Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku për Buxhetin 2022:
E nderuar drejtuese e seancës!
Të nderuar kolegë deputetë!
Para se të kaloj tek buxheti do të ndalesha pak tek debati i mëngjesit përsa i përket ofendimit të zonjave apo jo. Unë nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë që ka një diferencë mes zonjave apo zotërinjve në këtë parlament. Ne këtu nuk jemi votuar as se ishim gra apo as ju nëse ishit burra. Ne këtu jemi deputetë të parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe kemi ardhur të kryejmë detyrat ashtu siç na kanë dhënë votat qytetarët aty ku kemi kandiduar. Kështu që nuk prekem fare nga kjo pjesa e burrave dhe grave, por dua t’ju kujtoj vetëm diçka dhe nuk mbaj mend që asnjëra nga zonjat këtu, të cilat janë shumë të nderuara dhe personalisht kam edhe marrëdhënie të mira, të ketë reaguar në seancën e parë kur kryetari juaj na u drejtua me gisht secilës prej nesh duke na thënë që ishim kukulla që na kishin sjellë këtu kriminelët. Domethënë më keq sa kaq unë nuk besoj se i është thënë ndonjë zonje në këtë parlament. Megjithëse siç ju thashë dhe e nënvizoj këtë që nuk bëj pjesë tek grupi jo janë zonja, jo nuk janë zonja. Edhe po të thuhet për një mashkull kjo problem është se kemi fëmijë në shtëpi, kemi prindër që dëgjojnë çudira nga më të mëdhatë. Kështu që duhet rënë dakord me njëri-tjetrin që mos të shahemi e mos të ofendojmë.
Deputetët tuaj kur u krijua qeveria filluan duke dalë nëpër ekrane dhe ju e dini shumë mirë se kanë dalë dhe kanë kërkuar dhe falje publike, por dëmi bëhet, dhe thanë që ishim harem. Kështu që mos t’i ngelet hatri askujt, janë përdorur fjalë dhe shprehje të tmerrshme, unë them të paktën ta ruajmë njëri-tjetrin nga këto epitete sepse nuk na e kanë borxh familjet. Kështu mendoj unë dhe harxhojmë edhe kohë duke u marrë me këto lloj epitete dhe nuk merremi realisht me punën .
Ti kthehemi buxhetit. E kam nisur kështu nëpër komisione, po e nis kështu edhe këtu. Dëgjohet fjala PPP, koncensione, PPP, koncensione, hiq ca koncensione që herë pas here i zëni në gojë dhe i përkasin shëndetësisë, pjesa tjetër shkon e gjitha tek infrastruktura, jo rrugët, jo portet, aeroportet e të tjera. Kini parasysh që buxheti i infrastrukturës për këtë vit, pavarësisht se ky është buxheti më i madh që ka hartuar dhe ka prezantuar një qeveri, ky është një buxhet social, i cili mbështet dhe incentivon politikat sociale. Ka në fokus njerëzit dhe padyshim kjo është hera e parë që qoftë buxheti i arsimit dhe qoftë buxheti i shëndetësisë dhe i mbrojtjes sociale kanë prekur kanë prekur shifra apo përqindje të GDB-së që më përpara nuk kanë ekzistuar dhe që as mendohet se mund të ndodhte.
Pavarësisht retorikës politike për të cilën jemi të gjithë dakord se duhet bërë ndryshe çdo bënim këtu askush nuk e mohon dot as krizën energjetike, as krizën post pandemike që nga ç’duket është më keq se kriza gjatë pandemisë, dhe as faktor tjetër global i cili ndikon këtë vend se ky nuk është një ishull. Ky është një vend i hapur dhe çdo lloj krize botërore reflektohet dhe tek ne.
Do t’i kthehem buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i cili këtë vit ka 1.9 miliard lekë më pak se në vitin 2021 duke qenë se i është dhënë prioritet të gjitha politikave sociale që përmenda pak më parë, megjithatë detyra ime si ministre e kësaj ministrie në drejtim të saj apo e të gjithë ndërmarrjeve të varësisë, apo e të gjithë zbatuesve të politikave të sektorit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është që të akomodojmë të gjitha nevojat e sektorëve edhe me këtë buxhet pak më të reduktuar duke treguar mirëkuptim të plot për politikat që qeveria shqiptare ka vendosur në mbështetje të qytetarëve.
Buxheti i vitit 2022 garanton ecurinë e investimeve të nisura dhe të projekteve që do të financohen në përputhje me prioritetet e qeverisë, të bazuara në 12 programe, ku peshën më të madhe e mban programi i transportit rrugor.
Totali i buxhetit të vendosur në dispozicion të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është 47.2 miliardë lekë të ndara këto në shpenzime prej 5 miliardë dhe pjesën e paketës së investimeve e cila ndahet 17 miliardë nga financimi i huaj dhe rreth 25.7 miliardë nga financimi vendas. Duhet pasur parasysh që e kemi ngritur këtë buxhet bazuar mbi disa parime.
Parimi kryesor është që të dorëzojmë të gjitha projektet e nisura, pra të mos bëjmë politikë me Buxhetin e Shtetit për të hapur projekte të reja, pa pasur mundësi që të dorëzojmë ato që i kemi nisur prej kohësh. Kështu që i është dhënë një prioritet mbylljes të të gjitha projekteve dhe kantiereve që janë hapur sot në Republikën e Shqipërisë dhe pa lënë jashtë ato projekte prioritare, të cilat do të mbulohet nga buxheti i vitit 2022 dhe që do të hapen gjatë vitit 2022, siç është tuneli i Llogarasë të cilin për ne ka qenë një ditë e shënuar dje, data 14 nëntor, besoj që ka qenë për të gjithë këtu, pasi nuk është një tunel i Partisë Socialiste apo i qeverisë socialiste. Është një tunel që do ta përdorin të gjithë, është tuneli i Llogarasë që ka qenë ëndërr e shumë qeverive, por që falë punës që kemi bërë ishte fati ynë që të kishim mundësi ta nisnim këtë punë dhe është synimi ynë që ta mbarojmë ashtu siç e parashikon kontrata në 33 muaj, pasi do kenë mundësi të përfitojnë të gjithë, kryesisht të gjitha strukturat e turizmit të cilat tashmë kanë lulëzuar në zonën e jugut dhe meritojnë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Bypassi i Tiranës dhe bypassi i Gjirokastrës janë dy nga projektet e reja të cilat do të nisin gjatë vitit 2022. Projekte të mirë studiuara të cilat i japin frymëmarrje jo vetëm akseve rrugore kombëtare, por sigurisht bëjnë edhe atë urën e ndërlidhjes të transportit që ne prej kohësh punojmë, siç është bypassi i Gjirokastrës, i cili tashmë do të shërbejë të gjithë lidhjen kufitare me shtetin fqinj të Greqisë apo bypassi i Tiranës i cili është mjaft i nevojshëm se me përfundimin e Unazës së Jashtme të saj, ne do të kemi mundësi që trafikun ta drejtojmë pa kaluar brenda qytetit, direkt në akset kombëtare.
Unaza e Jashtme e Tiranës është një nga projektet më të rëndësishme që tashmë është në fazën e implementimit, duke përmbyllur kështu të gjithë lotet të cilat padyshim kanë qenë të vështira për t’u realizuar. Ka pasur vonesa në kohë pasi dihet qartazi që problemi kryesor që krijon këto vonesa është çështja e shpronësimeve, të cilat jo rrallë herë janë për probleme të administratës apo të burokracisë, por në shumicën e rasteve edhe për shkak të mungesës së dokumentacionit nga vetë pronarët e truallit. Për të mos folur këtu për shtëpitë e palegalizuara të vendosura mbi gjurmët e projekteve që duhet zgjidhur, është një problem social që duhet zgjidhur dhe askush nuk do të përdorë as forcën dhe askush nuk do të bëjë që këto familje të mbeten në rrugë pa e zgjidhur këtë problem social.
Duhet thënë që një nga projektet më të rëndësishme për vitin 2022 padyshim është edhe zgjerimi i aksit nga Elbasani deri në Qafë Thanë, duke e kthyer në parametrat e sigurisë që ajo rrugë kërkon, por padyshim duke qenë se është pjesë e korridorit të 8-të, duke e ngritur në kategorinë C2 dhe duke e bërë të kalueshme dhe pa vështirësi për të gjithë automjetet e rënda që kryejnë transportin midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Duhet thënë që gjatë vitit 2022 kërkojmë që të mbyllim të gjitha lotet e aksit Kardhiq – Delvinë, duke përfshirë këtu edhe tunelin e Skërficës, duhet të përmbyllim nyjen “Shqiponja”, së bashku me Qendrën e Monitorimit dhe këtu duhet ndaluar për të thënë në një moment e ka përdorur gjatë këtë kryeministri sot dhe e ka shpjeguar përsa i përket Qendrës së Monitorimit të Trafikut dhe synimit tonë për të pasur nën kontroll për të mirën e qytetarëve, pra drejtuesve të automjeteve, jo vetëm për sigurinë rrugore, por edhe për sigurinë kombëtare mbi 1400 kilometra të cilat do të monitorohen në mënyrë smart nga kjo qendër. Po kështu dixhitalizimi dhe po kështu energjia që është folur gjatë dhe pavarësisht se ju mohoni faktin që ekziston një krizë dhe pavarësisht se ju mohoni faktin që çmimet nuk u rritën, ashtu siç ju trumpetuat në fillim, ne kemi parashikuar në këtë buxhet 100 milionë euro për të mbrojtur fashën e 04-shit ose ndryshe e thënë familjarët dhe bizneset e vogla.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë