Fjala e ministres Balluku në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/04/2019

Fjala e ministres Balluku në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës

I nderuar z.Ambasador Cutillo,

I nderuar kryetar i bashkisë z.Veliaj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Dua ta nis nga Alqi dhe ta falenderoj shumë për punë e mirë që është duke bërë, z.Bllako i cili ka pak muaj në krye të UKT-së, por që kanë filluar të duken rezultatet dhe për fjalën e mbajtur me detaje teknike.

Tirana, kryeqyteti ynë ka hyrë tashmë në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm, përmes transformimeve rrënjësore që kanë ndikuar në mënyrë në drejtpërdrejtë në rritjen tërësore të cilësisë së jetës për qytetarët. Këto ndryshime që kanë prekur të gjitha fushat e jetës, atë ekonomike, sociale, kulturore e me gjerë e kanë kthyer kryeqytetin në një metropol europian dhe një hapësirë të shumëkërkuar nga qytetarët për të jetuar, punuar, për të bërë biznes e për të ndërtuar këtu të ardhmen e fëmijëve tanë. Por zhvillimi i Tiranës dhe në mënyrë të veçantë rritja demografike e qytetit kanë nxjerrë në pah edhe një sërë nevojash dhe sfidash të mprehta që dalin përpara qeverisë qendrore e asaj vendore.

Furnizimi me ujë të pijshëm i kryeqytetit është një nga ato sfida, ku rritja dhe zhvillimi i shpejtë i gërshetuar me një trashëgimi shumë të keqe të situatës së investimeve në këtë sektor në të shkuarën, e bëjnë nevojën për ndërhyrje edhe më emergjente.

Bashkia e Tiranës në këto 4 vitet e fundit ka bërë maksimumin e mundshëm për të menaxhuar në mënyrën më të mirë sistemin hidrik të qytetit dhe për të garantuar furnizimin me ujë të qytetarëve. Rezultatet janë tashmë të prekshme nga vetë qytetarët, por ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo sfidë nuk mund të përballohet vetëm nga pushteti vendor. Ndaj dhe sot jemi këtu bashkë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe me partnerët e miqtë tanë italianë, për t’i dhënë udhë një projekti shumë të rëndësishëm, që synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës.

Projekti për “Rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës”, një investim në vlerën e rreth 10.5 milionë eurove me financimin e Qeverisë Italiane përmes Kooperacionit Italian në Tiranë synon rritjen e hapësirës kohore gjatë së cilës qytetarët do të furnizohen me ujë të pijshëm, duke rritur në këtë mënyrë edhe sasinë e ujit për frymë për qytetarët dhe në të njëjtën kohë ndërhyrjen për të ulur nivelin e humbjeve në rrjet.

Nga ana teknike ky investim:

  • Do të mundësojë ndërtimin e një linje transmetimi me standardet që operojnë vendet anëtare të BE;
  • Do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth tij;
  • Shmang abuzimet nga ndërhyrjet në rrjet dhe kalon në nivelin ZERO humbjet e volumit të ujit në linjën e transmetimit.

 

Punimet janë parashikuar të përfundojnë brenda gushtit të vitit të ardhshëm, por unë jam e bindur që me vëmendjen e veçantë që Erioni i cili njihet për këmbënguljen e tij të spikatur në realizimin e veprave të madhore, ky projekt do të përfundojë edhe më shpejt, duke bërë që qytetarët e Tiranës t’a ndiejnë më pak vapën e sezonit të verës vitin e ardhshëm e në vazhdim.

Të nderuar pjesëmarrës,

Qeveria Shqiptare është e fokusuar te investimet strategjike në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit. Investime që duhet të krijojnë shtratin e duhur për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e klimës së duhur për investimet vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët. Në këtë angazhim konstant ne kemi pasur dhe shpreh besimin se do të vijojmë të kemi edhe në të ardhmen mbështetjen e rëndësishme të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë.

Gjej rastin të falenderoj dhe ti shpreh mirënjohjen Qeverisë Italiane, e në mënyrë të veçantë ambasadorit Cutillo, për mbështetjen pa rezerva që na ka dhënë në projektet dhe nismat tona modernizuese në infrastrukturë, por edhe më gjerë.

Ne jemi të vendosur të ecim në rrugën e reformave shtetformuese dhe modernizuese, sepse jemi të bindur se vetëm me punë dhe me angazhim konkret mund të arrijmë të jemi realisht pjesë e familjes së madhe europiane, të ndërtojmë një shtet dhe shoqëri të standardeve europiane, ashtu siç shqiptarët e kanë ëndërruar dhe merituar prej vitesh tashmë.

Faleminderit!