Fjala e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë takimit me përfaqësuesit e transportit publik për Paketën e Rezistencës Sociale:
Përshëndetje të gjithëve!
Unë do ta filloja për të thënë të drejtën me një prezantim të sektorit përmes numrave për të kuptuar rëndësinë që sektori i transportit ka. Jo për ju që jeni këtu, por për ata që na dëgjojnë kryesisht.
Transporti publik qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas në rang vendi numëron 3700 mjete, të cilat janë në operim dhe 10 mijë punonjës. Pra flasim për një sektor shumë të rëndësishëm, jo vetëm për shërbimet që ofron, por dhe për punësimet që ofron. Ndaj dhe ne në këtë sektor kemi vëmendje të veçantë dhe jemi sensitiv për çdo zgjidhje që kemi dhënë apo do japim në të ardhmen.
Transporti publik qytetas për ato bashki që kanë, siç është rasti i Bashkisë së Tiranës, Durrësit dhe ndoshta dhe Bashkia e Elbasanit me disa linja, ka 500 mjete në funksion dhe 2700 punonjës.
Transporti publik rrethqytetas në total me kapacitet të plot numëron 1 mijë mjete dhe 3300 punonjës, ndërkohë që rrjeti aktual i transportit publik ndërqytetas numëron 439 linja ndërqytetase me subjekte të licencuar. 242 subjekte të licencuara, 2179 mjete të certifikuara për këto linja, 4 mijë të punësuar në rrjetin ndërqytetas, 1851 orare operimi, 9 milionë kilometra në intenerare dhe 2 milionë litra karburant në muaj nëse do të operohej me kapacitet të plot.
Transporti publik, me të gjithë komponentët e tij, në kapacitetin e tij të plot, ka një volum prej 50 milionë klientësh, qytetarë, të cilët përdorin inteneraret dhe linja të ndryshme. E thënë kjo dhe pse i përmenda këto fakte dhe këto shifra, është për të nënvizuar rëndësinë e këtij sektori.
Sot më shumë se kurrë, transporti publik merr një rëndësi të veçantë, siç e tha kryeministri, jo vetëm se ne duam që të jetë sa më shumë i përdorshëm nga qytetarët, ndaj dhe kemi marrë këtë paketë kompensimi, por nga ana tjetër ne duam që edhe ata qytetarë që nuk e kanë përdorur deri më sot ti drejtohen transportit publik, pikërisht për arsyet e kursimit dhe jo vetëm për çmimin, por dhe për mungesën me të cilën mund të përballet tregu i karburantit në të ardhmen. Që shpresoj të mos ndodhë, por kemi indicie që ka një mundësi të lartë për të ndodhur.
Por, që përdoruesit e automjeteve ti kthehen transportit urban, transporti urban duhet të rrisë cilësinë e tij dhe ju këtë e kuptoni. Duke filluar nga automjetet që përdoren, duke filluar nga korrektësia dhe ekzaktësia e orareve. Diçka për të cilën qytetarët ankohen dhe vuajnë është që oraret nuk mbahen, nuk janë të sakta ashtu siç deklarohen. Dhe sigurisht, çfarë është më e rëndësishme, është që të jetë në legjitimitet të plot pasi ky sektor ka dhe një problematik, kryeministri është i informuar, por dhe ne e kemi bërë bisedë publike disa herë, përsa i përket ndërhyrjeve nga subjektet e palicensuara të cilët krijojnë problematika shumë të mëdha, si për sigurinë rrugore, ashtu dhe për volumin e tregut për ju që jeni në kuadrin tuaj ligjor, paguani taksa. Kjo është diçka që ne kemi marrë masa përmes Task Forcës dhe vazhdojmë që ti intensifikojmë ato masa.
Qeveria ka vendosur, pas një analize të thellë që ne kemi bërë, duke ditur që edhe target grupi që përdor shërbimin e transportit urban dhe të atij ndërqytetas, janë target grupe të cilat, e para punës janë fuqi punëtore që duhet të lëvizin nga një segment në një segment tjetër, sidomos në orët e pikut, ato të mëngjesit dhe të pasdites, por sigurisht edhe janë njerëz të cilët janë më shumë nevojtarë, për këtë arsye rritja e çmimit të biletës për ne nuk është e pranueshme në këto momente.
Ashtu siç dhe ju e dini dhe ju jeni dakord me këtë, kështu që sipas të gjithë analizave, kemi marrë një vendim për të kompensuar me 100 lekë çdo litër nafte të cilën ju përdorni për transportin tuaj. Sigurisht ne kemi nxjerrë një formulë për të cilën ju do të informoheni, Ministria e Financave e ka nxjerrë këtë formulë dhe gjithë kompensimi do të vijë përmes Drejtorisë së Tatimeve, duke qenë se janë ata që kanë të gjitha të dhënat dhe ne do t’i referohemi të dhënave nga konsumi që keni pasur një vit më parë, pasi do të jetë e pamundur që ti referohemi konsumit aktual. Do të ishte një vonesë e madhe, do të kishte abuzime, kështu që duke ju referuar konsumit të vitit të mëparshëm përmes Drejtorisë së Tatimeve ne do të arrijmë që të bëjmë kompensimin real të naftës bazuar mbi shifrat që ju keni përdorur në të njëjtën kohë në vitin e shkuar, duke qenë se 2021 përsa i përket transportit ka qenë një vit normal, pra nuk ka lidhje me 2020 kur i gjithë ky shërbim ishte i kufizuar.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në kontakt, pasi siç thashë është shumë e rëndësishme shërbimi që ju ofroni, impakton grupe të mëdha qytetarësh të cilët janë fuqi punëtore, të cilët janë familjarë, dërgojnë fëmijët nëpër kopshte dhe nëpër shkolla dhe mos harroni atë që nënvizuam sot. Është shumë i rëndësishëm fakti që shërbimi që ju ofroni të bëhet i mundshëm edhe për ata qytetarë që deri më sot kanë përdorur automjetet. Kështu që rritja e cilësisë së shërbimit, jo vetëm përsa i përket pajisjeve, por edhe mënyrën sesi ju e ofroni këtë shërbim në këto momente, është shumë e rëndësishme.
Vetëm kështu një qytetar i cili deri më sot është mësuar që të ketë komoditetin e automjetit të tij mund ti drejtohet shërbimit urban, gjë që do të sillte uljen e konsumit të karburantit, do të sillte më pak trafik në rrugë sot, por nga ana tjetër edhe ju do t’ju rriste volumet e punës, pasi një bisedë që ne shpesh bëjmë, kryeministër, është mungesa shpesh e klientëve le të themi, nuk arrijnë kapacitetet e plota, sidomos e lënë pas pandemisë. Kjo ka qenë një situatë që ata e kanë ndjerë që numri i qytetarëve, i pasagjerëve, të cilët udhëtojnë me këto linja, si qytetase, ndërqytetase, nuk është një numër i cili do të justifikonte shpenzimet që ata kanë. Pra ju kështu mund të bëheni më tërheqës për një treg i cili sot ndodhet në një vështirësi. Çdo familje që ka një makinë ka filluar të ndjejë peshën e konsumit të naftës. Kështu që duke rritur cilësinë, duke pasur oraret e sakta, duke i ofruar patjetër automjetet që duhet të jenë sipas të gjitha rregullave, kushteve dhe kritereve që ne tashmë kemi vendosur edhe këta qytetarë mund ti drejtohen shërbimit tuaj urban.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë