Projektligji “Për Buxhetin e vitit 2023” i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një buxhet total në vlerën 54.75 miliard lekë, nga të cilat: shpenzime korrente në vlerën 5.35 miliard lekë dhe shpenzime kapitale në vlerën 49.39 miliard lekë. Shpenzimet kapitale përbëhen nga: financimi i brendshëm në vlerën 29.49 miliard lekë; financim i huaj në vlerën 19.9 miliard lekë.
Në projektligjin për buxhetin 2023, MIE ka rritje të tavaneve buxhetore në total 7.35 miliard lekë, krahasuar me tavanet buxhetore të projektligjit për buxhetin e vitit 2022. Kjo rritje e tavaneve buxhetore konsiston në rritje të shpenzimeve kapitale në vlerën 7.1 miliard lekë dhe rritje të shpenzimeve korrente në vlerën 200 milion lekë. Në vijim kemi të dhënat e tavaneve buxhetore për MIE, por ju i keni të gjitha të detajuara dhe unë do preferoja që të futesha në programe dhe të mos kalonim shifrat një për një, pasi është shpërndarë dhe do ishte më e udhës që të merreshim me programet.
Fillimisht do filloj me Programin e Transportit Rrugor, i cili është një nga nuklat më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. Infrastruktura rrugore mbetet padyshim në prioritetet e Qeverisë Shqiptare për periudhën 2023-2025, pavarësisht se buxheti 2023 ashtu siç është thënë dhe nga kolegët që kanë prezantuar deri tani është një buxhet i cili ka për synim mbështetjen sociale të popullatës, duke qenë se jemi në një kohë krize, duke pasur parasysh inflacionin, krizën energjetike etj., megjithatë ne nuk kemi lënë pas dore projektet e nisura në infrastrukturë, si dhe projekte të cilat konsiderohen strategjike dhe janë projekte të reja për tu filluar. Megjithatë kemi një parim që është dhe një kërkesë e FMN-së dhe unë këtë e kam kërkuar nga stafet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë që në vitin 2019, mos krijimin e detyrimeve të prapambetura. Kështu që në momentin e hartimit të buxhetit një nga parimet që ne ndjekim është për të mos krijuar debite ndër vite.
Ky projekt në buxhetin 2023 ka rritje të mbështetjes buxhetore në krahasim me programin e mëparshëm atë të vitit 2022 me 2.2 miliardë lekë. Prioritetet mbi të cilën janë hartuar të gjitha hapat e këtij projektbuxheti afatmesëm 2023-2025 konsistojnë siç ju thashë fillimisht në parimin tonë për të mos krijuar detyrime të prapambetura. Në mbështetjen buxhetore për vazhdimin e financimit të akseve rrugore prioritare në ndërtim, si dhe projekteve koncensionare që po implementohen në infrastrukturën rrugore. Mbështetjen buxhetore për financimin e mirëmbajtjes së akseve rrugore të ndërtuara. Mbështetjen buxhetore për projekte të reja të infrastrukturës rrugore. Mbështetje buxhetore për kryerjen e procedurave të shpronësimit të pronarëve dhe të pasurive të paluajtshme që mundëson vazhdimin e projekteve ndërtimore. Kjo është një nga çështjet kryesore, e cila shpeshherë krijon edhe vonesa për shkak të dosjeve dhe të mungesës së dokumentacionit që shpesh herë hasim, megjithatë me krijimin e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve kemi dukshëm një përmirësim të të gjithë proceseve, duke ecur kështu më shpejt, duke kompensuar pronarët në kohën e duhur, duke e ndarë me këste pagesën e këtyre shpronësimeve, por duke e deklaruar që në fillim. Nga ana tjetër, duke i dhënë kështu mundësi që projektet të mos ngecin, siç ndodhte më përpara. Në ndërkohë gjithashtu në këtë program përfshihet dhe mbështetja buxhetore e zërit TVSH dhe kosto lokale përsa i përket projekteve me financim të huaj dhe sigurisht mbështetja buxhetore për projektet e sinjalistikës që kanë të bëjnë direkt me sigurinë rrugore.
Nëse do kalojmë në detajim. Shpenzimet kapitale që janë buxhetuar në vlerën 23.4 miliard lekë përbëhen nga financimi i brendshëm në vlerën 18.59 miliard lekë, e cila ka rritje me 2.4 miliard lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit 2022. Ndërkohë që financimi i huaj në vlerën 4.81 miliard lekë, ka rënie me 214 milion lekë krahasuar me buxhetit 2022. Gjithashtu brenda këtij programi përfshihet edhe politikat ekzistuese të financimit të brendshëm, që kanë lidhje direkte me aparatin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, ku janë projektet PPP për vitin 2023 janë të buxhetuara në vlerën 4.59 miliard lekë ose 24.6% të buxhetit me financim të brendshëm në këtë program.
Projektin koncensionar “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” për të cilën vazhdon likuidimi i kësteve vjetore sipas kushteve kontraktuale, ku nga kontrata fillestare nuk ka pasur asnjë shtesë dhe këtë duhet ta nënvizoj. Ndërtimi i kësaj vepre do të përfundojë në vitin 2023. Deri më tani, pra deri në tetor të 2022 kur është mbyllur i gjithë ky material, janë kryer rreth 74% të punimeve fizike, kurse pagesat financiare nga buxheti i shtetit për periudhën 2019-2022, realizohen në vlerën 12,4 miliard lekë. Shlyerja financiare e veprës nga buxheti i shtetit do të përfundojë sipas kontratës në vitin 2031.
Një projekt tjetër koncensionar është “Subvencioni i kontratës koncensionare për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë, për të cilën vazhdon likuidimi i kësteve vjetore sipas kushteve kontraktuale dhe shlyerja financiare e veprës nga buxheti i shtetit do të përfundojë në vitin 2032. Një tjetër projekt koncensionar është “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës)”, për të cilën ka filluar zbatimi i punimeve ndërtimore në vitin 2021. Ndërtimi i kësaj vepre sipas kushteve kontraktuale përfundon në vitin 2024. Deri më tani janë kryer 45% e volumeve të punimeve. Mbështetja buxhetore për këtë vepër ka filluar në 6 mujorin e parë të vitit 2022 dhe përfundon në vitin 2033. Parashikohet që kjo vepër të ketë një ecuri gjatë dimrit, duke qenë se zona na lejon që të punohet në atë kantier dhe shpresojmë që në 1 qershor të jetë e aksesueshme në formën të një kantieri në vazhdim, por pa komplikime, duke u bërë e kalueshme edhe në disa pjesë që nuk ka qenë gjatë kësaj vere dhe duke krijuar kështu një akses direkt për në Llogara.
Gjithashtu kemi projektin “Ndërtimi i Tunelit të Llogorasë” i cili është buxhetuar në vlerën 6.2 miliard lekë ose 33% të buxhetit me financim të brendshëm për këtë program. Ndërtimi i kësaj vepre sipas kushteve kontraktuale përfundon në vitin 2024. Për vitin 2022, janë realizuar rreth 5 miliard lekë punime fizike, nga fillimi i kontratës e deri më tani, e cila përbën 24% të kontratës, ndërkohë që po kaq është edhe realizimi financiar nga buxheti i shtetit. Duhet pasur parasysh që kemi një synim për ta mbaruar këtë projekt përpara afatit të deklaruar, duke qenë se edhe gjeologjia na e ka lejuar dhe duke qenë se parashikohet që në fund të muajit shkurt 2023 në të kemi hapjen totale të tunelit, për të filluar pastaj dhe për tu marrë me pjesën elektromekanike dhe armatimin e të gjithë tunelit.
Ndërkohë përsa i përket projekteve të lidhura me Autoritetin Rrugor Shqiptar janë projektet e vitit 2023, janë buxhetuar në vlerën 7.75 miliard lekë nga financimi i brendshëm. Buxhetimi i politikave ekzistuese me financim të brendshëm është në vlerën 6.5 miliard lekë ose 35% e buxhetit me financim të brendshëm. Çfarë janë veprat të cilat ARRSH-ja do të vazhdojë. Është ndërtimi dhe sistemim rrugësh buxhetuar në vlerën 4.8 miliard lekë. Studim – projektim buxhetuar në vlerën 125 milion lekë. Sinjalistikë dhe siguri rrugore buxhetuar në vlerën 55 milion lekë. Kosto lokale dhe TVSH buxhetuar në vlerën 1.3 miliard lekë. Fondi i emergjencës buxhetuar në vlerën 92 milion lekë. Të tjera si vendime gjyqësore, shpronësime etj. janë buxhetuar në vlerën 121 milion lekë.
Ndër projektet kryesore mund të përmendim, unazën e Tiranës, 7 lotet e saj të cilat tashmë janë të gjitha kantiere të hapura dhe në proces. Rrugën Palasë – Dhërmi. Rrugën Korçë – Ersekë. Loti i parë i rrugës për zgjerimin e shtratit të rrugës “Elbasan Qafë-Thanë”, faza e parë. Qendra e Monitorimit të Trafikut – faza e parë. Rehabilitimi i rrugës së vjetër Fier – Vlorë, pra nga nyja e Levanit. Rikonstruksioni i aksit rrugor Maliq-Lozhan i Ri. Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Shkallën e Tujanit. Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë.
Të tjera projekte. Është ndërtimi i Rrugës, lidhja me Autostradën Milot- Morinë me Aeroportin e Kukësit. Ndërtimi rruga lidhëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me Autostradën Fier – Vlorë. Ndërtimi rrugës së Porto Romano, loti 3. Rruga Kardhiq – Delvinë, loti 8. Rrugët lidhëse të rrethrrotullimit të TEG. Përfundimi i punimeve në segmentet rrugore ura e Kranesë Qafë Botë, Ura e Kranesë Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan Ura e Gajdarit. Këto janë çfarë ARRSH-ja ka si vazhdim i projekteve të nisura.
Politikat e reja me financim të brendshëm. Buxhetimi i politikave të reja me financim të brendshëm është në vlerën 1.2 miliard lekë ose 6.5% e buxhetit me financim të brendshëm. Vlera e këtyre projekteve llogaritet 6.3 miliard lekë. Politikat e reja konsistojnë në: Zgjerimi i rrugës “Elbasan Qafë-Thanë” – faza II; Sistemim asfaltim rruga Ura e Cerenecit – Peshkopi, loti 3; Ndërtimet e rrugëve lidhëse të autostradës Tiranë – Elbasan me Komunën Bërzhitë dhe Mëzez; Sinjalistikë dhe siguri rrugore për rajonet qendër, veri dhe jug. Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve “Rehabilitim i segmentit rrugor-mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja”, loti 3.
Mbështetja buxhetore, duhet thënë, e cila është planifikuar për investime kapitale me financim të brendshëm mbulon 80% të nevoja reale që ne kemi në këtë program. Nisur në prioritetet mbi të cilat kemi hartuar këtë buxhet e konkretisht vijimin e mbështetjes së projekteve prioritare ekzistuese me financim, pa krijuar detyrime, ashtu siç thamë me parimin, pra parimi bazë ka qenë të mos krijojmë detyrime të reja duke hapur projekte akoma pa mbyllur dhe pa financuar projektet ekzistuese, është mundësuar kjo mbështetje buxhetore, e cila praktikisht mbulon 80% e nevojave. Jam shumë e sigurtë që në përfundim të fjalës, do të ketë edhe nga kolegët deputetë pyetje të cilat lidhen me projektet në zonat e tyre, por që kjo është një gjë që duhet ta dini, që patjetër do kishim nevojë të financoheni më shumë, por i kemi dhënë prioritet çështjeve të tjera në këtë buxhet.
Ndërtimi i rrugës Berat – Ballaban”, loti 1 është një rrugë e cila tashmë e ka dhe projektin të përfunduar dhe të detajuar dhe është programuar për fillimin e vitit 2024. Ndërkohë që Qendra e Monitorimit të Trafikut – faza II dhe faza III janë programuar për vitin 2024 dhe 2025, duke mbyllur brenda vitit 2023, 200 kilometrat e parë të monitorimit të trafikut në rang republike dhe për të vazhduar më pas në 2024. Ndërkohë që edhe loti i 3-të i Qafë –Thanë Elbasan, pra zgjerimin e rrugës dhe fillimin e loteve për korridorin e 8-të është programuar që të vazhdojë faza e tretë, pra në vitin 2025.
Nga politikat ekzistuese me financim të huaj. Për vitin 2023, në zërin e financimit të huaj, do të vazhdojë financimi i politikave ekzistuese në projektet me financim të huaj, në formë Grante/Kredie, të financuara nga donatorët (BEI, BERZH, Banka Botërore, Banka Islamike), etj. Për zërin e studim projektimeve, do të vazhdojë financimi i “Studimit të fizibilitetit dhe përgatitja e projektit të detajuar për sigurinë e urave”, që është një projekt që e kemi nisur në 2019, një projekt i rëndësishëm i cili për më tepër ka dhe një pjesë zbatimi, në ndërkohë. Për zërin e shpenzimeve kapitale direkte me financim të huaj, do të vazhdojë financimi i politikave ekzistuese në zërat ndërtim, konsulencë, monitorim të kontratave, asistencë teknike, supervizion punimesh e konkretisht: projekti “Ndërtim rruga Qukës Qafë – Plloçë (Lotet 1-3)”, ndërkohë që dhe projekti “Ndërtim Bypass i Vlorës”.
Politikat e reja me financim të huaj. Në politikat e reja, të cilat pritet të fillojnë gjatë vitit 2023 është projekti i Bankës Botërore “Përmirësimi dhe rehabilitimi i urave”. Ky projekt ka një financim prej 100 milion euro i shtrirë në 7 vite dhe përfshin përmirësimin dhe rehabilitimin e 27 urave të përzgjedhura nga i gjithë inventari i urave që kemi pasur. Sigurisht përzgjedhja është bërë në bazë të vështirësisë që ato sot kanë dhënë për shkak të konstruksionit dhe të analizës që i është bërë, pra kushtet e vështira secila prej tyre dhe sigurisht dhe vendndodhjes strategjike. Pra nëqoftëse është një urë, e cila është pjesë e një aksi qendror ka pasur prioritet për tu futur në listën e rehabilitimit të menjëhershëm. Kështu që gjatë vitit 2023 do të fillojë puna për 2 urat e para, që është ura e Beshirit dhe ura e Viroit, e cila është pjesë e aksit jugor që lidh Shqipërinë me pikën kufitare të Kakavisë, pra më Greqinë. Pas miratimit të bordit të Bankës Botërore në mars të vitit 2023, kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në parlament dhe më pas të fillojë menjëherë projekti.
Detajimi i shpenzimeve korrente. Shpenzimet korrente në këtë program janë buxhetuar në vlerën 2.82 miliard lekë. Ka rritje të tavanit për këto shpenzime me 10.7 milion lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Në detajimin e shpenzimeve korrente, janë mbajtur në konsideratë fondet buxhetore për zërat e pagave, sigurimet shoqërore, shpenzimet operative për funksionimin administrativ të Autoritetit. Peshën kryesore në këto shpenzime e zë mirëmbajtja e akseve rrugore të ndërtuara. Fondet buxhetore të parashikuara për financimin dhe mbështetjen e kontratave të mirëmbajtjes rrugore, janë të pamjaftueshme për vitin 2023 dhe kërkesa shtesë është 1.2 miliard lekë.
Programi i Transportit Detar. Ky program mbulon me financim projekte të investimeve për funksionimin me kapacitet të plotë të porteve, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, kapaciteteve njerëzore, sigurisë dhe sistemit të menaxhimit në porte. Projekti prioritar që do të fillojë të zhvillohet në këtë sektor është “Projektimi dhe ndërtimi i Portit të Integruar Triport, Vlorë”. Ky investim synon ndërtimin e një porti të integruar modern në afërsi të qytetit të Vlorës, në Triport, i cili do të përmbushë kërkesat e tregut për transferimin e shërbimit të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve, si dhe do të përmirësojë infrastrukturën portuale për akomodimin e mjeteve lundruese të peshkimit. Për herë të parë do të kemi edhe një dok për riparimin e anijeve që deri më sot të gjithë peshkatarët e Vlorës me raste i dërgonin në Itali.
Mbështetja buxhetore për këtë projekt do të fillojë në vitin 2026 ose pas përfundimit të punimeve, të cilat parashikohen të kryhen në tre vite, pra 2023, 2024, 2025. Kjo është një kontratë, e cila për të thënë të drejtën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndihet shumë mirë për negocimin e saj, pasi është një kontratë ku me të vërtetë partneriteti publik dhe privat merr një sens akoma më të madh, duke qenë që nuk angazhohen fonde të Buxhetit të Shtetit deri ditën kur porti nis operimet dhe më pas të ketë mundësinë financiare për t’ju përgjigjur pagesave që do vijnë në vitet në vazhdim nga 2026 kur porti nis vetë operimet.
Detajimi i shpenzimeve korrente. Në projektligjin e buxhetit të vitit 2023, parashikohet rritje e tavanit të shpenzimeve korrente me 8.3 milion lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Në shpenzimet korrente, përfshihen pagat, sigurimet shoqërore dhe shpenzimet operative për funksionimin administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
Përsa i përket shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm janë buxhetuar në vlerën 58.6 milion lekë. Ka një pakësim të tavanit buxhetor në këtë program me 21.3 milion lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Buxhetimi i politikave ekzistuese me financim të brendshëm është në vlerën 46.7 milion lekë ose 80% e tavanit të programit. Këto projekte janë: Rikonstruksion i Terminalit të Pasagjerëve në Sarandë; Vazhdimi i sinjalit satelitor LRIT; Supervizion “Projektimi dhe ndërtimi i Portit të Integruar Vlorë; TVSH dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj. Buxhetimi i politikave të reja me financim të brendshëm është në vlerën 11.8 milion lekë ose 20% e tavanit të programit. Vlera e këtyre projekteve është 48.3 milion lekë. Projektet e reja janë: Ndërtim i godinës së Faciliteteve dhe Shërbimeve Portuale; Blerje motorskafi për DPD.
Shpenzimet kapitale me financim të huaj janë buxhetuar në vlerën 10 milion lekë. Mbështetja buxhetore 2023 për projektet me financim të huaj konsiston në projektet:
Projekti “EUREKA”, projekt i financuar nga fondet IPA, me një vlerë totale për Shqipërinë rreth 238 mijë euro. Projekti ka si objekt forcimin e kapaciteteve për shërbimin e integruar të transportit, mobilitetit dhe multimodalitetit në zonën e Adriatikut dhe Jonit.
Projekti “MEDEA”, projekt i financuar 100% nga Bashkimi Europian me vlerë totale 65.000 euro. Ky projekt ka si qëllim forcimin dhe stabilizimin e sigurisë në vendet e rajonit të Mesdheut dhe Detit të Zi, duke përdorur kërkimin dhe inovacionin si një katalizator për të nxitur bashkëpunimin midis praktikuesve nga disiplina dhe vende të ndryshme.
Projekti “BLUWBC”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian. Projekti ka si qëllim rritjen dhe aftësinë në Inovacion dhe Sipërmarrje duke synuar konceptin e ekonomisë Blu në Shqipëri dhe në Mal të Zi përmes mbështetjes së partnerëve nga Lituania, Kroacia dhe Norvegjia, të cilët kanë një eksperiencë në këtë fushë.
Projekti “MEP & M”, projekt i financuar 100% nga Bashkimi Europian. Ka si qëllim parësor mbrojtjen e zonave bregdetare dhe mbrojtjen e mjedisit detar në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për të mbështetur programet e reja në fushën e menaxhimit dhe të mbrojtjes së mjedisit detar.
Programi i Transportit Hekurudhor. Është një nga programet më të rëndësishme për këtë vit. Një program i cili ka marrë vëmendje ndryshe nga të gjitha vitet e mëparshme. Ky program ka për qëllim Integrimin e Sistemit Hekurudhor Shqiptar me atë Rajonal dhe Evropian nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave zhvilluese në fushën e infrastrukturës dhe mjeteve të transportit hekurudhor. Projektet bazë për realizimin e qëllimit të këtij programi dhe të objektivave për periudhën afatmesme 2023-2025 konsistojnë në rikonstruksionin e segmentit Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e linjës së re Tiranë–Rinas. Studimin e Fizibilitetit për projekt-idenë për lidhjen hekurudhore të portit të Durrësit me Prishtinën, që është një nga projektet më të rëndësishme që ne kemi për vitin. Është një projekt i financuar, pra studimi i fizibilitetit dhe projektimi, është një projekt që financohet nga të dyja qeveritë, sipas marrëveshjes që është bërë në mbledhjen e dy qeverive. Gjithashtu kemi studime fizibiliteti dhe projekte zbatimi për segmente ekzistuese dhe për projekte të reja hekurudhore që ne prej kohësh kemi filluar ta aplikojmë në të gjitha thirrjet që hapen nga WBIF apo Bashkimi Europian. Vazhdimi i financimit të mirëmbajtjes së infrastrukturës hekurudhore dhe të mjeteve.
Në projektligjin e buxhetit të vitit 2023 ka një rritje buxhetore në këtë program me 1.67 miliard lekë krahasuar me mbështetjen buxhetore të ligjit të buxhetit të vitit 2022, duke faktuar atë që thashë në fillim të këtij prezantimi, përsa i përket hekurudhës që Qeveria Shqiptare e ka prioritet transportin hekurudhor dhe është një nga fushat ku ne po bashkëpunojmë ngushtësisht me Bashkimin Europian, pasi padyshim është një transport i cili krijon fizibilitet ekonomik dhe është miqësor me ambientin.
Detajimi i shpenzimeve korrente në këtë program, janë buxhetuar në vlerën 515 milion lekë. Tavani buxhetor i këtyre shpenzimeve ka një rritje me 101 milion lekë. Në detajimin e shpenzimeve korrente janë mbajtur në konsideratë fondet buxhetore të nevojshme për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative të administrimit në Drejtorinë e Inspektimit Hekurudhor. Peshën kryesore në shpenzimet korrente e zë subvencioni i Hekurudhës Shqiptare në vlerën 490 milion lekë. Në këtë sektor janë miratuar dhe një sërë ligjesh për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor, për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore dhe Detare. Duke hapur kështu një faqe të re në historinë e hekurudhës dhe duke e udhëhequr këtë sektor sipas të gjitha parametrave dhe kërkesave të Bashkimit Europian. Nëse thjesht për kuriozitet do të shikonit të gjitha këto akte të cilat ne i kemi kaluar së bashku në parlament janë shumë të ngjashme me të gjithë mënyrën rregullatore të aviacionit. Pra, sot në hekurudhat shqiptare ne kemi të njëjtën mundësi për ta udhëhequr këtë sektor, duke pasur një fokus tek siguria hekurudhore, duke pasur një fokus tek investigimi i incidenteve dhe aksidenteve dhe padyshim krijimi i Autoritetit Hekurudhor Shqiptar. Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor do të shkrihet dhe të gjitha mjetet, burimet e të ardhurat, arkivat, detyrimet dhe kompetencat e tjera të kësaj drejtorie, i kalojnë Autoritetit Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore. Shpenzimet korrente për të 3 autoritetet që do të ngrihen, do të përballohen brenda tavaneve buxhetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023, duke mos krijuar kosto shtesë.
Përsa i përket shpenzimeve kapitale në projektligjin e buxhetit 2023, siguron mbështetje buxhetore për projektet prioritare për këtë program gjatë këtij viti. Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Terminali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë–Rinas. Projekt aktualisht ka nisur dhe është në fazë zbatimi. Ky projekt i parë strategjik përsa i përket hekurudhës në 30 vitet e fundit, megjithatë nuk do të jetë projekti i fundit, duke qenë se kemi nisur tashmë projektin e ri që është ai i Vorë-Hani i Hotit. Gjatësia e këtij segmenti hekurudhor është 120 km dhe do të rehabilitohen 12 stacione hekurudhore të pasagjerëve dhe të mallrave. Rehabilitimi i stacioneve përveç linjave hekurudhore, konsiston edhe në modernizimin e godinave përkatëse të tyre ku do të projektohet rikonstruksioni i plotë arkitektonik. Ky projekt përveçse rehabiliton linjën e amortizuar nga Vora në Shkodër mundëson edhe standardizimin e hekurudhës me atë të Malit të Zi, si dhe fokusohet në krijimin e ndërlidhjeve hekurudhore efikase midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Është një nga synimet tona dhe puna që po bëjmë me Bashkimin Europian është inkludimi i Shqipërisë në korridoret e njohura tashmë qofshin ato hekurudhore apo rrjetet rrugore që kanë të bëjnë me lidhjen me korridorin e 8-të dhe përsa i përket hekurudhës Vorë-Hani i Hotit atë në lidhje me korridorin e 10-të.
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm janë buxhetuar në vlerën 550 milion lekë. Ka rritje të tavanit buxhetor në këtë program me 150 milion lekë, krahasuar me vitin 2022. Shpenzimet kapitale në këtë program fokusohen kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore, rritjen e disponibilitetit të mjeteve lëvizëse dhe lokomotivave, studime projektime, pagesa e TVSH dhe kosto lokale dhe shpronësime, përsa i përket projekteve me financim të huaj.
Buxhetimi i politikave ekzistuese është në vlerën 407 milion lekë ose 74% të tavanit buxhetor të programit. Projektet më të rëndësishme që mund të përmendim është studim i fizibilitetit dhe projekt-ide për lidhjen hekurudhore Durrës – Prishtinë, shpronësimet për zbatimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës -Tiranë dhe për ndërtimin e linjës së re hekurudhore që lidh Tiranën me aeroportin e Rinasit, rikonstruksion linjash hekurudhore, TVSH për projektet me financim të huaj. Theksojmë se për TVSH-në e projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore me aeroportin e Rinasit”, fondet buxhetore brenda tavanit 2023, janë të pamjaftueshme dhe kërkohet rritje e tavanit buxhetor për këtë qëllim me 488 milion lekë.
Shpenzimet kapitale me financim të huaj janë buxhetuar në vlerën 3.37 miliard lekë. Ka rritje të tavanit buxhetor në këtë program me 1.42 miliard lekë, krahasuar me buxhetin e vitit 2022.
Në detajimin e financimit të huaj prioritet janë objektet e mëposhtme:
Hekurudha Shkodër – Hani i Hotit (Kredi dhe Grant);
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas (grant WBIF dhe Kredi EBRD);
Studim i Fizibilitetit dhe projekt-ide për lidhjen hekurudhore Durrës – Prishtinë, financim i përbashkët i dy qeverive;
Hartim projektesh që lidhen me: projektin e detajuar të linjës hekurudhore terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë 4 kilometra, si zgjatim i linjës hekurudhore të Tiranë – Durrësit; projekti i detajuar Inxhinierik për Rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë; projekti preliminar i linjës hekurudhore Rrogozhinë – Pogradec – Lin, kufi me Maqedoninë e Veriut, duke bërë kështu të mundur lidhjen me korridorin e 8-të.
Me përfundimin e studimit të fizibilitetit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në vitin 2023, një nga priroritet e këtij programi do të jetë ndërtimi i kësaj linje hekurudhore. Ky projekt vlerësohet që të jetë rreth 700 milion euro. Tavanet buxhetore me financim të brendshëm të këtij programi nuk e mundësojnë mbështetjen buxhetore për këtë projekt prioritar për vitin 2024 e në vijim. Megjithatë kjo është diçka që duhet diskutuar midis dy qeverive, pasi duke qenë që është një projekt i brendshëm midis dy vendeve tona, ne nuk gjykojmë që do të marrë mbështetje nga fondet e WBIF apo nga kreditë e IBRD, kështu që do të duhet që të dyja qeveritë të marrin një vendim të përbashkët përsa i përket këtij projekti mbarëkombëtar.
Përsa i përket programit të transportit ajror, ky program ka marrë prioritet si një ndër fushat e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që do të sjellë një zhvillim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe ekonomik për vendin. Tashmë flasin vetë shifrat. Ju e keni parë të gjithë sesa ka qenë numri i uljeve dhe ngritjeve nga aeroporti i Rinasit apo mbikalimet në Republikën e Shqipërisë. Duhet thënë që sot siguria ajrore ndodhet në nivelet më të larta, e certifikuar kjo dhe nga organizmat Europian, nga EASA, nga Eurokontrolli, nga të gjitha auditet që janë bërë gjatë gjithë vitit dhe në ndërkohë aviacioni civil kryen detyrën me rigorozitet maksimal. Duhet patur parasysh që në vitin e fundit kemi pasur një hapje të tregut, duke krijuar një kompeticion të drejtë dhe transparent midis kompanive që kanë ndikuar direkt në uljen e çmimit të biletave, por edhe në shtimin e destinacioneve të reja nga Republika e Shqipërisë për në vende të tjera. Sigurisht e gjithë puna që është bërë nga koncesionari në aeroportin e Rinasit për ndërtimin e terminalit të ri dhe ndërkohë që po punohet përsa i përket edhe shtimit të gjatësisë së pistës, sigurisht diçka që duhet bërë me shumë kujdes. Por nga ana tjetër dhe rritja e kapaciteteve të vendeve të parkimit, i kanë dhënë një ekspansion të gjithë numrit të pasagjerëve që kanë aksesuar Rinasin. Megjithatë duhet thënë që aeroporti i Kukësit ka qenë gjithashtu operacional me një numër shumë më të madh fluturimesh dhe pasagjerësh për këtë vit dhe nga ana tjetër duhet thënë që puna në kantierin e aeroportit të Vlorës ecën me ritme të shpejta dhe ne jemi besimplotë që shumë shpejt brenda vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025, ne do të kemi funksional aeroportin e Vlorës, një nga aeroportet më të mëdha në Ballkan, kategori 4 E, që do të vendosë Shqipërinë në një pozicion tjetër përsa i përket fluturimeve transoqeanike që sot nuk ofrohen përveçse me ndërlidhje në aeroporte të tjera.
Për këtë program mund të them shumë gjëra që kanë të bëjnë me politikat, por është një program i cili është elaburuar shpeshherë nga qeveria, duke qenë se është një program prioritar pra, strategjia e modernizimit dhe ekspansionit të aviacionit në Shqipëri.
Përsa i përket programit të furnizimit me ujë dhe kanalizime, reformimi i sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve tani është një proces drejt përfundimit dhe është padyshim prioritet i Qeverisë Shqiptare, në përmbushje të vizionit tonë për Strategjinë Kombëtare për një sistem të besueshëm mbarëkombëtar për furnizimin me ujë dhe kanalizime që plotëson nevojat e një ekonomie në zhvillim.
Në projektligjin e buxhetit të vitit 2023 ka një rritje të mbështetjes buxhetore në këtë program me 926.7 milion lekë krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Disa nga objektivat kryesore të kësaj reforme janë: Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për të gjithë popullatën brenda zonës së shërbimeve të shoqërive UK; Furnizim i pandërprerë me ujë për zonat urbane dhe gradualisht dhe për zonat rurale, sipas një prioriteti të numrit të banorëve; Shërbime të sigurta të grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura. Përmirësimi i infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në të gjithë territorin; Menaxhimi i përmirësuar i kërkesës për ujë; Krijimi i shoqërive të reja në marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkitë, sigurisht edhe AKUM-in; Përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare për shoqëritë ujësjellës kanalizime: Harmonizim gradual i tarifave në zonën e shërbimit sipas ndarjeve territoriale të bashkive. Kemi sot që flasim disa shembuj të mirë, siç është rasti i Korçës apo i Pogradecit, ku ka 24 orë ujë, ku cilësia e ujit, nga ana sanitare plotëson të gjitha kushtet për të qenë i pijshëm dhe për më tepër janë vende ku aplikohen tarifa të tjera, por sigurisht për shkak se merret shërbimi nuk ka pasur as problematika nga përdoruesit.
Rritja e faturimeve dhe arkëtimeve që padyshim kjo vjen me përmirësimin e shërbimit, duke pasur një shërbim të përmirësuar, duke pasur më shumë orë ujë sigurisht mund të ketë dhe një rritje të arkëtimeve. Hartimi i programit për administrimin eficent të borxhit përmes marrëveshjeve të shlyerjes të dakortësuar me konsumatorët debitorë dhe marrëveshjeve për shlyerjen graduale të rakorduar të OSHEE-s dhe operatorë të tjerë ekonomik, që ky është një nga planet që ne kemi për vitin 2023, duke krijuar një eficienc për sektorin, pra të Ujësjellës-Kanalizimeve. Por kjo eficiencë do të ndikojë dhe do të pasqyrohet direkt në debitet që ky sektor krijon në një mënyrë konstante vit për vit në bilancet e OSHEE-së.
Organizimi i transfertave graduale drejt buxhetit për shlyerjen e stokut të kredive. Regjistrimi i aseteve të trashëguara nga projektet e infrastrukturës të financuara nga buxheti i shtetit dhe donatorët. Hartimi dhe implementimi i një programi të integruar për administrimin e aseteve. Zbatimi i programit të çertifikimit të punonjësve të shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve. Përmirësimi i qeverisjes dhe kuadrit ligjor/rregullator të sektorit dhe harmonizimi i kuadrit ligjor kombëtar të sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në përputhje me direktivat e BE për sektorin e ujit.
Krijimi i shoqërive rajonale dhe hyrja në eficencë e investimeve përfundojnë gjatë këtij viti, domethënë ne synojmë që në fillim të vitit të ardhshëm të nisim me të gjithë procesin e përfunduar të reformës së ujit, duke pasur kështu të gjitha kompanitë e agreguara në forcë për të vazhduar më pas me projektet e reja. Nga kjo me shoqëritë e krijuara rishtas do të reflektohet rritja e arkëtimit sipas të gjitha përllogaritjeve tona me 8% në nivel kombëtar. Mbulim më i mirë i kostove direkte operative si efekt i ekonomisë së shkallës. Riskedulim i borxhit.
Përsa i përket shpenzimeve korrente. Shpenzimet korrente në këtë program janë buxhetuar në vlerën 422.3 milion lekë. Tavani buxhetor i këtyre shpenzimeve ka pakësim me 32 milion lekë. Në detajimin e shpenzimeve korrente janë mbajtur parasysh dhe në konsideratë shpenzimet për paga, sigurime shoqërore etj. Peshën kryesore të shpenzimeve korrente e zë subvencioni në vlerën 310 milion lekë, i cili do t’u jepet shoqërive të reja rajonale me qëllim uljen e detyrimeve të mbartura nga transferimet e aktivitetit të shoqërive të vjetra.
Shpenzimet kapitale janë buxhetuar në vlerën 14.7 miliard lekë. Ka rritje të tavanit buxhetor për këto shpenzime në 958 milion lekë. Kjo rritje konsiston në: financimin e brendshëm në vlerën 7.3 miliard lekë, ka një rritje 200 milion lekë krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022; financimi i huaj arrin në vlerën 7.4 miliard lekë dhe ka një rritje me 759 milion lekë krahasuar me buxhetin 2022.
Politikat ekzistuese me financim të brendshëm. Përsa i përket këtyre politikave vlera e financimit arrin në 6.4 miliard lekë ose 87% e tavanit buxhetor të këtij programi. Ato konsistojnë në: Objekte në vazhdim që kanë nisur përgjatë vitit 2019, me një vlerë totale prej 4 miliard lekë, janë buxhetuar në vlerën 480 milion lekë. Këto projekte janë përfunduar dhe financimi i tyre i plotë pritet të mbyllet në vitin 2024. Objekte në vazhdim që kanë nisur përgjatë vitit 2020 me një vlerë totale projekti prej 16.67 miliardë lekë, janë buxhetuar në vlerën 1.9 miliard lekë. Këto projekte janë të përfunduara dhe financimi i plotë i këtyre projekteve mbyllet në vitin 2025, sipas kontratës; Objekte në vazhdim që kanë nisur gjatë vitit 2021 me një vlerë totale prej 22.57 miliard lekë, janë buxhetuar në vlerën 1.95 miliard lekë. Këto projekte janë në përfundim dhe financimi i tyre do të mbyllet në vitin 2025; Objekte në vazhdim që kanë nisur në vitin 2022 me një vlerë totale prej 2.63 miliard lekë, janë buxhetuar në vlerën 494 milion lekë. Këto projekte përfundojnë në vitin 2024 dhe financimi i plotë i projekteve mbyllet në vitin 2025; TVSH dhe kosto lokale për financimet e huaja janë 807 milion lekë; Studim projektime janë të buxhetuara në vlerën 188.1 milion lekë; Reforma e Ujit është buxhetuar në vlerën 548 milion lekë.
Zbatimi i Reformës në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve kërkon inpute financiare nga qeveria qendrore dhe për këtë arsye është parashikuar në buxhet shuma që përmenda, e cila do të përdoret për pagesën e kapitalit fillestar të këtyre kompanive të reja ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksionere së bashku me bashkitë; si dhe fondet e nevojshme për caktimin e ekspertëve të cilët do të kryejnë procesin e agregimit të parashikuara në relacionin e reformës dhe draft Strategjinë Kombëtare. Duke pasur parasysh që do të kemi edhe një inventarizim të plotë të aseteve të të gjitha ndërmarrjeve të Ujësjellësave për herë të parë.
Gjithashtu në zërin e kësaj reforme kemi sigurimin e depove të ujit dhe stacioneve të pompimit, rrethimin perimetral të tyre, sistemin e alarmit dhe monitorimin me kamera. Diçka që ka qenë pjesë e kësaj strategjie, unë e kam paraqitur kur ka kaluar ligji në parlament duke pasur parasysh që janë infrastruktura kritike dhe duhet patjetër të jenë të mbrojtura me të gjitha parametrat e sigurisë. Gjithashtu do të krijohet një laborator për analizat e ujit të pijshëm dhe për analizat e ujrave të ndotura.
Një nga pjesët e projektit për reformën ka të bëjë me ndërtimin e paneleve fotovoltaike për ujësjellësat, aty ku na lejohet sigurisht. Kemi disa raste suksesi të cilat ne i përmendim, siç është rasti i Belshit apo i Memaliajt, kur që të dy ujësjellësat kanë ngritur panelet fotovoltaike për funksionimin e tyre, duke bërë kështu që të mos kenë më debite ndaj OSHË-së. Ky është synimi ynë i përgjithshëm që të ngremë burime të energjisë së rinovueshme. Nuk janë patjetër fotovoltaike, mund të jenë edhe eolike në të ardhmen, të cilat do të plotësojnë një pjesë të kërkesave padyshim, duke qenë se janë me kohë të kufizuara për shkak të rrezatimit diellor në rastin e fotovoltaikeve, por që ama do mbulojnë më shumë se 50% të nevojës që çdo ndërmarrje ka përsa i përket kapacitetit energjetik.
Gjithashtu kemi parashikuar upgrade-imin dhe integrimin e sistemit të dixhitalizimit dhe të monitorimit të performancës së raportimit të AKUM-it me sistemet e shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve. Ky është ndërtimi i një moduli që quhet Business Intelligence që do bëjë kontrollin dhe të gjithë ndërlidhjen midis agregatëve të ri të krijuar në Republikën e Shqipërisë. Për këto ndërmarrje janë parashikuar makineri dhe pajisje dhe ndërkohë ajo çfarë është më e rëndësishme është pjesa e matësave të zgjuar, për prodhim dhe për konsum, që do të vendosen në depot e ujit, por sigurisht synimi është që të shtrihen në të gjithë rrjetin e konsumatorëve.
Nëse do të doni, unë nuk po i lexoj tashti se ndoshta konsumojmë kohë, por nëse do të dëshironi unë i kam të gjitha investimet sipas qarqeve. Çfarë do të fillojë, çfarë është duke u përfunduar dhe sesi do të vazhdojë më tutje.
Në ndërkohë politikat ekzistuese me financim të huaj konsistojnë në vlerën 7.4 miliard lekë ose 100% të tavanit buxhetor të këtij programi. Këtu kemi infrastrukturën bashkiake, programi 5, grant dhe kredi nga WBIF, nga KFW, nga Bashkimi Europian dhe SECO zviceran. Programi kombëtar i modernizimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve në vlerën 70 milion euro, grant dhe kredi nga Banka Botërore; Projekti i rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm për Bashkinë Durrës me vlerë 62 milion euro, grant dhe kredi nga ADF-ja, franceze; Rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit të Bashkisë Tiranë në vlerën totale 140 milion euro nga të cilat 80 milion euro janë mbështetje buxhetore, grant dhe kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe 60 milion euro janë investim nga Ujësjellësi i Tiranës.
Kalojmë në një program tjetër. Programi i mbështetjes për Energjinë, i cili konsiston në zhvillimin e mëtejshëm të burimeve të qëndrueshme të energjisë dhe përdorimit të tyre efiçent. Rritja ekonomike shoqërohet me sisteme të integruara rajonale dhe kombëtare të energjisë. Diversifikimi i burimeve energjetike ka qenë dhe është prioritet i Qeverisë Shqiptare edhe shumë përpara se të përballeshim me krizën.
E kemi nisur këtë proces nga viti 2018. Padyshim gjatë vitit 2019 dhe 2020 kemi pasur dy nga ankandet më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë që rezultuan më pas edhe shumë të nevojshme që është ankandi i Karavastasë dhe ai i Spitallës duke na siguruar kështu kontrata take of për 15 vitet e ardhshme në 240 mega, si dhe nga ana tjetër ne sot jemi në një proces, i cili përfundon në Qershor të vitit 2023, me të njëjtën paternë përsa i përket të gjithë rrjedhës së ankandit që është i lidhur me ankandet e parqeve eolike. E nisëm me një projekt prej 100 megavatorësh, por duke qenë se patëm në fazën e parë një interes shumë të madh nga kompani kryesisht të huaja, gjigand të fushës dhe duke pasur parasysh që investimet e huaja për Republikën e Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, në bashkëpunim me BERZH vendosëm që nga paketa 100 megavatorë të shtohet në një paketë 200 megavatorë. Kështu që në Qershor të vitit 2023 ne do të kemi fituesit, se mund të jenë më shumë se një, fituesit e ankandit të parqeve eolike 200 megavatorë duke çuar kështu numrin e megavatorëve në 440 vetëm nga ankandet shtetërore.
Duhet pasur gjithashtu parasysh që një nga projektet më të rëndësishme që sot po evolon dita ditës dhe ku janë përfshirë nga partnerët më të mëdhenj të fushës së gazit dhe të naftës është padyshim projekti i integruar i Vlorës. Ku parashikohet ndërtimi i portit të lundrueshëm të gazit të lëngshëm në Vlorë i lidhur kështu me modulet e termocentralit të Vlorës i cili kthehet nga një termocentral i dizenjuar me naftë në një termocentral me LNG, pra me gaz të lëngshëm, me gjithë emetimet shumë më të ulëta përsa i përket kushteve ambientale etj, por edhe me një efiçencë shumë më të lartë në prodhimin e tij. Synimi ynë është që në modulin e tretë të arrijmë 350 megavatorë. Duhet pasur parasysh që gjatë këtij vit ndoshta dhe për shkak të çmimit shumë të rritur në treg kemi pasur iniciativa private të cilat arrijnë diku në 1.2 gigavatorë përsa i përket ndërtimit të parqeve fotovoltaike. Sigurisht kjo është një iniciativë shumë e mirë. Do të dëshironim ta shikonim këtë të realizuar, por duke pasur parasysh që të gjitha këto kontrata për tu financuar, të gjitha këto iniciativa idividuale, pavarësisht se flitet për kompani të cilat kanë marrë përsipër dhe kanë aplikuar për parqe eolike apo fotovoltaike mbi 50 mega apo mbi 100 mega, duhet parë dhe shpresuar që të gjitha këto iniciativa individuale do të kenë mundësi të realizohen pasi bëhet fjalë që të financohen nga bankat, sigurisht ka një sërë kërkesash siç është nga kontratat e off take tek kontratat e balancimit etj, por është e rëndësishme që të gjitha ankandet dhe të gjitha garat e organizuara nga shteti në bashkëpunim me Bashkimin Europian janë të gjitha me kontratat që unë përmenda në kontratat PPA dhe për më tepër me kontratat e balancimit kështu që është e sigurtë që të gjitha ato megavatorë që kemi deklaruar do të jenë funksionalë sipas afateve kohore.
Duhet pasur parasysh gjithashtu që kemi qenë shumë të kujdesshëm gjatë pjesës së diversifikimit të burimeve të energjisë që të bazohemi dhe në parimet e tregut dhe që të jemi në përputhje me kërkesat për energji duke mos afektuar ambientin dhe duke qenë, le të themi në përputhshmëri të plot me mbrojtjen e mjedisit dhe veprimet klimaterike, rritjen e mirëqenies dhe koston sociale minimale, zhvillimin dhe implementimin e politikave dhe strategjive në zbatim të programit dhe prioriteteve të Qeverisë si edhe përmbushjen e angazhimeve që ka vendi ynë në kuadrin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë sipas Direktivave të BE pavarësisht se vendi ynë është i vendosur, ndryshe nga gjithë vendet e tjera në një pozicion shumë të favorshëm. Ne flasim për kuota dekarbonizmi, por ndërkohë në Shqipëri për momentin i vetmi le të themi sektor ku ka emetim është padyshim sektori i transportit rrugor. Ne nuk kemi industri të cilat emetojnë apo krijojnë probleme klimaterike kështu që është gjithmonë krenari për ne kur ulemi në panelet ndërkombëtare që të flasim për targetet e vendosura nga Bashkimi Europian, por edhe nga organizmat botëror përsa i përket emetimit dhe dekarbonizimit.
Mbështetja e politikave në kuadrin ligjor, nënligjor dhe institucional në sektorin energjetik krijon mundësinë dhe për mbështetjen e mëtejshme për krijimin e kushteve për nxitjen dhe hapjen e tregut energjetik në përputhje me paketën e tretë rregullatore të BE-së. Ashtu siç thamë sipas të gjitha gjasave, jo vetëm me krijimin e parqeve eolike apo fotovoltaike përmes iniciativave individuale, por edhe me kapacitetet që do të ndërtohen nga vetë shteti duke pasur parasysh këtu Karavastanë, Spitallën, parqet eolike, termocentralin e Vlorës, Skavicën, etj parashikohet që likuiditeti energjetik në bursën shqiptare të jetë i rëndësishëm deri në vitin 2030.
Ky program gjithashtu mbështet rritjen e efiçencës së energjisë, si çelësi i suksesit në një periudhë krize. E kemi thënë dhe e përsërisim që në kushtet ku jemi, si për të gjithë Europën, ashtu dhe për Shqipërinë argumenti për të mitiguar këtë krizë në mënyrën më të thjeshtë është efiçenca energjetike që nis nga kursimi i çdo familjari në përdorimin e energjisë elektrike dhe përfundon deri tek shteti dhe Qeveria me programe për efiçencën energjetike.
Vetëm dy ditë më parë, në datën 1 nëntor është hapur thirrja përsa i përket mbështetjes së qytetarëve me 70% të kostos për panelet diellore të cilat ngrohin ujin dhe që sipas të gjithë analizës tonë 20% e faturës të një abonenti ka në përbërje të saj përdorimin e energjisë elektrike për ngrohjen e ujit. Vetëm në ditën e parë kemi pasur 136 aplikime, gjë që tregon që njerëzit janë tashmë të qartë, janë të sensibilizuar përsa i përket kursimit dhe kursimi i secilit abonent ndikon në kursimin energjetik të madh, është një fakt që ne e përsërisim, jemi duke monitoruar situatën dhe deri në 30 tetor ne kemi pasur një ulje të konsumit me 6.2%. Sigurisht targeti europian është 15%, është i njëjti target që ne kemi vendosur edhe për institucionet e administratës që do ti monitorojmë në fund të muajit nëntor për të parë nëse është arritur ulja me 15% e shpenzimit energjetik, krahasuar me një vit më parë, por që në rang vendi ne sot krahasuar me 31 tetorin 2021 kemi 6.2% më pak konsum, kjo është një shifër që duhet thënë dhe duhet përshëndet.
Gjithashtu ky program parashikon mbrojtjen e familjarëve siç e kemi bërë gjatë vitit 2021 dhe 2022. Të biznesit të vogël padyshim që ka mbajtur një çmim të pandryshueshëm dhe sigurisht biznesit të lidhur në tensionin e mesëm, i cili përmes një diskutimi të hapur dhe publik që kemi pasur që në fillim të vitit dhe më pas në muajin qershor, por dhe tani në fillim të vjeshtës, ne kemi vendosur që ta mbrojmë duke mos e ekspozuar në çmimet e tregut. Sigurisht mbetet një problematikë për ne përsa i përket bizneseve me konsum të madh të lidhur në 35 kilovoltshin. Ajo që na ndodh është që kemi pasur kërkesa prej tyre që të marrin dhe ata mbrojtje. E vetmja problematikë është që vendimi që u mor për bizneset të cilat ishin të lidhura në tensionin e mesëm është një vendim që u mor edhe me pëlqim të Sekretariatit Europian të Energjisë duke qenë se nuk ishte bërë hapi për ti nxjerrë në treg të lirë. Ndërkohë që ndërmarrjet që sot janë në treg të lirë për ti kthyer në një sistem të mbrojtur do të ishte një hap regresiv. Ne po e diskutojmë sot me Bashkimin Europian. E kemi vënë këtë si një kërkesë përsa i përket zhvillimit të ekonomisë shqiptare, pasi nuk harrojmë faktin që këto biznese të mëdha të lidhura në 35-shin padyshim janë biznese të cilat sot përballen me një çmim i cili arrin edhe 50 lekë për kilovatorë, nga çfarë kemi marrë ne nga shqetësimet e tyre dhe për më tepër duhet njohur fakti që këto janë biznese të cilat akomodojnë qindra, mijëra punonjës dhe ne nuk do donim që ata të ekspozohen në këtë mënyrë në gjithë efektet e krizës botërore që vjen për shkak të agresionit rus Ukrainë.
Kështu që jemi duke gjetur një instrument, por po e bëjmë në një mënyrë konstruktive duke diskutuar me këto entitete, duke diskutuar me Sekretariatin e Vjenës dhe me Bashkimin Europian që në janar, në fillim të 2023, të kemi mundësi që ti ofrojmë këtyre ndërmarrjeve, me një instrument i cili nuk do të ishte regresiv përsa i përket daljes së tyre në tregun e lirë, një facalitet përsa i përket blerjes së sasive energjetike.
Në projektligjin e buxhetit të vitit 2023, ka rritje të mbështetjes buxhetore me 577.9 milion lekë, krahasuar me buxhetin e vitit 2022.
Në projektligji e vitit 2023 sigurohet një mbështetje buxhetore për sektorin elektroenergjetik me 12 miliard lekë. Kjo mbështetje buxhetore synon të mbështesë blerjet e energjisë në tregun ndërkombëtar me qëllim furnizimin me energji elektrike në kushtet kur prodhimi vendas nuk siguron dot kërkesën për shkak të mungesës së reshjeve poshtë nivelit mesatar shumëvjeçar, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e abonentit familjar dhe biznesit të vogël dhe atij të lidhur në tensionin e mesëm për të përballuar krizën energjetike, por siç ju thashë duke marrë parasysh edhe vështirësitë që po kalon biznesi i madh.
Përsa i përket detajimit të shpenzimeve korrente. Shpenzimet korrente janë buxhetuar në vlerën 103.3 milion lekë. Ka një rritje të mbështetjes buxhetore në vlerën 47.9 milion lekë krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Në shpenzimet korrente përfshihen shpenzimet për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative, për funksionimin administrativ të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, Agjencisë së Efiçencës dhe Energjisë. Këtu përfshihen dhe shpenzimet për konsulencat avokatore në gjyqet e arbitrazhit të Aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përsa i përket shpenzimeve kapitale janë buxhetuar në vlerën 3.5 miliard lekë. Ka rritje të tavanit buxhetor me 474.5milion lekë, krahasuar me ligjin e vitit 2022 për buxhetin. Kjo rritje konsiston në:
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm ku janë buxhetuar 250 milion lekë. Ka një rritje të tavanit buxhetor me 50 milion lekë krahasuar me ligjin e buxhetit 2022;
Në buxhetimin e politikave ekzistuese me vlerën 199.5 milion lekë ose 80% të tavanit buxhetor të këtij programi.
Në politikat ekzistuese përfshihen projekte studimore në fushën e burimeve të rinovueshme, efiçencës energjetike, në fushën e hidrokarbure, të monitorimit të kontratave dhe subjekteve që operojnë në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme si uji, era apo dielli. Këto projekte implementohen nga Agjencia e Efiçencës së Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe Drejtoria e Projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu, nëpërmjet këtij programi realizohet dhe kryerja e pagesave të TVSH-së dhe kostove lokale për projektet të cilat mbulohen nga financimet e huaja.
Buxhetimi i politikave të reja është në vlerën 50.5 milion lekë ose 20% e tavanit buxhetor të këtij programi. Projektet e reja që sigurojnë mbështetje buxhetore për vitin 2023 janë:
Studim mbi lidhjen me rrjetin energjetik të burimeve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, pasi siç kuptohet vetëm nga kërkesa për investime individuale ne duhet të parashikojmë komplet një investim të ri në rrjetin e shpërndarjes dhe në rrjetin e transmetimit kështu që sa herë ne nxisim një politikë diversifikimi ne përgatitemi gjithashtu me investime për të parë edhe mundësinë sesi do të akomodohen në 2 apo 3 vitet e ardhshme të gjitha këto investime.
Monitorimi i zbatimit tё Planit Kombëtar tё Veprimit pёr Energjinë e Rinovueshme;
Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2030;
Studimi mbi rishikimin e kushteve dhe normave teknike në aktivitetet dhe impiantet e prodhimit, depozitimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve te tyre;
Projekt pilot, auditim për “projekt zbatimi dhe realizim punimesh” për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në disa qytetet të Republikës së Shqipërisë, si Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare, që ne do ta quajmë të gjithë këtë korridor “rruga e pastër e energjisë;
Projekt pilot për instalimin e ndriçimit urban me efiçencë të lartë energjie në qytetin e Dibrës;
Projekt pilot, auditim “projekt zbatimi dhe realizim punimesh” me efiçencë energjie në disa shkolla publike të këtij qyteti (Dibër)
Shpenzimet kapitale me financim të huaj janë buxhetuar në vlerën 3.26 miliard lekë. Ka një rritje me 480 milion lekë krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2022. Lidhur me financimin e huaj prioritet ka padyshim SCADA, zgjerimi i sistemit SCADA, që është sistemi i monitorimit dhe kjo ndodhet e alokuar në godinën Qendrore të OSHEE
Rikonstruksioni i Nënstacioneve 110kV në rajonet Tiranë, Durrës dhe integrimi i tyre në këtë sistem;
Projekti për mbështetje në sektorin energjetik;
Ndërtimi i Nënstacionit Kamëz (Valias) me fuqi 2x40MV (ONAN/ONAF) 110/20KVA dhe ndërtimi i dy fiderave 20kV
Kredi nga BERZH për nënstacionin QENDËR;
Kredi nga Cooperacioni Italian për “Rehabilitimin e rrjetit elektrik Himarë – Dhërmi, si një rrjet që tashmë ka një ngarkesë të jashtëzakonshme për shkak të shtimit të të gjitha banorëve të asaj zone
Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës (DKTI);
Konvikte të rinovuara me efiçencë energjie (Faza e dytë), pasi faza e parë ka mbaruar me sukses, Qyteti Studentit nr 1 “Programi i Rehabilitimit të Konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas Parimit të efiҫencës së energjisë.
Ndërkohë programi i 7 i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë është programi për mbështetje të Burimeve Natyrore.
Në këtë program janë planifikuar fonde buxhetore të nevojshme në mbështetje të politikave lidhur me fushën e menaxhimit të burimeve natyrore që synojnë jo vetëm zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar, por edhe rritje të transparencës në shfrytëzimin racional të burimeve natyrore.
Në këtë program, në projektligjin e buxhetit të vitit 2023, ka rritje të tavanit buxhetor me 15 milion lekë, krahasuar me buxhetin e vitit 2022.
Shpenzimet korrente janë në vlerën 239.5 milion lekë. Ka një rritje në vlerën 15 milion lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit 2022.
Në shpenzimet korrente përfshihen shpenzimet për paga, sigurime shoqërore etj dhe ku përfshihet Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera.
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm janë buxhetuar në vlerën 91 milion lekë, për financimin e politikave ekzistuese, përsa i përket disa institucioneve:
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Sekretariati për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI)
Konservime për Albminera, Albbakër, Albkrom
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar
Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera
Nuk po shkoj në detaje të mëtejshme përsa i përket Agjencive pasi edhe buxheti i tyre është modest. Për shembull Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka një buxhet prej 45,1 milion lekësh me projekte kryesore: Përditësim gjeohapsinor ; Mbikëqyrja e shfrytëzimit të burimeve minerare metalore ; “Raport vjetor etj.
Sekretariati i Transparencë ka 15 milion lekë. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar 8 milionë lekë dhe ndërmarrjet në konservim rreth 22 milion lekë.
Programi për Mbështetjen e Industrisë. Në fondet buxhetore të këtij programi, përgjithësisht janë fonde të nevojshme në mbështetje të politikave në fushën e industrisë, që synojnë rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit industrial, përmirësimin e inspektimeve dhe monitorimit të sigurisë në impiantet industriale, pajisjet elektrike dhe pajisjet në presion, parandalimin e aksidenteve industriale, konservimin e ish ndërmarrjeve shtetërore në likuidim.
Në këtë program, në projektligjin e buxhetit të vitit 2023, ka rritje të tavanit buxhetor me 33.4 milion lekë, krahasuar me buxhetin 2022.
Programi për “Planifikimi urban” është një program i cili harton, mbështet dhe zbaton procese dhe politika për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban, kontrollin e territorit, mbetjet urbane, si dhe mbështet zhvillimin e vendit në nivel bashkie dhe rajoni, sipas fushave të përgjegjësisë; harton, mbështet, financon dhe zbaton projekte në fushat e mësipërme.
Në këtë program, në projektligjin e këtij viti ka rritje të tavanit buxhetor me 15.4 milion lekë, krahasuar me vitin 2022.
Programi 10 është ai i Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit. Ky program mbulon financimin e shpenzimeve korrente dhe shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm për funksionimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative të aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rritjen e standardeve dhe performancës në punë të punonjësve.
Në këtë program, në projektligjin e buxhetit 2023, ka rritje të tavanit buxhetor me 30.6 milion lekë, krahasuar me vitin 2022.
Shpenzimet korrente janë buxhetuar në vlerën 540.9 milion lekë. Ka një rritje në vlerën 30.6 milion lekë, ashtu siç thamë. Në zërin e shpenzimeve korrente janë planifikuar fonde e zakonshme për pagat, sigurimet shoqërore, shpenzime operative etj që janë të lidhura direkt me aparatin e MIE.
Programi i 11-të është një nga programet të cilët ne mundohemi ta nxisim, por që e kemi bazuar kryesisht në fondet e huaja. Është programi i mbështetjes për Rrjetet e Komunikacionit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka edhe këtë detyrë dhe është e angazhuar për ta avancuar zhvillmini e infrastrukturës dixhitale broadband në investimet për vitet 2023-2025, si dhe do të vazhdojë të ketë prioritet realizimin e qëllimit dhe arritjen e objektivave të politikës së programit, për funksionimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative, rritjen e standardeve dhe të performancës të punës së tyre.
PKIE 2021-2023 identifikon si prioritet zbatimin e Planit Kombëtar të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale miratuar kjo në qershor të vitit 2020, miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Komunikimet Elektronike në përputhje me Kodin e Komunikimeve Elektronike të Bashkimit Europian, përgatitjen dhe miratimin e strategjive dhe planeve të veprimit të Agjendën Digjitale, Sigurinë Kibernetike dhe Aftësitë Dixhitale.
Në këtë program në projektligjin e buxhetit 2023, ka rritje të tavanit buxhetor me 96 milion lekë, krahasuar me ligjin e buxhetit 2022.
Çfarë kemi të përfshirë si projekte do të thoja në ato projekte që mbështeten me fondet e huaja kemi:
TVSH dhe kosto lokale për Asistencë Teknike të dhënë nga EUD për “Sektorin Telekom” hartimi i ligjit të ri
Për TVSH gjithashtu:
Zhvillimi Rajonal i Broadband: “Asistencë teknike- Projekt pilot1 – për zonën e veriut;
Zhvillimi Rajonal i Broadband: “Asistencë teknike- Projekt pilot2 – për zonën e jugut;
Lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz, Digital Divident 2 (DD2). Sipas raportit të kostove të përgatitur nga ekspertët e Asistencës Teknike nga EUD.
Shpenzimet kapitale me financim të huaj janë buxhetuar në vlerën 20 milion lekë për financimin e projekteve:
Asistencë Teknike nga EUD për “Sektorin Telekom”
Zhvillimi Rajonal për zonën e veriut dhe të jugut.
E di që ishte pak gjatë, por kjo është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kështu ka shkuar gjithmonë biseda.
Faleminderit shumë për vëmendjen.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë