Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri gjatë aktivitetit të mbajtur sot në qytetin e Fierit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”
Mirëdita të gjithëve,
Edhe unë, si Ministër i Energjetikës kam kënaqësinë që ti drejtohem kësaj salle. Mbase është një bashkëbisedim jo tipik, sepse këto salla kanë qenë shpesh për takime elektorale apo dhënie premtimesh elektorale. Sot, jemi përpara një lloj ballafaqimi dhe unë me kënaqësi dua tu tregoj rrugën e vështirë që kemi ndjekur, në një sektor me një gjendje shumë të vështirë, të trashëguar. Pra, po flas për sektorin energjetik, kryesisht të energjisë elektrike por pse jo edhe tek nafta, pasi Fieri nuk kuptohet dot pa të.
Në fakt, ajo që u tha pak më parë edhe nga Kryetari i Asamblesë është shumë e vërtetë. Kriza energjetike dhe kriza financiare e lidhur me të, qe një kërcënim real për Shqipërinë dhe nuk qe një gjë imagjinare. Njerëzit, ndoshta vërtet ishin mësuar me atë idenë e Sali Berishës për mini-super fuqinë energjetike, por realiteti qe mbi 1.1 miliard dollarë borxhe. Mbi të gjitha, një Buxhet Shteti i marrë peng nga sektori energjetik.
Sa për ta ilustruar, në vitin 2013, mbi 200 milion USD të Buxhetit të Shtetit që duhet të ishin të destinuara për shkolla të reja, për kopshte, për rrugë, rrinin të bllokuara për të mbuluar gropën e sektorit të energjisë elektrike. Kjo situatë vinte për shkak se humbjet ishin mbi 45%, për shkak se faturimi ishte 70% dhe mbi 30% e energjisë së faturuar nuk arkëtohej fare. Për lehtësi kuptimi, le të themi se në total, për çdo 100 dollarë energji të hedhura, maksimumi që arkëtoheshin ishin 35 dollarë.
Atëherë, e gjithë kjo gropë dhe i gjithë ky defiçit financiar mbulohej me Buxhetin e Shtetit, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë tuaja dhe tonat. Nuk ka zgjidhje magjike këtu! Shpesh herë, ata që duan ta përçmojnë apo sulmojnë reformën në energji, bëjnë akuza e thonë ngritën çmimin. Energjia elektrike nuk është një taksë por është një tarifë e cila llogarit mbulimin e kostos që të mundësohet që të kemi energji të gjithë sëbashku. Ata na akuzuan sikur ne, për shkak të reformës tarifore që bëmë, do të rrisnim tarifën e energjisë elektrike. Realiteti tregoi në fakt të kundërtën, nga reforma e strukturës së konsumit, çmimi mesatar i energjisë për familjarët u ul nga 9.7 lekë/kilovat ka vajtur 9.5 lekë. Ndërkohë, familjet në nevojë të cilat mund të prekeshin nga ristrukturimi i tarifave, sot po marrin paratë nga Buxheti i Shtetit. Janë mbi 200 mijë familje që kanë tanimë një përfitim shtesë mbi 16 milion USD nga Buxheti i Shtetit, pikërisht për energjinë. Pra, edhe kjo ishte një akuzë e kotë. Po ta vini re e kanë harruar dhe nuk e përmendin më çmimin e energjisë pasi ishte një nga ato akuzat boshe që nuk qëndrojnë.
Të njëjtën gjë bënë me humbjen, e cila kryesisht vinte për shkak të vjedhjes. Edhe të mësuar nga sistemi, por edhe për shkak të premtimeve politike, energjia tregtohej si një mall politik. Ecej me logjikën ‘mos e paguaj energjinë, më jep votën’; ‘vidh energjinë, unë po mbyll sytë dhe le ta paguajë ai tjetri’. Ku na çuan kështu? Na çuan tek ajo gropë që e thashë, në vitin 2013 ishte 200 milion dollarë humbja.
Sot që flasim, garancitë nga Buxheti i Shtetit për sektorin energjetik janë më pak se 5 miliard lekë dhe këto kryesisht shkojnë për investime. Ulja drastike e humbjeve, për shkak të atij operacioni historik kundër vjedhjes së energjisë, ka bërë që të shpëtojnë para të nevojshme për Buxhetin e Shtetit. Para që tanimë mund të shkojnë për investime në rrugë, shkolla, kopshte etj. Gjithashtu arkëtimet janë rritur. Nga bashkëpunimi me qytetarët është arritur dhe kjo pasi asgjë magjike nuk ka ndodhur. Qeveria komunikoi me qytetarët dhe u tha se të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit. Në fund të fundit, çfarë është demokracia? Çfarë është ajo që duam ne të ndërtojmë? Barazi. Barazia është principi më i fortë që mban njerëzit në bashkëjetesë. Ne u thamë njerëzve se duhet ta paguajmë të gjithë energjinë dhe se nuk ka më tregti elektorale. Nuk ka më zona të caktuara, që për arsye që herë i thonin historike e herë politike nuk paguanin energjinë.
Sot, për shkak të shtimit të pagesave arkëtimet janë dyfishuar. Nëse në vitin 2013 ato ishin 38 miliard lekë, tanimë ato janë mbi 60 miliard lekë në vit. Kjo ka bërë të mundur që për herë të parë të kemi mundësinë të investojmë në rrjetin energjetik.
Këtu në Fier, ju jeni dëshmitarë se po investojmë për forcimin e rrjetit energjetik. Shumë shpejt, një pjesë e mirë e qytetit të Fierit do të jetë e lidhur me rrjetin 20 kilovolt. Kjo do të thotë një furnizim me energji shumë më i mirë se deri më tani.
Kemi një program shumë të qartë investimesh të shtrirë në katër vite. Vetëm për këtë vit, nga Operatori i Shpërndarjes janë parashikuar investime në vlerën mbi 7 miliard lekë. Janë mbi 60 milion USD pra që po investohen për të përmirësuar shërbimin e energjisë elektrike. Me të drejtë, qytetarët thonë ‘unë po e paguaj energjinë por çfarë vjen mbrapsht për mua?”. Ajo që vjen në fakt është një shërbim më i mirë. A është e thjeshtë? Jo, nuk është e thjeshtë. Duhet të kuptojmë se sistemi energjetik ka një defiçit historik prej mbi 40 vite mungesë investimesh dhe kjo do të dojë kohën e vet. Por si do të mund të përmirësohet? Kjo u përket të gjithëve dhe jo vetëm qeverisë. Do të përmirësohet aq sa më shpejt të jemi në të gjithë aksionerë duke kontribuar në këtë proces me pagesa. Ajo që po ndodh është se pagesat e deritanishme po u kthehen qytetarëve me investime në rrjetin energjetik në të gjithë Shqipërinë.
Mjafton të shikojmë vlerën e investimeve. I referohem totalit të investimeve, jo vetëm në shpërndarje, investimet në sektorin energjetik, krahasuar me dy vite më parë janë katërfishuar. Gjithçka është arritur për shkak të pagesave të shtuara, të kontributit që gjithësecili ka dhënë. Tanimë, sektori energjetik po kthehet në kontribues edhe në taksa për shtetin dhe jo më vetëm ajo gropa që thith para.
Dua të ndalem edhe tek dimensioni social. Në fund të fundit, çdo qeveri duhet ta ketë dimensionin social dhe asnjëherë nuk duhet ta harrojmë këtë. Çfarë kemi bërë? Kemi falur mbi 40 milion USD kamatëvonesa, në atë skemë që mbi 300 mijë qytetarë u përfshinë në vullnetin e tyre. Hoqëm mijëra fatura abuzive, të cilat pavarësisht se ishin deklaruar si të fshira për arsye elektorale, ishin lënë aty në sistem nga 2008 deri në 2011. Ky proces ka vazhduar dhe janë mbi 40 mijë konsumatorë të cilëve u janë fshirë faturat abuzive. Këto flasin për dimensionin social që ka kjo qeveri edhe në sektorin elektroenergjetik.
Edhe marrëveshja me CEZ-in për të cilën akuzohemi, ishte një pikë kthese për të hapur këto reforma. Akuzojnë ata që e lanë litarin jashtë, lanë litarin për ta mbajtur peng këtë qeveri. Ata shpresonin se për shkak të gropës që lanë, ne do bienim brenda dhe populli do rrëzonte qeverinë. Kështu thoshtë ai dikur, do ta gjejnë si Papandreu etj etj. Përkundrazi, ne morëm vendime të guximshme, të drejta, të cilat hapën rrugën e investimeve. Që ky sektor të mbahej në këmbë duheshin investime dhe për shkak të kësaj zgjidhjeje, janë 300 milion euro euro financime të garantuara për sektorin energjetik.
Mund ta them me krenari se sistemi energjetik është kthyer në kontribues edhe për gjithë zinxhirin e prodhuesve privat. Ishte një tjetër gropë e fshehur mbi 60 milion USD nga ato hidrocentralet private, nga koncesione të dhëna pa kriter që krijuan një gropë financiare. Çfarë bëmë ne? Rigjetëm marrëveshje me operatorët privatë që prodhojnë energjinë dhe nga shtimi i likujditetit mundëm të shlyejmë pagesat e prapambetura. Treguam se ne dimë të respektojmë kontratat por dimë të bëjmë kontratat të ndershme. Të ndershme që asnjë të mos mbingarkohet në tarifë por edhe që asnjë të mos përfitojë në kurriz të publikut.
Nuk po e them vetëm unë, po e thonë të gjitha institucionet ndërkombëtare: në këto dy vite, sektori elektroenergjetik ka qenë i suksesshëm. Shqipëria ka marrë përkrahje për këtë reformë, ka rritur garancitë për investitorët privatë që i shohin me shumë interes investimet në këtë sektor. Këtu ndikon forcimi financiar, pagesat e rregullta dhe padyshim përmirësimi që po ndodh. Nga 31% që është niveli i humbjeve për këtë vit, vitin e ardhshëm do ta ulim në 27% ose edhe më pak se aq.
Kemi bërë edhe një premtim që do ta mbajmë. Brenda vitit të ardhshëm ne do të heqim plotësisht faturimet afrofe, të gjithë qytetarët shqiptare do të pajisen me matësa. Çdo qytetar do të mund ta shohë qartë sa energji harxhon dhe nuk do ketë më abuzime me faturat e energjisë.
Ka nevojë për përmirësime. Fokusi ynë do të jetë shërbimi ndaj klientit. Shumë qytetare ankohen, ka ankesa të shtuara pasi për herë të parë kanë filluar të dëgjohen dhe ankesat e qytetarëve. Është një proces që do të dojë pak kohë por ne do ti dedikojmë të gjitha energjitë tona. Ndaj po harxhon dhe ca para për trajnimin e nevojshëm të punonjësve, për shtim kapacitetesh, në mënyrë që qytetarit ti jepet përgjigje në kohën e duhur për ankesat që ka.
Nuk do doja të lija pa përmendur këtu sektorin e naftës, një sektor shumë i rëndësishëm për Shqipërinë por veçanërisht për Qarkun e Fierit. Nafta është e rëndësishme për vendin dhe ne duam ti japim rëndësinë që i takon. Nafta vërtet është dhënë tek shumë koncesione private por duhet ti monitorojmë sa më mirë. Roli i Albpetrolit dihet se është reduktuar ndër vite por ne nuk bëmë si qeveritë e mëparshme që mbyllën sytë përkundër interesave të publikut. Çfarë do të thotë mbyllën sytë?! Nuk i panë siç duhet shpenzimet e kompanive të naftës. Shpesh herë bënë marrëveshje në kurriz të interesave të publikut.
Çfarë thonë faktet tani?! Po ju marr vetëm një tregues që lidhet me ndryshimet që ne bëmë në legjislacionin tatimor në vitin 2014. Pamë një rast përdorimi të madh të holluesit që përdoret për nxjerrjen e naftës nga një koncesionar. Këto janë para që normalisht i paguan qytetari shqiptar, këto kosto të shtuara hidrokarbure janë në fakt para që na përkasin ne. Vetëm për shkak të një kontrolli më të mirë, përdorimi i holluesve nga 14% ka vajtur 5%. Kjo është një vlerë financiare në dobi të qytetarëve shqiptarë. Për të mos thënë më pas për auditimet e imta që ne po bëjmë për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. Ne nuk duam ti biem në qafë asnjë investitori privat, përkundrazi ne duam të krijojmë marrëdhënie të qëndrueshme.
Ndryshe nga qeverisja e mëparshme, ne hapëm ankand dhe ftuam kompanitë më të mëdha për të aplikuar për fushat tona të naftës, pavarësisht konjukturës jo të favorshme të rënies së çmimeve. Jemi duke përmbyllur dy kontrata të reja me investitorë seriozë dhe jo më me ndërmjetësa që dikur merrnin ndonjë licencë dhe mundoheshin më pas ta shisnin tek ndonjë investitor. Këto para ndërmjetësimi në fakt ishin para që i takonin shtetit shqiptar dhe publikut. Ne duam të ndërtojmë marrëdhënie të ndershme, mbi bazën e ligjit dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Interesi ynë ky është, që çdo privat të marrë hakun që i takon por mbi të gjitha publiku shqiptar të marrë atë që i takon nga pasuria e vendit.
Edhe për shkak të interesit tonë të shtuar dhe vëmendjes që kemi treguar edhe për standartin e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, disa fenomene që kanë qenë shumë të përsëritura, si tërmetet në zonën e Marinzës kanë ardhur duke u reduktuar. Kjo për shkak të ndalimit të përdorimit të disa teknologjive. Megjithëse është një proces i vështirë dhe duhet thënë, por për shkak të mirë monitorimit të këtyre proceseve është arritur që këto fenomene të reduktohen. Ashtu sikurse u morën masat kur ndodhën situatat në Marinzë. Kërkuam që qytetarët të dëmshpërblehen dhe jo siç ka ndodhur herët e tjera që asnjë nuk e ka vënë ujin në zjarr kur ndodhnin fenomene të tilla dhe qytetarët dëmtoheshin. Përkundrazi ne ishim aty krah qytetarëve, kërkuam atë që na takonte sipas ligjit dhe detyruam koncesionarin privat që të dëmshpërblente të gjithë qytetarët në kohë. Në dijeninë timë, të pakten tek ata njerëz që janë dëmtuar direkt, ky proces ka shkuar mirë. Ky ka qenë synimi ynë, që të mbrojmë interesin publik por njëkohësisht të zhvillojmë edhe industrinë e naftës.
Fieri ka një rëndësi strategjike. Nuk e them këtë meqe jam në këtë sallë por Fieri do të jetë një nyje e rëndësishme energjetike. Këtu do të ndërtohet një nënstacion shumë i fuqishëm i energjisë elektrike pasi do jetë pika lidhëse për linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë të cilën besoj brenda 2019 do ta ndërtojmë. Fieri do të jetë një nyje vërtet e rëndësishme për sa i përket këmbimit të energjisë. Projekti i gazsjellësit TAP kalon në Fier dhe këtu do të ketë investime jo vetëm nënstacioni që do ndërtohet por qyteti do të ketë mundësi të përfitojë nga gazifikimi i vendit. Qeveria shqiptare po punon për masterplanin e gazit ku dhe Fieri të ketë përfitimin e tij maksimal. Janë shumë industri të Fierit të cilat kanë mundësinë të përfitojnë nga gazi. Qyteti mendoj se do ti kthehet traditës së mirë historike, i ka të gjitha shanset të ketë një qendër të rëndësishme industriale petrokimike. Ka naftën, do të ketë gazin, do të ketë energjinë elektrike, ka dhe punëtorët e kualifikuar që vërtet meritojnë ta kthejnë Fierin aty ku ka qenë.
Nuk dua të zgjatem shumë por dua të them edhe një gjë. Po ta shikoni, reformat janë të dhimbshme, janë të vështira, tërheqin interes por tërheqin edhe armiq. Opozita, natyrshëm si gjënë e parë sulmon qeverinë për reformat që bën. Ne kemi një përgjigje shumë të thjeshtë: ne bëjmë reforma për të prodhuar rezultate, ata shpikin shpifje për të prodhuar skandale.
E kam përmendur disa herë thënien e Gandit por do ta rithem pasi më pëlqen dhe i përshtatet më së miri. Sukesi ka tre fazat e tij: në fillim e përçmojnë, pastaj e luftojnë por në fund ja del. Edhe këta këtë po bëjnë. Në fillim e përçmuan qeverinë, përçmuan reformat, përçmuan reformën në energji. Tani janë organizuar për ta sulmuar por në fund, unë ju them se ne do tia dalim dhe do tia dalim sëbashku me ju.
Faleminderit,
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë