Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në ceremoninë e nisjes së punimeve për Tunelin e Llogarasë:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kolegë deputetë dhe përfaqësues pjesëmarrës nga qarku i Vlorës,
Sot është një ditë e shënuar, shumë e veçantë dhe e rëndësishme jo vetëm për Vlorën, Palasën, Dhërmiun, Himarën, por për të gjithë bregdetin e mrekullueshëm të jugut dhe padyshim një ditë e shënuar për të gjithë Shqipërinë.
Është dita ku një ëndërr e kahershme, një projekt i fjetur në sirtar prej dekadash po bëhet realitet, duke hapur një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik dhe turistik të gjithë kësaj zone, por padyshim një ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë ekonominë e vendit. Personalisht ndihem shumë e emocionuar sot teksa shoh që përpjekjet tona të vazhdueshme, angazhimi profesional i pandërprerë më së fundi po konkretizohet me nisjen e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Dy vitet e fundit qëkurse nisëm të punonim për këtë projekt madhor kanë qenë të mbushura me shumë sfida, orë të tëra diskutimesh, debatesh, konsulta me ekspertë ndërkombëtarë, shumë lodhje, por më shumë kënaqësi për t’ia dalë një projekti që nuk kish guxuar kush më parë. Nuk kanë munguar skeptikët gjatë rrugëtimit tonë për këtë projekt të rëndësishëm, nga ata që çdo projekt dhe çdo punë të mirë e etiketojnë si 3D dhe deri tek skeptikët që me të drejtë mendojnë kur nuk është bërë në kaq dekada, pse u dashka bërë sot. Për të parët nuk ia vlen fare të shqetësohemi sepse ata do të vazhdojnë propagandën e tyre, ndërkohë për qytetarët skeptikë kjo është prova më e mirë që ne ja dolëm. Ja dolëm të kapërcenim shumë pengesa e vështirësi, përfshirë edhe pandeminë, e cila me të vërtetë na vonoi pak në këtë rrugëtim, por nuk mundi të na ndalte, sepse vendosmëria jonë triumfoi edhe një herë.
Pas një procedure model, ku dua të theksoj se kemi kaluar përmes dy garave ndërkombëtare. Gara e parë ajo e studimit dhe e projektimit, e cila pas një pjesëmarrje të gjerë nga kompani nga më prestigjiozet në fushën e projektimit u fitua nga një konsorcium austriak, i cili bëri një punë të shkëlqyer në të gjithë zonën, duke nisur nga studimet gjeologjike dhe deri tek projekti i detajuar. Më pas hapëm një garë të dytë, ndërkombëtare gjithashtu dhe transparente, e cila tregoi se kush ishte fituesi për ndërtimin e këtij tuneli. Investimi i Qeverisë Shqiptare në këtë vepër madhore do të sjellë më afër zonat e mrekullueshme turistike të bregdetit shqiptar të jugut e në të njëjtën kohë do të krijojë hapësira dhe mundësi të reja shumë tërheqëse për investitorët e huaj, por edhe ato vendas.
Ky tunel është një pjesë e vyer e gjerdanit infrastrukturor i cili nis në bypassin e Fierit, duke vazhduar me bypassin e Vlorës, pastaj rrugën e Orikum – Dukat, tuneli i Llogarasë për të kaluar në anën tjetër të Karaburunit me vazhdimin e rrugës Palasë – Dhërmi apo edhe rrugëve të cilat po përfundojnë, pra loteve të Kardhiq – Delvinës, duke përfunduar në tunelin e Skërficës që më pas do të lidh këtë pjesë të bregdetit me pjesën e Gjirokastrës dhe të kufirit me Greqinë. Këtyre akseve rrugore u shtohen edhe portat e ajrit dhe portat e detit. Në datë 28 nëntor, ashtu siç Vlora e meriton, ne hapim kantierin e ri, kantierin e aeroportit të Vlorës, për të vazhduar më pas me ndërtimin e dy porteve, atë të jahteve në qendër të Vlorës në fund të shëtitores së lungomares së famshme tashmë dhe portit të integruar në Triport, aty ku do të ndërtojmë një strukturë të re e cila do të përfshijë si shërbimet tregtare ashtu edhe shërbimet për udhëtimet e pasagjerëve.
Duhet thënë që procesi i garës ndërkombëtare ka nisur në qershor të 2020, pra me garën për të zgjedhur një projekt të detajuar ndërkombëtarisht dhe u zgjodh një studio austriake e cila bëri një produkt që sot nuk i lë askujt diskutime sesi do të zbatohet. Sot kompania që do të ndërtojë mjafton të zbatojë projektin mjaft mirë të detajuar, së bashku me studimin gjeologjik dhe gjithçka tjetër nevojitet. Gjithashtu, duhet thënë që fituesi, konsorciumi fitues i garës për ndërtimin është kompania ASL, një nga kompanitë më të mëdha turke me eksperiencë të shkëlqyer sidomos në fushën e ndërtimit të tuneleve. Ata mbajnë një nga tunelet më të mëdha në Europë dhe në qoftë se unë nuk gaboj është numri dy për madhësi në Europë prej 14.7 kilometrash, gjithashtu me partnerët e tyre të interkarit. Duhet të kemi parasysh që ne kemi kërkuar që kjo kontratë të përfundojë në 36 muaj, por nga kompania turke u ofrua 33 muaj afat përfundimi. Për të thënë të drejtën si në të gjitha projektet e tjera prioritare, sidomos ky tunel, i cili siç thamë ka qenë një ëndërr në sirtar për të gjitha qeveritë me radhë, ne kemi kërkuar që të dorëzohet sa më shpejt, por sigurisht duke pasur parasysh të gjitha kushtet e sigurisë rrugore, të cilat duhet të aplikohen dhe shpresojmë që nëse studimi gjeologjik do të rezultojë 100% i saktë, atëherë ne kemi shumë shpresë që 33 muaj do të jenë mjaftueshëm për dorëzimin e këtij projekti.
Disa elementë teknik për tu pasur parasysh që tuneli i Llogarasë parashikohet të jetë afërisht 20 kilometra në jug të Vlorës dhe një nga elementët kryesorë të autostradës SH8 që lidh Fierin-Vlorën dhe Sarandën nga veriu në jug, duke u konsideruar kështu si autostrada më e rëndësishme kombëtare në bregdetin jugor shqiptar. Hyrja e tunelit do të jetë rreth 500 metra nga ura e Shën Elizës dhe dalja e tij 1.4 kilometra nga ura në Palasë. Me ndërtimin e tunelit të Llogarasë vëllimi mesatar i trafikut ditor në vitin e parë të operimit pritet të dyfishohet nga 3000 në 6000 makina. Vëllimi mesatar ditor i trafikut në pikun e sezonit pritet të arrijë 10 mijë makina.
Aktualisht duhen 55 minuta përafërsisht, sigurisht varet nga mënyra e drejtimit të automjetit për të kaluar qafën e Llogarasë, me ndërtimin e tunelit koha e udhëtimit do të jetë nga 7 deri në 10 minuta. Gjatësia e rrugës në total është e përbërë nga 5.9 kilometra që është tuneli dhe 2 kilometra rrugë dhe dy ura në hyrje-daljet. Lloji i rrugës është karaxhetë me dy sense lëvizje dhe një tunel emergjence, i cili përkufizohet nga kriteret europiane, pra çdo tunel më i madh se 500 metra ka detyrim që të ketë tunelin e emergjencës. Shpejtësia e parashikuar në këtë tunel do të jetë nga 50 deri në 80 kilometra në orë. Projekti ka disa avantazhe ndër të cilat shtrirja është e butë dhe e ekuilibruar dhe me një indeks të lartë gjeometrik. Lidhjet e rrugës në hyrjet dhe daljet e tunelit janë të shkurta duke shkaktuar dëme minimale mjedisore. Duhet të theksoj dhe dua të ndaloj një moment, duke qenë se sensiviteti mjedisor është gjithmonë në rritje sidomos për zonën e Vlorës, qoftë përsa i përket aeroportit që javën e fundit ne kemi bërë një dëgjesë model përsa i përket shqetësimeve të banorëve, shqetësimeve të ambientalistëve në zonën e lagunës së Nartës dhe gjithashtu në të gjithë parkun kombëtar të Llogarasë para se ne të nisnim garën për ndërtimin kemi përmbushur të gjithë detyrimet që kemi ndaj kushteve për ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit. Ndërhyrja në rrugën ekzistuese është e vogël, gjë që përmirëson ndjeshëm sigurinë dhe trafikun rrugor dhe kërkon edhe një përmirësim të mëtejshëm dhe kosto e rehabilitimit është e ulët për periudhat e mëvonshme.
Projekti do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe nga të gjithë indikatorët që ne kemi studiuar me vlerë të përllogaritur rreth 100 milionë euro, ku vlen të veçohen kushtet më të sigurta të drejtimit dhe më pak aksidente rrugore, më pak dëme të mjeteve, kosto më e ulët e transportit dhe rritja e punësimit me 400 vende pune gjatë ndërtimit të këtij tuneli, si dhe një ndikim indirekt dhe i tërthortë, i cili përllogaritet në rreth 80 deri në 100 milionë euro përmes transportit më të shpejtë në një nga aeroportet ndërkombëtare më të rëndësishme të vendit. Rritjen e turizmit për rajonin jugor, rritjen e punësimit me 2200 vende, nxitjen ekonomike të tjera të lidhura pra me këtë përmirësim të akseve rrugore dhe rritje e vlerave të tokave që ndodhen përreth kësaj vepre infrastrukturore.
Siç e thashë edhe në fillim ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne. Tek shikoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe kanë punuar në këtë projekt dhe janë të gjithë së bashku dhe i shikoj pas është një ditë shumë e veçantë për ne. Realisht kemi folur sesi do të ishte dita e parë e fillimit të punimeve dhe është me shi. Jemi lutur që ky shi të binte në Kukës për të na mbushur kaskadën e Drinit, por ndërkohë na ka shoqëruar sot në ditën e parë të kantierit dhe shpresojmë, ashtu siç themi ne shqiptarët, që të jetë një punë plot me bereqet për jugun, por edhe për Shqipërinë.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë