Fjala e Ministres Balluku, interpelanca në Kuvend për Portin e Durrësit:
Faleminderit kryetare.
Të nderuar deputetë, kolegë të Këshillit të Ministrave,
Për të thënë të drejtën dua ta falenderoj deputetin Xhaferaj për këtë mundësi që më jep sot që të sqarojmë një tymnajë të madhe të hedhur sipër një projekti i cili padyshim e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve më atraktive përsa i përket turizmit.
Dikur kjo opozitë, të dy gjysmat bashkë, na tregonin me gisht Malin e Zi sesi po avanconte në investime turistike dhe sesi ishte bërë një nga vendet që preferohej nga turistët në mbarë botën dhe sigurisht një nga investitorët më të mëdhenj në malin e Zi është Mohamed Rashed Alabbar, i cili është investitori që ka shprehur interesin për të investuar në Portin e Durrësit.
Kur investojnë në Mal të Zi është diçka për t’u pasur xhelozi, për të na e treguar me gisht, “ja si shkojnë investitorët atje” etj, etj, kur të njëjtët investitorë vijnë në Shqipëri atëherë është aferë korruptive, është jo transparente, nuk e di çfarë mbiemrash të tjerë.
Zoti Xhaferaj, unë nuk e di nëse koordinoheni mes jush dhe e kam fjalën për pjesën tuaj, jo për atë të foltores, por kanë ardhur disa letra nga deputetët e grupit tuaj të cilëve u kemi kthyer përgjigje të detajuar, edhe zonja Tabaku, edhe ju, keni dërguar pyetje dhe keni marrë përgjigje. Kështu që unë nuk e di ku e keni parë mungesën e transparencës.
Megjithatë, më leni t’ju them dhe diçka tjetër. Unë do t’ju përgjigjem pikë për pikë për të paktën ato pyetje që shtruat, pra çfarë do të ndodhë me Portin e Durrësit. Me Portin e Durrësit, zotëri i nderuar, unë nuk e di pse duhet të kemi ngelur ne tek plani që paskeni bërë ju në 2009-ën. Nga ajo kohë ka ndryshuar shumë në Republikën e Shqipërisë, aq shumë sa as ju vetë nuk i mohoni dot të gjitha veprat, të gjitha ndryshimet, të gjitha zhvillimet ekonomike dhe vendi ynë, ndryshe nga 2009-ta kur vazhdonte në një stanjacion tranzicioni pa fund, vendi ynë nga 2013-ta dhe deri më sot jeton në ditë dinamike. Në ditë, në muaj, në vite dinamike ku projektet e reja, ku infrastruktura, ku energjia, ku bujqësia, ku arsimi sjellin risi çdo ditë, kështu që unë nuk e di pse e merrni mundimin dhe i referoheni planit të 2009-ës, ndërkohë që ka një plan të përgjithshëm kombëtar i cili është shpallur në vitin 2016 dhe quhet Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit “SHQIPËRIA 2030” (2016), dhe përmes këtij plani është synuar rritja dhe fuqizimi i porteve kryesore ekzistuese në Shqipërisë, kërkohet rritje kapacitetesh dhe shtimi i funksioneve për portet kryesore në vend, natyrisht mbi bazën e studimeve që do të sigurojnë diferencimin e funksioneve dhe projekteve teknike, për implementimin e kushteve adekuate.
Gjithashtu ekziston një Plani i Integruar Ndërsektorial i Brezit Bregdetar, edhe ky i vitit 2016. E cilësuar ndryshe si kushtetuta e zhvillimit të rajonit të bregdetit dhe është bazuar mbi konceptin e binomit det-tokë, aset i rëndësishëm kombëtar dhe pjesë e integruar e rrjetit mesdhetar; është bazuar gjithashtu mbi konceptin e hapësirës së mirëmenaxhuar, ku harmonizohen nevojat për zhvillim ekonomik dhe nevojat lokale dhe domosdoshmëria e mbrojtjes së aseteve kulturore, natyrore e historike dhe padyshim ambienti; dhe elementi i tretë është destinacion autentik, i shumëllojshëm dhe i pastër.
Ndërkohë ka një plan të integruar ndërsektorial pikërisht për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, i vitit 2016 gjithashtu, i cili u hartua si një përgjigje e zhvillimit social dhe ekonomik territorial për 25 vitet e fundit në kryeqendrën urbane dhe atë ekonomike të vendit, midis dy qyteteve, pra kryeqytetit Tiranës dhe Durrësit. Prej mëse 5 vitesh shërben si një udhëzues ky plan, i 2016-ës, për zhvillimin ekonomik, social, mjedisor të rajonit, duke nxitur ekonominë dhe përmirësuar mjedisin.
Ndërkohë kemi një plan tjetër kombëtar sektorial i transportit detar dhe infrastrukturës portuale i miratuar në vitin 2020. Pasi Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare, me territore të përshtatshme për zgjerimin e infrastrukturave portuale dhe ndërtimin e objekteve portuale të reja. Portet përfaqësojnë një potencial shumë të madh për rritjen ekonomike të vendit, potencial i cili ende nuk ka arritur të japë maksimumin e tij, jo vetëm për shkak të politikave të transportit të ndjekura për dekada, por veçanërisht për shkak të infrastrukturës modeste portuale të ndërlidhjes së saj me atë tokësore dhe hekurudhore.
Rivitalizimi i porteve dhe moleve ekzistuese si stacione në funksion të zhvillimit të transportit dhe turizmit detar është gur themeli mbi të cilin është vendosur dhe do të ndërtohet vizioni për infrastrukturën e cila do të ndërlidh funksione të ekonomisë dhe turizmit. Me këtë koncept, por jo vetëm, janë parashikuar ndërhyrje të thella në Zonën Portuale Durrës – Porto Romano.
Siç ju jeni në dijeni përmes një gare transparente nga ato që ju as i imagjinoni, as i keni kryer ndonjëherë, për ju kanë qenë mollë të ndaluara. Ne kemi bërë një garë ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë 14 kompani për dizenjimin e projektit të detajuar të Porto Romanos, pasi ju pëlqen apo nuk ju pëlqen juve që keni dhe atë sensitivitetin për ambientin, për diellin etj., etj., besoj që duhet të dini që në Durrës ka pasur ankesa dhe protesta përsa i përket shqetësimeve që porti i ka sjellë qytetit duke nisur nga ndotja e ambientit që vjen nga bulku, që vjen nga transporti i drithërave, duke përfunduar tek trafiku i rënduar për shkak të mauneve që kalojnë sot e kësaj dite në zemër të qytetit të Durrësit dhe nuk po merrem me ndotjen akustike dhe të tjera.
Kështu që duke marrë parasysh të gjithë këto problematika dhe duke u bazuar në planet kombëtare që unë përsërita, dhe jo në planin tuaj të 2009-ës sepse nuk është më në fuqi për të mirën e të gjithë shqiptarëve, është marrë vendimi, shumë përpara se të merrej vendimi për Ballinën Ujore të Durrësit që porti komercial i Durrësit të shkojë dhe të pozicionohet në zonën e Porto Romanos, një zonë industriale e destinuar për të mbledhur atje shumë nukla ekonomik. një zonë industriale e cila ka një plan të pastër zhvillimi infrastrukturor që lidh këtë port me hekurudhën e re Tiranë-Durrës që po ndërtohet dhe më pas me linjën Durrës-Rrogozhinë për të vazhduar në korridorin e tetë.
Tashmë gara që ne bëmë dhe krenarisht them që morën pjesë 14 nga kompanitë më të mëdha të dizenjimit të porteve nëpër botë u fitua nga “Royal Haskoning”, që ju përmendët që e keni përdorur në 2009-ën dhe pikërisht kjo kompani, “Royal Haskoning”, që ka fituar projektin për dizenjimin e Porto Romanos sot pas 13-vjetësh, me shumë të drejt, në një vend që është në zhvillim e sipër, siç është Shqipëria, ka marrë dhe po dizenjon portin e ri në Porto Romano pasi mendon se Shqipëria ka nevojë për kapacitete të reja dhe këto kapacitete nuk duhet ti përgjigjen vetëm Shqipërisë, por këto kapacitete duhet ti përgjigjen edhe vendeve të rajonit të cilat nuk kanë dalje në det. Përmend këtu Kosovën, përmend Maqedoninë e Veriut.
Kështu që fatmirësisht paskemi përdorur të njëjtën kompani, por ne 13 vite më vonë me nevojën për ta zhvilluar këtë vend dhe mos ta mbajtur lidhur në spirancat që keni hedhur ju në 2009-ën pa asnjë lloj suksesi.
Tani që ti kthehemi projektit të Portit të Durrësit dhe pyetjeve që ju kishit. Unë nuk e di realisht, zoti Xhaferaj, ku e keni parë mungesën e transparencës dhe për t’ju bërë transparencë publike madje unë do bëhem pak monotone tani duke lexuar të gjitha hapat që janë ndjekur.
Në datë 26 nëntor të 2020-ës Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje me dëshirën për të forcuar marrëdhëniet e respektueshme dypalëshe midis dy popujve tanë si dhe për të nxitur sipërmarrjen edhe bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët. Kjo marrëveshje gjen bazë jo vetëm në aspiratën e sinqertë për të krijuar një kuadër ligjor për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe që mbulojnë fusha bashkëpunimi të përcaktuara bashkërisht, por edhe në akte të tjerë bashkëpunimi të mëparshëm si Marrëveshja për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, e nënshkruar në Tiranë në datën 15 tetor 2015.
Palët dakordësuan të inkurajojnë dhe nxisin bashkëpunimin midis dy vendeve në bazë të parimeve të miqësisë, respektit të plotë të sovranitetit të të dy vendeve dhe interesave të përbashkëta në përputhje me legjislacionet përkatëse kombëtare, ligjet dhe statutet ndërkombëtare dhe dispozitat e Marrëveshjes. Palët, gjithashtu u zotuan të inkurajojnë veçanërisht bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me partneritet strategjik në sektorë të veçantë dhe fusha me interes, në bazë të barazisë dhe përfitimeve të ndërsjellta, në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në këtë marrëveshje.
Palët morën përsipër të inkurajojnë bashkëpunimin kuadër në fushat si industria, tregtia, investime, turizëm, logjistikë dhe infrastrukturën, prona/asete të paluajtshme, bujqësi dhe siguri ushqimore. Konkretisht, palët u zotuan për tre projekte: Rizhvillimi i ballinës së Portit të Durrësit; Mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil; Investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.
Tani nisim historikun e të gjithë negociatës.
Në datën 13.12.2020, Z. Mohamed Ali Rashed Alabbar, themelues dhe drejtues i EMAAR Properties, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Symphony Invest Limited, i është drejtuar me një letër “Shprehje Interesi”, Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi. Përmes kësaj letre, Z. Alabbar, shprehte vullnetin për të investuar në “Zhvillimin e ballinës ujore në Portin e Durrësit”, në zbatim të Marrëveshjes që sapo citova.
Në datën 28.01.2021, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i drejtohet Z. Alabbar, me kthim-përgjigje lidhur me interesin e shprehur për të investuar në Shqipëri nga Symphony Invest Limited.
Letra i është përcjellë AIDA-ës nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e institucionit qendror të kompetencës për fushën në fjalë në datën 22.01.2021. Në kthim-përgjigje njoftohet nisja e vlerësimit të portofolit të kompanisë të bashkëlidhur letrës së interesit, me qëllim përcaktimin e hapave që duhen ndjekur në zbatim të legjislacionit shqiptar për investimet strategjike, si dhe dokumentacionin që AIDA duhet të ketë.
Në datën 01.04.2021, u mbajt mbledhja e parë e Nën-Komitetit të Përbashkët për Tregtinë dhe Investimet ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe në zbatim të Marrëveshjes sa më sipër.
Krahas delegacionit zyrtar të përbërë nga përfaqësues të lartë të ministrive të linjës, pala emiratase ka angazhuar, në kuadër të delegacionit, disa nga strukturat investitore më në zë në Emiratet e Bashkuara Arabe si:
Tani fillojmë me procesin. Në datë 12 gusht 2021, Agjencia Kombëtare e Planifikimit Të Territorit miratoi aktin e përputhshmërisë për dokumentet e planit të detajuar vendor (PDV), të njësisë strukturore DR_UB_S1_480/211 – Bashkia Durrës, ku përfshihen:
Në datën 23.08.2021, Bashkia Durrës vendosi miratimin e Planit të Detajuar Vendor.
Në datë 15 nëntor 2021, përfaqësuesi ligjor i Shoqërisë ‘Symphony Real Estate Development sh.p.k’, e zotëruar plotësisht nga subjekti “Symphony Invest Limited”, pjesë e grupit të shoqërive të Z. Mohamed Alabbar, dorëzoi aplikimin për marrjen e statusit të investitorit strategjik pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Në zbatim të procedurës AIDA dërgoi kërkesën më shkrim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ngritjen e grupit operacional të vlerësimit të projektit. Me urdhër të përbashkët të ministrave të linjës, MFE njoftoi ngritjen e Grupit Operacional, ku AIDA menjëherë njoftoi mbledhjen e parë dhe qarkulloi materialet e projektit.
Në datë 2 dhjetor 2021, në përfundim të vlerësimit nga ana e Grupit Operacional të ngritur për vlerësimin e aplikimit nga ana e ‘Symphony Real Estate Development sh.p.k’, u mbajt mbledhja e Komitetit të Investimeve Strategjike. Këtë mund ta kërkoni sepse ka të gjitha detajet.
Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) pasi ka shqyrtuar të gjithë materialin ka vendosur të miratojë statusin e “investitorit strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit “Marina & Jahtet e Durrësit” me subjekt aplikues “Symphony Real Estate Development.
Në datën 03.12.2021, Firmoset Urdhri i Kryeministrit Nr. 138 “Për përbërjen dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komitetit të Negociimit të Marrëveshjes që do të nënshkruhet ndërmjet shtetit Shqiptar dhe Investitorit Strategjik “Symphony Real Estate Development.”
Ndërkohë që të gjitha masat që janë marrë:
Ministria përgjegjëse për financat dhe ekonominë e kryeson këtë komitet;
Ministria përgjegjëse për çështjet e turizmit dhe mjedisit;
Ministria përgjegjëse për çështjet e infrastrukturës dhe energjisë;
Ministria përgjegjëse për çështjet e bujqësisë dhe zhvillimit rural;
Avokatura e Shtetit;
Bashkia Durrës;
Autoriteti Portual Durrës.
Komiteti i Negociimit të Marrëveshjes është i ngarkuar me hartimin/negocimin e një marrëveshje mbi formën e partneritetit mes palëve, ku pasqyrohen të gjithë termat dhe kushtet e bashkëpunimit, përfitimet, mjetet e sigurisë juridike, pasojat për moszhvillimin e projektit si dhe garancitë e ndërsjellta, ndërsa vijon në këto momente që ne flasim negociata zyrtare.
Totalisht transparente dhe siç ju thashë, juve si grupi këtej, keni dërguar mjaft pyetje dhe keni marrë përgjigje. Kështu që të thoni që s’ka transparencë është minimalisht abuzim nga ana juaj.
Përsa i përket këtij projekti, pyetja nga do vijnë paratë për këtë projekt e ka marrë shpeshherë përgjigjen se vetë investitori është angazhuar dhe publikisht dhe sigurisht komiteti negociator ka përpara të gjitha aktet financiare që vërtetojnë se nga do vijë ky investim. Investimi siç e kemi thënë dhe e kemi përsëritur vjen nga kompania “Symphony” e cila është pronë e zotit Alabbar. Përsa i përket këtij projekti, pasi thuhen shumë numra, shumë shifra do të desha të theksoja edhe njëherë që bëhet fjalë për një projekt i cili përfshin 79 hektarë nga porti i Durrësit, ku në fazën e parë do të shtrihet në sipërfaqen e 24.23 hektarë.
Ndërtimi i Marinës dhe Strukturave Akomoduese synon punësimin e 12.000 punonjësve përgjatë të gjitha fazave, si ato ndërtimore, si ato të operimit.
Projekti do të përbëhet nga mbi 12,000 Banesa Rezidenciale, 5 Hotele me gjithsej 850 dhoma.
Projekti përfshin gjithashtu:
Faza e parë e projektit përfshin zhvillimin e një zone prej 24.23 ha dhe përsa i përket zonave ku ka kredi, ju i referoheni portit të peshkimit. Porti i peshkimit është pjesë e integruar e projektit. Nuk do të preket, nuk do të ndërtohet në zonën e basenit të peshkimit. Do të përmirësohen vetëm strukturat, pasi në atë zonë është parashikuar që të ketë ngritjen e një strukture të përgjithshme e cila do të ofrojë shërbime, siç janë restorantet, aktivitete argëtuese për fëmijë apo edhe argëtuese për të rritur. Kështu që janë marrë të gjitha masat edhe për të mos pasur konflikt midis zonave të cilat janë nën kredi dhe insistoj që është zona e portit të peshkimit.
Faza e parë parashikon ngritjen e 4000 apartamenteve. Ndërkohë që projekti do të përmirësojë pamjen e qytetit, do të përmirësojë ekonominë, jo vetëm të qytetit të Durrësit, por të gjithë vendit dhe mbi të gjitha ky projekt do të kthejë Shqipërinë në pikën më atraktive turistike për Ballkanin dhe për Mesdheun, të cilën ju e kuptoni shumë mirë.
***
Zoti Xhaferaj, nuk bën ndonjë diferencë të madhe të thuash kam respekt për gruan dhe kam respekt për institucionin etj., se i di unë pastaj ato mbiemrat që do ju vija, se zëre se i thatë. Dhe kjo është diçka që ju e bëni gjithë kohën.
Unë e kuptoj dhe vazhdoj ta kuptoj në çdo seancë që ju keni nevojë që të krijoni një tis, një perde, një tymnajë, për të mbuluar të gjithë zullumet e bëra dikur, duke nisur nga porti i Durrësit, i cili do t’ju prishë linjat e trafiqeve që keni pasur ndër vite dhe në kokë dhe përdorni emra komisionerësh, zëvendës komisionerësh, gjeneralësh, ushtarakësh të cilët nuk besoj që ju kanë mandatuar juve që ti përmendni padyshim, sepse mendoni ju që kjo ju krijon në popull kredibilitet, duke thënë që filan komisioner në nëngrupin filan në Bashkimin Europian, ka thënë këtë i shqetësuar për portin e Durrësit. Por, nuk duhet të shqetësoheni ju si deputet i Durrësit, për shqetësimin e atyre banorëve që u kanë dhënë votën, se ca vota i keni marrë besoj, meqë keni ardhur këtu. Kështu që juve ju shqetëson çfarë ka thënë nënkomisioneri i një nënkomisioni, por nuk ju shqetëson fare që ata që ju kanë votuar jetojnë nën tymin e bulkut, të qymyrit, në Durrës. Ata që ju kanë votuar, nuk i afrohen dot detit me fëmijët sepse është i zi nga gjithçka që ka mbledhur ndër vite. Nuk ju shqetëson juve fare asgjë që ata që ju kanë votuar duan për Durrësin, zhvillimin ekonomik, një jetë më të mirë. Ju keni dëshirë ta mbani portin e Durrësit ashtu siç është sepse ju keni dëshirë që të mbani të gjithë Shqipërinë ashtu siç ka qenë.
Çdo zhvillim në infrastrukturë, në energji, në bujqësi, në arsim juve ju shqetëson shumë. Ju shqetëson shumë për dy arsye. E para juve ju pëlqen të jetoni në këtë stanjacionin pa fund. Dhe e dyta, krijohet një njësi krahasuese midis jush dhe nesh. Tashmë mbas 9 vitesh njerëzit shohin diferencën. Çdo projekt i ri që bëhet për juve është një tmerr, një shqetësim.
Zoti Xhaferaj unë nuk kam as djalë sekser tokash, as vëlla që shet e blen apartamente nëpër Tiranë. Sa për mbiemrat që vini ju as ma ndjen fare për të thënë të drejtën, se mua më flet puna. Por, ju duhet të keni parasysh që ky vend do të zhvillohet, do zhvillohet mbi plane të miratuara dhe nuk i referohet më kush dhe askush planeve tuaja të 2009 që i referohesh ti. Procedurat janë transparente, ju keni të drejtë ti kërkoni, siç i kanë kërkuar edhe kolegët tuaj dhe ju i keni parasysh dhe i shikoni ato. Ti referoheni datave kur është bërë tenderi apo kur nuk është bërë tenderi, unë nuk e di, në datë 31 nuk punohet në Republikën e Shqipërisë. Kështu që gjeni akuza të tjera, se kjo akuzë ju ka rënë poshtë që ditën e parë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë