Ngjarja në Ballsh, Gjiknuri: Hetimet do zbardhin plotësisht atë çka ndodhi - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/11/2016

Ngjarja në Ballsh, Gjiknuri: Hetimet do zbardhin plotësisht atë çka ndodhi

gjiknuri_ballsh

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së enjtes në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh, ka mbërritur në vendngjarje. Ministri Gjiknuri duke i shprehur ngushëllime familjes së punëtorit i cili humbi jetën në shpërthim, tha se do të bëhet gjithçka që të plagosurit të marrin trajtimin e duhur mjekësor.

“Ndërkohë janë 5 të tjerë të plagosur dhe nga informacionet që kemi një pjesë e tyre po trajtohen në Tiranë, një pjesë në spitalin e Fierit. Gjendja e tyre përgjithësisht është e mirë, me përjashtim të një rasti i cili ka disa djegie më të rënda dhe nga informacionet paraprake është duke u trajtuar nga mjekët dhe ne shpresojmë dhe i lutemi Zotit që edhe ai të rikuperojë sa më shpejt së bashku me shokët e tjerë, “ u shpreh Gjiknuri.

Ministri theksoi se tashmë janë marrë të gjitha masat e sigurisë që të mos ketë më rreziqe të mëtejshme dhe se në vendngjarje janë të gjitha autoritetet përkatëse si Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ashtu dhe Policia e Shtetit, të cilët po kryejnë hetimet për të gjetur shkakun real të ngjarjes.

“Inspektorati Teknik, drejtori është këtu së bashku me ekipin e tij po bën ndërkohë investigimet përkatëse. Zjarri është plotësisht i shuar. Nga ajo çka pashë edhe unë me sytë  e mi dhe nga informacionet që kam marrë kemi të bëjmë me shpërthimin e një bombule tek reparti i hidrogjeni, pra bombul hidrogjeni, tek reparti i fundit që del dizeli. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e gjithë strukturave brenda uzinës, të cilët kanë një repart të tyre për fikjen e zjarrit. Ata kanë vepruar në kohë dhe zjarri është kontrolluar në një kohë rekord”, nënvizoi ai.

Gjiknuri shtoi se ndërkohë që ngjarja po hetohet nuk mund shprehej paraprakisht se kush ishte shkaku i vërtetë i shpërthimit dhe se hetimet do të zbardhin plotësisht atë që ka ndodhur.

“Nuk do të ishte e ndershme për ne, e denjë dhe morale që ne të shpreheshim para kohe se kush është shkaku i vërtetë. Po hetohet, nuk më takon të flas. Patjetër që hetimet do të kryhen të plota nga autoritetet. Unë garantoj që për momentin që flasim nuk do të ketë më probleme. Reparti është jashtë funksionit, zjarr nuk ka më, nuk rrezikohet më asnjë jetë njeriu dhe ndërkohë mbarëvajtja e të gjithë aseteve është krejt normale. Pjesa tjetër le të lëmë hetimet të flasin. E rëndësishme tashti është që ne të jemi pranë familjarëve të viktimës”, përfundoi Ministri Gjiknuri.