Finalizohet procesi i cili i hap rrugë rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit të ri për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Në prani të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, si dhe përfaqësuesve nga Delegacioni Europian në Tiranë, BERZH dhe WBIF u nënshkrua lidhja e kontratës midis Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane INC SPA. Kjo marrëveshje i hap rrugë nisjes së punimeve të cilat parashikohet të zgjasin afro 30 muaj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si finalizimin e një pune të gjatë, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët, duke u ndalur gjithashtu edhe tek efektet që pritet të ketë ky investim, në lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave.
“Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese nga stacioni Qendror i Durrësit, i cili është ekzistues, deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës, i cili është një projekt që po dizenjohet me shumë skurpolozitet nga Bashkia e Tiranës, si dhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore prej 5.7 kilometrash e cila do të lidhë nyjen me aeroportin e Rinisnit. Ky projekt do të mundësojë multi-modalitetin e sistemit të transportit në zonën metropolitiane Tiranë-Durrës nëpërmjet krijimit të një rrjeti të integruar dhe efikas duke mbuluar kështu zonën me aktivitetin më të lartë ekonomik në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Balluku.
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës si dhe ndërtimi i segmentit për në Rinas pritet të shkurtojë në 22 minuta kohën e udhëtimit mes dy qyteteve, ndërsa koha e udhëtimit nga kryeqyteti në drejtim të aeroportit do të jetë vetëm 12 minuta, duke ndikuar kështu në uljen e ndjeshme të trafikut.
“Projekti do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme edhe në krijimin e vendeve të reja të punës pasi parashikohen që të punësohen rreth 2200 punonjës, ndërkohë që kursimet nga përdorimi i hekurudhës të krahasuar me përdorimin e automjeteve private do të jenë rreth 55 milionë euro në vit”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, falënderoi partnerët ndërkombëtar për mbështetjen e tyre gjatë gjithë procesit, Bashkimin Europian dhe veçanërisht Zyrën e delegacionit të BE në vendin tonë, si dhe përfaqësuesit e BERZH dhe BWIF të cilët ishin angazhuar qysh në krye të herës për këtë projekt.
“Sigurisht ky investim nuk do mbetet i vetmi në rrjetin tonë hekurudhor pasi në planet tona afatmesme ne kemi dhe rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit dhe të linjës Pogradec-Korçë duke shtuar dhe linjën e re Korçë-Kapshticë, të cilat parashikohet të rivitalizojnë të gjithë sistemin hekurudhor në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Balluku.
Drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, Matteo Colangeli e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë INC SPA si një moment të rëndësishëm duke vlerësuar edhe impaktin që pritet të ketë ky investim në ekonominë e vendit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë