Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në Kuvend
Shpesh preferon të thuash zëdhënësi për energjinë, por në fakt, ti vet do mbahesh mend vetëm për atë neologjizmin fantastik që nuk e gjen në asnjë fjalor, për “mini-superfuqinë” energjitike. Mini dhe super vetëm në trurin e Sali Berishës mund të qëndrojnë në fakt. Njësoj është nekrofilia e tij! Ky është i vetmi njeri i dashuruar me krimin, me kufomën që ka krijuar në sektorin energjitik në Shqipëri. Sot vjen dhe thotë, kufomën që kam krijuar unë pse nuk e ngjallët ju? E keni bërë gabim që nuk e ngjallët kufomën që ju shkaktova unë thotë!
Po kush e solli CEZ-in në Shqipëri? Na pyetët ne kur privatizuat CEZ-in, në atë formë që e privatizuat? Nuk na pyetët! Kush e bëri aferën me CEZ-in, kush u dashurua me ta? Të gjitha ato vendime, janë vendime të cilat kanë shkatërruar sektorin energjetik dhe janë bërë me urdhër të Sali Berishës. Të gjithë e dinë shumë mirë që Enti Rregullator i Energjisë kontrollohej dhe raportonte në zyrën e Sali Berishës. Meqenëse KESH-in e kishte LSI-ja, kështu thoshte ai, Enti Rregullator është i imi dhe të gjithë do të raportojnë tek unë. Pse e shkarkuan Bujar Nepravishtën pasi u miratoi çekëve çmimin? Le të dalin këtu pasi ka dëshmitar, do dalin letrat. Pasi i tha t’ju miratosh çekëve çmimin, doli tha e ke bërë pa dijeni time! Tamam si njeriu që ‘hedh gurin e fsheh dorën’, këtë e bëri Sali Berisha! U përmend këtu me shumë të drejtë ajo shkresa e Ridvan Bodes.
Ky ngatërron jo vetëm shifrat por edhe konceptet. Arbitri thotë ky, po cili arbitër? Ai është avokati i qeverisë, jo arbitri. Nuk e ka të qartë as ku ndryshon arbitri nga avokati. Ai ishte një avokat që kishte ndërtuar çështjen e tij në dobi të çështjes shqiptare. Është krejt normale që avokati do ti fryjë, do të bëjë çmos që çështja shqiptare të mbrohet sa më fort. Po meqë po flasim për këtë, pse nuk i ndoqe ato këshillat e avokatit? Ajo heqja e licencës është si ‘dardha që ka bishtin prapa”. Kush mban përgjegjësi që sipas ligjit dhe të këshillës së avokatit ju nuk bëtë shpronësim? Çfarë thotë avokati?! Për aq kohë sa nuk keni bërë shpronësim, thotë ai, nuk duhet të prekni asnjë aset, nuk duhet të merrni asnjë masë, asnjë sahat të mos vini. Nuk duhet të ndërmerrni asnjë veprim tjetër që të silleni si pronar, pa bërë më parë shpronësimin. Diçka që në fakt ju nuk e bëtë, qeveria nuk e bëri. Mbase nuk kishte para për ti privatizuar, po kufomën e la aty, ia la litarin jashtë qeverisë tjetër.
Tani thotë broçkulla, po kush i ha ato? Është edhe kontradiktor kur flet. Thotë në vitin 2012, Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave thërriti Kastriot Ismailajn. Po kush e arrestoi Kastriot Ismailajn? A u arrestua gjatë periudhës së kësaj qeverie? Ai Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, çfarë bëri me të, pse nuk e arrestoi? Sapo e tha këtu! Apo bëri ndonjë marrëveshje me Kastriot Ismailajn? E tha vet këtu pak më parë se në vitin 2012 drejtori thërriti Kastriot Ismailajn.
Nga ana tjetër, u përmendën këtu kompanitë. Të gjitha ato kompani janë kokë e këmbë të lidhura me pushtetin e asaj kohe. E dinë shumë mirë lidhjen, të gjitha morën paratë. U bë edhe një gjë më e tmerrshme, morën para nga Buxheti i Shtetit. Çfarë bëtë edhe një gjë tjetër në 2013? Bëtë marrëveshjen e vetëgjyqësisë, shteti nuk paguan i thonit çekëve ndaj as CEZ-i nuk duhet të paguajë KESH-in. Por kjo do të thotë se e hante gjithmonë faturën KESH-i. Çfarë bënë? Institucionet publike nuk paguanin brenda 90 ditësh duke krijuar borxh dhe vinin këta mjeshtrit i thonin ‘sa ka Ministria Financave, 50 milion? Jepi 50 merr gjysmën’. Këtë bëtë ju dhe kjo është e vërtetuar, bëtë marrëveshjen e vetëgjyqësisë financiare-energjetike. Kompania që mori përsipër auditimin tha në fund se vetëm prej kësaj marrëveshjeje e reduktuat borxhin e KESH-it, atë që ky thotë me miliarda, në vetëm 70 milion dollarë. Aq i detyrohej CEZ-i çek, pikërisht për shkak të vetëgjyqësisë që krijuat vet. Këto veprime tuajat jo vetëm e shkatërruan sektorin energjetik, por dëmtuan çështjen edhe në Arbitrazh. Avokati tha se 9 muaj qeveria shqiptare nuk kishte bërë asgjë dhe meqë ju latë litarin jashtë, vini na thoni ta kishit vazhduar çështjen. Thoni se ato çka nuk i kryet ju në kohë dhe që nuk mund të përsëriten duhet ti bënim ne. Gjithçka duhej bërë në kohën e duhur dhe kjo nuk u bë nga ish qeveria. Atëherë çfarë do të bënte qeveria e re? Do e linte sektorin energjetik të shkatërrohej fare? Nuk latë asnjë alternative ju. Në momentin që nuk bëtë as shpronësimin, e latë sektorin me sytë nga qielli. Sektori kishte nevojë për investime dhe investimet ju e dini shumë mirë që vinin vetëm me një pronësi të qartë të sektorit të shpërndarjes. Prandaj, marrëveshja me CEZ qe zgjidhja më e mirë, e kërkoi Banka Botërore, e kërkoi FMN. Ne zgjodhëm institucione ndërkombëtare të Bashkimit Europian për ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e çështjes, kurse ju jeni takuar në hotele dhe pa asnjë ndërmjetësim ndërkombëtar. Çfarë investigimi ndërkombëtar doni? Bëjeni investigimin, merrni përgjegjës Bashkimin Europian dhe thoni këtu është bërë korrupsion se u falën 600 milion euro, mbase edhe BE-ja qenka e përfshirë në këtë korrupsion. Hajde ta hapim edhe këtë kapitull, por diferenca është shumë e qartë!
Ai është thjesht një tip nekrofil. Bëri orgjinë me çekët, si të thuash i vuri zjarrin shtëpisë, vjen tani i thotë banorit të ri se ti duhet të gjesh që në orgji e sipër kush e kishte fajin që mori flakë shtëpia. Ama thotë se zjarrin në shtëpi mos e shuaj. Ne kishim detyrë ta ringrinim këtë sektor dhe faktet ja ku janë. Pikërisht për shkak të çlirimit të sektorit nga gjithë këto probleme kemi arritur të thithim investime. Janë rreth 400 milion dollar të garantuar si investime në sektor deri në vitin 2019. Kjo sepse pronësia mbi sektorin energjetik është e qartë, e ka shteti shqiptar, nuk është në një gjyq që do të vazhdonte 5 vjet. Ja ku janë rezultatet. Vetëm nga eliminimi i humbjeve kemi në disa muaj përfitim financiar me mbi 100 milion euro, ndërsa ju vetëm gjatë drejtimit të Sahit Dollapit shkaktuat 270 milion euro humbje.
Përsa i përket atyre proceseve penale që përmende, ajo është si të lash duart. Të dorëzosh padi më 30 Korrik, kur për 6 muaj nuk kishit bërë asnjë veprim procedurial siç ju kërkonte avokati, kjo tregon që paskeni bërë padi në momentin që latë pushtetin. Ti kishin bërë këto padi penale me kohë! Ai Kastrioti që përmend ai është në burg, edhe të tjerë mund të shkojnë në burg. Ndërkohë, çfarë bëtë ju? Me ato gjoja padi penale që i filluat për CEZ-in, në fakt nuk dëgjuat avokatin dhe kjo është e vërteta pasi janë të dokumentuara ato që ju tha avokati për ndërprerjet e energjisë për ujësjellësit. Lëshuat policinë dhe të gjitha ato padi u pushuan po nga prokuroria, në kohën e qeverisjes suaj. I dhatë edhe prova të tepërta çekëve sepse u quajtën veprime arbitrare. Në kohën tuaj janë bërë këto, ndaj mendoni mirë para se të flisni.
Ne kishim një detyrë para shqiptarëve dhe e bëmë. Nekrofili la pas kadavrën me të cilën qe i dashuruar dhe fërkonte barkun duke menduar se sektori energjetik do ti fundosë këta. Ne vendosëm të ndërmarrim veprime të guximshme, për ti dhënë zgjidhje atij plehut që ju e kishit krijuar. Gjithë kjo rrëmujë u krijua nga ju, nuk kishim asnjë lloj përgjegjësie ne si forcë politike, përkundrazi të dhënat financiare flasin vet.
Shikoni të gjitha raportet ku Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar thonë se sektori energjetik është tashmë sektori më performues. Të ardhurat janë rritur, humbjet janë reduktuar në masë drastike, importi është ulur dhe pikërisht këto për shkak të vendimeve te kësaj qeverie, përfshirë edhe mbylljen e pisllëkut që ju e krijuat.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë