Balluku: Transformuam situatën në sektorin energjetik, ja projektet që pritet të nisin - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 24/12/2020

Balluku: Transformuam situatën në sektorin energjetik, ja projektet që pritet të nisin

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një komunikim me mediat, prezantuan gjerësisht reformat dhe rezultatet e arritura në sistemit energjetik shqiptar, investimet e kryera si dhe hapat e ndërmarra gjatë viteve të fundit për plotësimin e kuadrit rregullator e ligjor dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Gjithashtu, ministrja Balluku bëri një pasqyrim të situatës dhe projekteve në sektorin hidrokarbur.

 

Prezantimi i plotë i Ministres Belinda Balluku

Shpresoj të gjithë të jeni mirë me shëndet dhe shpresoj që këto ditë festash të jenë sa më të mbara për të gjithë shqiptarët.

Do t’a nis me shpërndarjen e energjisë elektrike, si pjesa dhe sektori më i prekshëm nga të gjithë shqiptarët dhe më pas do kaloj tek transmetimi dhe tek prodhimi. Fillimisht do të ndalesha tek kuadri rregullator, të cilin e kemi krijuar gjatë dy viteve të fundit dhe sidomos tek përmbushja e të gjitha kërkesave dhe kushteve që kemi pasur nga Bashkimi Europian dhe veçanërisht nga Sekretariati i Energjisë.

Liberalizmi i tregut ka qenë një nga synimet tona kryesore dhe padyshim ja kemi dalë. Duke filluar nga 18 marsi i vitit 2020 të gjithë konsumatorët e lidhur në linjën 35 kilovolt tashmë i drejtohen tregut të lirë, duke pasur të gjithë parametrat e duhur të një tregu sa më të lirë apo edhe të një tregu me një konkurrencë të hapur për të blerë energjinë, e cila u nevojitet atyre. Gjithashtu, aktualisht po ndërmerren masat teknike për të mundësuar sa më shpejt daljen në treg dhe për të liberalizuar edhe shërbimin e konsumatorëve, të cilët janë të lidhur në rrjetin 20 kilovolt.

Duhet theksuar se një hap shumë i rëndësishëm, përsa i përket plotësimit së kuadrit rregullator, ka qenë dhe ndarja e OSHEE-së në tre kompani, të cilat përmbushin të gjitha kushtet për pavarësinë e këtij sektori, por sigurisht na krijon dhe ne mundësinë për të balancuar brenda kësaj kompanie të gjithë ata nënsektorë, të cilët kërkojnë që të jenë të pavarur, qoftë prodhimi, qoftë shpërndarja, por sidomos sot ne po punojmë edhe për krijimin e operatorit të energjisë së rinovueshme. Pra që do jetë komponenti i katërt i kësaj ndërmarrjeje.

Do ndalesha tek një pjesë, të cilën kryeministri sapo e nënvizoi që është niveli i arkëtimeve. Niveli i arkëtimeve në vitin 2005 ka qenë 24.1 miliardë lekë. Në raportin krahasimor do t’i referohem vitit 2019 për dy arsye: E para viti 2020 nuk ka përfunduar akoma dhe arkëtimet 58.87 miliardë lekë i përkasin vetëm 11 muajve të 2020. Së dyti dhe ç’është më e rëndësishmja gjatë këtij viti kemi pasur një ndikim shumë të madh përsa i përket pasojave të pandemisë, kjo sidomos gjatë mbylljes së parë, nga muaji mars deri në fund të muajit maj, edhe për shkak të sektorëve industrialë, të cilët kanë konsumuar shumë më pak se viti 2019. Ndaj krahasimin do ta bëj mes vitit 2005, me 24.1 miliardë lekë dhe vitit 2019 me një nivel arkëtimesh 67.8 miliardë lekë.

Shifra për t’u theksuar, padyshim janë shifrat që tashmë ne kemi në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, përsa i përket humbjeve në rrjet. E kemi marrë këtë sektor në vitin 2013 me 45.07% të humbjeve në rrjet. Pra pothuajse gjysma e energjisë të transmetuar në rrjet shkonte e humbur dhe ndërkohë në vitin 2017 kemi arritur në nivelin, ashtu siç kishim premtuar, 26.41% të humbjeve. Sot në muajin Dhjetor ne jemi në 19% të humbjeve, por do doja të theksoja se në disa zona, ku ne kemi arritur të përfundojmë investimet, siç është rasti i Nënstacionit të ri të Kombinatit, zona që furnizohet nga ky nënstracion ka nivelin e humbjeve 4%. Niveli i humbjeve 4% është niveli europian i rrjetit të shpërndarjes. Ky është synimi jonë, që deri në vitin 2023 në të gjithë territorin e  Shqipërisë, bazuar në investimet e shumta që ne kemi bërë në rrjetin e shpërndarjes, niveli i humbjeve të vijë duke rënë dhe duke arritur pra nivelin europian të humbjeve. Kjo gjë është arritur në disa zona, që sot ne kemi elementë dhe fakte që për ne kjo tashmë është një sfidë e mundur.

Përsa i përket kostos së blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve, në vitin 2015 duke qenë se për inercinë e trashëguar në atë kohë vazhdohej me të njëjtat limite dhe të njëjtat shifra të vitit 2013, ne konsumonim 150 milionë dollarë në vit për blerjen e energjisë, e cila shërben për mbulimin e humbjeve. Sot, pas 5 vitesh kjo shifër është ulur nën 50%. Pra gjatë vitit 2020 për balancimin e humbjeve kemi shpenzuar 70 milionë dollarë dhe kjo si rezultat i mirë menaxhimit të kaskadës së Drinit dhe si rezultat i një koordinimi midis prodhuesit dhe shpërndarësit në mënyrën më të mirë dhe më eficente.

Do doja të ndalesha për një moment tek çmimi i energjisë dhe sigurisht tek konsumatori familjar, i cili është numri më i madh i abonentëve në rrjet dhe për më tepër është ai që është më sensitiv. Kemi dëgjuar shumë ditët e fundit të goditet dhe të përdoret politikisht çmimi, por për informacionin tuaj dhe të gjithë konsumatorëve familjarë unë do doja t’i referohemi kësaj tabele dhe të shikoni sa ishte çmimi i energjisë në vitin 2013 për kilovatorë dhe nga viti 2014 dhe deri më sot sesi është çmimi dhe nëse ka lëvizur.

Ne kemi një çmim të palëvizur që nga viti 2014, nuk ka pasur asnjë rritje përsa i përket çmimit të energjisë dhe shpërndarjes së tij tek konsumatori familjar dhe për më tepër nga 13.5 lekë kemi zbritur në 9.5 lekë në vitin 2014. Ky është një fakt i pakontestueshëm dhe pavarësisht të gjithë demagogjisë dhe pavarësisht të gjithë politizimit që i bëhet pikërisht këtij elementi, duke qenë ashtu siç thashë një element shumë sensitiv për abonentët familjarë, unë do doja që ju t’a pasqyronit këtë, pasi ky është një fakt i pakontestueshëm.

Investimeve në rrjetin e shpërndarjes kanë bërë të mundur padyshim uljen e humbjeve, kanë bërë të mundur rritjen e sigurisë energjetike, kanë bërë të mundur shërbimin pa ndërprerje tashmë në shumicën e territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndërprerjet vijnë sigurisht vetëm për shkak të avarive, të cilat ne sot për shkak të sistemeve të reja kemi mundësi që t’i kontrollojmë dhe të ndërhyjmë më shpejt në sistem dhe koha e riparimit të avarive sot është minimizuar. Pikërisht për shkak të gjithë këtyre investimeve kemi këtë impakt pozitiv në rrjetin e shpërndarjes. Këto investime, nga viti 2014 deri në vitin 2020, shënohen me 370 milionë dollarë të përkthyera ndryshe në 2300 kabina, në 1411 kilometra linja të tensionit të mesëm, në 3550 kilometra linja të tensionit të ulët dhe në 7 nënstacione totalisht të reja, pa përmendur këtu të gjithë nënstacionet që ne kemi rikonstruktuar. I gjithë ky ndryshim teknologjik, e gjitha kjo paketë investimesh, i ka shërbyer 1.4 milionë banorëve, të cilët janë përfitues të këtyre investimeve.

Gjatë vitit 2019-2020 kemi pasur 65 milionë dollarë investime në rrjetin e shpërndarjes. Këtu vlen të theksohet ndërtimi i nënstacionit të Kombinatit dhe i 10 fiderave 20kv, rikonstruksioni i tre nënstacioneve, Farkës, Unzës së Autotraktorëve dhe të Kasharit, rikonstruksioni dhe fuqizim i nënstacionit të Kasharit 110/20kv. Ndërtimi i 5 fidreave 20kv  dhe kabinave të reja, instalimi i 3500 matësave smart në Kashar dhe Vorë, rikonstruksioni i 400 kabinave. Edhe në Durrës kemi pasur investime të mëdha në ndërtimin e nënstacionit të Gjirit të Lalzit, ndërtimin e 4 fiderave 20kv në zonën e  Gjirit të Lalzit dhe në Ishëm, kemi ndërtuar 42 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe 35 kabina të reja në zonën e Durrësit. Në Fier kemi ndërtuar 5 fidera 20kv, rikonstruksioni i nënstacionit të Pojanit dhe të Hoxharës që janë edhe dy nga sitet ku ne kemi zhvilluar parqet fotovoltaike, rikonstruksionin e linjës 35 kilovolt të TEC-it Fier-Hoxharë, rikonstruksioni i nënstacionit të Karavastasë, duke qenë se ky nënstacionin është mjaft i rëndësishëm për shkak të fillimit të punimeve atje për ndërtimin e parkut më të madh fotovoltaik, 140 megavat, që do të ndërtohet tashmë nga Voltalia, një nga kompanitë më të mëdha të energjisë në Francë.

Gjithashtu kemi investuar në Shkodër për ndërtimin e linjës 35kv të tensionit të lartë nga Bushati në Velipojë, ndërtimi i rrjetit 20kv në Velipojë dhe Baçallëk. Kemi investuar në Pogradec, ndërtimin e 6 fiderave 20kv, 65 kabinave dhe 80 kilometra rrjet kabllor i tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët. Kemi zhvilluar rrjetin e tensionit të ulët dhe kabinat në zonat periferike dhe fshatrat e Tiranës, Fierit, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Beratit, Burrelit, Kukësit dhe Gjirokastrës. Këto janë investime të prekshme, investime që kanë rritur cilësinë e transmetimit dhe shpërndarjes, këto janë investime që kanë rritur sigurinë energjetike në vend dhe padyshim kanë rritur cilësinë e shërbimit të asaj çfarë shkon në çdo familje.

Për vitin e ardhshëm janë në proces tenderimi 35 milionë dollarë në këto momente për rikonstruksionin e fiderit A8 dhe 42 kabina në Tiranë, rikonfigurimin e rrjetit 20kv në zonat e Zogut të Zi, nënstacionin e Qendrës dhe Rajonal, rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët dhe kabinave të fiderit  F32 në Kashar, kthimi nga 6 kilovat në 20 kilovat të fiderit 101 të nënsatcionit të Mzezit. Gjithashtu jemi duke investuar, kemi nisur proceset e garimit për ndërtimin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe kabinave të tensionit të ulët me abc në nënstacionin e Gjirit të Lalzit, rehabilitimin e tensionit të ulët me abc dhe 5 fidera në Fier. Në Vlorë rikonstruksionin e kabinave si dhe rrjetit të tensionit të ulët me abc në jug, në zonën e bregdetit si një zonë ku ne kemi përqendruar të gjitha fuqitë tona për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, qoftë asaj energjetike. Në Dibër rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të ulët me kabull abc. Në Berat ndërtimi kabinave të reja dhe shtrimi i linjës të tensionit të ulët me kabull abc. Në Elbasan ndërtimin e kabinave të reja dhe rrjetin e tensionit të ulët në fiederat 3,4 dhe 6 në nënsatcionin e Gramshit.

Këto janë të gjitha zhvillimet në rrjetin e shpërndarjes qofshin rregullatorë e ligjore. Padyshim nisja e hapjes së tregut të lirë, përsa i përket abonentëve të lidhur në rrjetin 35kv, por shumë shpejt dhe të atyre të lidhur në rrjetin 20kv.

Do doja të kaloja, pa u vonuar tek prodhimi i energjisë. Prodhimi i energjisë në vendin tonë është një sfidë e madhe gjithmonë, ashtu siç jemi sot përballë një sfide të madhe, pasi pas shirave që kemi pasur në muajin tetor sot po përballemi për vitin e tretë radhazi me mungesën e shirave dhe kjo është diçka që as ekspertët nuk i japin një shpjegim, duke qenë se vitet e thatësirës duhet të ndodhin një herë në tre vjet dhe jo tre vjet thatësirë konstante. Megjithatë ne jemi munduar, ashtu siç e patë dhe nga tabelat e mëparshme, që duke gjetur një mundësi bashkëpunimi dhe koordinimit midis prodhuesit dhe shpërndarësit të energjisë elektrike të jemi efiçentë edhe përsa i përket importit, përsa i përket blerjes së sasisë energjetike që duhet për të balancuar humbjet.

Por, gjithmonë prodhimi në Republikën e Shqipërisë mbetet një sfidë e madhe. Ndodhemi sot në nivelet historike të niveleve ujore të basenit të Fierzës. Shpresojmë shumë, nga të gjitha informacionet që kemi, që në ditët në vazhdim do të kemi reshje, megjithatë niveli do të dojë një kohë të gjatë reshjesh për t’u balancuar. Thatësira është e përhapur në të gjithë rajonin kështu që çmimet sot në treg janë shumë të larta për blerjen e energjisë dhe e kuptojmë shumë mirë që këtu ku ndodhemi në javën e festave të fundvitit edhe konsumi është shumë më i lartë edhe për shkak të temperaturave të ulëta edhe për shkak të të gjithë abonentëve që ndodhen, si pasojë e pandemisë, në banesat e tyre dhe padyshim për shkak të të gjitha zakoneve festive që ndodhin gjatë këtyre ditëve.

Ne jemi në gatishmëri të plotë. Jemi duke punuar si në operatorin e shpërndarjes, ashtu edhe në KESH për të qenë sa më efiçent dhe për të krijuar sa më pak mundësi blerje në import. Megjithatë unë do doja të theksoja që nga viti 2006 deri në vitin 2013, investimet në sistemin e prodhimit të energjisë elektrike kanë qenë në nivelin 3.8 miliardë lekë, ndërkohë që nga viti 2014 dhe deri në vitin 2020 niveli i investimeve ka qenë 13.8 miliardë lekë.

Aktiviteti tregtar dhe optimizimi  padyshim kanë dhënë një efekt të jashtëzakonshëm përsa i përket të ardhurave, të cilat janë gjeneruar nga operatori tregtar i shit-blerjes së energjisë elektrike. Nga viti 2006 deri në vitin 2013 kemi pasur zero të ardhura nga ky operator, ndërkohë që nga viti 2014 deri në vitin 2020 ne shënojmë 3.3 milionë euro të ardhura nga operacioni tregtar i shit-blerjes së energjisë elektrike. Detyrimet ndaj palëve të treta, do doja të fokusoheshit tek shifra që kemi gjetur të trashëguar në vitin 2013, e cili ka qenë 13.2 miliardë lekë detyrime ndaj palëve të treta nga Operatori prodhues i energjisë elektrike, ndërkohë që kemi arritur që këtë shifër t’a ulim në 3.1 miliardë lekë që jemi sot në vitin 2020. Kjo ulje ka ardhur pavarësisht vështirësive që kemi hasur, pavarësisht investimeve që janë rritur mbi 4-fish, pra nga 3.8 miliardë lekë investime në periudhën 2006 – 2013, ne kemi arritur në 13.8 miliardë lekë investime, në periudhën 2014 – 2020.

Gatishmëria e veprave hidrike në krahasim me çfarë kemi trashëguar në vitin 2013 dhe deri më sot ka një ndryshim të jashtëzakonshëm. Koeficientët e gatishmërisë së veprave hidrike janë rritur ndjeshëm me shifra, të cilat nuk kanë asnjë krahasim, mes vitit 2014, me 612 orë pune ndërmjet defekteve dhe gjenddjes se sotme me 6554 orë pune ndërmjet defekteve. Pra kemi një 10 –fishim të kohës nga një defekt tek tjetri për të qenë pak më të thjeshtë në shpjegim. Dikur nga një defekt tek tjetri kishim vetëm 612 orë punë, ndërkohë që sot kemi më shumë se 10-fishin nga një defekt i rrjetit të prodhimit deri tek tjetri.

Do ndalesha tashmë tek Operatori Transmetimit të Energjisë Elektrike. Kemi shënuar ditët e fundit një gur të ri kilometrik përsa i përket transmetimit të energjisë elektrike pasi tashmë linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht të gjithë problematikës që ka pasur ndër vite, qoftë kjo teknike apo edhe politike, tashmë është zgjidhur dhe kjo linjë është funksionale. Sigurisht, është dashur një punë e madhe nga të gjitha palët dhe sot ne mund të themi që krijimi i një blloku të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës ka sjellë mjaft benefite për sektorin tonë energjetik, por edhe atë kosovar. Mbi të gjitha ne sot mund të operojmë në mënyrë të përbashkët, duke krijuar kështu balancim midis dy sistemeve energjetike. Sigurisht ne sot kemi të gjithë mundësinë që të tregtojmë në një treg të përbashkët energjinë elektrike duke krijuar kështu efiçiencë përsa i përket çmimit edhe sasive të shkëmbyera dhe padyshim kemi rritur përmes këtij investimi sigurinë energjetike.

Duhet thënë dhe duhet ritheksuar që Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit, por jo vetëm të Ballkanit të të gjithë rajonit dhe Europës Qendrore, më mirë i pozicionuar përsa i përket interkonjeksionit. Ne kemi dy linja funksionale prej kohësh që është linja e interkonjeksionit me Malin e Zi në të cilën ne tregtojmë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike në eksport kryesisht duke qenë se energjia jonë elektrike e prodhuar nga burimet e rinovueshme është mjaft e kërkuar nga shteti fqinj i Italisë.  Sigurisht duhet theksuar që gjithashtu funksionale dhe me kapacitet të plotë është edhe linja e interkonjeksionit me Greqinë, të cilën ne e përdorim si për import ashtu edhe për eksport. Tashmë me linjën e tretë të vënë në funksionim atë mes Shqipërisë dhe Kosovës e gjithë panorama jonë e transmetimit elektro-energjetik forcohet dhe jemi shumë pranë dorëzimit të linjës së katërt të transmetimit atë të Bitolas midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Më duhet të them gjithashtu që gjatë vitit 2020 pavarësisht vështirësive që kemi pasur, pavarësisht të gjithë vonesave që janë krijuar për shkak të pandemisë në sektorin energjetik ne kemi shënuar suksese të mëdha të cilat do të mbeten në historinë e këtij sektori.

Ashtu siç përmenda më parë krijimin e bllokut të përbashkët me Kosovën me linjat e transmetimit, ashtu siç edhe kryeministri përmendi, ne tashmë kemi krijuar bursën e parë energjetike shqiptare Alpex-in, e cila nuk është më thjesht një projekt në letra, por është një fakt. Bursa është krijuar, operatorët janë aktivë dhe sigurisht ashtu si çdo bursë tjetër e krijuar në rajon në 10-vjeçarin e fundit kjo është një bursë  e cila do të mbështetet me kalimin e kohës nga likuiditetet energjetike që do të hidhen në rrjet. Nga do të vijnë këto likuiditete energjetike? Padyshim nga liberalizimi i tregut, por edhe nga krijimi në këtë rast i parqeve të reja energjetike që ne sot kemi, siç është parku i Karavastasë, apo parku i Spitallës i cili do të jetë edhe ai një nga projektet shumë të mëdha të vitit 2021. Duke qenë se ne në të dyja parqet kemi krijuar formulën e tregtimit në treg të lirë dhe atë të çmimit të parafiksuar atë të PPA-së që ne e quajmë ndryshe, sasitë e lira të të dy operatorëve si të parkut të Spitallës ashtu edhe të parkut të Karavastasë i kanë të gjitha mundësitë sot të tregtohen në një treg të lirë përmes Alpex. Duhet të kemi parasysh gjithashtu që të gjitha investimet në fushën energjetike në të ardhmen nga sektori privat të cilat nuk kërkojnë mbështetje përmes PPA-ve, pra çmimit të paracaktuar, për periudhën 15 vjeçare do të jenë sigurisht një nga sasitë energjetike të prodhuara dhe të tregtuara në bursë. Ne e mbështesim këtë lloj investimi, kërkojmë nga investitorët shqiptarë që të tregojnë guxim dhe të investojnë në burime të rinovueshme qofshin këto eolike, qofshin këto fotovoltaike për të prodhuar energji elektrike pa mbështetjen e Buxhetit të Shtetit pasi sot duke pasur bursën ata do të gjejnë mundësi që ta tregtojnë dhe do të gjejnë mundësi që padyshim edhe të jenë konkurrentë në këtë treg të lirë të energjisë elektrike, pse jo edhe jashtë vendit, pra edhe në vendet fqinje duke qenë se të gjitha kapacitetet tona të transmetimit e lejojnë këtë gjë.

Nuk po ndalen shumë tek të ardhurat  e OST-së, por që sërish shifrat flasin vetë dhe totali i të ardhurave nga transmetimi dhe alokimi ka ndryshuar ndjeshëm. Nga 5.5 që ka qenë në vitin 2013 sot jemi në shifrat gati 7 miliardë. Investimet që ne kemi përfunduar gjatë vitit 2020 janë shumë, si investimet e bëra në Mat, Fierzë, Shkodër, Laç, Fushë Arrëz, Tiranë, Lushnje, Librazhd dhe kudo tjetër. Këto janë investime të gjitha të përfunduara gjatë këtij viti dhe sigurisht ju mund të njiheni edhe me investimet në rrjetin e transmetimit, të cilat ne kemi parashikuar që t’i kryejmë deri në vitin 2023, sigurisht duke pasur parasysh që këto investime shkojnë në mënyrë të integruar dhe mbështesin të gjitha investimet që ne sot bëjmë në rrjetin e shpërndarjes. Pra, asnjë nga komponentët e sektorit energjetik, as KESH-i dhe as OST-ja nuk investojnë pa një koordinim të mirëfilltë dhe pa studime të mirëfillta për të mbështetur të gjithë sektorin. Pra të gjitha investimet që ne sot bëjmë në rrjetin e transmetimit janë të mirë studiuara për të mbështetur investimet shtetërore dhe private që ne do të kemi në dekadën e ardhshme në energji, sigurisht dhe të gjitha nevojat që rrjeti i shpërndarjes, pra ai i OSHEE-së, ka dhe mbështet.

Pasi kemi kaluar në mënyrë të detajuar të tre nënsektorët e sektorit energjetik, pra atë të transmetimit, atë të prodhimit dhe atë të shpërndarjes, do të ndalesha tek energjia e rinovueshme, e cila sot është kryefjala e energjisë për Bashkimin Europian, por që padyshim për Shqipërinë është energjia bazike që ne përdorim.

Gjithçka që ne sot konsumojmë dhe përdorim në Republikën e Shqipërisë nga prodhimi vendas vjen nga energjia e rinovueshme, por sigurisht ne tashmë jemi angazhuar për të diversifikuar këtë energji të rinovueshme, e cila është e bazuar në më shumë se 99% të saj në energjinë hidrike. Burimet e rinovueshme të krahasuara nga viti 2011 deri në vitin 2019 kanë këtë trajektore dhe padyshim trajektorja vjen në rritje sepse ashtu siç ju jeni në dijeni ne vazhdojmë të investojmë në burime të rinovueshme qofshin këto në parqe te reja fotvoltaike, që ne tashmë njërin e kemi përmbyllur si proces dhe tjetrin e kemi në fazë gare, por edhe për shkak të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, i cili nuk do të prodhojë thjesht energji, por do të jetë edhe rregullatori dhe optimizuesi i kaskadës së Drinit duke rritur ndjeshëm edhe prodhimin e hidrocentraleve ekzistuese sot në atë kaskadë.

Targeti ynë është që në vitet në vazhdim, pra në vitin 2021 ne të arrijmë prodhimin e 38% të kësaj energjie. Ecuria e financimit të projekteve buxhetore të drejtorisë së energjive të rinovueshme ka qenë sigurisht në rritje, pra nga viti 2017 sepse nuk kemi parametra krahasues me vitin 2013 përsa i përket kësaj energjie. Dimë që në vitin 2009 ka pasur një shpërthim të dhënies së licencave të hidrocentraleve në mënyrë tërësisht të pakontrolluar, që sot e kësaj dite qoftë qeveria edhe qoftë të gjitha komunitetet të cilat jetojnë pranë lumenjve jemi duke menaxhuar këtë fakt, por në mënyrë të dhimbshme do të thoja, qoftë për investitorët të cilët me të drejtë janë pajisur me ato leje dhe kërkojnë që të vazhdojnë punën e tyre, qoftë me të drejtën e plotë të komuniteteve, të cilat përballen me mungesën e ujit të pijshëm për shkak se dikush ka shkuar dhe ka futu në tub totalisht një lumë të tërë për të prodhuar energji. Apo me ujin që i duhet të gjithë këtyre komuniteteve për të vaditur fushat e tyre apo edhe me sasinë e ujit të nevojshëm që çdo familje ka për të mbijetuar.

Padyshim sot jemi duke u përballur, për shkak të këtyre licencave të dhëna pa kriter, edhe me problematika mjedisore shumë të thella, me shkatërrimin e shtratit të lumenjve për shkak të devijimit të tyre apo me thatësira të cilat janë të pajustifikueshme për shkak se uji është marrë në mënyrë të pastudiuar dhe pa pasur një leje nga komiteti i baseneve. Megjithatë unë dua të referohem financimit të projekteve buxhetore të drejtorisë së energjive të rinovueshme nga viti 2017 e deri më sot. Pra nga ky vit dhe deri më sot kemi pasur një rritje të konsiderueshme dhe parashikojmë, deri në vitin 2023, fokusi ynë të jetë në këtë drejtori pasi edhe efiçienca energjetike luan një rol shumë të rëndësishëm për uljen e konsumit të energjisë elektrike në vendin tonë, si rrjedhojë uljen e importeve dhe sigurisht uljen e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit për blerjen e kësaj energjie.

Gjatë prezantimit ne kemi të dyja parqet, parkun fotovoltaik të Karavastasë me kapacitet 140 megavat, i cili e ka të ndarë alokimin e energjisë ku 50% e prodhimit do të blihet me çmim të paracaktuar nga FSHU-ja, ndërkohë që 50% do të tregtohet në tregun e lirë, ashtu siç përmenda edhe më parë në bursën energjetike. Çmimi që kemi arritur gjatë këtij ankandi ka qenë një çmim rekord për Europën, duke qenë se çmimi më i ulët në nivel europian është arritur në Spanjë në vitin 2018 me 31 euro për megavat. Është një çmim që ka surprizuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe që shpresojmë që t’a ruajmë edhe në ankandin e ardhshëm i cili është vendosur dhe është në zonën e Spitallës një zona e cila tashmë ka marrë një fokus të veçantë nga qeveria përsa i përket zhvillimit industrial, por jo vetëm të asaj zone. Në atë zonë ne kemi arritur në një kohë rekord që të rehabilitojmë fushën e mbetjeve duke e kthyer atë në një ekopark dhe kështu duke i dhënë mundësi zonës që të zhvillohet dhe nga ana urbanistike përsa i përket projektit të rindërtimit që kemi atje. Por sigurisht duke mos harruar faktin që zona e Spitallës ka qenë e dizenjuar si një zonë ekonomike në të cilën do të vendoset edhe pjesa e përpunimit të zonës ekonomike të portit të ri, por padyshim edhe ky park fotovoltaik i cili do të ndihmojë dhe do të mbështesë me energji të gjitha manifakturat dhe industritë që planifikohen të ndërtohen në këtë zonë.

Projekte të reja që kemi parashikuar brenda vitit 2021 përveç shpalljes dhe përmbylljes së ankandit të parkut të Spitallës, parashikojmë hapjen e ankandit për një park tjetër 100 megavat, të cilin nuk e kemi definuar akoma vendndodhjen duke qenë se të gjithë operatorët si ai transmetimit, si ai i shpërndarjes janë tashmë duke studiuar ku është edhe më i nevojshëm dhe ku kemi kapacitetet më të mira të transmetimit dhe të shpërndarjes.

Dua të ndalem për një çast dhe të falënderoj BERZH-in për të gjithë mbështetjen e dhënë ndër vite përsa i përket energjisë së rinovueshme dhe do të desha që të njoftoja sot shpalljen e ankandeve hibride fotovoltatike për zhvillimin e kapaciteteve, por jo vetëm edhe atyre eolike për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike. Dhe këto përbëjnë 350 megavat të parashikuara në planin kombëtar të konsoliduar. Do të desha që për të gjithë investitorët e interesuar të theksoja vetëm një fakt, pse i quajmë hibride, sepse ndryshe nga parqet fotovoltaike, ankandet që kemi hapur deri më sot pushteti është angazhuar duke vendosur edhe tokën, pra duke i dhënë mundësi investitorit që të ketë tokën mbi të cilën do të zhvillojë këtë park edhe padyshim pjesën e çmimit të paracaktuar për 15 vite, një pjesë të energjisë që ai do të prodhojë, në rastin e parqeve hibride qofshin ato eolike dhe qofshin ato fotvoltatike ne shpallim vetëm sasinë e nevojshme për operatorët energjetikë dhe në ndërkohë gjithçka mbetet në diskrecionin e investitorit. Pra ne shpallim sasinë e megavatëve që do të jemi të aftë të blejmë në 15 vitet e ardhshme, ashtu siç e parashikon ligji, por ne nuk definojmë zonën dhe tokën ku duhet të ndërtohet dhe as vëmë në dispozicion tokë. Kështu që të gjithë investitorët duke ju referuar planit tonë kombëtar dhe kush janë zonat ku  mund të ngrihen, pra thjesht zonat në zonën perëndimore, në zonën veriore apo kudo tjetër, investitori do të ketë mundësi që të gjejë tokën, të zhvillojë projektin dhe të vijojë në një ankand për të konkurruar me investitorë të tjerë duke sjellë kështu çmimin e fiksuar sa më të ulët. Pra është një koncept tjetër ankandi energjetik i dizenjuar dhe i mbështetur nga BERZH të cilin ne do ta lançojmë shumë shpejt në fillim të vitit 2021 me synimin e krimit të kapaciteteve të reja përmes një mënyre të re të energjisë.

Për të ardhur tashmë në sektorin e hidrokarbureve. Sektori hidrokarbureve padyshim është një sektorët i cili ka vuajtur më shumë situatën e pandemisë gjatë vitit 2020 duke qenë se konsumi i nënprodukteve të naftës ka ardhur duke u ulur sidomos në muajt e parë të vitit për shkak të mbylljes kudo nëpër botë dhe si rrjedhojë kemi pasur krijimin e kapaciteteve të mbetura në depozitat tona dhe ndalimin e  nxjerrjes së naftës në të gjithë sektorët, qofshin këto privat apo qofshin këto publikë,  pra Albpetroli. Përpunimi dhe eksporti i naftës bruto sigurisht ka njohur edhe ai një rritje të konsiderueshme nga viti 2014 deri në vitin 2019 krahasuar me atë të vitit 2008 deri në vitin 2013. Sasia e përpunuar e naftës bruto në rafineritë vendase për periudhën 2014-2019 është rritur me rreth 57%, krahasuar me 2008-2013.

Ndërkohë qw sasia e eksportuar e naftës bruto është rritur me rreth 20% për periudhën 2014-2019, krahasuar me periudhën 2008-2013. Treguesit ekonomikë të sektorit në prodhim, duke filluar nga 2013 dhe 2020 janë të shumtë, kështu që ne do t’i vëmë në dispozicion përmes këtij prezantimi për ju dhe unë nuk do të ndalem për të mos konsumuar më kohë, por do të desha të ndalesha në dy marrëveshje të rëndësishme që ne kemi lidhur në shkurt të 2018 për bllokun 4 me Shell, një nga kompanitë më të mëdha të gazit dhe të naftës në botë dhe ndërkohë në vitin 2019 kemi arritur të amendojmë marrëveshjen për blloqet hidrokarbure 2 dhe 3 që ishte e nënshkruar në vitin 2009, duke ndryshuar kështu kushtet e kësaj marrëveshje në favor të shtetit shqiptar. Ndërkohë nga ana e Shell kemi pasur një njoftim për zbulim të rëndësishëm të naftës në zonën e Shpiragut që është zbulimi i parë i një fushe të re nafte në 30 vitet e fundit në Shqipëri dhe nga testimet rezulton që potenciali në atë zonë do të jetë i madh. Sigurisht kemi pasur një vonesë në kohën e eksplorimit për shkak të pandemisë dhe për shkak se inxhinierët dhe ekspertët i është dashur që të qëndrojnë larg puseve dhe larg terrenit.

Ndërkohë në 20 dhjetor të vitit 2019 kemi lidhur marrëveshjen e hidrokarbureve për bllokun e Dumresë me kompaninë Italinë, gjithashtu një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit të naftës në botë dhe padyshim kjo marrëveshje hidrokarbure e lidhur me ENI-n për bllokun e Dumresë është konsideruar si marrëveshja më e mirë hidrokarbure që shteti shqiptar ka pasur me një partner privat  deri në sot. Kështu që padyshim edhe në marrëveshjet e tjera të cilat ne po negociojmë sot siç ajo e bllokut 5 e cila po negociohet me kompaninë e madhe amerikane Koks ne po mundohemi që të qëndrojmë në të gjitha parametrat e këtyre marrëveshjeve të suksesshme të mëparshme.

Desha të theksoja gjithashtu një fakt të fundit, përsa i përket investimeve në vend për shkak të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me Ambasadën Amerikane dhe sigurisht me departamentin e energjisë amerikan në vitin e fundit duke nisur nga shkurti i kaluar ne kemi nisur një punë intensive për një bashkëpunim në të ardhmen me kompani amerikane të njohur dhe me shumë eksperiencë në sektorin e prodhimit të energjisë por jo vetëm. Edhe në sektorin e shpërndarjes së gazit të lëngshëm, duke qenë se gazi i lëngshëm konsiderohet si një nga burimet energjetike të së ardhmes. Departamenti amerikan i energjisë  ka zgjedhur Shqipërinë për të nisur dhe për të dorëzuar një studim i cili është drejt fundit përsa i përket kthimit të Shqipërisë në një hap për shpërndarjen e gazit të lëngshëm në rajonin e Ballkanit perëndimor. Përveç këtij fakti kompani amerikane janë interesuar për ndërtimin e TEC-it të Vlorës duke e rritur kapacitetin nga 125 në 250 ose 300 megavat në varësi të efiçiencës që do të ketë biznes plani dhe duke ndërtuar në zonën e Vlorës, pra në zonën industriale të Vlorës,  një terminal lundrues përsa i përket shpërndarjes së gazit të lëngshëm në shkallë të vogël.

Këto ishin të gjitha të dhënat nga sektori energjetik.

Ju falënderoj për vëmendjen!

 

Duke KLIKUAR mund të njiheni me materialin e plotë të prezantimit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë ciklit të takimeve “Ekonomia në Fokus”