Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/05/2024

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend:

 

E nderuar Kryetare,

Të nderuar kolegë,

Për eficiencë kohe do t’i prezantoj bashkë të dyja projektligjet, që praktikisht nuk është se lidhen shumë, por megjithatë energjia është emëruesi i përbashkët.

Fillimisht po e nis me marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit. Marrëveshja për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona është hapi i radhës që synon ta thellojë këtë marrëdhënie, se, pavarësisht shumë kilometrave larg, nga ana tjetër gjejmë mënyrën për të ndërtuar ura të forta dhe pa dyshim një bashkëpunim largpamës.

Hapja e ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri është një vendim i mirëpritur dhe një dëshmi e synimeve serioze të Bakusë në lidhje me partneritetin me Tiranës dhe që do ta rrisë më tej bashkëpunim tonë dhe do të sigurojë një urë të shpejtë dhe efikase komunikimi mes nesh.

Gjithashtu, Shqipëria do të përgjigjet dhe do të hapë ambasadën e saj në Baku brenda vitit 2024. Shqipëria është përgatitur për një bashkëpunim shumë intensiv për sa i përket fushës së gazifikimit të vendit, bazuar në strategjinë që ne kemi publikuar prej kohësh. Vetëm dy muaj më parë së bashku me Kryeministrin Rama ishim në Azerbajxhan, si të ftuar nderi të Presidentit Aliyev, ku morëm pjesë në Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, por edhe diskutuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në një sërë fushash të reja, në energji, tregti, bujqësi, turizëm dhe kulturë. Mund ta them me shumë krenari se në fushën e energjisë kemi tashmë një urë të ngritur bashkëpunimi, një bashkëpunim frytplotë, pasi Shqipëria prej vitesh së bashku me Azerbajxhanin është pjesë e atij që natyrshëm quhet Korridori Jugor i Gazit, që nis në Azerbajxhan dhe kalon përmes Shqipërisë për ta shpërndarë më pas gazin natyror në të gjithë Europën.

Zhvillimet e fundit gjeopolitike, sidomos agresioni rus në Ukrainë, treguan se roli i Azerbajxhanit është një rol shumë i rëndësishëm, pasi siguria energjetike është ajo çka i duhet jo vetëm Ballkanit Perëndimor, por tashmë gjithë Europës.

Zbatimi i suksesshëm i TAP-it hapi mundësi të tjera bashkëpunimi, përfshirë projekte të gazifikimit të qyteteve tona, duke nisur kështu nga një qytet pilot, siç është qyteti i Korçës, që e kemi zgjedhur për të nisur implementimin e këtij projekti të madh dhe më pas për të vazhduar me qytetin e Pogradecit apo edhe me qytete të tjera në Republikën e Shqipërisë. Dimensioni energjetik në marrëdhëniet ekonomike bilaterale konsiderohet nga të dyja palët si një ndër fushat më ë rëndësishme të bashkëpunimit, sikurse është identifikuar edhe gjatë zbatimit të marrëveshjes ndërqeveritare për bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe teknologjik të lidhur në vitin 2013.

Megjithatë, me vullnetin e të dyja qeverive është vendosur që ky bashkëpunim të thellohet dhe të kalojë në një nivel tjetër, duke përfshirë sektorë me interes dypalësh. Në këtë frymë vjen sot për miratim kjo marrëveshje e re, e cila parashikon shtrirjen e bashkëpunimit edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si turizmi, bujqësia, investimet dhe pa dyshim arsimi dhe kultura ku Azerbajxhani gjatë viteve të fundit në fushën e arsimit ka shkëlqyer edhe përmes paketave incentivuese për të rinjtë, të cilët studiojnë në vende të ndryshme të botës dhe më pas kthehen me ekspertizën e tyre në Azerbajxhan.

Të dyja vendet dëshirojnë të stimulojnë dhe të promovojnë bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe të investimeve, duke inkurajuar kontaktet dhe shkëmbimet ndërmjet ministrive dhe agjencive tona përkatëse, dhomave të tregtisë, organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit, misionet dhe takimet bilaterale.

Gjithashtu, ne jemi shumë të prirur për të mirëpritur turistët azerbajxhanas në Shqipëri, por edhe për të rritur fluksin e shqiptarëve që vizitojnë vendin mik. Për këtë arsye kemi diskutuar gjerësisht me Ministrinë e Transportit dhe me Autoritetin e Aviacionit Civil për vendosjen e një linje direkte mes Bakusë dhe Tiranës në muajt në vazhdim.

Bujqësia, arsimi dhe kultura janë, gjithashtu, fusha të rëndësishme ku ne dëshirojmë të intensifikojmë bashkëpunimin, pasi ka shumë mundësi për të eksploruar. Ekspertët, nga të dyja palët, do t’i shtjellojnë më tej të gjitha fushat me interes të përbashkët, për të cilat kemi rënë dakord, për ta forcuar këtë bashkëpunim kaq të vyer. Për këtë qëllim, pas miratimit të marrëveshjes, do të ngrihet komiteti i përbashkët ndërqeveritar, i cili do të punojë për të identifikuar dhe shtjelluar të gjitha këto fusha të interesit ekonomik për të dyja palët.

E them shpesh që punët e mira nuk bëhen vetëm, për punët e mira duhen miq të mirë dhe ky është rasti, i bashkëpunimit të ngushtë me Azerbajxhanin, për të pasur përfitime të dyja vendet tona. Ndaj, ju ftoj që kjo marrëveshje të votohet sot jo vetëm nga deputetët socialistë, por edhe nga deputetët e djathtë.

Siç ju thashë, për eficiencë kohe po kaloj në prezantimin e projektligjit të dytë, meqenëse pasojnë njëri-tjetrin, një projektligj, i cili ka kaluar në komisione me mbështetje të plotë të të dyja grupeve. Bëhet fjalë për projektligjin për etiketimin e produkteve me ndikim në energji. Eficienca e energjisë pa dyshim është shndërruar në një tjetër sfidë të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë si një kërkesë bazike e Bashkimit Europian dhe të gjitha acqui-ve që ne implementojmë.

Kriza ndërkombëtare energjetike që pllakosi botën dhe që pa dyshim u ndie rëndë edhe në Shqipëri gjatë vitit 2021, që më pas pasoi me të gjithë krizën që u shkaktua nga agresioni rus në Ukrainë, bën të domosdoshëm trajtimin me përparësi të disa çështjeve që nuk kanë të bëjnë vetëm me prodhimin e energjisë, por edhe me kursimin e saj. Qeveria shqiptare që në krye të herës ka qenë e angazhuar për përballimin me sukses të këtyre sfidave dhe të krizave globale, por me pasoja të forta edhe për vendin tonë, duke mos lejuar që barra e rritjes së çmimeve të prekte familjarët apo bizneset.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka kushtuar vëmendjen e duhur rritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë përmes diversifikimit të burimeve të energjisë elektrike. Ashtu siç ju të gjithë e dini, ne e kemi bazuar të gjithë prodhimin vendas mbi hidrocentralet. Por nga ana tjetër, duke nisur nga vitit 2018 e në vazhdim, kemi pasur procese dhe aktivitete të suksesshme të njëpasnjëshme, kryesisht mbështetur në ankandet e krijimit të parqeve fotovoltaike dhe atyre eolike, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme, duke e kthyer Shqipërinë pa dyshim në një rast studimor për shkak të çmimeve shumë të ulëta që ne kemi arritur përmes këtyre ankandeve.

Nga ana tjetër, 2 vjetët e fundit është parë një incentivim i biznesit privat për sa u përket investimeve në energjinë solare, por edhe atë eolike, duke krijuar kështu një paketë të plotë të diversifikimit, sigurisht duke përdorur edhe fuqinë tonë hidrologjike për sa i përket balancimit të këtyre parqeve. Në kuadër të këtyre përpjekjeve të vazhdueshme një rol të veçantë zë eficienca e energjisë. Ashtu siç jua thashë, që të prodhohet energjia, që të kesh burime të diversifikuara, që të krijohet ajo çka ne kemi kërkuar, pra që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues neto nga një vend importues neto, të gjitha këto janë përpjekje që tashmë po materializohen. Ajo çka është më e rëndësishme është se duhet kuptuar që nuk mjafton vetëm që të kemi sasinë e duhur energjetike, por duhet edhe ta kursejmë atë. Kështu që në kuadër të këtyre përpjekjeve ne vazhdojmë të punojmë për rritjen e eficiencës së energjisë dhe për këtë arsye ka ardhur edhe projektligji që po prezantojmë sot, për etiketimin e produkteve me ndikim në energji.

Ky projektligj synon të përmirësojë dhe t’i mbrojë qytetarët e Shqipërisë në blerjen e produkteve me ndikim në energji dhe përafrimin e legjislacionit në çështjet e etiketimit të performancës së konsumit të energjisë. Qëllimi është që të vendosë në dispozicion të konsumatorëve fundorë, pra të familjarëve, informacionin e nevojshëm për konsumin e energjisë për produktet e përdorimit të përditshëm nga konsumatorët familjarë, por sigurisht kjo nuk përjashton as bizneset.

Nisma synon t’u vijë në ndihmë qytetarëve, por edhe bizneseve për të kuptuar dhe për të përzgjedhur ato produkte që janë më eficiente për sa i përket konsumit të energjisë, duke reduktuar kështu faturën e energjisë elektrike për përdoruesit familjarë, por, gjithashtu, me elemente të tjera indirekt që lidhen me mbrojtjen e mjedisit përmes rritjes së sigurisë energjetike, reduktimit të humbjeve të energjisë si rezultat i uljes së kërkesës për energji.

Ky projektligj vjen edhe si një ndër detyrimet e vendit tonë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës. Ndërkohë që projektligji ndërton një kornizë të përgjithshme, aktet nënligjore që do të dalin në rrjedhim të këtij ligji do të përcaktojnë detajet dhe specifikimet e nevojshme për etiketimin e produkteve me ndikim në energji. Deri tani paketa e akteve të deleguara të Bashkimit Europian parashikon hartimin e 16 akteve nënligjore për 16 produkte, ku përfshihen makina larëse, kondicionerë, ngrohëse, frigoriferë, pajisje ftohëse, sistemet e ventilimit të ajrit, llambat ndriçuese e të tjera, aktualisht të detyruara për t’u etiketuar. Gjithashtu, parashikimet ligjore lejojnë hapësirën për përfshirjen në listë edhe të produkteve të reja që mund të klasifikohen për etiketim, duke mbajtur të përditësuar produktet, sipas listës së vendeve të Bashkimit Europian.

Aktualisht, legjislacioni në fuqi nuk është në koherencë me standardet aktuale të etiketimit të energjisë për produktet me ndikim në energji, të përcaktuara nga Rregullorja e Bashkimit Europian e vitit 2017, lidhur me etiketimin, konformitetin e dokumenteve teknike shoqëruese të produkteve me ndikim në energji dhe ka ripërkufizuar klasat e energjisë së tyre.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe të akteve nënligjore furnizuesit dhe tregtarët e produkteve me ndikim në energji do të jenë të detyruar të përdorin etiketa që vlerësojnë performancën energjetike të këtyre produkteve në të njëjtën mënyrë dhe përmes të njëjtës metodologji që zbatohet sot në shtetet anëtare të Bashkimit Europian, aty ku Shqipëria po punon për t’u bërë pjesë.

Në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë që të përzgjedhin produktet me ndikim energjetik në të njëjtat kushte si çdo konsumator i vendeve të Bashkimit Europian. Në një dimension më të gjerë ky ligj do të përmirësojë ligjin aktual dhe do të harmonizojë masat kombëtare dhe legjislacionin në lidhje me informacionin e detyrueshëm mbi konsumin e energjisë për produkte me ndikim në energji dhe sistemin energjetik të vendit me përmbajtjen, mbrojtjen, formën e ofruar dhe sigurisht për konsumatorët, për nivelin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ashtu siç e parashikon legjislacioni europian.

Në këtë drejtim është e rëndësishme të theksojmë se ndryshimet në etiketat e energjisë në treg do të sjellin një shkallë krahasuese të re për klasat e energjisë, duke përfshirë një gamë më të kufizuar nga “A”-ja deri në “G”, duke krijuar më pak konfuzion për përdoruesit fundorë, ndërkohë që deri më sot ka qenë A, A+, A++ apo A+++. Kjo do t’i ndihmojë konsumatorët që të zgjedhin lehtësisht produktet që janë më eficente për konsumin e energjisë.

Nga ana tjetër, me këtë ligj të ri, synojmë që të përafrojmë jo vetëm kuadrin ligjor për etiketimin e performancës, por edhe të vijojmë të përforcojmë procesin e nisur tashmë për një epokë të re të përdorimit të energjisë elektrike ku të gjithë të kontribuojmë për një mjedis më të pastër, një të ardhme më të qëndrueshme për brezat dhe pa dyshim duke u mbështetur nga përfitimet e drejtpërdrejta të kursimit energjetik.

Projektligji është në përputhje të plotë me arritjen e objektivave kombëtare për eficiencën e energjisë, informimin e konsumatorit fundor dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve me ndikim në energji dhe është përgatitur në mbështetje të Planit Kombëtar për Integrimin Europian në PKIE 2020-2024. Edhe për këtë projektligj do t’ju ftoja ta votonim të gjithë së bashku, gjë që e keni bërë edhe nëpër komisione.

Ndërkohë që mblidhemi këtu në sallën e Parlamentit dhe dëgjojmë njëri-tjetrin, është për të ardhur keq kur dëgjon kolege, zonja deputete, të cilat përdorin shprehje të rënda dhe të pajustifikuara. E kuptoj që ndonjëherë në gjaknxehtësi e sipër i drejtohemi njëri-tjetrit me shprehje të rënda, por që të bësh një fjalim dhe ky fjalim të përfshijë fjalë, “palaçollëqe”, “hajdutllëqe” e të tjera, kjo më duket pak e çuditshme, sepse është si ato vrasjet me paramendim. Kur ulesh në darkë në kompjuter dhe i shkruani këto fjalë, me të vërtetë unë nuk di se çfarë u transmetojmë fëmijëve që na ndjekin, pasi shumica prej nesh këtu janë nëna.

Nëse kjo është koha më e mirë apo më e keqe për shqiptarët ndërkombëtarisht, fatmirësisht nuk është në dorën e këtij grupi që ta vendosë, por është në dorën e shqiptarëve. Nëse shqiptarët janë ndier krenarë, të majtë dhe të djathtë, që Kryeministri i tyre i vizitoi në Athinë, ku salla u mbush plot me emigrantë që kanë vuajtur boll, këtë nuk e fshihni dot ju, sepse është si puna e fshehjes së diellit me shoshë. Tani, duhet të përgatiteni shpirtërisht se do të shihni të njëjtin entuziazëm, ndoshta edhe më të madh, në Milano, për një javë, do ta shikoni në Londër, në datën 2 qershor dhe më pas do ta shikoni në Mynih. Ne nuk do të ndalemi, por do ta vazhdojmë këtë tur të shqiptarëve, sepse është detyrë e qeverisë shqiptare, por unë them se është detyrë e të gjithë deputetëve të Parlamentit shqiptar që t’i drejtohen diasporës ashtu siç duhet dhe t’i bëjnë krenarë për vendin e tyre. Nuk e di se çfarë mbani mend ju nga viti 2013, por sot kur ti i thua dikujt që je nga Shqipëria, ai kthehet dhe të thotë: nga Shqipëria, aty ku vijnë të gjithë për turizëm, nga Maldivet e Europës dhe jo çfarë thoshin për ne në vitin 2013.

Shumë faleminderit!