Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë z.Koli Bele prezantoi sot para Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin në fuqi nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar”.
Kalohet nga përfshirja në Marrëveshjet Hidrokarbure të klauzolave të hapura dhe të pakufizuara në kohë lidhur me stabilitetin e regjimit fiskal në aplikimin e tyre në një afat kohor të kufizuar, 12 vjet nga data e fillimit te prodhimit te hidrokarbureve, dhe përjashtimi nga këto klauzola të çështjeve që lidhen me sigurinë kombëtare, marrëdhëniet e punës, mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, mbrojtjen e shëndetit të njeriut, detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë etj.
Është realizuar ndarja më e qartë e afateve kohore që përfshihen në periudhën e kërkimit me atë të vlerësimit të një zbulimi. Po kështu ka disa shtesa që lidhen me ndryshimin e konceptit të klauzolave të stabilitetit të regjimit fiskal, duke futur kufizueshmëri në kohë, e cila nuk duhet të tejkalojë afatin 12 vjet nga fillimi i prodhimit te hidrokarbureve dhe përjashtimi nga ky regjim e disa rasteve.
Shtesa janë bërë me qëllim angazhimin për ringritjen e Institutit shkencor të hidrokarbureve dhe ripërcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të Drejtorisë Hidrokarbure që aktualisht është pjesës përbërëse e AKBN, e lidhur ngushtë me ato të Institutit shkencor të hidrokarbureve.
Me këtë projektligj parashikohet krijimi i Institutit shkencor të hidrokarbureve, i cili do të mundësojë rritjen e kompetencës teknike dhe shkencore të Palës Shqiptare në industrinë hidrokarbure në përgjithësi dhe sidomos në aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, duke garantuar ndërtimin e politikave të tilla, të cilat do të rrisin efektivitetin dhe eficencën e shfrytëzimit të vendburimeve hidrokarbure të cilat sikundër dihet janë shteruese, jo të rinovueshme, dhe strategjike për zhvillimin ekonomik, dhe jo vetëm, të vendit.
Për këtë arsye do të behet edhe një riorientim i kompetencave dhe detyrave të AKBN që lidhen me aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, e cila do të përqendrohet më shumë në monitorimin dhe ndjekjen e operacioneve hidrokarbure.
Rikrijimi i Institutit është domosdoshmëri pasi është ndjere në mënyrë thelbësore mungesa e tij nga momenti kur ish-Qendra Kombëtare Shkencore e Hidrokarbureve u shkri. Nisur nga aktiviteti shume intensiv në vendin tone për kërkimin dhe prodhimin e naftes dhe të gazit, mungesa e nje institucioni shkencor ka shkaktuar nje boshllëk të karakterit të pjesëmarrjes të palës shqiptare veçanërisht në procesin e trajtimit të propozimeve dhe me tej implementimit të tyre nga shoqëritë që kryejnë aktivitet në industrinë e naftes, sepse realizimi i skenarëve të ndryshëm zhvillues por edhe kryerja e vlerësimeve oponente kërkon mbi të gjitha njohuri shkencore për sektorin.
Per ringritjen e këtij instituti Qeveria e Republikes se Shqiperise e ka shprehur synimin e saj edhe ne marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri”.
Synohet gjithashtu përmirësimi i disa klauzolave të ligjit ekzistuese që kanë të bëjnë me përcaktimin e procedurave që duhet të ndiqen për lidhjen e Marrëveshjeve Hidrokarbure për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, duke përfshirë si kusht edhe garantimin e sigurisë kombëtare në rastin e lidhjes apo transferimin e kuotave të Marrëveshjes Hidrokarbure.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë