Zëvendës Ministri Musabelli prezanton projektligjin në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/12/2016

Zëvendës Ministri Musabelli prezanton projektligjin në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë

p1220574

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Gëzim Musabelli ishte sot i pranishëm në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku prezantoi para deputetëve projektligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin, në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore në veprat hidroenergjetike”.

Z. Musabelli gjatë fjalës së tij ka theksuar se ky projektligj ka si qëllim të garantojë sigurinë dhe shëndetin e punonjësve dhe personave të tjerë që kryejnë punë në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike. Zëvendës Ministri tha se hartimi i një ligji të ri ka ardhur si rrjedhojë e paqartësisë së rregulloreve bazë teknike për sigurinë në punë, të dala para vitit 2000, si dhe të ligjeve ekzistuese me dispozita ligjore të paqarta.

“Një problem tjetër që pritet të rregullohet me miratimin e ligjit të ri është rregullimi ligjor për çështjet e sigurisë në punë në ndërtimin e punimeve nëntokësore (tunele, galeri, kanale, puse) në veprat hidroenergjetike, pasi deri më sot asnjë institucion shtetëror nuk mund t’i kontrollojë, përfshirë këtu edhe RISHM, si i vetmi institucion në Shqipëri për kontrollin e sigurisë për punimet nëntokësore minerare. Pra, do të ketë mbështetje ligjore për inspektorët e sigurisë në miniera, të cilët do të shtrijnë veprimtarinë dhe fushën e veprimit edhe në objektet nëntokësore të veprave hidroenergjetike”, u shpreh z.Musabelli.

Zëvendës Ministri sqaroi se ligji i ri përcakton përgjegjësi, të drejta dhe detyrime për të gjithë pjesëmarrësit në zhvillimin e kësaj industrie, duke përshirë edhe punonjësit të papërcaktuar në ligjet e sotme.

“Vlen të theksohet fakti që sot industria minerare dhe energjetike janë degë të rëndësishme të ekonomisë kombëtare, me shtrirje në të gjithë territorin e vendit dhe e drejta e ndërtimit dhe shfrytëzimit të tyre është tërësisht në duart e sektorit privat dhe vetëm e drejta e pronësisë mbi pasuritë natyrore është e shtetit. Pjesëmarrja e sektorit privat në këto industri ka sjellë një ndërthurje të re midis investitorëve dhe subjekteve kontraktore, nënkontraktore, që marrin pjesë në ndërtimin, shfrytëzimin e zhvillimin e kësaj industrie. Për këtë arsye, lind nevoja që të rregullohen me ligj përgjegjësitë, të drejtat e detyrimet që ka secila palë për sigurinë në punë, pasi deri sot njihet vetëm zotëruesi i lejes”, nënvizoi Zëvendës Ministri.

Z.Musabelli tha gjithashtu se do të krijohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), ku parashikohet kalimi i kompetencave të RISHM në këtë institucion të ri.