Fjala e mbajtur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Konferencën “Përtej kufijve: Drejt një tregu të qëndrueshëm energjetik dhe një ekonomie me karbon të ulët”
I nderuar Kryeministër!
Të nderuar Ambasadorë!
Të nderuar pjesëmarrës!
Është një kënaqësi e veçantë të shoh në këtë sallë një pjesëmarrje kaq të çmuar, me partnerë të rëndësishëm, bashkëpunëtorë të hershëm dhe të ardhshëm, të gjithë lider në sektorin energjetik në SHBA, Bashkimin Europian, Ballkanin Perëndimor e më gjerë. Konferenca e sotme zhvillohet në një moment kritik për situatën energjetike në të gjithë botën, ku kriza ndërkombëtare nuk ka kursyer pothuajse asnjë shtet, të zhvilluar apo më pak të zhvilluar. Mbështetja në burime të përqendruara midis ekonomive kryesore, ndikoi qartë tregjet globale duke evidentuar dobësitë e gjendjes dhe skemës aktuale të zinxhirit të furnizimit me energji.
Nga ana tjetër, sfidat klimatike dhe kuadri i ri rregullator i dekarbonizimit të BE-së kërkojnë përshpejtimin të tranzicionit energjetik, duke hequr dorë nga prodhimi i energjisë me anë të lëndëve fosile. E megjithatë kemi qenë dëshmitarë se si themelet e këtyre angazhimeve janë lëkundur nga tërmeti i krizës, e cila riktheu vëmendjen e gjithë vendimmarrësve në dilemën midis tranzicionit të gjelbër apo sigurisë së energjisë.
Qeveria Shqiptare, kohë përpara se sa të shfaqej kjo krizë energjetike ndërkombëtare, e ka renditur sigurinë energjetike si një prioritet për vendin tonë. Kemi nisur me parqet e mëdha fotovoltaike të diversifikojmë portofolin e prodhimit energjetik në Republikën e Shqipërisë dhe tashmë jemi në një fazë ndërtimi të dy parqeve më të mëdha, ndoshta për Ballkanin, që janë parku i Karavastasë dhe ai i Spitallës që po ndërtohen nga kompania franceze Voltalia.
Skavica, një ëndërr në sirtar, hidrocentrali i katërt i kaskadës, por ndryshe i njohur si rregullatori dhe depozita më e madhe energjetike në vend ka nisur nga ndërtimi me një partner shumë të çmuar, me kompaninë amerikane Bechtel, ne tashmë po bëjmë realitet një nga ëndrrat më të mëdha energjetike shqiptare.
TEC-i i Vlorës, i cili më shumë se një aset ka qenë një barrë për buxhetin e shtetit pasi edhe pse u ndërtua nuk u ndez asnjë ditë për shkak të një problemi teknik, por Qeveria Shqiptare vazhdoi ndër vite që të paguante një kredi, sot është një projekt i mirëfilltë. Një projekt i cili ekziston atje për ri jetësimin e tij, me partnerët tanë të ExxonMobil dhe Excelerate Energy, të cilët kanë vërtetuar angazhimin e tyre të plotë dhe serioz në këto dy vitet e fundit.
Porti i lundrueshëm në Gjirin e Vlorës, që do të furnizojë TEC-in dhe do të shndërrojë Shqipërinë në një hub rajonal të shpërndarjes së gazit të lëngshëm në shkallë të vogël, ka qenë vizioni fillestar që kemi patur për këtë projekt të integruar. Megjithatë, ambicia jonë për të kthyer vendin në një aktor dhe faktor të sektorit energjetik në rajon, arriti të ridimensionojë krejtësisht këtë projekt duke hapur horizonte të reja dhe duke krijuar hapësira për bashkëpunim, të cilat ne jemi mbledhur këtu sot për ti diskutuar dhe për të bërë një analizë.
Zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë evidentuar dobësitë në peisazhin energjetik aktual. Varësia nga gazi rus ka lënë të ekspozuar mjaft vende të rajonit dhe të Europës, duke kërcënuar kështu sigurinë e tyre energjetike. Projekti ynë, ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë, nëpërmjet tubacionit Fier-Vlorë, ka tërhequr, jo pa shkak, vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit, të cilët ndodhen këtu në këtë sallë. Deri para pak kohësh, koncepti i injektimit të gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP, do ishte pritur me shumë skepticizëm. Por sot, për shkak të pasojave të krizës energjetike, ky koncept është jo vetëm i mundur dhe i zbatueshëm, por ndoshta dhe aspekti më interesant dhe njëkohësisht çelësi fitues i këtij projekti.
Duke shfrytëzuar pozicionin gjeopolitik të Shqipërisë, vizionin dhe strategjitë e Qeverisë për zhvillimin e sektorit, si dhe partneritetet e kultivuara ndër vite, ne sot jemi të aftë të korrim frytet e punës sonë, duke zhvilluar një projekt që do të transformojë pozitën tonë dhe do të pozicionojë vendin tonë si qendër jo vetëm të furnizimit me gaz, por çka është më e rëndësishmja si një kontributor në sigurinë energjetike të rajonit, e pse jo dhe të gjithë Europës. Ne jemi të ndërgjegjshëm se projektet e mëdha, ato që vërtet kanë impakt të drejtpërdrejtë dhe të pakundërshtueshëm, nuk realizohen vetëm. Duhen partnerë seriozë dhe të besuar, që ndajnë të njëjtat prioritete dhe shohin nëpërmjet të njëjtës lente optike, ashtu si dhe ne. Ne jemi me fat që kemi mundur të gjejmë partnerë të tillë tek ExxonMobil, Excelerate Energy, TAP, Voltalia, ENI, Shell, të cilët jo vetëm që janë nga bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë, por janë dëshmi se Qeveria Rama ka rikthyer besimin e investitorëve se Shqipëria është një vend i vogël, por me potenciale të mëdha. Por, mbi të gjitha ka vërtetuar se Qeveria Shqiptare ka arritur të ndërtojë një klimë biznesi, tërheqëse por dhe transparente, për të përthithur investime që ndikojnë në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.
Unë jam besimplotë se kjo konferencë e sotme do të na shërbejë të gjithëve në mënyrë reciproke, për të forcuar piketat e zhvillimit të projekteve konkrete, në funksion të qëllimit për një treg të qëndrueshëm dhe siguri të plotë energjetike.
Unë e kam nisur këtë rrugëtim diku në vitin 2019, pasi kisha pak muaj në këtë detyrë, por me një partner shumë të fuqishme në krah, me ambasadoren Kim. Kemi nisur bashkë këtë projekt dhe në ato kohët e para kur uleshim në tryeza na dukej sikur do ishte diçka shumë e largët. Shpeshherë na duhet që ti shpjegojmë publikut që një projekt sa më i rëndësishëm të jetë aq më shumë e gjatë është koha e inkubimit, koha e dizenjimit, për ta bërë atë sa më serioz dhe për ta bërë të prekshëm më pas. Kështu që kanë kaluar më shumë se 2 vite e gjysmë, por sot ne flasim mbi terma konkretë, sot kemi partnerë konkretë dhe unë dua ta falenderoj shumë Yurin nga zemra që kemi bërë këtë rrugëtim bashkë dhe kemi pasur mundësi që këtë projekt, pra projektin e termocentralit të Vlorës, ta kthejmë në një projekt të integruar dhe nga një projekt lokal për vendin, në një projekt rajonal i cili do të sjellë benefite për ne të gjithë.
Do të desha që ti jepja fjalën ambasadores Kim për të thënë dhe ajo pjesën si e ka përjetuar të gjithë këtë rrugëtim.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë