Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
E nderuar nënkryetare e parlamentit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Sugjeruam që ta propozonim ne nismën për këtë kredi, pasi ka të bëjë me një nga temat më të rëndësishme të sektorit energjetik që është efiçenca energjetike. Në ditët e sotme kur mbarë bota është ekspozuar ndjeshëm ndaj, jo vetëm çmimeve të paimagjinueshme më parë që sot tregtohet energjia elektrike, por edhe ndaj mungesës së sasisë të energjisë elektrike në treg, çka lind si nevojë imediate është fokusi dhe mbështetja nga çdo qeveri e rritjes së sensitivitetit dhe krijimit të kushteve për të pasur efiçencë energjetike. Sigurisht që ky projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe KFW për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri” ka një rëndësi të dyfishtë për ministrinë tonë. Pra, jo vetëm atë që përmenda, përsa i përket efiçencës së energjisë, por padyshim edhe për zbatimin e paktit të universitetit, një tjetër prioritet i rëndësishëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej 3 vjetësh jemi munduar që ta zbatojmë në çdo nga fushat tona. Me anë të projektit nga njëra anë synohet që nëpërmjet aplikimit të masave të efiçencës së energjisë të kursehet ndjeshëm energjia në godinat e rehabilituara dhe nga ana tjetër t’iu sigurohet studentëve kushte jetese të përshtatshme dhe me kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve.
Ministria jonë, ashtu siç thashë, gjatë këtyre 3 viteve i ka dhënë një shtysë së madhe sektorit të efiçencës së energjisë, fillimisht duke riorganizuar Agjencinë e Efiçencës së Energjisë, e cila mbulon sipas një legjislacioni të hartuar vënien në vend dhe në funksion të të gjithë mekanizmit të këtij sektori. Efiçenca e energjisë padyshim, siç e përmenda, ka marrë një rëndësi të veçantë. Ky nuk është projekti i parë në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi nisur prej kohësh, pra 3 vitet e fundit, që të aplikojmë projekte, duke nisur nga ndërtesat të cilat janë nën pronësinë e shtetit qofshin këto spitale, shkolla, por edhe ndërtesat e përdorura nga vetë qeveria.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është sot duke punuar në një ndërtesë e cila ishte e para e cila u fut në projektin e efiçencës së energjisë, duke nisur nga prodhimi i energjisë me panele diellore në tarracën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe deri tek mënyra e izolimit apo mënyra sesi funksionojnë ngrohësit apo edhe ndriçimi në ministrinë tonë. Kështu kemi bërë me spitalin e Lezhës, kështu kemi bërë me një sërë shkollash dhe tani do të vazhdojmë me këtë paket përsa i përket konvikteve. Në këtë kontekst Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë krahas një plani masash shumë të detajuar për të përballuar këtë krizë energjetike dhe për të garantuar padyshim energji të pandërprerë dhe me çmim të pandryshueshëm, diçka që dua të theksoj, i cili mbron ky çmim edhe abonentin familjar, edhe abonentët e bizneseve të vogla dhe sigurisht siç kemi njoftuar para festave të Vitit të Ri edhe abonentët e tensionit të mesëm.
Objektivat kryesor të punës tonë në këtë drejtim kanë qenë përgatitja dhe zbatimi, monitorimi i politikave dhe i programeve për efiçencën e energjisë në sektorët e ndërtesave, industrisë, transportit dhe të bujqësisë, si dhe përgatitja dhe monitorimi i planit kombëtar të veprimit për efiçencën e energjisë. Me legjislacionin e ri, i cili ndodhet në fuqi prej 1 viti në Republikën e Shqipërisë, nëse dikush, një kompani vendos të ndërtojë, sot duhet të pajiset me lejen e efiçencës së energjisë përpara ndërtimit të këtyre lejeve. Ndërsa industritë e mëdha po i nënshtrohen procesit të auditimit të efiçencës së energjisë.
Një sërë projektesh të rëndësishme janë duke u zhvilluar edhe tashmë dhe disa prej tyre mbështeten nga buxheti i shtetit. Në Tiranë apo në rrethe të ndryshme ne kemi zgjedhur ndërtesa të cilat janë në funksion komunitar, për të nisur nga to dhe më pas sigurisht duke informuar të gjithë qytetarët tanë dhe duke i bërë atyre të kuptojnë sesa e rëndësishme është duke nisur nga kursimi i energjisë dhe deri tek efiçenca, pra ajo të cilën ne sot po flasim sesi ndërtesat e reja apo ata që ekzistojnë përmes një rikonstruksioni të rikthehen në ndërtesa me efiçencë maksimale energjetike mund të kontribuojnë në uljen e ndjeshme të sasisë së energjisë elektrike që ne përdorim.
Do doja këtu të përmendja vetëm javën e fundit. E kam bërë këtë publike për të bërë të gjithë qytetarët që të kuptojnë situatën. Mesatarisht sasia energjetike që ne përdorim në Republikën e Shqipërisë gjatë një dite është 14 mijë megavat/orë. Në javën e fundit, padyshim për shkak të të gjithë problematikës që kemi pasur nga motin kemi rritje me 80% të kërkesës së tregut shqiptar me energji elektrike. Kemi arritur në 24 mijë megavat/orë në ditë. Pavarësisht se kushtet e motit janë me të vërtetë të rënda, kjo është një valë polare e cila ka goditur Ballkanin, sigurisht dhe Shqipërinë, duhet thënë që kjo sasi, një pjesë e saj shkon e humbur për shkak të mungesës së izolimit të ndërtesave, për shkak të mënyrës sesi është vendosur ngrohja në ndërtesa dhe shumë parametra të tjerë që efiçenca e energjisë parashikon qoftë në ligj dhe qoftë në politikat që ne tashmë po zbatojmë.
Që prej fundit të vitit 2018 kur Qeveria Shqiptare nënshkroi Paktin e Universitetit dhe Ministria e Infrastrukturës është angazhuar nga ai moment seriozisht për të kontribuuar dhe për të plotësuar të gjitha ato kritere që ne vendosëm në atë pakt, nuk jemi marrë padyshim vetëm me këtë projekt të efiçencës së energjisë. Ne paktin e kemi zbatuar në disa fusha duke nisur nga punësimi i studentëve ekselentë tek bashkëpunimi me Universitetet përsa i përket të gjithë observacioneve që vijnë nga TAP për projektet tona të cilat sot janë të ditura nga publiku siç është aeroporti i Vlorës, tuneli i LLogarasë, korridori blu që ne i kemi ndarë dhe kemi bashkëpunuar me Universitetet, por padyshim edhe tek mbledhja e ideve të reja që kanë ardhur nga studentët apo nga stafet akademike universitare.
Në funksion të këtij pakti një numër i konsiderueshëm studentësh sot punojnë në ndërmarrjet e varësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe në aparatin e saj, ndërkohë që ne padyshim do të vazhdojmë dhe në të ardhmen në planet tona dhe në projektet që ne kemi bërë tashmë publike për të ardhmen të përfshijmë dhe studentët e ekselencës, të përfshimë stafet akademike dhe ti bëjmë pjesë e projekteve dhe planeve që ne kemi.
Tashmë Universiteti Politeknik i Tiranës dhe studentët e tyre janë partner të rëndësishëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ne kemi vendosur të mbështetemi në këtë partneritet. Duke u bazuar tek këto dy elementë mjaft të rëndësishëm tek efiçenca e energjisë dhe tek partneriteti që ne kemi tashmë me studentët unë besoj se ratifikimi i huasë për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve publike në Shqipëri është një hap shumë i rëndësishëm ndaj ftoj të gjithë që ta votoni sot.
Faleminderit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë