Fjala e mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri
I nderuar drejtues i seancës,
Të nderuar deputetë,
Nuk kisha ndërmend të reagoja por po flas meqënëse u hodhën disa. Akuza tamam si ato mullinjtë e erës për të cilët foli këtu dikush, megjithëse mulli ere ishin ato që proklamuan si superfuqi energjetike, që do ndërtonin 600 megavat mulli ere në Karaburun dhe nuk u bë asgjë. Janë pikërisht të njëjtit persona që promovuan superfuqinë e ëndrrave dhe që hedhin akuza vazhdimisht për sektorin energjetik. Ka një të vërtetë shumë të thjeshtë, që e kanë të vështirë ta kapërdijnë, që sektori energjetik po performon. Këtë nuk e thotë vetëm qeveria shqiptare, e thotë Banka Botërore, e thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Jo më larg se dje, deklarata e Bankës Botërore thoshte që efektet e reformës në energji po ndihen dhe janë të prekshme. Do të thotë që reforma energjetike po shkon aty ku u bë plani, për ta rimëkëmbur këtë sektor i cili qe totalisht i shkatërruar.
U hap një debat këtu krejt fals për gjoja të dhëna të rreme. Po mirë mo, a ka budallenj sot të gënjejnë me shifrat financiare, me arkëtimet? Ato janë të dhëna financiare, si ti thuash një magazinieri për mallin që ke në magazinë. Të dhënat financiare asnjë nuk mund ti manipulojë sepse janë të auditueshme, janë të verifikueshme, si nga KLSH-ja, ashtu edhe nga kompanitë e auditit. Ne kemi detyrim që Operatori i Shpërndarjes, ashtu siç edhe kompanitë e tjera energjetike të auditohen nga kompanitë e mëdha audituese. Ato të dhëna janë aty. Arkëtimi është i vërtetë, ju mund të mërziteni por janë 65 miliard lekë. Ndërkohë që në vitin 2013, arkëtimi juaj nuk ka shkuar më shumë se 38 miliard lekë. Ky është realiteti dhe këto janë shifrat. Është e vërtetë që dikush me dashje mundohet të ngatërrojë ato që quhet të ardhura dhe arkëtime. Në planin e kompanisë, të ardhura janë të gjitha shitjet potenciale pra ‘cash floë’ që pritet nga faturimi i energjisë, por jo gjithë faturimi mblidhet. Ne e dimë shumë mirë që ka një pjesë të faturave të cilat nuk mblidhen. Planifikimi ka qenë për 56 miliard lekë, por ndërkohë tek 56 miliard lekëshi hyjnë edhe borxhet e vjetra, se ju këto doni ti fshihni.
Harroni që keni bërë edhe ato akuzat që ju falën lekët CEZ-it. Ato janë lekët, mbi 200 milion euro që ju thoni se ja falëm CEZ-it, janë lekë që janë futur në arkën e kompanisë dhe me këto para, për shkak të reformës u paguan 90 milion dollarë borxhe që i kishit HEC-eve private. Borxhe të krijuara për shkak të politikës së tarifave ku e fundosët KESH-in me marrëveshjen korruptive të vitit 2012 që tashmë po e heton prokuroria. Bëhet fjalë për goditjen që ju bë KESH-it për të kompensuar kompaninë CEZ në vitin 2012, pra që ulët çmimin dhe ato çuan në falimentin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Në zinxhir krijuan 90 milion dollarë borxhe tek HEC-et private.
Cili është realiteti sot? Realiteti është shumë i qartë. Të gjitha këto borxhe për HEC-et private u shlyen ndërkohë që faturat korente po paguhen rregullisht. Kjo për shkak të shtimit të parave në sistem.
Juve ju vjen inat se nuk i arritët dot. E kishit atë ëndrrën e madhe, kishit synime të mira, por çdo njeri nuk gjykohet për shkak të ideve dhe synimeve që ka. Problemi është që qeverisja matet me vepra. Në energjetikë gjërat janë të dukshme, në energjetikë ana financiare është krejt e dukshme. Sa arkëton, sa i ke humbjet dhe çfarë ekspozimi i jep Buxhetit të Shtetit? Mjafton ti kujtojë publikut që kur ishin këta zotërinj, Buxheti i Shtetit shqiptar garantonte dhe merrte para të nevojshme, garanci financiare të cilat duhet të shkonin për investime të tjera. Mbi 230 milion dollarë në mos gaboj, shkonin për të garantuar gropën në sektorin energjetik. Sot që flasim nuk ka asnjë financim nga Buxheti i Shtetit.
Edhe ajo që ndodhi me këtë Akt Normativ për 1 miliard lekë është për kredi të butë që i jep qeveria KESH-it për të lehtësuar disa nga overdraftet që kanë marrë me çmime të larta, në momentin që ju e falimentuat korporatën. E falimentuat për shkak të vendimmarrjeve korruptive që thashë të vitit 2012, kur i ulët çmimin e shitjes KESH-it nga 2.8 në 2.2 lekë. Gjithë ky kaos do vite të rregullohet, se sektori energjik nuk është nga ato gjërat që mund të shkosh dhe ta rregullosh brenda vitit. Ne kemi një program të bashkërënduar me Bankën Botërore, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili është plani i rimëkëmbjes energjetike. Shikoni parametrat e planit, shikoni të dhënat financiare dhe gjithçka po shkon sipas planit, madje edhe më mirë. Humbjet vajtën më mirë se sa kemi rënë dakord, pritej 32% por janë 31.3% për vitin 2015. Gjithashtu, arkëtimet janë shumë më lart se sa kishim rënë dakord me Bankën Botërore. Do të thotë se ka një performancë shumë më të mirë dhe këto janë të vërteta që nuk i mohon asnjë.
Detyrohet ndonjë të bëjë artikuj apo të bëjë spekulime. Unë e kam thënë gjithmonë, një gjë që ecën do të goditet, do të goditet vazhdimisht në një nga flamujt e suksesit të kësaj qeverie. Qeveria pati vullnet dhe e bëri, me kosto edhe politike pasi nuk është e thjeshtë reforma në energjitikë. Ajo nuk duhet të jetë pjesë e debateve politike. Ju pretendoni se do vini ndonjëherë në pushtet? Dakord. Mund të vijë kjo ditë dhe kjo është krejt normale në një rotacion politik. Nuk spekulohet me këtë çështje, nuk ka populizëm në energji, se janë shifra të ftohta, energjia ka një kosto, planet e zhvillimit janë po ato. As ju nuk keni çfarë bëni! E rëndësishme është se kush ka vullnetin, në atë plan që ka rënë dakord edhe me institucionet financiare ndërkombëtare, të ecë dhe ta çojë deri në fund. Nuk është punë spekulim i çastit që vjen njëri, nxjerr ndonjë As nga xhepi dhe na hidhka ide këtu dhe do i zgjidhka.
Foli dikush për minierat. Më vjen keq se ai deputeti parafolës ka pasur edhe lidhje me minierat, në mos gaboj, ka pasur edhe pronësi në një minierë. Po të ketë pasur qëllime politike ai vet nuk duhet të ishte përfaqësues i industrisë minirare aty ku ka interesa. Duhet ta kishin goditur politikisht, po nuk është goditur asnjë politikisht dhe nuk ka pasur asnjë represion. Po, ka pasur heqje lejesh fiktive të punës ilegale në miniera. Kjo do të ndodhë gjithmonë dhe kjo është detyra e shtetit. Këtë kemi bërë, kemi pastruar, duke ulur atë regjistrin fiktiv të lejeve minerare. Po! Është në vështirësi industria minerare por industria minerare nuk varet nga vullneti i qeverisë. Nuk ka në dorë qeveria fare çmimet ndërkombëtare, as tek nafta, as tek kromi, as tek bakri, të cilat le të themi janë në çmime historike më të ulëta. Ajo që po bëjmë është se po dialogojmë dhe kjo është detyra e qeverisë, të gjejë zgjidhje për problemet e vështirësitë që ata kanë. Do të thotë që të shikojmë mënyrën sesi të llogaritet renta, të shikojmë çfarë mund të lehtësojmë nga garancitë financiare dhe elementë të tjerë që i ka ligji, për ti ardhur në ndihmë një sektori që është në moment të vështirë.
Nisur nga masat që kemi ndërmarrë vjet në industrinë minerare duket qartë se pavarësisht çmimeve të ulëta, industria përpunuese e ferrokromit është rritur. Në fund të fundit, qëllimi i vendeve që kanë burime natyrore është që të shkojnë drejt ciklit të plotë të prodhimit, në mënyrë që të marrin vlerë të shtuar dhe jo të eksportojnë gurë, siç bëjnë vendet afrikane. Kryesisht, eksportojnë gurë dhe të tjerat i përpunojnë por ne duhet të kemi mundësi të stimulojmë prodhimin vendas dhe kjo gjë po ndodh. Sasitë e ferrokromi janë rritur, do të thotë një vlerë e shtuar më shumë për eksportet shqiptare. A janë në vështirësi mineralet? Po! E them dhe mua nuk më vjen mirë si Ministër Energjie, por ky është një realitet, kjo është një krizë botërore dhe duhet përballuar.
Qeveria duhet të përshëndetet, jo siç del ai deputeti dhe thotë meqe është në vështirësi kromi e ka fajin qeveria. Pastaj thotë janë ulur edhe çmimet, akuzon qeverinë për gjueti shtrigash kur ndërkohë ai vet është përfaqësues i asaj industrie. Pra, del një standard që është i papranueshëm dhe e nxjerr të pavlerë edhe argumentin që jepet këtu.
Le të ndalemi pak tek Skavica meqenëse është hapur ky debat dhe këtu po spekulohet kollaj. Së pari, ju e dini shumë mirë që ka pasur shumë variante për Skavicën. Ka pasur edhe variante gjigandizmi, pra një digë e madhe e cila vërtet ka pasur interesa të mëdha në kohën e një regjimi diktatorial. Konsulentë pas konsulentësh të huaj e kanë sjellë, mendimin e tyre, janë marrë edhe në kohën e qeverisë suaj, madje e fundit është bërë nga IFC-ja dhe thotë ‘abandon the big project’. Pse? Ka kosto mbi 1 miliard dollarë. Mbi të gjitha për shkak të shpronësimeve, përmbyt një pjesë të mirë të rrethit të Dibrës, toka të tëra bujqësore. Ka një standard që quhet digat e mira dhe digat e këqija, ka një standard ndërkombëtar. Këto projekte mund ti bësh në Kinë apo në vende të tjera që ka shteti tokën nuk e shpronësonte fare, e quante të tijën dhe janë vende kryesisht që nuk pyesin fare për të drejta pronësore. Nuk ka asnjë institucion financiar ta dish, që të financon në momentin kur ke shpronësime të tilla dhe kur ka kundërshti për shpronësimet.
Pra është një projekt që nga ana e efektivitetit, vërtet mund të duket një projekt i madh, por që ka shumë probleme teknike dhe është i pazbatueshëm. Pra, thjesht një ëndërr gjigande në letër dhe prandaj nuk është bërë ndonjëherë. Po të shikosh, edhe në diskutimet e asaj kohe ka pasur shumë mëdyshje në atë regjim që nuk e kishte fare problem as të shpronësonte as të vendoste njerëz. Janë tërhequr nga ai lloj projekti, se nuk mund të përmbytet 1/5 e Dibrës, një rreth i tërë për një projekt energjetik. Me çfarë mundësish financiare njëherë? Flitej për mbi 1 miliard dollarë. Kush arrin ta mendojë që kjo mund të bëhet?
Atëherë, konsulentët ndërkombëtarë japin një opsion të rekomandueshëm por jo të plotë. Këtu po spekulohet pasi nuk është dhënë Skavica, është dhënë Katundi i Ri me impakt shumë të vogël në Kaskadë. Nuk bëhet fjalë për rezervuar të madh, bëhet fjalë për një kapacitet shtesë gjenerues, i financuar tërësisht nga privati dhe pa blerje energjie. Jo si Ashta që e përmende këtu. Çfarë është bërë me Ashtën? Me Ashtën është garantuar blerje energjie me çmim mbi 20% të tregut të energjisë elektrike. Mbi 20 e ca përqind të importit të energjisë. Do të thotë që KESH-i është vënë në vështirësi pikërisht për të financuar projekte si Ashta që në fund të fundit nuk kanë dhënë një kapacitet shtesë dhe një të mirë të madhe publike. Mjafton të shikosh kostot e Ashtës, për 50 megavat investimi është 250 milion euro, pra mbi 4 milion euro për megavat. Po pyetini ata që ndërtojnë hidrocentrale. Një projekt që shkon mbi 1.5 milion euro për megavat është projekt i fryrë, projekt që ka kosto të fryra dhe nuk është i leverdishëm, nga ana ekonomike i pa financueshëm. Se ka parametra, nuk është kështu që hedh shifrat ndonjëri 300 milion, por çfarë kapaciteti, çfarë bën me atë?!
Thua ti Skavica e madhe por kanë dalë ca eksponentë të kohëve të fundit, do bëhet, po ka një parametër aty, sa investohet, sa është e mundur të prodhohet dhe çfarë impakti zgjedh?! Nuk merr parasysh një gjë tjetër, tendencat ku po shkon energjia elektrike, tregu i energjisë elektrike dhe reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian. Tanimë ne po shkojmë drejt hapjes së tregut, prandaj nuk kemi marrë përsipër blerjet e energjisë elektrike. Po, është një risk tërësisht privat i investitorit privat që shton kapacitete gjeneruese, kontribuon në ekonomi duke prodhuar energji dhe njëkohësisht nuk shkakton asnjë risk për shtetin.
Çfarë do të ndodhë me të vërtetë me Skavicën? Jo Katundin e ri. Ka variant, që quhet varianti mesëm, pra me një digë në kuotën 395 metër në mos gaboj, që është varianti mesatar, që rrit prodhimin dhe menaxhon kaskadën. Nuk është më ai projekti gjigand që të gjithë e donim, po si ato ëndrrat e mëdha në letër që s’bëhen kurrë. Meraqet i kemi edhe ne se nuk e shpike ti atë merakun e Kaskadës dhe efektit që ka. A thua se po na thua ndonjë gjë të re!? Pse kujton se ka budallenj që janë të gatshëm që të impaktojnë KESH-in për shkak se erdhi një investitor privat?! Thellohu njëherë, çfarë propozimi ka ardhur pastaj jep konkluzione këtu. Pse? Atë kemi vendosur që ta bëjmë në partneritet me KESH-in. Sot që flasim, ne jemi duke diskutuar me institucionet financiare për të gjetur një metodë financimi, një kontraktor i cili merr përsipër prokurimin, konstruksionin, edhe financimin. Pra, vjen me financimin e vet të butë por edhe ky është një proces kompleks. KESH-i do ta ketë këtë mundësi pas disa vjetësh, për shkak të liberalizmit të tregut do të ketë mundësi të tregtojë energji të tepërt, jo më për të bërë atë liqenin e eksperimenteve. Ju e dini çfarë ka ndodhur deri më tani, të gjitha HEC-et çoheshin tek KESH-i dhe një liqen mbante çdo lloj eksperimenti aty. Ne po projektojmë një KESH që të jetë i aftë që shtesën e prodhimit të ketë mundësi ta shesë në treg, të ketë të ardhura ekstra. Do të thotë që të ardhurat ekstra të mundësojnë financime për të ndërtuar Skavicën reale, atë që është e mundshme, e bëshme dhe që shton kapacitetin prodhues të KESH-it. Ky është projekti jonë, njëri po e bëjmë me privat, tjerin kemi filluar diskutimet edhe me institucionet financiare. Pikërisht sepse kemi gjetur zgjidhjet e duhura, institucionet financiare kanë filluar të përgjigjen pozitivisht.
Për shkak të reformës, sigurisht të pagesës dhe qasjeve të duhura për tregun, sot që po flasim ne po negociojmë 250 milion euro të tjera me BERZH-in për KESH-n. Do të përdoren për të lehtësuar kreditë, overdraftet me interesa të larta që u morën për qëllime krize dhe për të adresuar problemet në mënyrë afatgjatë. Do të thotë më shumë para për KESH-in për të investuar edhe për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit.
Po pse vjen kjo? Pse kujtoni se BERZH-i i merr vesh të dhënat financiare nga revistat apo nga deklaratat në parlament?! Jo mo jo, vijnë na auditojnë, shikojnë parametrat ekonomikë të cilët po përmirësohen dhe janë të gatshëm të financojnë. Institucionet ndërkombëtare, pikërisht për shkak të këtyre reformave dhe mbylljes së konflikteve ndërkombëtare janë të gatshëm të financojnë, përfshirë edhe mundësinë e financimit të projektit të Skavicës, i cili po e them do të dojë kohë. Nuk është një projekt i thjeshtë, është projekt që do të marrë shumë vite dhe mund të jetë investimi më i madh që mund të ndërmarrë një kompani publike, mbase edhe më ndonjë partner privat ose edhe vet me kontraktor siç thashë, me financim nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe me terma deri dikur të buta.
Nuk do bëjmë siç e bëtë ju me Ashtën që e garantuat me blerje të KESH-it dhe një projekt me kosto jashtëzakonisht të larta e të papërballueshme. Ky është ndryshimi i madh.
Kur flisni këtu për bonus gënjeni. Sali Berisha gënjeu pa pikë turpi në emision dhe të ketë turp. Madje edhe ia përmendi ajo zonja kur e intervistonte por ai iu shmang. E ke gabim i tha, kam memorie, kam ipad-in! Letrat janë aty, dokumentet janë zyrtarë. I ka dhënë bonus 10 pikë kompanisë italiane në vitin 2007. Kontrollo V.K.M-në e vitit 2007, nxirre tani, bëhu burrë, mbro Sali Berishën dhe thuaj unë gënjej ose gënjen ai zotëria. Në V.K.M-në e vitit 2007 për Skavicën 10 pikë, i njëjti projekt, me dy diga, që del tani e thotë po shiten interesat kombëtare. Pra, ai njeri të mbajë fjalën dhe të thotë këtu ose të mbyllë gojën dhe të thotë nuk isha i zoti ta bëja. Tentoi radhën e parë, tentoi radhën e dytë por dështoi. Tani se dështoi ai nuk do të dështojnë të tjerët, se kështu thotë ai, ju çova në gropë, e çova në konflikt sektorin energjetik, shkoni ndiqni gjyqet ju. Jo mor zotëri nuk ka ai monopolin e të vërtetës. Ai bëri ato që dinte të bënte, më shumë ka bërë të këqija se sa të mira edhe ja dha çmimin historia, me votimin që i bënë njerëzit. Ne kemi të drejtën ekskluzive si qeveri të zgjedhim programin tonë të duhur për ta zhvilluar këtë vend dhe nuk iu marrim fare dorën juve.
Përkundrazi, po ju ftojmë për sektorin energjetik, për gjëra që nuk duhet të jenë populiste dhe të ekspozohen politikisht këtu në parlament, siç janë ato populizmat tuaja se do ulim, do falim energjinë, do heqim këtë, do bëjmë atë. Këtu duhet një qëndrim i përbashkët dhe nuk mund të spekulohet politikisht.
Kështu që mos thoni të pavërteta këtu. Ne kemi marrë përsipër ta zhvillojmë, do bëjmë edhe Katundin e Ri, do të bëjmë edhe hidrocentrale të reja të mëdha siç është Poçemi dhe ndonjë tjetër që janë kapacitete deri diku të mëdha, me një ndryshim shumë të madh, pa rriskuar Buxhetin e Shtetit. Pa futur garanci qeveritare apo garanci të tjera për blerjen e energjisë, në mënyrë që ne të kemi mundësi që të krijojmë një treg energjie që i vlen Shqipërisë por i vlen edhe Kosovës. Prandaj po investojmë në lidhjet e Shqipërisë me interkonektorët e Ballkanit, pra që Shqipëria të jetë e lidhur në mënyrë që energjia të eksportohet atëherë kur ne kemi prodhim.
Ky është ndryshimi ynë nga i juaji. Ëndrrat tuaja për megaprojekte apo megasuperfuqi energjetike dështuan bashkë me të zotin e punës dhe thashë si ata mullinjtë me erë se e përmendi dikush këtu, si ato që do bëheshin në Karaburun 600 mega dhe shkoni shikoni se çfarë u bë, ashtu ishin të gjithë premtimet që i dhanë për energjetikën.
Faleminderit!
Ndërhyrje si replikë me deputetin e Partisë Demokratike Helidon Bushati:
Ti duhet të jesh mjeshtër, mashtrues edhe hajdut. Vendimi numër 775, ke kompjuter hape, futu gjeje. Vendim numër 775, datë 14.11.2007, i jepet kompanisë TGK Skavica 10 pikë bonus, me procedurën konkuruese, vendim i firmosur nga Sali Berisha. Kështu që tërhiqi mbrapsht fjalët. Po ke guximin futu në internet, printoje këtë vendimin dhe po doli që nuk është kështu, o ik ti nga salla, o iki unë. Kur del mashtrues për këtë, për të tjerat s’ka më nevojë të të përgjigjem.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë