Fjala e ministres Balluku gjatë prezantimit të projektit për Hidrocentralin e Skavicës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 03/06/2020

Fjala e ministres Balluku gjatë prezantimit të projektit për Hidrocentralin e Skavicës

Kam kënaqësinë sot, pas një jave pas takimi të suksesshëm që patëm të gjithë së bashku për parkun energjetik të Karavastasë, të lançojmë një tjetër projekt kaq shumë të rëndësishëm dhe ndoshta një nga ëndrrat më të mëdha të të gjithë specialistëve të energjetikës në Shqipëri dhe para meje, pavarësisht se jemi pak në këtë sallë, kam shumë nga ata.

Prodhimi i energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë është kryesisht mbi 99% deri më sot, i bazuar  në fuqitë e prodhuara nga hidrocentralet, pra është një energji e pastër, energji e rinovueshme e prodhuar nga uji. Vendi ynë është një nga vendet e klasifikuara në top listë përsa i përket burimeve ujore pas Norvegjisë, pavarësisht se një vend i vogël, por me rezerva të rëndësishme ujore.

Megjithatë hidrocentralet tona, ato tre kryesoret të cilat menaxhohen nga KESH, hidrocentrali Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe ai i Vaut të Dejës, prodhojnë rreth 65% të energjisë të nevojave të vendit tonë.

Para viteve ’80-të ndoshta duke filluar që në vitet ’60-të, inxhinierët hidro në Republikën e Shqipërisë gjithmonë kanë insistuar se ndërtimi i një hidrocentrali të katërt në Kaskadën e Drinit, më saktë në pjesën e Drinit të Zi, do të ishte një zgjidhje optimale për këtë Kaskadë. Kështu që pas shumë përpjekjesh, jam e sigurt që sot në media një historik i gjatë i të gjithë procesit që Skavica ka pasur ndër vite, do të njoftohet pasi ne i kemi furnizuar të gjithë mediat dhe të gjithë faqet me të gjithë hapat dhe teknikalitetet që janë hedhur në vite, duke filluar nga viti ‘60, më pas në vitin ‘80 dhe më pas të gjithë përpjekjet që janë bërë deri në vitin 2005, 2007 dhe 2009, por duke mos pasur asnjëherë një rezultat të mirëfilltë.

Në 2017-ën Qeveria Shqiptare aplikon tek WBIF, për fondin e WBIF për të bërë një studim të mirëfilltë të këtij projekti, duke na dhënë sot një rezultat në duart tona, fazën e parë të këtij projekti, i cili na ofron disa nga skenarët. Disa nga skenarët për realizimin e kësaj ëndrre të madhe, e një hidrocentrali të katërt në Kaskadën e Drinit, i cili nga fuqia nuk ka ngjashmëri me Fierzën apo me Komanin pasi Komani prodhon 600 mega vat dhe Fierza 500, në rastin e Skavicës ne synojmë që të arrijmë maksimumin me 210 vat, por çfarë Skavica ofron, ofron optimizimin e kësaj Kaskade duke bërë që 3 hidrocentralet e tjera të optimizojnë prodhimin e tyre duke e rritur minimalisht deri në 80 mega.

Gjithashtu, ajo që Skavica do të arrijë, në rast se do të jetë një projekt i suksesshëm, të cilin ne synojmë që ta realizojmë brenda 4-vjeçarit të ardhshëm, sigurisht do të ofrojë një zgjidhje për përmbytjet e shumta për zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës.  Flasim për 10 mijë banesa të cilat do të përfitojnë nga ky projekt. Gjithashtu, 70 mijë familje do të përfitojnë nga energjia e prodhuar nga Skavica dhe nga optimizimi i Kaskadës.

Së bashku me të gjitha planet dhe projektet tona që tashmë kanë marrë jetë për diversifikimin e energjisë, prodhime të energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë, sigurisht hidrocentrali i Skavicës na sjellë akoma një hap më pranë realizimit të ëndrrës që ne kemi, jo vetëm për të përmbushur të gjitha kërkesa e tregut shqiptar, pra për të mos iu drejtuar më importit, por nga ana tjetër për të kthyer Republikën e Shqipërisë në një fuqi eksportuese të energjisë së rinovueshme, e cila në ndryshim nga energjia që prodhohet nga termocentralet, sot ka një kuotim mjaft të lartë financiar në tregjet e energjisë elektrike.

Unë do të desha që t’ia lija fjalën dhe të kalonim në detaje teknike mes prezantimit të drejtorit dhe për t’ju dhënë një shije nga skenarët të cilat ne tashmë i kemi shumë të detajuar nga WBIF. Është e rëndësishme të theksohet që sot nis ky proces me synimin që brenda këtij viti ne të realizojmë një garë të hapur, transparente dhe ndërkombëtare, ashtu siç qeveria shqiptare bën, brenda muajit tetor, për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare përmes dizenjimit të projektit të detajuar dhe të ndërtimit të veprës.

Kjo është një vepër e cila do të ndërtohet me fonde të qeverisë shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët tanë financiarë, po përmend BERZH-in i cili është ofruar për t’a financuar këtë projekt, duke qenë se dhe bashkëpunimi me WBIF është një paketë që ata zakonisht operojnë së bashku. Megjithatë ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të jetë vetëm një lajm i mirë për sistemin energjetik shqiptar apo për sektorin energjetik. Do të jetë një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ekonominë shqiptare, për rritjen ekonomike që ai do të sjellë, për injektimin financiar që ai do të sjellë jo vetëm në zonën ku do të ndërtohet, pra në zonat e Kukësit dhe të Peshkopisë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Po flasim për një ëndërr, po flasim për një projekt madhor.