Fjala e Ministres Balluku gjatë prezantimit të terminalit të ri të Rinasit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 31/07/2022

Fjala e Ministres Balluku gjatë prezantimit të terminalit të ri të Rinasit

I nderuar kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar të ftuar, të gjithë të lidhur me fushën e aviacionit padyshim,

Z.Kastrati, me të vërtetë ne kemi pasur debate dhe do vazhdojmë të kemi, sepse unë vijë nga fusha e aviacionit dhe në të gjithë sektorët që mbulon ministria që unë drejtoj, kjo padyshim është fusha me të cilën unë jam e lidhur dhe vetë, dua që të ecë përpara dhe për të thënë të drejtën sado debate që ne të kemi kontributi juaj është i dukshëm në fushën e aviacionit.

Duhet thënë se në 2017 kemi nisur dy projekte të mëdha në atë kohë që ishte “Air Albania” dhe aeroporti i Kukësit. Me të vërtetë dukej si një utopi sesi Shqipëria kishte nevojë për më shumë kompani ajrore, sesi mund të funksiononte një aeroport në zonën e Kukësit, sesi ato që kryeministri thoshte shpeshherë që do vinte një ditë që Shqipëria do bëhej një hub për Ballkanin i quanin gënjeshtra, përralla politike dhe projekte 3D, por ja ku jemi sot që çdo projekt 3D merr jetë dhe ndoshta ky është i vetmi rast në këtë vend ku projektet në të vërtetë janë më të bukura se dhe 3D-të. I shikojmë kur janë në letër, me të vërtetë duken të mira, por kur i shikojmë tek marrin jetë, tek bëhen funksionale për të gjithë udhëtarët, qofshin shqiptarët dhe qofshin vizitorët e huaj, janë shumë më të bukura se në 3D dhe se në letër. Bravo ju qoftë!

Jemi sërish këtu për të inauguruar një vepër të re, ndoshta kjo është pjesë e një aeroporti ekzistues. Kjo ndërtesë sot është pjesë e koncesionit të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, por për të thënë të drejtën unë e quaj një vepër të re për Aviacionin Civil, pasi terminali i mëparshëm që ne vizituam vetëm pak më parë me kryeministrin për të parë disa ndryshime që kanë ndodhur edhe atje që do të jetë terminali i destinuar për mbërritjet në Shqipëri. Me të vërtetë po ti krahasosh me këtë terminal sot, duket sikur kanë kaluar vite e vite nga ajo ndërtesë apo nga funksionet që ajo kryente. Megjithatë unë besoj që me punën e mirë që ‘Kastrati Grup’ ka bërë në të gjithë këtë koncesion, do të ketë edhe atje ndryshime akoma më të mëdha përveç sistemeve elektronike që janë vendosur, përveç shtesës që janë bërë edhe në rripet e transmetimit të valixheve apo edhe ambienteve që janë krijuar në kat të dytë, unë jam e sigurt që të dy terminalet do përafrohen edhe vizivisht. Se siç do të thoshte edhe kolegia ime Mirela Kumbaro është shumë e rëndësishme për të gjithë turistët që të vijnë këtu në Shqipëri. Hyrja, çfarë ndeshin ata kur shkelin këmbën në tokë. Tashmë do të shikojnë këtë terminal, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga terminalet më të mëdha në Europë dhe ato që padyshim mbushin dhe përmbushin të gjithë kushtet si teknike, ashtu edhe vizive.

Unë do të qëndroja në disa shifra që Leonardi me të vërtetë i përmendi, por nëse i përsërisim nuk bëjmë keq. Kishim projektuar për vitin 2022, 2.9 milionë pasagjerë. Ndërkohë nga 1 korriku deri në 31 korrik, sot kemi shënuar mbi 600 mijë pasagjerë. Kështu që sipas projeksionit të ri me këto shifra ne parashikojmë që 31 dhjetori i 2022 të përmbyllet me 4.9 milionë pasagjerë. Pra me 2 milionë pasagjerë më shumë se projeksioni i fillim vitit, se janari 2022. Krahasimet ne i kemi bërë gjithmonë me vitin 2019, duke qenë se ishte viti i fundit më i mirë i aviacionit civil në Shqipëri, por ashtu siç e thashë numrat nuk kanë më asgjë për tu krahasuar. Këto 4.9 milionë ne i kishim parashikuar që do ti kishim në Republikën e Shqipërisë në këtë aeroport në vitin 2025, ndërkohë që 6.3 milionë pasagjerë që do të jetë viti 2024 ishin parashikuar që ti kishim në 2027. Ndërkohë që në 2025 ne synojmë të kemi 8.8 milionë pasagjerë të cilët ishin projeksioni i vitit 2030.

Janë shifra mjaft domethënëse që tregojnë për trendin në rritje të numrit të qytetarëve të huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë, por edhe të qytetarëve Shqiptarë të cilët udhëtojnë nga Shqipëria dhe që kthehen sërish në vendin e tyre. Pikërisht këtij fluksi në rritje, por edhe nevojave për shërbim më cilësor ndaj të gjithë kategorive të udhëtarëve, jemi përpjekur ti paraprijmë me këto investime. Në kontratën e re që u firmos për koncesionin kemi parashikuar që investimi të arrijë deri në 100 milionë euro, por të gjitha gjasat janë që ky investim do të shkojë shumë më tepër.

Sot vizituam me kryeministrin dhe 4 vendqëndrime të reja, të cilës i shtohet numrit 17 që kemi pasur deri më sot dhe bëhet aeroporti i Tiranës me 21 vendqëndrime të reja. Për më tepër jemi duke u përgatitur që gjatë stinës së dimrit, duke qenë që numri i fluturimeve bie, do të kemi mundësi që të bëjmë riveshjen e pistës sipas të gjitha kushteve teknike të kërkuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe nga të gjithë institucionet e huaja që monitorojnë Aviacionin Civil në Shqipëri, por edhe një lajm shumë të mirë që e kemi thënë prej kohësh, por që do të marrë jetë, shtimi i pistës së aeroportit të Tiranës. Tirana pasi të përfundojë të gjitha investimet, ky aeroport do të kalojë dhe do të ‘upgrade’ në kategorinë 4E, duke e bërë një aeroport të lundrueshëm, nga ajri sigurisht, përsa i përket të gjitha fluturimeve transoqeanike.

Megjithatë unë do të ndaloj një moment tek ato çmimet e biletave që para dy viteve kishte debate të vazhdueshme. Ato çmime të cilat ishin stratosferike dhe ndodhnin vetëm në Shqipëri. Sot për shkak të shtimit të kompanive ajrore, për shkak të shtimit të destinacioneve dhe për shkak të diversitetit të ofrimit të shërbimeve që këto kompani ajrore kanë tashmë, pra kemi kompani ‘loë cost’, por edhe kompanitë e flamujve, ashtu siç janë kompanitë e “Austrian Airlines”, “Lufthansa”…etj, por kemi Ëizair i cili ka prej kohësh vendosur Shqipërinë si një bazë për avionët e tij, sot kemi një kompeticion, kemi një konkurrenca të pastër në tregun shqiptar, i cili ka krijuar mundësi për të pasur biletave me çmim gjithmonë e më të ulta.

Gjithashtu diçka që duhet thënë dhe duhet përsëritur është që kur Tirana të kthehet në një aeroport të kategorisë 4E, atëherë të gjithë avionët të cilët kryejnë fluturime transoqeanike do të kenë mundësi të nisen nga kryeqyteti jonë në drejtim të kontinenteve të tjera, duke e kthyer kështu Tiranën, ashtu siç ka qenë dhe plani ynë dhe siç është strategjia jonë e zhvillimit, strategjia kombëtare e zhvillimit të Aviacionit Civil, ta kthejë Tiranën në një hub ballkanik përsa i përket të gjithë fluturimeve që mund të vijnë nga qytetet e tjera apo vendet fqinje për të ardhur më pas edhe për të vazhduar për kontinentet e tjera.

Duhet thënë këtu që aeroporti i Rinasit nuk është një përpjekje e izoluar apo individuale, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas është pjesë e një strategjie të tërë, e cila tashmë përfshin aeroportin e Kukësit, përfshin aeroportin e Vlorës që sot në një postim të kryeministrit dukej qartë pista, një pistë prej 3.2 kilometrash, e cila do të ofrojë gjithashtu edhe nga Vlora mundësinë e fluturimeve transoqeanike dhe në ndërkohë ne jemi duke përmbyllur të gjithë procesin, me të gjitha gjetjet dhe vërejtjet për të hapur edhe njëherë garën për aeroportin e Sarandës, i cili do të përmbyllte kështu një gjerdan prej katër aeroportesh ndërkombëtare. Secili prej tyre me një synim të qartë, pra Tirana aeroporti kryesor, një aeroport i ri totalisht modern me disa nukla të reja të aviacionit civil, siç është ai i Vlorës ku do të kemi hangaret e mirëmbajtjes së avionëve apo edhe një pjesë të mirë të dedikuar për transportin e mallrave përmes ajrit. Aeroporti i Kukësit, një aeroport rajonal, që i ofron shërbime Shqipërisë, Kosovës, por edhe Maqedonisë së Veriut, si dhe aeroporti i Sarandës, një aeroport krejtësisht turistik sezonal, por që do të bëjë një ndryshim të madh për jugun e Shqipërisë.

Të thëna të gjitha këto, industria e Aviacionit Civil është një industri avangard, një industri që gjithmonë sjell të rejat, qoftë në teknologji, qoftë në trende apo kudo tjetër. Por, fakti që nga 2017 dhe deri më sot Shqipëria, pavarësisht një periudhe shumë të vështirë, si pas krizës së tërmetit apo të pandemisë, vazhdon dhe e zhvillon këtë fushë dhe ne kemi arritur që të kemi këto numra është treguesi më i mirë i suksesit.

Shumë faleminderit!