Fjala e Ministres Balluku gjatë memorandumit të bashkëpunimit midis "Eagle Hills Real Estate Development" shpk dhe “Albanian Seaports Development Company" - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/08/2022

Fjala e Ministres Balluku gjatë memorandumit të bashkëpunimit midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company”

Fjala e Ministres Balluku gjatë memorandumit të bashkëpunimit midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company”:  

 

I nderuar kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Kryetare e Bashkisë së Durrësit,

Zoti Alabbar,

Është një ditë e veçantë, pavarësisht se është mes gushti dhe supozohet që nuk është momenti për punë kaq të rëndësishme, por ne si gjithmonë mendojmë që nuk ka një kohë të caktuar për të bërë punë të mira, qofshin këto pushime apo qofshin fundjava apo kurdo.

Sot më në fund mbas një kohe të gjatë, të një negociate të gjatë, e cila daton më shumë se 3 vite më parë dhe zoti Alabbar na e thotë shpesh që kjo ndoshta ka qenë negociata më e gjatë që ai ka pasur në eksperiencën e tij si investitor, por unë them që kjo na nderon ne si grup që jua kemi bërë jetën ju ca më të vështirë, pasi kemi qenë të kujdesshëm në çdo hap që do të hedhim në të ardhmen, jo vetëm për të vendosur të gjithë ministritë e përfshira apo edhe autoritetin e Portit të Durrësit, por mbi të gjitha për t’ju vendosur ju si investitor mbi një bazë të fortë ligjore, e cila do t’ju shërbejë dhe në të ardhmen për të siguruar investimin e rëndësishëm që ju do të keni në Portin e Durrësit.

Flitet për 2 miliardë dollarë investim, i cili me të vërtetë e thënë është një shifër e konsiderueshme, ndoshta ne kurrë nuk e kemi pasur, jo  vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon, një shifër të tillë të investimit, por nga ana tjetër ajo çka do sjellë ky investim, përsa i përket rritjes ekonomike në mënyrë direkte apo indirekte, do të jetë akoma dhe më e madhe. Do të preken një sërë fushash këtu, duke filluar nga turizmi, Mirela, duke filluar nga peshkimi gjithashtu, pavarësisht se ne aty kemi një zonë ku kemi investuar, por parashikohet që, që në fazën e parë porti i peshkimit, Frida, të kthehet në një zonë argëtimi, ku do të ndërtohen restorante, do të ndërtohen vende të tjera ku mund të kalohet koha dhe e turistëve dhe e banorëve të Durrësit, kryetare, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sigurisht përsa i përket ekonomisë nuk është nevoja që ta them, Delina, ekonomia do të pësojë një shpërthim në atë zonë, jo vetëm për shkak të të gjithë zhvillimit që do të sjellë në ndërtimin e kësaj balline ujore, por sidomos edhe për marinën elitë të jahteve që do të ndërtohet aty ku sot gjendet Porti i Durrësit.

Pa ju marrë shumë kohë do të ndaloj pak në Portin e Durrësit, pasi është interes i qytetarëve të Durrësit, por dhe i gjithë Shqipërisë që të them që përpara se të niste ky projekt ne kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët e Durrësit përsa i përkiste ndotjes akustike, ndotjes ambientale dhe shumë problematikave të tjera që operimet e portit aktual të Durrësit sillnin për qytetin. Një port i ndërtuar shumë herët kur qyteti nuk kishte këtë zhvillim, kur qyteti nuk ishte kaq turistik sa është sot, një nga qytetet që ka shënuar numrin më të lartë të turistëve gjatë kësaj stine të verës, Mirela. Duke marrë parasysh të gjitha ankesat, duke marrë parasysh dhe të gjithë mundësinë për ta zhvilluar gjithë këtë industri detare që Shqipëria tashmë ka një strategji të mirëfilltë, ne kemi vendosur, përpara se ky projekt të niste, që Porti i Durrësit të spostohet në një zonë më industriale. Një zonë e cila nuk do të shqetësojë më banorët e Durrësit dhe as turistët, por nga ana tjetër një zonë e cila na jep një mundësi për një ekspansion dhe për ndërtimin e një porti modern, që do ti përgjigjet kërkesave jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë rajonit, për disa dekada në vazhdim.

Kemi angazhuar një nga kompanitë më të mëdha, me eksperiencën më të madhe në fushën e dizenjimit të porteve, përmes një gare të hapur dhe ajo është kompania holandeze “Royal Haskoning”, e cila tashmë është në hapat final të dorëzimit të një projekti ekselent, që do të pasohet nga një garë tjetër për ndërtimin e këtij porti modern, Portit të Durrësit, i cili përveç gjithë elementëve komercialë që do të ketë për operimet ka dhe dy elementë shumë të rëndësishëm, lidhjen përmes një hekurudhe me një port të thatë të ndërtuar në Prishtinë, ku do të elaburohen të gjithë mallrat që vijnë në Portin e Durrësit, do të shkojnë direkt në Prishtinë dhe sigurisht një pjesë fundore të zonës së portit, e cila do ti dedikohet të gjithë operacioneve militare nën ombrellën e NATO-s. Ashtu siç kemi bërë me aeroportin e Kuçovës. Një projekt ky që ne e kemi prezantuar me kryeministrin dhe drejtorin e Portit të Durrësit, Pirro Vëngun, vetëm para pak javësh në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel.

E bëra gjithë këtë shpjegim për Portin e ri të Durrësit, pasi këto dy projekte janë shumë të lidhura. Të gjitha na pyesin që si do eci projekti i z.Alabbar përpara në rast se nuk do funksionojë ndërtimi i Portit të ri të Durrësit. Këto janë dy projekte që do të ecin paralelisht. Janë dy projekte që ne i kemi përllogaritur mirë në kohë për të mos penguar njëra-tjetrën.

Përfitoj nga rasti dhe kjo do jetë fjalia e fundit për të falenderuar të gjithë ata që janë angazhuar në këtë negociatë, duke nisur nga Bes Kadia, si kryesues i komitetit për negocim, nga Ilir Bejtja zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe gjithë zv.ministrat e tjerë që kanë qenë pjesë e turizmit dhe bujqësisë, që kanë qenë pjesë e këtij komiteti që nuk kanë njohur as të shtuna, as të diela, as ditë pushimesh, që kanë negociuar fort dhe kanë qëndruar fort, pavarësisht një ekipi shumë të përgatitur që z.Alabbar ka dhe unë shpresoj që kur ai të marrë fjalën të thotë dhe për vështirësinë që ka hasur në negocim me ne, me palën shqiptare.

Shumë faleminderit për gjithçka dhe shpresoj që duke nisur nga firmosja e këtij memorandumi sot, mos të kemi asnjë pengesë në të ardhmen për të vazhduar këto projekte për ti dhënë Shqipërisë një nga projektet më të fuqishme të zhvillimit ekonomik, detar dhe turistik në Ballkan.

Shumë faleminderit!