Fjala e Ministres Balluku gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për ndërtimin e linjës kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/02/2024

Fjala e Ministres Balluku gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për ndërtimin e linjës kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit

Fjala e ministres Balluku gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit:

 

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të 4iG,

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Padyshim është bukur të nisësh javën me një lajm të mirë, për një tjetër projekt inovativ që do ta kthejë Shqipërinë në një nyje ndërlidhëse ndërkombëtare.

Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit global tashmë, me rëndësi strategjike për vendet dhe zhvillimet e së ardhmes, ndaj është një kënaqësi e veçantë sot që të nënshkruajmë këtë marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë 4iG, përsa i përket ndërtimit të një linje komunikimi që do të lidhë Shqipërinë dhe Egjiptin.

Si sistemi i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin e rrugëve dixhitale që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale, që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe me Italinë, duke dhënë kështu një mundësi të tretë.

Ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe të zhvillimit të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe padyshim Evropës.

Në anën e Egjiptit, do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë sigurisht edhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore trans-Egjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të detit Mesdhe.

Ashtu siç të gjithë ata që merren me dixhitalizimin dinë shumë mirë që Egjipti luan rolin e një nyeje ndërkombëtare të të gjitha autostradave dixhitale.

Duhet të kemi parasysh se për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian duke lidhur një herë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit me nyjet kryesore siç janë Vjena, Budapesti apo dhe Sofja.

Investimi i cili vlerësohet në vlerën nga 100 deri në 115 milion Euro është i mirëpritur nga Qeveria Shqiptare sigurisht, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të dixhitalizimit në vendin tonë. Por, nga ana tjetër shkon në përputhshmëri të plotë dhe me planet që ne kemi, siç është rasti i zhvillimit të Planit Kombëtar për Zhvillimin e rrjeteve të broadband dhe Axhendën Digitale dhe Planin e saj të Veprimit të cilat kanë si qëllim parësor zhvillimin e infrastrukturës dixhitale me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë në mbështetje të krijimit të një shoqërie gigabit.

Nga ana tjetër, sigurisht që ky projekt bëhet pjesë dhe një shtyllë mbështetëse edhe për Strategjinë kombëtare e cila ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si një nga prioritetet kryesore të kësaj strategjie padyshim mbetet dixhitalizimi. Dhe ky dixhitalizim kur vjen dhe i ndërthurur me interkoneksionin atëherë sigurisht bëhet i kompletuar.

Gjithashtu, ky projekt do të ketë mundësi të promovojë të gjitha strukturat dixhitale që mundësojnë rritjen e kapaciteteve të interkoneksionit dhe për zhvillime të mëtejshme të ekonomisë dixhitale. Gjithashtu, promovon transforimin dixhital, si një proces që mundëson rritjen ekonomike, sjell më afër njerëzit dhe tregjet dhe padyshim krijon efiçencë të burimeve.

Kjo nisëm do të bëjë të mundur rritjen e numrit të rrjeteve kabllore nënujore, pra një zgjerim i infrastrukturës ekzistuese dhe gjithashtu i përgjigjet edhe nevojës për rritje të kapaciteteve të rrjeteve me rritjen e volumit të trafikut të të dhënave dixhitale që sot kemi në mbarë botën.

Objektiva të tjerë të këtij projekti do të jenë edhe shtimi i potencialit për të ardhurat, jo vetëm për shoqëritë private, por sigurisht edhe për shtetin shqiptar.

Nga ana tjetër, duhet theksuar që Shqipëria sot në një epokë kur dixhitalizimi është primar, kur ne gjithçka e bazojmë mbi inovacionin, lind menjëherë nevoja për një siguri më të lartë kibernetike.  Dhe siguria është ana tjetër e medaljes. Sa më shumë ne rrisim kapacitetet tona të dixhitalizimit aq më shumë ekspozohemi ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe kemi pasur edhe raste të cilat për të thënë të drejtën i kemi menaxhuar në mënyrën më të mirë. Përballimi ka qenë i shkëlqyer, por sërish kjo nuk e zhbën bën faktin që ne jemi vazhdimisht mbi këto sulme.

Duhet pasur parasysh që çdo investim i ngjashëm me atë që po promovojmë sot duhet të ketë edhe parametrat e tij të sigurisë. Nuk duhet harruar që Shqipëria është angazhuar, karshi partnerëve tanë strategjik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimit Europian përsa i përket respektimit të standardeve më të larta të sigurisë së infrastrukturës kritike dhe dixhitale, duke ja dhënë mundësinë e investimeve kompanive të cilat konsiderohen të besueshme. Në funksion të këtij angazhimi, për rrjetet e pastërta, është e domosdoshme që ofertuesit e teknologjisë për transmetim të jenë të klasifikuar si kompani të cilat gëzojnë besueshmëri të plotë nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është po aq e rëndësishme që projekti për linjën kabllore nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit të zhvillohet në përmbushje të plotë të këtyre kërkesave dhe angazhimeve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë ne do të garantojmë që gjatë konceptimit, zbatimit dhe implementimit të këtyre projekteve të sigurohet zgjedhja e ofertuesve të besueshëm për kabllot nënujore në veçanti për projektet ndërkontinentale të teknologjisë së informacionit, komunikimit që promovojnë furnizues apo kompani të besueshme për rrugët dixhitale alternative që lidhin Europën, Amerikën e Veriut, Afrikën apo edhe Azinë.

Duhet pasur parasysh që Shqipëria sot i ka 3 linja nën ujore konektiviteti dixhital.  E para është ajo e ndërtuar në vitin 1996 që quhet Adria 1. Ka një gjatësi prej 440 km, kabëll nënujor me fibër optike që lidh Shqipërinë, Kroacinë dhe Greqinë.  Linja e dytë lidhëse është lidhja Itali – Shqipëri e ndërtuar në vitin 1997, është pjesë e Trans Balkan Line, me një gjatësi 240 km e gjatë. Kjo linjë është një linjë e kombinuar me rrugë tokësore dhe ujore që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë. Ndërkohë që kemi dhe një linjë, e cila është futur në funksion gjatë vitit të kaluar, pra në maj 2023, kemi linjën e tretë nënujore që quhet Trans Adriatic Express dhe është linja e cila i është bashkuar edhe fibrës optike të projektit të TAP, një linjë prej 106 km e gjatë.

Por, sigurisht që projekti që po iniciojmë sot është një tjetër dimension. Është një projekt i cili kërkon të lidhë në mënyrë ndërkombëtare Shqipërinë me gjithë autostradat dixhitale. Deri më sot kemi qenë të lidhur patjetër me vendet fqinje. Qeveria jonë është e orientuar në të gjithë aktivitetin e saj nga inovacioni dhe teknologjia, si mundësia më e mirë për një vend të vogël dhe me resurse të kufizuara që të arrijë ritmin e vendeve partnere me të cilat ne punojmë dhe pse jo për të mos ecur edhe pak më shpejt se ta, që kështu të kemi mundësi të mbushim një gab të krijuar nga një sistem komunist 50 vjeçar dhe më pas nga një tranzicion i stërzgjatur, por që tashmë ka marrë fund. Kështu që për të bërë të gjitha këto ne na duhet që të motivojmë të gjitha skuadrat për bashkëpunimin me 4iG për të nisur menjëherë nga një punë që do të vendosë Shqipërinë në një rankim tjetër të dixhitalizimit.

Duhet pasur parasysh që kjo është një politikë e Qeverisë Shqiptare stimuluar dhe mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga Kryeministri Rama, i cili e ka shumë për zemër inovacionin dhe teknologjinë dhe padyshim ne tashmë kemi hyrë në një fazë të re të zbatimit të kësaj politike.

Dua të kujtoj këtu se vetëm para pak kohësh ka qenë një debat i madh publik përsa i përkiste funksionimit të satelitëve dhe nëse satelitët do të ishin me të vërtetë funksionalë, nëse satelitët duhet ti kishte Republika e Shqipërisë, por faktet flasin ndryshe. Vetëm tre vite nga nisja e atij procesi ne sot jo vetëm i kemi satelitët funksional, por satelitët tashmë kanë skanuar të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë të gjitha njësive të kontrollit të territorit një instrument të jashtëzakonshëm në dorë dhe tashmë përmes analizave që vijnë nga stafet tona të trajnuara kemi filluar ti përdorim dhe plani ynë është mos ti përdorë vetëm shteti, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset dhe të gjitha njësitë private që operojnë në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu futja e inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët është një nga risitë tona më të mëdha. Sistemi unik i e-Albania tashmë mbështetet në këtë teknologji të avancuar të inteligjencës artificiale për të ofruar shërbime sa më transparente dhe sa më shpejt.

Nga ana tjetër duhet thënë që vetëm pak muaj më parë kemi arritur të krijojmë Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës, një inkubator ku do të ngjizen të gjitha ato ide që do ti japin një zhvillim të ri sektorëve me dinamizëm ekonomik që ndikojnë çdo ditë në zhvillimin e vendit. Një inkubator i cili fillimisht do të nisë me idetë e reja dhe risitë për ti përdorur nga sektorët ku shteti shqiptar, ku administrata shqiptare operon, por nga ana tjetër duke hapur dyert edhe për idetë e reja që vijnë nga fusha e biznesit privat apo për ti ofruar biznesit privat të njëjtat shërbime që ne përmes asaj agjencie do ti ofrojmë ministrive apo institucioneve shtetërore.

Kështu që unë jam e bindur që të gjitha këto projekte që kemi zhvilluar dhe të gjitha këto projekte te reja që do të zhvillojmë siç është projekti sot, pra linja ndërlidhëse për autostradën dixhitale mes Shqipërisë dhe Egjiptit, edhe falë seriozitetit të kompanisë 4iG që operon këtu në Shqipëri përmes kompanisë One në fushën e telefonisë celulare do të jetë një tjetër sukses i radhës edhe për shkak të seriozitetit dhe bashkëpunimit që ne do të kemi me aktorët.