Fjala e Ministres Balluku në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut” Kukës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/02/2022

Fjala e Ministres Balluku në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut” Kukës

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED- Flatrat e Veriut” Kukës, pas uljes së avionit të parë të kompanisë WizzAir:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të WizzAir,

Të nderuar përfaqësues të medias,

Shumë faleminderit aeroportit të Kukësit për mikpritjen sot.

Sot është një tjetër ditë e veçantë për aviacionin dhe realisht të gjithë ne ndjehemi krenar për arritjet që kemi në këtë fushë në vitet e fundit, duke nisur nga hapat e parë që janë hedhur për ngritjen e këtij aeroporti dhe deri tashmë tek hapja e kantierit për aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Gjithashtu, duhet përmendur të gjitha zhvillimet që kemi në aeroportin e Tiranës me një investim të llogaritur rreth 99 milionë euro, të cilat do të konsistojnë në rritjen e infrastrukturës në aeroportin kryesor të Republikës së Shqipërisë, por fakti që sot ndodhemi në Kukës është një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit të aviacionit në Republikën e Shqipërisë.

Ndodhemi këtu me një nga kompanitë më të mëdha ‘low cost’ të Europës e cila prek destinacione tashmë edhe jashtë kontinentit nga i cili ka nisur, për të lançuar programin e ri të fluturimeve, i cili nis nga maji në aeroportin e Kukësit. Duke filluar nga 15 korriku i vitit të kaluar në Kukës kanë filluar fluturimet komerciale të cilat kanë arritur në numrin 85 gjatë periudhës së verës dhe kryesisht janë kryer nga “Air Albania” dhe nga disa kompani të tjera të cilat tashmë do ti lënë një hapësirë edhe një operatori mjaft të rëndësishëm siç është “WizzAir”. Jam e sigurt që ata vetë do të japin detaje të rëndësishme se kush do të jenë destinacionet, por ashtu siç unë kam thënë nga fillimi kur nisëm këtë projekt dhe ashtu siç diskutoja dje edhe me Drejtorin e kompanisë “WizzAir”, ky nuk është një aeroport që i përket vetëm territorit shqiptar. Ky është një aeroport rajonal, i cili mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, atyre të Kosovës, por edhe të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë ka qenë një rastësi e lumtur dje që kemi marrë konfirmim nga NATO për këtë aeroport. Aeroporti i Kukësit tashmë është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s dhe kjo tregon edhe njëherë që në këtë aeroport plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë teknike dhe të gjitha kërkesat e sigurisë të vendosura nga Bashkimi Europian dhe nga NATO gjithashtu.

Unë nuk do ta zgjas më tej për ti lënë fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të “WizzAir” i cili ndodhet vetë sot këtu në Kukës.

Faleminderit!