e Lundrimit Ajror. Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil është një organ qeverisës përgjegjës për vendosjen e Standardeve dhe Rekomandimeve të nevojshme për sigurinë dhe rekomandimeve sigurisht i ka ardhur momenti për ta zgjeruar më tej këtë komision, pasi bëhet fjalë për efikasitetin dhe mbrojtjen e mjedisit në aviacion. Këshilli funksionon si një organ ekzekutiv dhe është një nga organet kryesore të ICAO-s.

 

Përgjegjësitë kryesore të këtij Këshilli përfshijnë:

  • Miratimin e Standardeve Ndërkombëtare dhe Praktikave të Rekomanduara;
  • Mbikëqyrjen e aktivitetit të ICAO-s;
  • Miratimin e buxhetit të organizatës;
  • Implementimin e standardeve ndërkombëtare mbi lundrimin ajror;
  • Monitorimin e zhvillimeve në lundrimin ajror, trajtimin e çështjeve administrative etj.

 

Aktualisht Këshilli përbëhet nga 36 shtete anëtare të zgjedhura nga Asambleja me një mandat 3-vjeçar. Këto shtete anëtare zgjidhen bazuar në përfaqësimin gjeografik dhe rëndësinë e kontributit të tyre në ofrimin e shërbimeve të transportit ajror ndërkombëtar. Përbërja e Këshillit ka për qëllim të ruajë një balancë të drejtë midis rajoneve të ndryshme të botës dhe të sigurojë pjesëmarrje sa më të gjerë në qeverisjen e ICAO-s. Ndryshimi i nenit 50 të Konventës parashikon zgjerimin e anëtarësimit të Këshillit, nga 36 në 40 anëtarë, me qëllim që të sigurohet një ekuilibër akoma më i mirë në shpërndarjen rajonale dhe të përgjegjësive ndërkombëtare. Në kuadër të rritjes së anëtarësimit të shteteve në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe rëndësisë në rritje të transportit ajror ndërkombëtar për ekonomitë kombëtare në shumë vende, një anëtarësi e zgjeruar e Këshillit siguron një balancë më të mirë përmes përfaqësimit të shtuar të Shteteve Anëtare nga 36 në 40.

Komisioni i Lundrimit Ajror, që është ndryshimi që kërkojmë të kalojmë sot dhe të miratojmë këtu në parlament për nenin 56 të Konventës është një organ teknik brenda Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, përgjegjës për zhvillimin e Standardeve dhe Praktikave të Rekomanduara të lidhura me navigimin ajror. Funksionet e Komisionit të Lundrimit Ajror përfshijnë Zhvillimin e këtyre standardeve dhe praktikave të rekomanduara, ofrimin e Ekspertizës Teknike duke përfaqësuar interesat e aviacionit civil global dhe jo të shteteve të tyre respektive, monitorimin dhe përputhshmërinë e implementimit të këtyre praktikave dhe rekomandimeve. Komisioni i Lundrimit Ajror përbëhet nga 19 Komisionerë. Këta Komisionerë emërohen nga Këshilli i ICAO-s dhe shërbejnë në kapacitetin e tyre personal, duke sjellë ekspertizë nga fusha të ndryshme të aviacionit në këtë Komision. Ndryshimi i nenit 56 ka të bëjë me rritjen e numrit të anëtarëve nga 19 në 21, me qëllim që ky komision të mund të mbështet edhe në ekspertizën e vendeve të tjera që do të shtohen dhe përvojën e aftësinë dhe njohurinë, pasi i gjithë aviacioni funksionon mbi ato që quhen praktika më të mira.

Në kuadër të rritjes së anëtarësimit të shteteve në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil një anëtarësi e zgjeruar e Komisionit të Lundrimit Ajror siguron që Komisioni mund të përfitojë nga ekspertiza dhe përvoja, aftësitë operacionale të ndryshme dhe njohuritë e Shteteve Kontraktuese. Siç e theksova edhe më lart për sektorin e aviacionit civil bashkëpunimi i ngushtë me Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, ICAO është i një rëndësie të veçantë, duke hapur rrugën për një ecuri më të mirë të sektorit dhe padyshim një rritje të vazhdueshme të tij. Ndaj dhe dua që ti ftoj të gjithë deputetët duke pasur parasysh se Shqipëria sot ka investuar dhe aviacioni civil është një nga fushat me arritjet më të mëdha, sigurisht me kontribut të gjerë në zhvillimin ekonomik të vendit, që ta mbështesin dhe ta votojnë këtë projektligj.

Shumë faleminderit!