Fjala e Ministres Balluku gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/01/2022

Fjala e Ministres Balluku gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale

Fjala e Ministres Balluku gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale në vend me kompaninë amerikane “Jones International”:

 

I nderuar Kryeministër,

I nderuar Gjeneral Jones,

Të nderuar të ftuar, kolegë,

Ministra,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri,

Sot është një ditë e rëndësishme për ne, pasi padyshim Shqipëria ka hyrë në një epokë të re, në epokën dixhitale. Kjo është një arritje që ne në Qeveri jemi padyshim krenar për këtë. Para pak ditësh kryeministri italian bëri publike sesi merrte online një certifikatë familjare, në ndërkohë që në Shqipëri ne kemi vite që e ofrojmë këtë shërbim dhe jo vetëm këtë, por dhe shumë e shumë shërbime të tjera. Sot kemi arritur në 91 – 92% të shërbimeve të cilat jepen online. Por, padyshim, ndërkohë që teknologjia ecën, ndërkohë që ne dixhitalizojmë shërbimet për ti ofruar qytetarëve një akses më të shpejtë dhe padyshim për ti dhënë atyre mundësinë që të mos përballen edhe shpeshherë me pritjet e gjata në radhë, ajo që ne na ndodh është që ekspozohemi padyshim ndaj sulmeve kibernetike.

Sot sfida më e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por çdo vend i cili ka vendosur që të ndjekë rrugën e dixhitalizimit, pra rrugën e zhvillimit, është siguria kibernetike, e cila është linja e fundit e mbrojtjes midis informacionit tonë më jetik dhe kaosit dixhital. Në terma konkret, siguria kibernetike është praktika e sigurimit të rrjeteve, sistemeve dhe çdo infrastrukture tjetër dixhitale dhe kritike nga sulmet me qëllim të keq. Këto sulme mund të jenë të brendshme apo të jashtme, këto sulme sigurisht që nuk bëjnë dallim midis vendeve shumë të zhvilluara, midis vendeve shumë të mëdha, apo midis vendeve të vogla. Sot siguria kibernetike është kthyer në fjalën kyç të çdo shteti dhe çdo vendi.

Me dëmet nga krimi kibernetik që parashikohet të kalojnë vlerën e 6 trilion dollarëve, agjencitë qeveritare, institucionet bankare, kompanitë e teknologjisë, spitalet, dhe pothuajse çdo sektor tjetër po investon në infrastrukturën e sigurisë kibernetike për të mbrojtur praktikat e tyre dhe të dhënat e miliona qytetarëve e klientëve që u besojnë atyre.

Por, cila është strategjia më e mirë e sigurisë kibernetike?

Një infrastrukturë e fortë sigurie përfshin shtresa të shumta mbrojtjeje të shpërndara nëpër kompjuterët, programet dhe rrjetet tona. Me sulmet kibernetike që ndodhin mesatarisht çdo 14 sekonda në botë, muret e zjarrit, softuerët, antiviruset dhe gjithçka tjetër që është prodhuar për tu mbrojtur, si dhe mjetet e menaxhimit të fjalëkalimeve duhet të punojnë në harmoni për të mposhtur krimin kibernetik.

Qeveria Shqiptare është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që paraqesin jo vetëm sulmet kibernetike, por edhe rrjedhjet e qëllimshme të informacionit, si çështje që ndikojnë drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare të vendit dhe në mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të qytetarëve tanë, ndaj ne po ndërmarrim sot një qasje shumë proaktive ndaj sigurisë kibernetike. Sigurisht bazuar edhe në shembujt apo ngjarjet që kemi pasur.

Sot ne kemi nderin që të kemi këtu përfaqësues të “Jones Group International” që është një kompani amerikane, me një ekspertizë në fushat e sigurisë kombëtare, sigurisë energjetike dhe politikës së jashtme, që  udhëhiqet nga Gjeneral James Jones, i cili pas një karriere të gjatë dhe të dalluar në Trupat e Marinës Amerikane, ka shërbyer dhe si Këshilltari i 22-të i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në kuadër të dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, siç është ajo e Bashkëpunimit Ekonomik dhe ajo e Sigurisë së Rrjeteve 5G, do të nënshkruajmë sot një marrëveshje shumë të rëndësishme, e cila do të shërbejë si udhërrëfyes i strategjisë sonë për forcimin e sigurisë së sistemeve tona dixhitale dhe infrastrukturës kritike të vendit.

Memorandumi mbi forcimin e infrastrukturës kibernetike për Shqipërinë me “Jones Group International” do të na mundësojë që fillimisht të bëjmë një skanim të plotë të sistemeve tona për të vlerësuar sa të ekspozuara janë ato ndaj sulmeve të brendshme apo edhe atyre të jashtme. Një strategji të mirëfilltë gjithashtu do të dizenjojmë, shumë-dimensionale, si për forcimin dhe mbrojtjen kibernetike të sistemeve kombëtare, ashtu dhe për ndërgjegjësimin e të gjithë atyre që menaxhojnë dhe përpunojnë informacione sensitive, por dhe qytetarëve në lidhje me ndarjen e të dhënave të tyre personale me palët e tjera. Duhet patur parasysh se një nga kërkesat e këtij bashkëpunimi do të jetë dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore, të cilat janë shumë të rëndësishme, pasi sistemet operohen nga njerëzit.

Dua të siguroj qytetarët tanë se Qeveria Shqiptare po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë dhe privatësinë e të dhënave të tyre, që ata na i kanë besuar në këmbim të premtimit tonë të mbajtur për një administratë dixhitale, që thjeshton proceset dhe kursen kohën e kostot e qytetarëve e nëpërmjet saj shërbimet tona janë gjithmonë e më kualitative.