"Prokuroria do hetojë gjithë aferën e privatizimit të kompanisë së Shpërndarjes" - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/12/2015

“Prokuroria do hetojë gjithë aferën e privatizimit të kompanisë së Shpërndarjes”

3_gjiknuri

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në seancë parlamentare

Zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Në fakt, si shumë kolegë të tjerë, unë dua të komentoj për paligjshmërinë dhe anti-kushtetutshmërinë e këtij projektligji. Tashmë është e qartë, nuk e thanë vetëm njerëzit që janë këtu për qëllime politike, por është thënë qartë edhe nga institucionet ndërkombëtare të cilëve ju kërkuam mendim.

Unë dua të flas këtu se cilat janë arsyet e vërteta që hidhet ky projektligj. Jo vetëm për arsye të pastra politike, por unë mendoj që është një taktikë dhe një mburojë për të fshehur hetimin e vërtetë, që normalisht ka filluar dhe do të vazhdojë. Hetimin e vërtetë të asaj që quhet vërtetë afera CEZ, jo asaj të trilluar në kokë, për njerëzit të cilët për hir të vendit dhe për të mbyllur krizën më të madhe financiare bënë një marrëveshje transparente, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian dhe të përshëndetur nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë.

E vërteta e aferës CEZ qëndron pikërisht tek ato që janë përpara. Sesi erdhi CEZ-i në Shqipëri? Cila është e vërteta, çfarë ju bë CEZ-it? Për këtë po përgatisim edhe kallëzimin përkatës, pasi qytetarët shqiptarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën. Ju kërkoj ndjesë se pse nuk e kemi bërë deri tani. Së pari, nuk e bëmë sepse ishim në një periudhë negociatash të zgjidhjes së konfliktit, dhe nëse do bëhej në atë kohë do dëmtonte interesat e palës shqiptare. Së dyti, besuam që KLSH-ja e komanduar nga ty të paktën do ta bënte dhe pjesën përpara zgjidhjes së marrëveshjes më mirëkuptim. Po çfarë bëri? E ndau procesin me njerëzit që e zgjidhën këtë problem dhe ja la prokurorisë, me ato shifrat qesharake që ia dhatë ju. Për pjesën ku akuzohen të gjithë drejtuesit politikë për neglizhencën që kishin treguar, për falimentimin e sektorit energjetik ia la Kuvendit të Shqipërisë. Pra, të krijohet komision hetimor parlamentar tha, dhe asnjë tjetër të mos merret me këtë. Qëllimi i vërtetë i ligjit që ju sillni këtu është pikërisht për ti bllokuar këto hetime, për të futur elementë proceduralë që nuk ekzistojnë dhe që e bëjnë të pamundur hetimin. Nuk ka asnjë kandidat të gatshëm ndërkombëtar që të hyjë në aventurat e tua politike dhe trillet e tua për gjoja afera në lidhje me marrëveshjen.

Po cila është afera e vërtetë?! Unë këtu dua të them ato që shumë shpejt do ti bëhen me dije publikut dhe meriton një hetim të pastër e të thellë nga prokuroria shqiptare, edhe me asistencë ndërkombëtare siç kemi thënë. E para, njëherë është zhdukur dosja e privatizimit. Nuk gjenden dokumentet origjinale themelorë të privatizimit të CEZ. E keni zhdukur. Godina e kryeministrisë, ka zhdukur protokollin zotëria, por shumë shpejt do të bëhet publikë. Nuk ekziston dosje, nuk ka kopje origjinale të dokumenteve. Si erdhi privatizimi?! Çfarë u bë me këtë privatizimin? Ta kuptojnë shqiptarët. Këta privatizuan një ndërmarrje fantazmë, që nuk ekzistonte. Në vitin 2008, në ligjin për përcaktimin e formës, strukturës dhe formulës së privatizimit të OSSH-së, pra që është miratuar në Mars të vitit 2008, ndërmarrja OSSH nuk ekzistonte fare! Ishte një departament brenda KESH-it dhe kishte një bilanc të vitit 2007. Këta privatizuan një gjë që akoma nuk kishte dalë entitet juridik, pasi qëllimi dihet, kishte kohë që i ishte vënë gishti për tu dhënë aty ku u dha.

Çfarë bënë pastaj? Përdorën bilancin e vitit 2007 për të nxjerrë vlerën e privatizimit të kompanisë. Kjo është e vërteta. Me bilanc të vitit 2007 të KESH-it, jo të OSSH-së, u nxor në privatizim OSSH-ja. Për këtë a meriton përgjigje?! Me çfarë të drejte parlamenti miratoi një ligj dhe një V.K.M më vonë Këshilli i Ministrave, për të privatizuar një ndërmarrje që nuk ishte komerciale, që nuk kishte një bilanc të saj, që nuk kishte një strukturë ekonomike të sajën?! Kjo është e para. Çfarë bënë pastaj? Pasi hapën procedurën e privatizimit ndërkombëtar, ndryshojnë gjatë fazës së konkurrencës 3 herë dokumentet e tenderit. Në 1 shtator, në 15 shtator dhe në 29 shtator. Pyetja shtrohet? Pse u bënë këto ndryshime të dokumenteve të tenderit.  Shqiptarët duhet ta mësojnë këtë.

Filloi procesi i privatizimit 0% borxhi i keq i njohur. Për ta kuptuar gjithë shqiptarët, 1% borxhi keq është barazi me gati 7 milion dollarë. Në 9 Shtator u çua 4% sepse si duket në negociatat që zhvilloheshin nën tavolinë, nuk po u dilte mirë pazari. Nga 0% u çua 4%. Pasi u hapën ofertat dhe filloi të negociohej marrëveshja, oferta e privatizimit, papritur qeveria dhe jo Enti Rregullator i Energjisë se kjo është më e bukura, ndryshon deklaratën ose vë bazën e deklaratës rregullatore duke e çuar borxhin e keq 14%. Pra për shkak të ofertës që dhanë çekët, e ndryshuan pasi ishin hapur dokumentet e tenderit, u çua 14%. Do të thotë, 14% janë të barabarta me mbi 200 milion dollarë të marra për periudhën rregullatore pikërisht nga favori që ju bë në negociata me çekët. Për ta kuptuar shqiptarët, gara normalisht duhet të jetë e barabartë. Kur hapen ofertat, asnjë nuk mund të bëjë më ndryshime. Çfarë bënë zotërinjtë? Me negociata, i njohën borxhin që ata kishin propozuar, dhe me vendim qeverie, me kërkesë të Ministrit detyrohet Enti Rregullator i Energjisë që normalisht është një ent i pavarur, të ratifikojë borxhin e keq të bërë me negociata në tavolinë me CEZ-in. Të gjitha procesverbalet për këtë pjesë i kemi gjetur, shumë shpejt prokuroria meriton ta hetojë atë.

Pastaj çfarë bënë?! I njohën 14% borxhin e keq dhe humbjet me gënjeshtër 32% të një ndërmarrje që nuk ekzistonte. OSSH është regjistruar si ndërmarrje pasi ishte hapur procedura e privatizimit në QKR dhe nuk ka pasur asnjë bilanc të sajin tregtar. Çfarë ndodhi pastaj? Mirë që e privatizuan në këtë mënyrë dhe pa një inventar të qartë të aseteve, por lanë edhe një litar tjetër jashtë që qe thelbi i konfliktit me CEZ. Cili është thelbi i konfliktit me CEZ?! Litari ishte ky: baza nga e cila do të llogaritet për efekte tarifore, pavarësisht se u njoh 14%, do të dalë pas mendimit të një pale të tretë audituese që do të binin dakord qeveria shqiptare dhe kompania CEZ, për të nxjerrë vlerën reale të humbjeve dhe vlerën reale të borxhit të keq. Çfarë ndodhi? Pasi kishin zgjedhur në mënyrë të përbashkët auditin e pavarur, pra palën e tretë, dolën që humbjet ishin 37%, pra që kishin gënjyer në dokumentet e privatizimit dhe borxhi i keq doli 16.8%. Për shkak të nxitimit, Banka Botërore me shkresë e ka thënë dhe të gjitha këto dokumente do të bëhen publike, do ti çohen edhe prokurorisë. Banka Botërore u ka thënë jeni nxituar me procesin e privatizimit. Edhe konsulenti ka thënë që nuk mundet që kaq shpejt kjo ndërmarrje të privatizohet.

Megjithatë, ti kishe qëllimet tua politike, kishe vajtur në Pragë, kishe bërë marrëveshje me ta për arsyet e tua politike dhe ishe i vendosur, i gjithë procesi drejtohej nga zyra e kryeministrit. Një pjesë e protokollit, unë dua t’ia them shqiptarëve se është zhdukur. Është zhdukur protokolli, e ka marrë me vete, se ka pasur protokoll të veçantë zotëria dhe nuk ka lënë komunikim atje me Ministrinë. Por disa letra kanë dalë nga Praga, disa letra janë gjetur edhe në Ministri dhe çështja po ndërtohet pak nga pak.

Të vazhdojmë. Pasi lanë litarin jashtë, filluan konfliktin, se kështu është marrëdhënia CEZ-t po ta shikosh, në momentin që rregulloheshin marrëdhëniet, fillon tolerohet CEZ-i. Në momentin që prisheshin për arsye pazari, goditeshin, lëshoheshin tatimet, lëshoheshin përmbaruesit etj. Çfarë bënë pastaj? Në vitin 2011 nuk pranuan paktin që kishin rënë dakord vet dhe këtu filloi konflikti. U krijua kriza që u krijua. Akuzoi ish kryetarin e ERE-s, e ka thënë publikisht, për këtë prokuroria duhet të hetojë. Po e përsëris, e shkarkuam tha Bujar Nepravishtën për arsye se kishte influencuar CEZ-in për marrjen e vendimit, njeriu që kishte vendosur kryeministri në krye të Entit Rregullator të Energjisë.

Atëherë, që në fillim kemi moskallëzim krimi. Ke pasur dijeni që në kurriz të interesave publikë është luajtur interes financiar, është favorizuar kompania dhe nuk ke bërë asgjë. Pra, asnjë organ i joti nuk e ka kundërshtuar atë vendim që ti tashmë po e thua publikisht, që për këto arsye unë kërkova dorëheqjen e kryetarit të ERE-s. Do të thotë që ti ke pasur dijeni për të. Gojët e liga, unë ta kam thënë njëherë dhe po ta them, thonë që ke urdhëruar ti dhe pastaj për të fshehur gjënë i ke thënë hap krahun. Pra, jep dorëheqjen që ta mbash ti atë faturë. Hetimi të bëhet këtu në Shqipëri dhe le të vijnë edhe ekspertë ndërkombëtar, ne të hapur jemi.

Çfarë bëre ti në 2012? Është ajo që quhet vënia e vulës të gjithë marrëdhënies që keni patur me CEZ. Keni negociuar në mënyrë të fshehtë në marrëveshjen e ashtuquajtur Guxholli-Bode. Them marrëveshja Guxholli-Bode sepse Ministria e Ekonomisë ishte jashtë loje në atë kohë. Çfarë thotë kjo marrëveshje e bërë në Prill në zyrën tuaj?! Ka komunikime me palën çeke, thuhet edhe me argumente që për shkak se ne nuk respektuam kushtet e kontratës, dhe Enti Rregullator i Energjisë nuk i morri këto vendime në kohë, ne pranojmë ti njohim palës çeke këto për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar dhe për të shmangur çdo lloj dëmi që mund të vijë nga konfliktet e shumta çfarë doli konkluzioni. I njohëm borxhin e keq në 16.8%, madje e çuam edhe në 20.7%. 20.7% vajti borxhi i keq. U fut formula ‘alla-Bode’ që thanë institucionet publike nuk duhet të paguajnë CEZ-in dhe CEZ-i nuk duhet të paguajë KESH-in.

Ja ku është marrëveshja dhe të është drejtuar ty: “I dashur Kryeministër. Jam shumë e kënaqur që grupi punës që formuat ju pas vizitës së Kryeministrit çek arriti në këtë marrëveshje kaq të shkëlqyer”.  E fshehtë kjo! Në asnjë ligj, në asnjë autorizim juridik as nga Parlamenti shqiptar dhe as nga një organ tjetër nuk është autorizuar. Çfarë thotë këtu?! Do ti njihet borxhi deri në 20.7%. Ndërkohë, i shkuat tek niveli 16.8% që ka qenë formulë e privatizimit dhe që thashë është marrë në tavolinë, jo në bazë të dokumenteve që kanë dalë në privatizim. Vetëm ky veprim është 90 milion euro i pastër që është goditur KESH-i. Pyetja shtrohet nga ana juridike, me çfarë të drejte ti dhe njerëzit e tu, ata dyshja Guxholli-Bode morën përsipër ti japin faturë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare?! Se në fund të fundit, ti mund të na akuzosh njëqind herë ne që bëmë një marrëveshje për të zgjidhur konfliktin, pikërisht për këto shkaqe që ti e çova në konflikt, por e bëmë me ligj parlamenti, me vendim qeverie, me një negociatë të bërë në mënyrë transparente në zyrat e Bashkimit Europian. Por marrëveshja Guxholli-Bode e bërë pa autorizimin e Kuvendit, pa autorizimin e qeverisë dhe më vonë e ratifikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, vendime që janë marrë në zyrën tuaj e noterizuar nga një Ent i Pavarur, me çfarë të drejte juridike e bën?! Atëherë prokuroria shqiptare me të drejtë do të hetojë. Edhe kjo dosje po përgatitet. E di që dikush mund të thotë me vonesë, i kërkoj ndjesë, por shpresuam në dokumentacionin që ju vu KLSH-së, ti shkonte çështjes deri në fund. Po ai kishte marrë misionin politik, i thanë ‘varrose pjesën tonë dhe këta që zgjidhën problemin oburra çojini në prokurori’.

Pas marrëveshjes Guxholli-Bode, që kuptohet i solli dëm Korporatës Eletroenergjetike Shqiptare, të ndodhur në panik, sepse zgjedhjet po afronin, situata financiare në sektorin energjetik kishte vajtur aty ku nuk mbante më dhe pazaret nuk po funksionin mirë. Edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm. Gjatë kohës që negociohej marrëveshja Guxholli-Bode,  6 kompani të mbledhjes së borxheve mbinë. Regjistrohen në prill në QKR dhe shumë shpejt futen në lojë me CEZ-in, pra mbledhin borxhet e CEZ-it. Atëherë prokuroria duhet të hetojë, çfarë ka ndodhur? A është kjo koiçidencë e rastit që 6 kompani morën këto kontrata, ndërkohë që negociohej marrëveshja Guxholli-Bode. Këtë çështje duhet ta hetojë prokuroria për të dalë se kush ka qenë roli i këtyre kompanive dhe pse janë përdorur këto për të arritur këtë marrëveshje.

Në kundërshtim me ato që thoni këtu dhe në mashtrim të hapur deklaroni që Banka Botërore na ka urdhëruar që të prishim marrëveshjen me CEZ dhe të marrim vendim për përzënien e tyre. Nuk është e vërtetë dhe dokumentet me shkrim janë ku thonë, bëni një marrëveshje të negociuar. Nuk keni të drejtë të shpronësoni, mos u nxitoni pasi pasojat do ti keni shumë të rënda. Madje u bllokua e gjithë asistenca financiare për sektorin energjetik për shkak të nxitimit që ju kryet. Me atë nxitim që ju bëtë, për arsye të tua politike se po afronin zgjedhjet more përsipër edhe çështjen DIA, ku avokatja jote e shtetit akuzon ish Ministrin tënd që nuk kishte kohë të merrej me çështjen CEZ, pra z.Mima se e kam thënë këtu, po në kohë lëshonte koncesione me një numër jashtëzakonisht të lartë, 30 në ditë, ditën e fundit kur qeveria re betohej në parlament. Nuk bëtë detyrën dhe avokatja jote e shtetit të akuzon kur thotë: z.Kryeministër jemi në rrezik, pasi shteti shqiptar ka 8 muaj që nuk bën asnjë veprim, as shpronësim, as vlerësim asetesh, as vlerësim të situatës teknike, as inventar të kompanisë. Këto e dëmtojnë rëndë pozitën e Shqipërisë. Asnjë nga rekomandimet e avokatit, megjithë memorandumin e nënshkruar, nuk po zbatohet nga qeveria jote. Ti thotë Ledina këto, të ka çuar letër. Z.Kryeministër thotë, çështja e DIA-s është marrë përsipër nga shteti shqiptar sepse mënyra në momentin kur hoqe forcërisht licencën, të gjitha detyrimet që kishin të hapura, i kemi marrë ne përsipër. Do të thotë që e kishe llogaritur që ishte detyrimi jot.

Të gjitha këto bëjnë përgjegjës njerëzit e tu për mosveprim, saqë avokati ndërkombëtar e thotë qartë, që për shkak të mosveprimeve në kohë nga ana e qeverisë shqiptare u dëmtuan rëndë pozitat e Shqipërisë dhe nuk mund të ktheheshin më mbrapa. Ky është realiteti që meriton një hetim të plotë. Ne do ti shkojmë deri në fund këtij hetimi. Do të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, prokuroria është aty. Instrumentet tuaj politikë na çuan në prokurori për arsye që ju e donit, sepse donit edhe të shpëtonit të gjithë atë katrahurë që kishin bërë dhe të na bënit ne përgjegjës. Ka filluar hetimi për DIA dhe z.Ismajli, megjithëse ti ke filluar ti qash hallin atij dhe nuk e kuptoj. Ndërkohë më thua marrëveshje e fshehtë. E kemi thënë publike, DIA është tërhequr nga arbitrazhi. Personat legjitimë dhe këtu po e them me përgjegjësi të plotë, procedurat e arbitrazhit janë duke u mbyllur dhe shumë shpejt do të bëhet publike. Por unë nuk dua të të shuaj kërshërinë tënde sepse ti je nga ata dhe shumë njerëz të tjerë kanë menduar që të hajë një goditje qeveria shqiptare nga procesi mashtrues i DIA-s. Ne bëmë marrëveshje ku DIA u tërhoq për shkak të provave të marra pas zgjidhjes së marrëveshjes me mirëkuptim, pasi ato para do të ishin lënë në tavolinë. E kam thënë këtu dhe po e them prapë, DIA ishte e humbur në tavolinë për shkak të veprimeve të tua. Ka një vendim të Vjenës ku thotë që për shkak të heqjes forcërisht të administratorit, administratori i përkohshëm i CEZ nuk ka të drejtë të përfaqësojë kompaninë, as aksionerët e saj. Dhe si rrjedhim, prokura e tij në këtë arbitrazh është e pavlefshme. Detyrohet kompania e shpërndarjes në kohën që kishit administrimin ju dhe ne më pas, pra për shkak të veprimeve që kishe bërë, do paguante 135 milion euro garanci ose do të jepej një vendim në favor të paditësit, pra të Kastriot Ismailajt. Ky është realiteti dhe një gropë tjetër që ti e lë të hapur.

Çfarë bëmë? Bashkëpunuam, morëm provat dhe ai njeri është në burg. Për shkak të këtyre provave, aksionerët e tjerë, aksioneri kryesor tha unë tërhiqem pasi nuk e dija për thellësinë e kësaj marrëveshje. E rëndësishme është që shtetit iu shpëtuan këto para dhe ti plas sa të duash me ndonjë tjetër se dëshira juaj ka qenë që këto para të humbnin, që të fajësonit qeverinë shqiptare apo ato trillet e tua politike në lidhje me përçarje të koalicionit e të tjera si këto.

Së fundi, këtu nuk ka nevojë për ekspertë ndërkombëtarë për të asistuar prokurorinë shqiptare, për të kuptuar qartë se pse u ndryshuan dokumentet e tenderit gjatë kohës së paraqitjes së ofertave? Përse deklarata rregullatore u ndryshua pasi oferta ishte hapur? Përse u bënë ato favore në privatizim CEZ-it? Pse nuk kishte inventar të aseteve të saj në momentin që u privatizua? Si mund të privatizohet një kompani e cila nuk është krijuar akoma? Si u bë marrëveshja Guxholli-Bode pa asnjë autorizim të Kuvendit dhe 90 milion euro ti ngarkohen KESH-it, me çfarë akti juridik e bëtë? Së fundi, ku është përgjigja për neglizhencën mbas heqjes së licensës kur ligji thotë brenda 60 ditësh, ligji për shpronësimet, duhet të bëhet vlerësimi aseteve dhe të fillojë procedura e shpronësimit, meqenëse i hyre asaj rruge, por edhe atë nuk e bërë, por le litarin jashtë?

Duke e mbyllur meqë përmende ato mizaskenat e tua gjoja dramatike që të paskan kërcënuar ty. Unë ta thashë publikisht. Gojët thonë, mbase janë të liga, por kanë dalë të dhëna që djali jot, që nuk është ndonjë rastësi ka qenë i lidhur me këta emrat që u përmendën këtu. Ka pas lidhje apo jo, kjo i mbetet hetimit të prokurorisë. Por prokuroria ti shkojë telefonatave deri në fund, të marrë tabulatet e këtyre personave dhe të djalit tënd dhe të shikojmë, ka apo nuk ka lidhje. Unë nuk dua të them. Tani, a ka qenë djali jot i përfshirë në këtë nuk mund ta jap me garanci të plotë, por që djali jot është bërë edhe personazh filmash ndërkombëtar, sypeshkaqeni si i thonë dhe shumë shpejt Hollywood-i do të prodhojë një film, tani kjo bëhet botërisht e njohur. Realisht të shkon mendja që ky është personi i parë i dyshuar. Po edhe këto gjëra le t’ia lëmë hetimit, unë jam i gatshëm për veten time, se të thashë nuk kam pas asnjë merak, pasi gjithë kjo marrëveshje e thashë është marrëveshje transparente në të mirën e vendit, e bërë me mbikëqyrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe ka qenë një marrëveshje e mbyllur nga parlamenti shqiptar. Përgjigjet e tjera jepi ti në lidhje me ato që unë thashë këtu.

Faleminderit!