I nderuar kryeministër!
I nderuar zëvendëskryeministër!
Të nderuar anëtarët të komisionit, gjithashtu dhe përfaqësues të BERZH!
Ju falënderoj që jeni këtu sot. Kjo është një ditë e rëndësishëm për ne, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjithë partnerët që kanë punuar në këtë projekt së bashku me ne, por padyshim do deshëm që kjo sallë të ishte plotë ashtu siç ishte në 20 janar kur e shpallëm.
Të kishim këtu të ftuar edhe ambasadorë, investitorë të huaj, por edhe partner të tjerë të sektorit të energjisë, por ishte e pamundur. Megjithatë pas situatës së vështirë që kemi kaluar ky është eventi i parë publik dhe duhet të jemi dhe për këtë mirënjohës dhe falënderues.
Sot përmbyllet me sukses një proces i gjatë, një proces që unë do ta quaja model pasi e kemi ndjekur nga fillimi dhe deri në përfundim, deri në orët e vona mbrëmë, me shumë kujdes, në bashkëpunim shumë të ngushtë me ekspertët e BERZH-it, të cilët kanë qenë pjesë e grupit që në dizenjimin e specifikimeve teknike dhe deri në momentin e përzgjedhjes të të gjithë fituesve, pjesëmarrësve apo kaluesve të fazës së parë.
Ashtu siç edhe e kemi njoftuar në fillim ky është një ankand, për të qenë të saktë me terminologjinë, i cili ka për synim ndërtimin e parkut fotovoltaik 140 megavat në zonën e Divjakës dhe të Fierit për një arsye shumë të rëndësishme, për politikat e diversifikimit që Qeveria Shqiptare prej vitesh ka dizenjuar dhe që tashmë është momenti për t’i implementuar ato. Vendi ynë i bazuar në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet sigurisht ka një varësi të jashtëzakonshme nga moti që e cila duhet mitiguar sa më parë. Ndaj ne kemi nisur një proces, dhe këtu sot besojmë se kemi hedhur një hap të rëndësishëm, që është procesi i diversifikimit, pra procesi i krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë dhe në këtë rast flasim për energjinë solare.
Parku i Karavastasë do jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan i cili do të prodhojë 140 megavat energji, të cilat janë të ndara sipas një skeme që qëndrojnë, 70 megavat me një çmim të parashikuar, siç e quajmë ndryshe me kontratën PPA dhe 70 megavat për t’ju lënë investitorit për t’u tregtuar në treg të lirë, pse jo dhe në Republikën e Shqipërisë duke qenë se tashmë ne jemi një vend që kemi Bursën Energjetike operative.
Sot komisioni që ndodhet këtu do kaloj më pas në teknikalitet për të shpjeguar gjithë procesin dhe për të avancuar me fazën e fundit, fazën e hapjes së ofertave financiare. Por unë do desha t’ju kujtoja sesi kemi arritur deri këtu.
Pasi shpallëm këtë ankand në datën 20 janar dokumentet qëndruan të vlefshme online për një periudhë të konsiderueshme dhe ato u morën në konsideratë dhe u blenë nga 30 kompani. Kompani të mëdha me emër të madh në Europë, por edhe në kontinente të tjera, të cilat treguan interes. Kompani të cilat operojnë në Republikën e Shqipërisë apo operojnë në shtete të tjera të rajonit duke treguar edhe një herë që energjia e rinovueshme është pjesë shumë e rëndësishme e energjisë europiane tashmë pasi ashtu, siç të gjithë ekspertët e fushës dinë, nevojitet edhe për të balancuar kuotat e karbonit në vende mjaft të zhvilluara siç janë vendet me kërkesë të lartë për energji. Vendi ynë nuk e ka sot këtë problem pasi vendi ynë është totalisht një 100% i rinovueshëm.
Këto 30 kompani kanë pasur të gjithë kohën në dispozicion pasi na është dashur ta shtyjmë dy herë, një herë në 30 Mars dhe një herë në 30 Prill këtë proces për shkak të pandemisë dhe të vështirësisë që të gjitha kompanitë kanë hasur për të pasur oferta nga kompanitë prodhuese apo edhe për të krijuar konsorsumet e duhura të cilat duhet t’i përgjigjeshin kritereve që ne kemi vendosur dhe më pas komisioni do t’ju sqarojë për kriteret të cilat kanë qenë me të vërtetë kritere shumë rigoroze.
Kemi arritur në 30 Prill që të administronim 5 oferta. Pra kjo është një garë e suksesshme pasi ka pasur konkurrencë dhe ajo që është më e rëndësishmja, diçka të cilën mund ta faktojnë edhe konsulentët e BERZH të cilët kanë qenë pjesë e pandarë e të gjithë këtij procesi dhe e grupit të punës, ka qenë një proces transparent nga fillimi deri në fund. Një proces i bazuar mbi garën dhe sigurisht të pesta kompanitë kanë pasur mundësi që të vlerësohen nga grupi ynë i ekspertëve dhe nga grupi i BERZH për të kaluar fazën e parë.
Faza e parë, ashtu siç e kemi njoftuar edhe në fillim të tenderit, ka qenë faza teknike të cilën e kanë kaluar një nga kompanitë të cilat ne e kemi sot. Por ofertat financiare janë që të pesta në tryezë pavarësisht se katër kompanitë e para nuk janë kualifikuar në kushtet teknike.
Unë do ja lë fjalën përfaqësuesit të KVO-së i cili do të shpjegojë të gjitha kriteret që ne kishim vendosur, kriteret që kompania ka përmbushur dhe më pas do na duhet që të bëjmë hapjen e fundit të këtij procesi dhe shpresoj ta përmbyllim me shumë sukses, hapjen e kalimit në ofertën e fundit që është ajo e ofertës financiare.
****
Fjala e ministres, pas shpalljes së fituesit
Ky nuk është thjesht lajm, pra që sot u përmbyll me sukses, por ky është një çmim rekord besoj unë për të gjitha parqet energjetike dhe shpesh i jemi referuar parqeve të ndërtuara në Jordani apo në zona ku piku i diellit është shumë më i lartë, pra prodhimi është më i lartë me çmime 26 euro. Ndërkohë ne kemi ardhur sot në këtë ditë që të kemi një park energjetik me 24.89 euro nga kompania Voltalia, që është një nga kompanitë më të mëdha europiane me kapital 100% francez.
Dua të falënderoj përfaqësuesin e Voltalias për këtë ofertë të jashtëzakonshme, e cila sigurisht do të kthehet në një marrëdhënie përftimi si për shtetin shqiptar, ashtu edhe për investitorët francez në shtetin tonë. Kjo është një kontratë, dua të kthehem pak për sqarim publik, pse kemi zgjedhur çmimin 55 euro si tavanin më të lartë për ofertim. E kemi zgjedhur çmimin pasi kemi bërë një studim të thellë të tregut në 3 vitet e fundit. Pra OSHEE nga prodhimi që merr nga KESH-i, po dhe si nga importi mesatarisht çmimin vjetor të blerjes së energjisë ne e kemi me 55 euro. Sot kemi arritur në Republikën e Shqipërisë të kemi një investim mbi 100 milionë euro në zonën e Divjakës dhe të Fierit.
Të gjitha shifrat e impaktit të këtij investimi ne do ti japim menjëherë pasi të kemi mundësinë e kontaktit të parë me investitorin që deri më sot nuk e kemi pasur, sigurisht, për të shpallur të gjitha pozicionet e punës që do të kemi, impaktin direkt dhe indirekt që do te ketë në zonë ky zhvillim kaq i madh dhe ky park energjetik për tu marrë model, jo vetëm nga rajoni por unë thoja gjithë kohës që dua të bëj një model për rajonin, por faktikisht kemi bërë një model për gjithë Evropën. Ky është një çmim i jashtëzakonshëm.
Faleminderit edhe njëherë Voltalia.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë