Fjala e Ministres Balluku gjatë hapjes së garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 02/08/2022

Fjala e Ministres Balluku gjatë hapjes së garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier

Fjala e ministres Balluku gjatë hapjes së garës ndërkombëtare për aksin Milot-Fier:

 

I nderuar z.Kryeministër,

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar kryetarë të bashkive,

Gjithashtu, përfaqësues të biznesit, kryesisht të operatorëve turistikë.

Korridori Adriatiko-Jonian ose ndryshe i njohur si Korridori Blu, padyshim është një nga sfidat më të mëdha të Qeverisë Rama dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. Ky korridor është pjesë e Korridorit të madh Mesdhetar i cili është një korridor prej 1550 kilometrash, por që përsa i përket Shqipërisë në korridorin Adriatiko-Jonian ne numërojmë 300 kilometra të cilët përshkojnë vendin tonë ose ndryshe e thënë është 37% e Korridorit Blu dhe 7.5% e Korridorit Mesdhetar që kalon Republikën e Shqipërisë. Ky korridor, korridori Adriatiko-Jonian, pjesë e atij Mesdhetar, do të lidhë Europën e Veriut, Italinë, me pjesën e Europës juglindore që sigurisht përbëhet nga shtetet, Mali i Zi, Shqipëria, Greqia, por nis me Kroacinë në kufi me Italinë. Rëndësia e këtij korridori është e padiskutueshme, për infrastrukturën tonë kombëtare mbi të gjitha, pasi lidh veriun dhe jugun e vendit gjithashtu, por nga ana tjetër siç përmenda edhe për rëndësinë që ka përsa i përket korridoreve europiane, duke i krijuar kështu një mundësi Shqipërisë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Rreth 2 vite më parë, pas një përgatitje shumë të gjatë, në një studim fizibiliteti të financuar nga ËBIF, ne lançuam garën ndërkombëtare për ndërtimin e Korridorit Blu. Fillimisht pati një interesim shumë të madh nga kompani ndërkombëtare me eksperiencë të gjatë në infrastrukturë, por më pas duke qenë se ndërkohë që gara zhvillohej filloi pandemia, e cila sigurisht nuk dihej sesa do të zgjaste, patën një tërheqje të financuesve. Bankat që mbështesnin kompanitë ndërkombëtare që morën pjesë në këtë garë u tërhoqën për shkak të pasigurisë financiare dhe ekonomike në të gjitha tregjet në ato momente. Megjithatë ne u detyruam disa herë të shtynim afatin kohor të këtij procesi, duke i dhënë mundësi kompanive pjesëmarrëse që të përfundonin marrëveshjet me bankat. Por ishte e pamundur. Megjithatë në këtë proces mori pjesë një nga kompanitë më të mëdha europiane në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe jo vetëm, por edhe ajo u skualifikua pasi ofertimi i saj nuk përputhej me kriteret që kishte ky tender, kjo garë. Për një detaj të vogël teknik dhe për të rikujtuar sesi shkoi ajo procedurë, ndërkohë që kriteret e tenderit kërkonin përfundim të veprës në 60 muaj, kompania e cila qëndroi deri në fund dhe mori pjesë në garë ofertoi me 96 muaj, e cila nuk përputhej as në strategjinë e Qeverisë Shqiptare dhe as me kërkesat e tenderit në atë kohë. Sigurisht që nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë për ne, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka ky projekt, por vlerësuam se do të ishte më mirë që ta zhvillonim në një moment të dytë dhe duke rishikuar parametrat e garës, por jo parametrat teknikë të këtij projekti kaq të rëndësishëm, që siç thashë vjen si rrjedhojë e një studimi të financuar nga ËBIF.

Tashmë kemi vendosur që pjesën shqiptare të Korridorit Blu, një pjesë të Korridorit Blu, pasi siç thashë bëhet fjalë për 300 kilometra në total, por që segmentet që ne do hapim i përkojmë 114 kilometrave të para. Kështu që kemi ndarë këtë gjatësi, pra nga Miloti deri në Fier që është 114 kilometra, kemi vendosur ta segmentojmë, duke ju dhënë më shumë hapësirë dhe mundësi kompanive garuese që të sigurojnë financimin e duhur për ndërtimin e secilit aks. Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj e Rrogozhinës dhe më pas Lekaj-Fier do të jenë ndër akset përbërëse të këtij korridori, të cilat ne sot po i lançojmë në garën ndërkombëtare për ndërtimin e tyre. Ndërkohë që për aksin Thumanë-Kashar ka nisur puna prej kohësh për ndërtim e ndërsa për aksin nga Miloti në Muriqan jemi duke pritur në bazë të një financimi të ËBIF projektimin nga konsulentët që janë miratuar.

Sigurisht që përveç rikonceptimit të projektit ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë kërkesë teknike që kemi pasur për këtë korridor, duke qenë të vendosur që ky aks të ndërtohet sipas të gjithë parametrave të Bashkimit Europian dhe ashtu siç është vendosur nga konsulentët me të cilët kemi bashkëpunuar ngushtë nga dita e parë. Të gjithë segmentet do të ruajnë parimet kryesore, mund të menaxhohen si segmente unike. Ndërtimi dhe operimi i tyre nuk ka ndërvartësi nga njëri tjetri, kanë fizibilitet financiar si segmente të shkëputura. Totali i tyre nuk shton koston totale të investimit të llogaritur në segmentin 114 kilometra Milot-Fier.

Të gjithë segmentet e korridorit do të jenë të shoqëruar dhe me një rrugë dytësore, ashtu siç e kemi deklaruar çdo herë, që do të jetë një alternativë për qytetarët të cilët do të kenë mundësinë e zgjedhjes për të përdorur autostradën e shpejtësisë së lartë të kategorisë A, apo rrugët ndihmëse të cilat do të jenë rrugë të kategorisë C, por që të dyja në përmbushje të plotë të parametrave të sigurisë rrugore. Në ndërkohë shpejtësia e lejuar në aksin kryesor me pagesë, pra në autostradën që do të ndërtohet të tipit A, do të jetë nga 90 deri në 130 kilometra.

Zhvillimi i këtij projekti synon të ketë një sërë ndikimesh direkte apo indirekte në ekonominë e vendit tonë.  Po përmend disa prej tyre. Rritja e ndjeshme e punësimit, kushte më të sigurta të drejtimit, pra më pak aksidente, më shumë siguri rrugore, kosto më e ulët e transportit, rritja e turizmit për të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug, përmes shkurtimit të distancave, jo vetëm nga qyteti në qytet, por dhe nga aeroporti në aeroport, duke pasur parasysh që kjo rrugë lidhet me nyjen e Milotit, pra të gjithë prurjet nga aeroporti i Kukësit, kalon në Kashar shumë pranë aeroportit të Tiranës, ku do të ndërtohet një nga nyjet më të rëndësishme të shpërndarjes së trafikut, qoftë për aeroportin, qoftë për autostradat që ndërlidhen në Tiranë dhe sigurisht kalon mjaft pranë aeroportit të Vlorës, duke ndërlidhur kështu të gjithë rrjetin e aviacionin civil, përveç pjesës së autostradave. Do të ketë një ndikim të ndjeshëm në tregtinë e jashtme të vendit dhe nxitje ekonomike të tjera, të cilat do të vijnë në mënyrë indirekte.

Të nderuar pjesëmarrës!

Ne tashmë kemi një përvojë të mirë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Në vetëm 4 vitet e fundit kemi dorëzuar projekte të cilat qëndronin rrugëve, duke nisur nga autostrada Tiranë-Elbasan, tek bypassi i Fierit, bypassi i Vlorës, bypassi i Tepelenës apo bypassi perëndimor i Shkodrës. Në ndërkohë aksi më i fundit që kemi dorëzuar, ai që për thënë të drejtën ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm këtë verë është aksi i Kardhiq-Delvinës. Duhet theksuar që pasi kemi dorëzuar të gjithë këto vepra të cilat kishin nisur prej vitesh dhe qëndronin të bllokuara për shumë arsye, mbi të gjitha për arsyet e projektimeve të dobëta dhe të garave pa asnjë lloj kriteri, ne vazhdojmë punën për projektet e reja. Ashtu siç kemi nisur prej kohësh punën dhe tashmë një pjesë e saj është dhe në përdorim të turistëve, rruga Orikum-Dukat, loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë, tuneli i Llogarasë, i cili ka kaluar 3 kilometrat e hapjes tashmë, pavarësisht se ka vetëm 7 muaj që ai kantier është ngritur dhe ne presim lajmin e mirë që në shkurt të shikojmë dritë në tunel, pra të përfundojë gjithë gërmimi dhe të kalojmë tek pjesa e armatimeve dhe pjesa e vendosjes së elektromekanikës dhe nga ana tjetër sigurisht edhe rruga turistike Palasë-Dhërmi.

Por, do të ndalem vetëm një moment këtu padashur të marr kohë dhe vëmendje nga ky projekt shumë i rëndësishëm për të cilin nisim sot garën ndërkombëtare, Korridori Blu, do të ndalem vetëm një moment tek Rruga e Arbrit, e cila në nëntor të vitit të kaluar u bë e aksesueshme në një pjesë të saj, por sigurisht mbeten disa pjesë shumë të rëndësishme për tu dorëzuar, siç është pjesa e tunelit të Murrizit. Një tunel ky i cili na ka vendosur përpara një vështirësie shumë të madhe përsa i përket gjeologjisë dhe na është dashur që të rishikohej i gjithë projekti dhe të lëvizej hyrja veriore me disa metra, me 120 metra, duke e bërë kështu që të shtyhet dhe afati kontaktual i kësaj pjesë të veprës së Rrugës së Arbrit, duke i dhënë edhe 17 muaj kohë deri në përfundim. Duhet thënë se një pjesë e mirë e kilometrave të atij tuneli ku nga 3.2 që ishte në fillim i projektuar, sot me ndryshimet që janë bërë përsa i përket lëvizjes për të gjetur një formacion më të mirë ka shkuar në 3.8 dhe ka edhe gërmimin e një tuneli ndihmës që është 3.6 kilometra, që është i detyrueshëm sipas të gjitha kritereve për çdo tunel mbi 500 metra. Kështu që si tuneli kryesor 3.8 kilometra, si tuneli ndihmës vazhdon me ritme të avashta, jo ashtu siç po ecim në Llogara fatkeqësisht, por në mënyrë konstante dhe ne besojmë që brenda 17 muajve edhe tuneli i Murrizit do ti dorëzohet të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve për përdorim. Megjithatë nuk duhet harruar që kësaj kontrate, kontratës së Rrugës së Arbrit, nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Vazhdojmë sot e kësaj dite dhe operojmë me të njëjtën sasi parash siç është nënshkruar kontrata. Edhe bypassi i Murrizit është financuar nga vetë konçesionari pa shtuar asnjë qindarkë në kontratë.

Ndalova pak më gjatë pasi shpeshherë kemi pyetje për tunelin e Murrizit, por duke qenë se e përmenda tunelin e Llogarasë dhe duke qenë që përmenda sesa shpejt kanë ec punimet aty për t’ju treguar se formacioni gjeologjik luan një rol shumë të rëndësishëm. Por, rëndësi ka që ne i kemi adresuar të gjitha problemet teknike, duke marrë padyshim tryeza të rëndësishme teknike, qoftë nga këshilli teknik i ARRSH-së, qoftë nga supervizori që ndjek projektin dhe nga vetë konçesionari.

Që ti kthehem garës së rëndësishme sot. Duhet thënë se nisur nga kjo përvojë e mirë që ne kemi pasur edhe me dorëzimin e veprave infrastrukturore deri më sot, por edhe me ecurinë e veprave të reja që kemi hapur, unë jam shumë e sigurt që dhe kjo garë tashmë duke qenë e segmentuar dhe duke e hapur mundësinë për garë për shumë kompani, jo vetëm për kompani të cilat kanë mundësi që të mbështesin projekte disa miliardëshe, unë jam shumë e sigurt që kjo garë do të jetë e suksesshme, ashtu si të gjithë proceset e tjera që ne kemi ndjekur gjer më sot. Sigurisht që është një objektiv mjaft sfidues, por Qeveria Rama është mësuar tashmë me objektiva të tillë dhe ka treguar me fakte e vepra se nuk i trembet sfidave, madje ato na motivojnë edhe më shumë, na bëjnë edhe më të fortë dhe na shtyjnë që të ecim përpara shumë më shpejt.

Shumë faleminderit për vëmendjen!