Mesazhi i ngushëllimit i Ministrit Gjiknuri për familjet e minatorëve kinez:
Pas shtatë ditësh kërkimesh intensive të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave dhe kompanisë kineze, para pak minutash u bë e mundur nxjerrja në sipërfaqe e trupave të pajetë të tre minatorëve shtetas kinez që kishin mbetur në nivelin e 21-të, pas aksidentit tragjik të së shtunës së kaluar. Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, Ministria e Energjisë e Industrisë dhe Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave u angazhuan maksimalisht dhe morën masat e nevojshme për kryerjen e operacionit të vështirë të kërkim-shpëtimit.
Gjej rastin të shpreh ngushëllimet e mia të thella familjeve, miqve dhe të afërmve të minatorëve që humbën jetën në këtë aksident. Shpirti i tyre u prehtë në paqe!
Njëkohësisht dua të shpreh falenderimet e mia dhe për grupet avaro/shpëtuese që punuan në kushte jashtëzakonisht të vështira, natën e ditën, me shpresën se do të arrinin të nxirrnin të gjallë prej fundit të minierës tre punëtorët kinez. Shpresë e cila u shua fatkeqësisht mbrëmjen e kaluar kur u gjetën trupat e pajetë në vatrën e aksidentit.
Pas nxjerrjes së trupave, autoritetet shtetërore do të analizojnë dinamikën dhe shkaqet e këtij aksidenti për të garantuar marrjen e të gjitha masave të nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë