Fjala e Ministres Belinda Balluku në Komisonin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2022:
I nderuar kryetar,
Të nderuar deputetë,
Faleminderit për mundësinë dhe për kohën,
Unë do të doja ta nisja, pasi kam dëgjuar dhe kam ndjekur me shumë vëmendje të gjithë komisionet parlamentare gjatë gjithë kësaj periudhe për buxhetin, kam ndjekur kolegët, kam ndjekur shqetësimet tuaja dhe pyetjet, më rezulton që disa herë kam dëgjuar të thuhet që ky është një buxhet ku paratë shkojnë për koncesione dhe për PPP.
Do e nisja kështu për të thënë fillimisht që në projektbuxhetin e vitit 2022 Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në buxhetin total i janë akorduar 47.4 miliard lekë, të cilat korrespondojnë në vetëm 71% të nevojave reale që kemi kërkuar. Sigurisht të bazuara dhe të detajuara sipas 12 programeve që kjo ministri ka. Dua t’ju them edhe një fakt tjetër dhe pastaj do të bëj prezantimin e detajuar, se për vitin 2022 ka një pakësim prej 1.9 miliard lekë krahasuar me vitin 2021 në fondin e buxhetit për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe 12 programet që ajo mbulon. Padyshim ky është buxheti më i madh që shteti shqiptar ka pasur dhe padyshim ky është buxheti me paketën më të madhe sociale që ndonjëherë shteti shqiptar ka pasur.
Duke nisur nga paketa e arsimit, e cila ka arritur për herë të parë në 3.6% të GDP-së dhe deri tek paketa e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale që arrin për herë të parë në 3.5% të GDP-së, kur mesatarja e 10 viteve të fundit ka qenë nga 2.8 deri në 3%. Pra sigurisht ky nuk është as buxheti i koncesioneve, as i PPP-ve, pavarësisht se koncesionet dhe PPP-të janë instrumente financiarë të cilët janë përdorur si nga ju, si nga ne apo çdo qeveri tjetër, pasi përdoren për të realizuar projekte të cilat nuk janë të mundura të mbështeten dhe të financohen nga Buxheti i Shtetit.
Për të kaluar në një detajim. Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë për të përmbushur detyrimet e fushës së saj të përgjegjësisë mbështetet në 12 programe buxhetore ku shpërndarja e buxhetit rezulton si më poshtë:
Transporti Rrugor 24 miliard;
Transporti Detar 199.4 milion;
Transporti Hekurudhor 2.77 miliard;
Transporti Ajror 92.3 milion;
Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime 14.3 miliard;
Menaxhimi i Mbetjeve Urbane 1.74 miliard;
Mbështetje për Energjinë 3 miliard;
Mbështetje për Burimet Natyrore 225.3 milion;
Mbështetje për Industrinë 341.1 milion;
Planifikimi Urban 162.3 milion;
Mbështetje për Rrjetet e Komunikacionit 24 milion;
Dhe programi i fundit, Planifikim Menaxhim Administrimi 523.2 milion.
Për të filluar me programin e madh dhe atë që mban peshën kryesore të buxhetit për vitin 2022 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë.
Është Transporti Rrugor, prioritetet mbi të cilën është hartuar projektbuxheti afatmesëm 2022 -2024, konsistojnë në:
Mbështetjen buxhetore për financimin e mirëmbajtjes së akseve rrrugore të ndërtuara;
Mbështetjen buxhetore për projekte të reja të infrastrukturës rrugore;
Mbështetje buxhetore për vazhdimin e financimit të akseve rrugore prioritare në ndërtim, si dhe të projekteve koncesionare që impementohen në infrastrukturën rrugore.
Mbështetje buxhetore për kryerjen e procedurave të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme që mundëson vazhdimin e projekteve. Dhe siç shpesh herë e kemi thënë tashmë është një zë i cili zë një pjesë të ndjeshme të buxhetit tonë, sidomos në projektet e infrastrukturës rrugore.
Mbështetje buxhetore i zërit TVSH dhe kosto lokale për të gjitha projektet me financim të huaj;
Dhe sigurisht pagesa e debiteve të prapambetura, duke qenë se është një angazhim i qeverisë shqiptare për të mos krijuar borxhe të prapambetura edhe ndaj kërkesës që kemi pasur nga FMN-ja.
Projektbuxheti i vitit 2022 në programin e transportit rrugor ka një pakësim me 2.2 miliard lekë krahasuar me një vit më parë.
Përsa i përket shpenzimeve korrente në këtë projektligj parashikohet një rritje e mbështetjes buxhetore me 1.1 miliard lekë në zërin e shpenzimeve korente që lidhet drejtpërdrejtë me mirëmbajtjen rrugore, pasi deri më sot mirëmbajtja rrugore ka qenë e mbuluar me një projekt të Bankës Botërore, i cili përfundon sipas kushteve kontraktuale në dhjetor të këtij viti, por duke qenë se kemi një marrëveshje me ta për të ezauruar të gjithë fondet do të zgjatet deri në mars të 2022 dhe më pas qeveria shqiptare do të duhet të mbulojë fondin e mirëmbajtjes rrugore.
Detajimi i shpenzimeve kapitale.
Mbështetja buxhetore për shpenzimet kapitale për vitin 2022 konsiston në financimin e politikave ekzistuese të cilat përbëhen nga projektet koncensionare dhe që ndiqen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe financimin e politikave të reja.
Politikat ekzistuese me financim të brendshëm, pra të aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. Projektet të cilat sigurohen dhe nga bashkëpunimi me sektorin privat sigurojnë në vitin 2022 një mbështetje buxhetore me vlerën 4,1 miliard lekë ose 26% të buxhetit me financim të brendshëm. Këtu përshihet Rruga e Arbrit, e cila siç dhe ju jeni vënë në dijeni do të fillojë të bëhet e aksesueshme nga data 29 nëntor e këtij viti. Gjithashtu, projekti Milot – Morinë, shlyerja financiare e të cilit përfundon në vitin 2032. Projekti “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum -Dukat (Ura e Shën Elizës)”, që ka filluar zbatimin e punimeve ndërtimore në fillim të vitit 2021. Parashikohet që mbështetja buxhetore e veprës do të fillojë në vitin 2022 dhe do të përfundojë në vitin 2033, sipas kushteve kontraktuale. Në këtë projekt, pra të këtij projektbuxheti, mbështetet edhe projekti i ndërtimit të Tunelit të Llogorasë i buxhetuar me vlerën 4.67 miliard lekë ose rreth 29% të buxhetit me financim të brendshëm. Ndërtimi i tunelit do të përfundojë sipas kushteve kontraktuale në vitin 2024.
Përsa i përket ARRSH-së dhe buxhetit që është vënë në dispozicion për përmbushjen e detyrimeve të kësaj ndërmarrje, projektet që do të implementohen sigurojnë një mbështetje buxhetore si vijon:
Nga financimi i brendshëm në vlerën 7.4 miliard lekë, kundrejt nevojës reale shumë më të lartë për të thënë të drejtën dhe nga financimi i huaj në vlerën 5 miliard lekë.
Mbështetja buxhetore e projekteve ekzistuese me financim të brendshëm konsistojnë në:
Ndërtim dhe sistemim rrugësh;
Sinjalistikë rrugore;
Emergjenca, studim projektim, supervizione punimesh, studim projektime, vendime gjyqësore, shpronësime.
Përmes ARRSH-së mbulohen Kosto Lokale dhe TVSH-ja përsa i përket projekteve me financime të huaja.
Projektet që përfundojnë gjatë vitit 2021, mund ti përmend të gjitha, por ndoshta do të merrja kohë, megjithatë unë po nis.
• Ndërtim i rrugës Kardhiq – Delvinë ( Loti 4, Loti 5, Loti 6 ),
• Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me Shigjeta” – Rrethrrotullimi Sheshi “Shqiponja” (Loti 1, Loti 2),
• Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore, Kthesa e Saukut–Bregu i Lumit (Loti 2, Loti 3),
• Ndërtim Bypass Perëndimor Shkodër, Loti 1,
• Ndërtimi i Bypass Tepelenë Loti 1, së bashku me shtesën e punimeve,
• Stabilizimi i rrëshqitjeve në segmentin rrugor Milot–Rëshen, rruga e vjetër,
• Stabilizimi i qëndrueshmërisë së trupit të rrugës, në aksin rrugor Vlorë–Orikum (Zona Jonufër – Nimfa)
• Ndërtimi i segmentit të Lotit të 3 në Porto Romano,
• Rikonstruksion i rrugës Dukaj – Sinanaj në Tepelenë,
• Ndërtim i lidhjes së rrugës së Oroshit me Rrugën e Kombit;
• Përmirësimi i sinjalistikës horizontale dhe vertikale në akset kombëtare dhe segmentet rrugore të Rajonit Verior, Qëndror dhe Jugor,
• Emergjencë rrëshqitja e Borshit
• Ndërtim i urës së Zemblakut,
• Rikonstruksion i urës së Leklit
Këto janë lista e të gjithë kontratave të cilat përfundojnë ndërtimin e tyre brenda vitit 2021.
Kjo mbështetje buxhetore përllogaritet në 6.7 të buxhetit me financim të brendshëm dhe përmbyll detyrimet kontraktuale për financimin e këtyre kontratave që përmenda, pa krijuar detyrime të prapambetura që nënvizoj dhe njëherë është dhe një nga kërkesat e FMN-së.
Ndërkohë projektet që përfundojnë në fund të vitit 2022 janë projektet me kontrata të lidhura, që do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm dhe do të kenë një mbështetje buxhetore të parashikuar në shifrën e 1.5 miliard lekë ose 20% të buxhetit me financim të brendshëm.
Ndër projektet kryesore që përfundojnë në vitin 2022 përmendim:
– Lotin e 7 të rrugës Kardhiq – Delvinë ose ndryshe tuneli i Skërficës.
– By Pass Perëndimor i Shkodrës, Loti 2;
– Rruga Palasë – Dhërmi;
– Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi “Pallati me Shigjeta” – Rrethrrotullimi “Shqiponja”, Loti 3;
– Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, Loti 2;
– Ndërtimi i rrugëve lidhëse rrethrrotullimi i Teg;
– Rikualifikimi i akseve rrugore, Unaza Lindore Loti 3;
– Ndërtimi i rrugës, lidhja e Autostradës Milot- Morinë me Aeroportin e Kukësit;
– Rikonstruksion i Urës së Vorës,
– Rikonstruksion Ura e Kirit,
Projektet e reja të vitit 2021 të planifikuara në po këtë buxhet, por që aktualisht janë në fazën e lidhjes së kontratave, do të vazhdojnë të financohen me buxhetin e vitit 2022. Projektbuxheti i vitit 2022 siguron një mbështetje buxhetore që përllogaritet në vlerën 2 miliard lekë ose 27% e buxhetit me financim të brendshëm.
Ndër këto projekte përmendim:
• Ndërtim i rrugës së Fushëbardhës, lidhja me rrugën Kardhiq – Delvinë,
• Ndërtimi i rrugës së fshatit Senicë dhe lidhja me rrugën Kardhiq – Delvinë,
• Përfundimi i punimeve në segmentet rrugore Ura e Kranesë – Qafë Botë, Ura e Kranesë – Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan – Ura e Gajdarit,
• Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti (4, 5, 6, 7)
• Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi “Shqiponja” – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana,
• Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi “Shqiponja”- Bulevardi i ri, Loti 2,
• Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë Loti 8 (Sistemimi dhe Rivitalizimi i Skarpatave),
• Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë Loti 8 (Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga Loti 1 deri në Lotin 6),
• Plotësimi i punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën lindore, Loti 2,
• Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi “Shqiponja” – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe Qendra e Monitorimit të Trafikut,
• Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3, vazhdimi
• Ndërtim rruga lidhëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), autostrada Fier –Vlorë,
Politikat e reja financiare, përsa i përket infrastrukturës, të përfshira në buxhetin 2022 me financim të brendshëm të cilat janë parashikuar që të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm, kapin vlerën kontraktuale 8.3 miliard lekë. Projektligji për vitin 2022 siguron një mbështetje buxhetore për këto projekte me të paktën një vlerë 1.7 miliard lekë ose 23% të buxhetit me financim të brendshëm.
Projekte të reja janë:
– Rikonstruksion i aksit rrugor Maliq – Lozhan i Ri Strelcë;
– Rehabilitimi i segmentit rrugor Levan -Vlorë (rruga e vjetër);
– Ndërtimi i qendrës së mbrojtjes kundra zjarrit për Tunelin e Krrabës;
– Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, Loti 2 (pjesa e dytë);
– Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë – Thanë (Faza I);
– Përmirësim i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore, në akset e Rajonit Verior, LOTI 1;
– Përmirësim i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Qendror, LOTI 2,
– Përmirësim i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Jugor, LOTI 3,
Projektligji i buxhetit 2022 siguron mbështetje buxhetore për TVSH dhe Kosto Lokale, në vlerën rreth 807 milion lekë ose 11% të buxhetit me financim të brendshëm.Projektligji i buxhetit 2022 siguron mbështetje buxhetore për shpronësime, vendime gjyqësore të formës së prerë, studime e supervizione në vlerën 900 milion lekë ose 12% të buxhetit me financim të brendshëm.
Politikat ekzistuese me financim të huaj.
Për vitin 2022, në zërin e financimit të huaj, do të vazhdojë financimi i politikave ekzistuese dhe politikave të reja në projektet me financim të huaj, në formë Grante/Kredie, të financuara nga donatorët, në rastin tonë BEI, BERZH, Banka Botërore dhe Banka Islamike.
Për zërin e studim projektimeve, do të vazhdojë financimi i politikave ekzistuese, të financuara nga Banka Botërore:
• Projekti “Studim projektim përgatitja e Qëndrës së Monitorimit të Trafikut”;
• Projekti “Studim fizibiliteti dhe përgatitja e projektit të detajuar për sigurinë e Urave;
Për zërin e shpenzimeve kapitale direkte me financim të huaj, do të vazhdojë financimi i politikave ekzistuese në zërat ndërtim, konsulencë, monitorim të kontratave, asistencë teknike, supervision punimesh, si dhe financimi i politikave të reja.
Në politikat ekzistuese, do të vazhdojë financimi i projekteve:
• Projekti i Mirëmbajtjes i Bankës Botërore, i cili siç ju thashë e kemi shtyrë dhe përfundon në 31 mars 2022;
• Projekti “Ndërtim rruga Qukës – Qafë Pllocë (Lotet 1-3)”;
• Projekti “Ndërtim Bypass i Vlorës”;
Në politikat e reja, të cilat pritet të fillojnë në vitin 2022, janë:
• Projekti “Ndërtim Bypass i Tiranës”;
• Projekti “Qëndra e Monitorimit të Trafikut, e cila do të mbulojë dhe do të monitorojë trafikun në mënyrë të plotë, por edhe integrale së bashku me Policinë e Shtetit edhe për sigurinë rrugore, por edhe për sigurinë kombëtare në 1400 kilometra;
• Projekti “Ndërtim Bypass i Gjirokastrës”.
Kaq përsa i përket programit të parë, atij të transportit rrugor.
Kalojmë në programin e dytë, Programi i Transportit Detar, i cili mbulon me financim projekte të investimeve prioritare për funksionimin me kapacitet të plotë të porteve, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, kapaciteteve njerëzore, sigurisë dhe sistemit të menaxhimit në porte.
Në projektligjin e buxhetit të vitit 2022 ka rritje të tavanit buxhetor me 39.4 milion lekë krahasuar me vitin 2021. Kjo rritje konsiston në rritjen e shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm me 30 milion lekë; rritjen e shpenzimeve kapitale me financim të huaj me 10 milion lekë dhe pakësimin e shpenzimeve korrente me 600 mijë lekë.
Ndër projektet prioritare që do të fillojnë të zhvillohen është “Projektimi dhe ndërtimi i Portit të Integruar Triport Vlorë”, realizimi i të cilit nuk kërkon mbështetje buxhetore në programin buxhetor afatmesëm 2022 -2024.
Nëpërmjet një masterplani të detajuar, Triporti parashikohet të kthehet në një port miks ku do të akomodohet porti aktual i peshkimit, shërbimet e përpunimit të mallrave dhe transporti i pasagjerëve dhe automjeteve, duke pasur kështu një port të integruar ku ofrohen të gjitha shërbimet pra portuale deri tani të shpërndara në disa lokacione në zonën e Vlorës dhe duke dhënë kështu mundësi për upgrade-imin(përmirësimin) të infrastrukturës duke qenë se ky porti i ri do të mbështetet edhe me infrastrukturë qoftë ajo rrugore apo dhe dixhitale.
Projektet ekzistuese me financim të brendshëm. Projekte ekzistuese me financim të brendshëm të cilat sigurojnë një mbështetje buxhetore prej 19,9 milion lekë ose 25% e buxhetit të programit mund të përmendim: pajisje navigacionale për Kapiteneritë Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë; rikonstruksion i Kalatës Roro Sarandë: tvsh dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj.
Projektet e reja janë buxhetuar në vlerën 60.1 milion lekë ose 75% e buxhetit të programit aktual, pra duke i detajuar:
1. Rikonstruksion i terminalit të pasagjerëve, Porti Sarandë;
2. Studim projektim i dixhitalizimit të sistemeve të DPD, kapitenerive të porteve dhe komunikimit dhe aplikimit online për operatoret dhe agjencitë që paraqesin kërkesa për anijet që hyjnë e dalin në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë;
3. Vazhdimi i sinjalit satelitor për pajisjet për identifikimin e anijeve me flamur shqiptar;
4. Supervizion “Projektimi dhe ndërtimi i Portit të Integruar Vlorë”.
Projektet e reja me financim të huaj që parashikohen gjatë vitit ‘20 – ’22 janë një sërë prej tyre.
“EUREKA”, me 238 mijë euro;
“MEDEA”, me 65.000 euro;
“BLUWBC”, e cila është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian. Projekti ka si qëllim rritjen dhe aftësinë në Inovacion dhe Sipërmarrje duke synuar konceptin e ekonomisë Blu në Shqipëri dhe në Mal të Zi përmes mbështetjes së partnerëve nga Lituania, Kroacia dhe Norvegjia.
Projekti “MEP & M”, projekt i financuar 100% nga Bashkimi Europian. Ka si qëllim parësor mbrojtjen e zonave bregdetare dhe mbrojtjen e mjedisit detar në Shqipëri dhe Mal të Zi si dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për të mbështetur programet e reja në fushën e menaxhimit dhe mbrojtjes së mjedisit detar.
Programi i tretë, Transporti Hekurudhor.
Ashtu siç ju jeni në dijeni transporti hekurudhor ka një vëmendje të veçantë nga qeveria shqiptare, duke qenë se tashmë kemi përmbyllur të gjithë pjesën e detyrimeve ligjore për të riorganizuar këtë sektor, duke pasur parasysh që kemi krijuar edhe 4 agjenci, duke shkrirë strukturën ekzistuese dhe duke u bazuar tek ligji “ Për ndarjen e shoqërisë hekurudha shqiptare” kemi ngritur Autoritetin Rregullator Hekurudhor, Autoritetin e Sigurisë Hekurudhore dhe Autoritetin Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore dhe Detare. Duke unifikuar kështu edhe operimet hekurudhore, ashtu si dhe ato ajrore, të bazuara në ligjet dhe rregullat e Bashkimit Europian. Sigurisht me të gjithë paketën e hekurudhës, duke qenë se është një nga paketat e cila është vendosur që të mos ketë një mbështetje nga Buxheti i Shtetit, përveç TVSH-së dhe kostove lokale, por të bazohemi gjithmonë në grantet dhe kreditë që kemi marrë apo do të mund të marrim në të ardhmen nga BE, në zërin e programit të transportit mbështetja buxhetore është e limituar.
Projektet bazë për realizimin e qëllimit të programit dhe të objektivave për periudhën afatmesme 2022 -2024 konsistojnë në:
1- Rikonstruksioni i segmentit Tiranë-Durrës, ndërtimi i linjës së re Tiranë – Rinas;
2- Studime fizibiliteti dhe projekte zbatimi për segmente ekzistuese dhe për projekte të reja hekurudhore. Duke qenë se në një bashkëpunim intensiv ndër rajonal, kemi dakordësuar edhe me Maqedoninë e Veriut edhe me Bullgarinë që të nisim një punë të përbashkët për ndërtimin e hekurudhës e cila konsiderohet si pjesa më e rëndësishme e korridorit të 8-të, pra nga porti i Durrës në portin e Varnës dhe sigurisht ajo që ne na intereson, pra pjesa shqiptare, që duhet të bëhet hekurudha nga Durrësi në Lin dhe me pas dy ndarjet një për Maqedoninë e Veriut dhe tjetra me dalje në Kristalopigji në Greqi.
Në projektligjin e buxhetit ‘20 – ‘22 ka rritje të tavanit buxhetor me 648 milion lekë krahasuar me vitin 2021. Kjo rritje konsiston në; rritje me 558 milion lekë të shpenzimeve për investime nga financimi i huaj; rritje me 100 milion lekë të investimeve nga financimi i brendshëm; pakësim prej 10 milion lekë të shpenzimeve korrente. Në shpenzimet korente peshën kryesore e zë subvencioni i Hekurudhës Shqiptare me vlerë 397 milion lekë.
Projektligji i buxhetit 2022, siguron mbështetje buxhetore për projektin kryesor të këtij programi “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore për në aeroportin e Rinasit” nga të dyja drejtimet. Ky financimi i brendshëm mbulon shpenzimet kapitale për shpronësime TVSH e kosto lokale dhe financimi i huaj.
Projekte të tjera që përmendim:
– Hartimi i projektit preliminar Rrogozhinë-Pogradec-Lin, në kufi me Maqedoninë e Veriut si një pjesë e rëndësishme e korridorit të 8-të;
– Plani i Menaxhimit të Aseteve dhe Metodologjia e Tarifimit në Hekurudhat Shqiptare. Një fazë parapërgatitore kjo duke qenë se parashikohet që ndërtimi i hekurudhës të përfundojë 24 muaj pas lidhjes së kontratës dhe menjëherë do të filloj të lindë nevoja për operimin e saj.
– Promovimi i Intermodalitetit dhe Rilidhja Hekurudhore në Rajonin Adriatik – Jon;
Programi i katërt, Transporti Ajror.
Prioriteti në këtë program është financimi i kontratës së shërbimeve inxhinierike përsa i përket koncesionit të aeroportit të Kukësit, që dua të theksoj është një koncesion pa asnjë peshë në Buxhetin e Shtetit, duke qenë se nuk ka as garanci kjo kontratë për numrin e pasagjerëve. I vetmi angazhim që ne kemi janë shërbimet inxhinierike të pavarura për të kontrolluar këtë kontratë. Tashmë aeroporti është funksional. I gjithë programi i aviacionit nuk ka një mbështetje të mirëfilltë nga Buxheti i Shtetit duke qenë që të gjitha këto programe janë programe koncesionare të cilat mbulohen nga investitorët privatë.
Shpenzimet korrente që parashikohen janë 21.1 milion lekë dhe janë për OKIA dhe shpenzime kapitale me financim të brendshëm në vlerën 71.2 milion lekë që mbulojnë politikat ekzistuese që përbëhen nga projektet:
Kontrata e aeroportit të Kukësit, shërbimi i punimeve inxhinierike të pavarura me 70.2 milion lekë;
Blerje pajisje operacionale, në vlerën 1 milion lekë.
Ky program buxhetor nuk ka mbulim me financim të huaj, por është me fonde të investitorëve privatë.
Kalojmë në programin e pestë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë. Ky është programi i Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime.
Ky program financon projekte të hartuara në përputhje me prioritetet e qeverisë për reformën e ujit, mbështetur në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), Strategjinë Sektoriale, Programin Kombëtar Sektorial, grupi “Uji për njerëz” dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Programi mbështet realizimin e objektivave të mëposhtëm:
Furnizimin me ujë të zonave urbane;
Zgjerimin dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të zonave bregdetare;
Mbulimin e kostos operative dhe rritja e performances së ndërmarrjeve,
Mbulimin me kanalizime.
Sigurisht ky është një sektor, i cili pavarësisht të gjithë incentivimit dhe mbështetjes që është dhënë nga buxheti i shtetit ndër vite, performanca vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Ne kemi pasur si qeveri, së bashku me kryeministrin, një takim intensiv javët e fundit qoftë me drejtuesit e ujësjellësave, qoftë edhe me kryetarët e bashkive, pasi performanca e dobët e këtyre entiteteve pranë pushtetit lokal nuk po jep rezultatet që ne presim dhe në të ardhmen nuk do të japë as rezultatet financiare që pritet që të kenë ujësjellësat. Duke qenë se ju tashmë, për shkak se na është dashur të flasim për energjinë këto kohë, madje të debatojmë edhe bashkë, të përmendim edhe faktin që performanca e dobët financiare e sektorit të ujit, pra e ujësjellësave të cilët aderojnë nën kujdesin e bashkive, ka impaktuar negativisht edhe financat e distributorit të energjisë.
Në programin e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime, si një ndër prioritet e qeverisë për periudhën 2022 -2024, projektligji siguron një rritje të mbështetjes buxhetore në këtë program, krahasuar me ligjin e buxhetit 2021 prej 3.35 miliard lekë. Ky projektligj mbulon 85% të nevojave reale të kërkuara nga MIE e konkretisht:
Shpenzimet korrente rezultojnë me një ulje prej 25.6 milion lekë;
Shpenzimet kapitale rezultojnë me një rritje prej 3.59 miliard lekë nga të cilat shpenzimet kapitale me financim të huaj rriten me 916 milionë lekë dhe shpenzimet kapitale me financim të brendshëm rriten me 2.67 miliard lekë.
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm. Në projektligjin e buxhetit 2022, janë investime që përfundojnë në vitin 2021 me105 projekte në 11 qarqe të vendit të vëna në shfrytëzim dhe që do të vihen në shfrytëzim deri në fund të vitit 2021. Me investime që përfundojnë në 2022 nga të cilat janë 142 projekte në 12 qarqe të vendit, që do të përfundojnë e do të vihen në shfrytëzim deri në fund të vitit 2022.
Duke qenë se të gjithë këtu jemi deputetë që mbulojmë qarqe unë do të ndaloja vetëm një moment që t’ju informoja sipas qarqeve.
Situata e detajuar e kantiereve në rang qarku paraqitet:
Qarku Berat, ka 4 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me vlerë totale kontraktuale 516.410.218 lekë. 10 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me vlerë totale kontraktuale 2.1 miliardë lekë.
Qarku Dibër, 12 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me një vlerë kontraktuale 2.34 miliardë lekë.10 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me vlerë totale kontraktuale 2.46 miliardë lekë.
Qarku Durrës, 6 objekte që përfundojnë në vitin 2021 dhe që është 1.04 miliardë lekë vlera totale kontraktuale. 2 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me vlerë totale kontraktuale 237.580.651 lekë.
Qarku i Elbasanit, 15 objekte që përfundojnë në vitin 2020- 2021 me vlerë totale kontraktuale rreth 1.7 miliard. 5 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me vlerë totale kontraktuale 333.548.006 lekë.
Qarku Fier, 6 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me një shumë prej 1 miliard lekësh vlerë kontraktuale. 13 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me vlerë totale kontraktuale 2.46 miliardë.
Qarku i Gjirokastrës, 16 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me 1.45 miliard vlerë kontraktuale dhe 10 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me 1.17 miliard lekë me vlerë kotnraktuale.
Qarku i Korçës, 4 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me vlerë 200.187.457 lekë dhe 20 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me një vlerë kontraktuale 3.6 miliard lekë.
Qarku i Kukësit, 20 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me një vlerë kontraktuale 70.690.722 lekë.
Qarku i Lezhës, 4 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me një vlerë 207.261.855 lekë dhe 10 objekte në Lezhë që përfundojnë në vitin 2022 me një vlerë kontraktuale totale 2.2 miliard lekë.
Qarku i Shkodrës, 5 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me 288.291.659 lekë, 4 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me 447.319.230 lekë
Qarku i Tiranës, 19 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me një vlerë 2 miliard lekësh vlerë kontrakutale dhe 14 objekte në vitin 2022 me 2.8 miliard lekë vlerë totale kontraktuale.
Qarku i Vlorës, 14 objekte që përfundojnë në vitin 2021 me një vlerë kontraktuale totale 1.2 miliard, ndërkohë që 24 objekte që përfundojnë në vitin 2022 me një vlerë kontraktuale 2.8 miliard.
Shpenzimet kapitale me financim të huaj
Projekte në vazhdim janë: Programi i Infrastrukturës Bashkiake III dhe IV (me grant dhe kredi); Periferitë Urbane të Tiranës, komponenti infrastrukturor (shtesë kontrate); Infrastruktura Bashkiake numër V (grant dhe kredi); Planifikimi sektorit të ujit për negociata me BE.
Projekte të reja: Programi kombëtar i modernizimit të Sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve në vlerën 70 milion euro (Grant & Kredi nga Banka Botërore); Projekti i rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm për Bashkinë Durrës në vlerën 62 milion euro (Grant & kredi nga AFD-ja franceze); Rikonstruksion i rrjetit të Ujësjellësit të Bashkisë Tiranë në vlerën totale 140 milion euro nga të cilat 80 milion euro janë mbështetje buxhetore (Grant dhe Kredi nga BEI) dhe 60 milion euro janë investim nga vetë ndërmarrja Ujësjellësi i Tiranës.
Programi i radhës, programi i Mbështetjes për Energjinë
Ky program konsiston në krijimin e kushteve dhe mundësive për zhvillimin e politikave dhe strategjive për një ecuri të qëndrueshme të sektorit të energjisë, në zbatim të programit dhe prioriteteve të Qeverisë.
Në këtë projektbuxhet tavanet janë rritur me 223.4 milion lekë nga të cilat, një pakësim i shpenzimeve korrente në vlerën 46.6 milion lekë; një pakësim të shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm në vlerën 50 milion lekë; një rritje e shpenzimeve kapitale me financim të huaj në vlerën 320 milion lekë. Këtu bëhet fjalë për rehabilitimin e agregatëve të Fierzës mbështetur në kredi.
Projektligji i buxhetit 2022 siguron mbështetje buxhetore për projektet prioritarë me financim të brendshëm që përfundojnë brenda vitit 2021, ku mund të përmendim projektet kryesore që kanë të bëjnë me eficencën e energjisë.
Projekti pilot për “2km Smart City – rruga e Energjisë së Pastër”; Standardet e ndriçimit Urban dhe Rrugor në Republikën e Shqipërisë; Studimi i fisibilitetit për vendosjen e Kullave të Karikimit për makinat elektrike në Republikën e Shqipërisë; Projekt ide mbi Elektrifikimin e linjave të transportit urban dhe ndërqytetas në Bashkitë Tiranë, Vlorë, dhe Durrës; përmirësimin e eficencës së energjisë në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza; përmirësimin e eficencës së energjisë në impiantet e furnizimit me ujë dhe sigurisht zëri i tvsh dhe kostove lokale për projektet me financim të huaj.
Ndër projektet e reja të propozuara përmendim: Projekt ide dhe studim fizibileti mbi elektrifikimin e linjave të transportit urban dhe ndërqytetas në çdo bashki të vendit, jo vetëm Tiranë, Durrës dhe Vlorë; Hartimin e projektit të detajuar të zbatimit për elektrifikimin e linjave të transportit urban dhe ndërqytetas në Bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Durrës; Fond investimi për realizimin e vendosjes së stacioneve të karikimit në qytetet kryesore të Shqipërisë, aty ku sipas studimit tonë ka automjete hibride të cilat funksionojnë me energji elektrike; Përmirësimi i Softit Kombëtar të llogaritjes së certifikatave të auditimit të energjisë dhe Projekt për trajnimin e audituesëve dhe menaxherëve pranë institucioneve qendrore dhe vendore.
Për projektet sa më sipër financimi është ai që ne kemi kërkuar.
Shpenzimet kapitale me financim të huaj
Në projektligjin 2022 sigurohet mbështetje buxhetore për projektet e mëposhtme: Konvikte të rinovuara me eficencë të energjisë (faza e dytë) duke qenë se faza e parë tashmë ka përfunduar në Qyteti Studentit numër.1; Programi i Rehabilitimit të Konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas Parimit të Efiҫencës së Energjisë; Projekti REHUB PLUS “Efikasiteti Rajonal i Energjisë”; Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës, i agregatëve të tij siç e përmenda më lart.
Në programin e tetë është programi i Mbështetjes për Burimet Natyrore
Një program në të cilin janë parashikuar fonde buxhetore të nevojshme për mbështetjen e politikave lidhur me fushën e menaxhimit të burimeve natyrore që synojnë jo vetëm zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar, por dhe rritjen e transparencës në shfrytëzimin racional të burimeve natyrore.
Në këtë projektligj ka pakësim të tavanit buxhetor me 41.6 milion lekë krahasuar me vitin 2021. Ky pakësim konsiston në shpenzimet korrente me 27.4 milion lekë dhe pakësimin të shpenzimeve kapitale me 14 milion lekë.
Për vitin buxhetor 2022, brenda këtij programi, në shpenzimet korrente përfshihen dhe shpenzimet e administrimit jo vetëm për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, por edhe për AKSEM. Projektligji i këtij viti ka planifikuar një fond prej 134.3 milion lekë, por në ndryshim nga kërkesa që ne kemi paraqitur me 235 milion lekë, të cilat janë paga dhe sigurime shoqërore për të dyja ndërmarrjet, si për SHGJSH ashtu dhe për AKSEM dhe kjo është diçka që ne duam ta keni parasysh. E kemi diskutuar dhe me Ministrinë e Financave.
Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm janë parashikuar në vlerën 91 milion lekë, dhe konsiston në financimin e politikave ekzistuese, për institucionet: Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Sekretariati për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) dhe Konservime për Albminera, Albbakër, dhe Albkrom, sha-të që vazhdojnë dhe qëndrojnë në konservim.
Programi i Mbështetjes për Industrinë
Në zërin e shpenzimeve korrente janë planifikuar fonde për pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shpenzime operative për institucionet buxhetore: Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme në Elbasan (QGTKRR) apo Konservime për sha-të. Ky projektligj mbulon 100% kërkesën tonë për buxhetim.
Programi i Planifikimit Urban
Programi “Planifikimi urban” harton, mbështet dhe zbaton procese dhe politika për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban, kontrollin e territorit, mbetjet urbane, si dhe mbështet zhvillimin e vendit në nivel bashkie dhe rajoni, sipas fushave të përgjegjësisë; harton, mbështet, financon dhe zbaton projekte në fushat e mësipërme.
Në projektligjin e këtij buxheti shpenzimet korrente janë shtuar në vlerën 30.4 milion lekë që përfshijnë fondet për Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (AQTN) dhe për Agjencinë Shtetërore të Shpronësimeve paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative duke qenë se kjo është një agjenci që ka filluar rishtazi funksionin e saj.
Është mbuluar 100% kërkesa jonë buxhetore nga ky program.
Programi Mbështetje për Rrjetet e Komunikacionit
Ashtu siç ju e dini ky është një program i cili ne kemi insistuar çdo herë kur është buxhetuar që ka nevojë, pavarësisht se ne zakonisht i drejtohemi fondeve apo më saktë granteve të huaja, është një sektor që kërkon të ketë dhe një mbështetje nga buxheti dhe nga financat vendase për të treguar edhe angazhimin tonë për përmirësimin apo për ngritjen e këtij sektori.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është totalisht e angazhuar për programin “Mbështetje e Rrjeteve të Komunikacionit” për të avancuar me zhvillimin e infrastrukturës digjitale broadband, si dhe prioritet ka realizimin e qëllimit dhe arritjen e objektivave të politikës së programit, për funksionimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative, rritjen e standardeve dhe performancës së punës së tyre duke ditur se një nga qëllimet e Qeverisë Rama, tashmë e bërë publike që në fillim të vitit 2019 është dixhitalizimi i shërbimeve duke krijuar kështu një akses më të lehtë për të gjithë qytetarët në çdo nivel shërbimi që ata kërkojnë nga administrata duke ulur ndjeshëm mungesën e transparencës dhe rastet e korrupsionit padyshim.
Në Planin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale, Broadband 2020-2025 është parashikuar dhe ngritja e Zyrës Kompetente për Broadband sipas praktikave më të mira të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Krijimi i kësaj zyre është i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale broadband.
Projektligji i vitit 2022 siguron mbështetje buxhetore për projektet prioritare të programit ku mund të përmendim: Zhvillimi Rajonal i Broadband “Asistencë teknike – Projekti pilot 1 – për zonën e veriut”; Projekti pilot 2 – për zonën e Jugut dhe gjithashtu projekti i Atlasit të broadband”.
Programi i Menaxhimit të Mbetjeve Urbane
Qëllimi i programit të “Menaxhimi i Mbetjeve Urbane” është ngritja e një sistemi modern dhe efektiv të menaxhimit të integruar të mbetjeve që kontribuon në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit të njeriut, dhe mbështet përdorimin racional të burimeve natyrore. Për një sigurim të menaxhimit gjithëpërfshirës dhe strategjik për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës për trajtimin e mbetjeve të ngurta shtëpiake.
Projektet me financim të brendshëm dhe politikat ekzistuese janë mbajtur në konsideratë. Projektet e mëposhtme, financimi i ndërtimit të inceneratorit të Fierit; mbyllja e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës dhe supervizioni i punimeve; projekti “Faza e dytë e projektit të ndërtimit të venddepozitimit në Bushat; projekti “Stacioni i transferimit të mbetjeve në Himarë (Dhërmi)” dhe tvsh dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj.
Projektet me financim të huaj.
Janë mbajtur në konsideratë vazhdimi dhe financimi nga donatorët e huaj i projekteve si më poshtë: Projekti “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve”, financuar nga KfË, në vlerën 61.9 milion Euro, (kredi & grant) e cila është në proces miratimi; Projekti në kuadër të financimit “Projekti në fushën e mbetjeve të ngurta financuar në kuadrin e Ekonomisë Cirkulare”, i cili është në proces miratimi; Projekti “Administrimi i mbetjeve të ngurta në Juglindje të Shqipërisë, masa shoqëruese faza e dytë”; Projekti “Studim fizibiliteti dhe masa shoqëruese për projektin “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”; Projekti “Sistemi i menaxhimit të integruar të mbetjeve për Qarkun Vlorës”.
Programi i fundit, Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi.
Ky program mbulon financimin e shpenzimeve korrente dhe shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm për funksionimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative të Aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rritjen e standardeve dhe performancës të punës së tyre.
Në projektligjin e buxhetit të vitit 2022 shpenzimet korrente janë rritur në vlerën 14.5 milion lekë dhe nevojat janë mbuluar 100% nga kërkesa që kemi pasur për këtë program.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe ndjesë shumë gjatë, por 12 programe.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë