Fjala e Ministres Balluku gjatë takimit me kryeministrin dhe kryebashkiakët për problematikat e ujësjellësit:
Përshëndetje të gjithëve. Shumë faleminderit që erdhët sot.
Prej kohësh kemi marrë në një analizë të thellë sektorin e ujit, pasi qeveria shqiptare ka investuar në mënyrë të rregullt, siç ju e dini, prej vitesh në këtë sektor. Janë prekur të gjitha zonat, kemi vendosur prioritetet tona, padyshim që kanë qenë zonat urbane, duke u shpërndarë edhe në zonat rurale. Gjej rastin që të falënderoj të gjithë partnerët tanë financiarë që ndodhen këtu sot dhe që kanë dhënë një ndihmë të vyer, por padyshim unë kam adresuar tek kryeministri performancën e këtij sektori, i cili lë për të dëshiruar dhe këtu nuk do të përjashtoja asnjë nga ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve. Nuk mund të them që ndonjë nga këto ndërmarrje ka një performancë shumë të mirë, qoftë këtu rasti i Korçës apo i Pogradecit që pavarësisht se ne i kemi pilotuar dhe janë ndërmarrje të cilat gjenerojnë të ardhura për të mbuluar kostot e tyre operacionale, sërish edhe këto dy ndërmarrje nuk është se sot mbulojnë kreditë të cilat qeveria shqiptare ka marrë përmes garancive sovrane për të investuar në këto dy bashki. Kështu që duke hequr mënjanë Korçën dhe Pogradecin, po i kthehem të gjitha bashkive të tjera. Çfarë kemi identifikuar ne sot pas analizave që kemi bërë është që pavarësisht të gjithë procesit, të agregimit që u bë para disa vitesh, pra nga 180 ndërmarrje të cilat u agreguan në 57, sërish performanca e ujësjellës kanalizimeve në të gjitha bashkitë vazhdon të mbetet e dobët. Të gjitha shifrat që ne kemi dhe ju sigurisht i keni para syve pasi në shumicën e rasteve performanca është e vetë deklaruar nga ju, janë shifra të cilat nuk përputhen me shifrat e investimeve në ndërmarrjet tuaja. Sot që flasim 39% e ujësjellës kanalizimeve furnizojnë me më pak se 10 orë në ditë. 28% e ujësjellës kanalizimeve kanë një nivel të humbjeve mbi 67% dhe do ndalojë vetëm një moment këtu për të thënë një fenomen i cili për ne është mjaft shqetësues që në ato ujësjellësa ku ne vazhdojmë dhe investojmë, duke mos i përmendur me emra pasi nuk janë pak, ne kemi patur edhe rritje madje të humbjeve. Pra ndërkohë që investohet të rritet përqindja e humbjeve ose ndryshe e quajtur e ujit të papaguar. Uji i papaguar siç ju e dini është ajo sasi që vidhet në rrjet ose që humb për shkaqe teknike dhe duke u përballur me këtë fakt ne na lind e drejta të mendojmë që këtu ka një keqmenaxhim nga ana e drejtuesve të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve. 50% e ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve arkëtojnë më pak se 70% të faturave. Në 34 ndërmarrje edhe pse janë investuar në total 130 milionë euro në dy vitet e fundit 2019-2020, humbjet siç ju thashë raportohen të jenë rritur. Detyrimet e energjisë ndaj OSHEE-së thellohen çdo vit me 2.5 miliardë lekë dhe ky është një fakt i pandryshueshëm.
Sot tek përballemi me krizën energjetike zëri i parë që del në debitet e këqija të Operatorit të Shpërndarjes janë ujësjellësat dhe çfarë është diçka që na shqetëson më shumë është që nuk shikojmë asnjë mënyrë mitigimi sesi ujësjellësat në të ardhmen do të paguajnë debitet e prapambetura dhe ato që do krijojnë për tu netuar. 42% e ndërmarrjeve kanë më pak se 5 mijë klientë, duke mos justifikuar ekzistencën e tyre. Problematika me licencimin e ERRU-së, që ne e kemi diskutuar me drejtorët e çdo ndërmarrje vjen si pasojë e mungesës së përmbushjes së kritereve nga secili prej tyre.
Në ndërkohë unë i kam dorëzuar kryeministrit të gjitha tabelat me performancën e vetë deklaruar nga ana juaj dhe sigurisht të gjithë shqetësimet që ne kemi, i kam ndarë edhe me donatorët dhe realisht unë besoj që tashmë ka ardhur koha që kryetarët e bashkive duhet ta trajtojnë ndryshe këtë çështje dhe duhet ti japin prioritet.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë