Buxheti 2016, buxhet që reflekton reformat strukturore - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/12/2015

Buxheti 2016, buxhet që reflekton reformat strukturore

damian_gjiknuri_seance_kuvend

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në seancën parlamentare ku u diskutua për Buxhetin 2016

I nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar deputetë,

Ndërsa po flasim për buxhetin, më vjen ndërmend ajo shprehja e Xhorxh Uashingtonit i cili thotë se buxheti është më shumë mundësi se sa dëshirë. Mundësi sepse ky buxhet bazohet mbi realizëm, bazohet në atë çka mund të bëjmë dhe jo nga lista e dëshirave apo rulotë elektorale me të cilën ishim mësuar shpesh me ish-qeverisjen. Rulotë elektorale të cilat premtonin rrugë por ndërkohë nuk i kishin paratë dhe bënin rrugë për askund; rulotë elektorale sepse u thonin njerëzve do rrisim rrogat dhe pensionet por lekët nuk i kishin askund. E çuan vendin aty ku tanimë të gjithë e dimë, ne e morëm në një greminë financiare. Po i vuajmë ato pasoja dhe nuk është se nuk i vuajmë. Në fund të fundit, qeverisja është për të zgjidhur problemet, edhe për tu përballuar me pasojat që na lanë paraardhësit. Qeveria nuk është prozë, ju keni poezinë për të mbajtur me entuziazëm militantët tuaj, mbase do tu vijë ndonjëherë dita të vini në pushtet. Është e natyrshme që poezia juaj të ketë edhe doza populizmi, por qeverisja është realizëm, është zgjidhja e problemeve për të cilat ju jeni fajtor. Vjen këtu ish-kryeministri dhe për gjërat për të cilat është ai kryesisht fajtor, nis e mallkon qeverinë thua se nuk qe ai mëkatar i asaj çka ndodhi.

Ky është një buxhet që reflekton reforma strukturore. Nuk është ai që mund të gjesh populizmin brenda, por patjetër gjen dimensionin social. Nuk gjen atë entuziazmin me të cilin shpesh u mbushnin mendjen njerëzve se Shqipëria po përparonte me hapa galopante, por është një buxhet i bazuar në hapa konkret, në reforma konkrete që krijojnë siguri. Krijojnë sigurinë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe pikërisht këto reforma strukturore do të jenë baza që do ta bëjnë këtë buxhet realist.

Dua të ndalem pak patjetër tek energjia, një nga reformat më të rëndësishme strukturore, e cila në fund të fundit, jo se po e them unë pasi e ka thënë FMN dhe Banka Botërore, ishte leva kryesore mbi të cilën ktheu stabilitetin ekonomiko-financiar dhe buxhetor. Për shkak të rulotës elektorale, dhe gjigandizmin që kishit në mendje me superfuqinë energjetike, për shkak të dështimit total në sektorin energjetik, e vutë në pikëpyetje të gjithë stabilitetin financiar të vendit.

E dini shumë mirë se në vitin 2013 ishin 210 milion USD të taksapaguesve shqiptarë që shkonin pikërisht për të mbajtur stabilitetin energjetik të vendit. Ndërkohë, sektori energjetik është dizenjuar për të ecur vet, por ëndrra juaj për superfuqi la vetëm një gërmadhë të cilën e kemi analizuar tashmë. Ëndërrimtari i superfuqisë e filloi njëherë me central atomik dhe pastaj do bëhej mini superfuqi hidrike. Ai ka hequr dorë dhe ka pranuar dështimin e tij. Më vjen keq se vjen këtu dhe helmon publikun, me ide sikur çmimi i energjisë na qenka rritur në mënyrë galopante apo se ky paska qenë për dimensionin social të energjisë.

Nuk duhet ta harrojmë dhe duhet tua kujtojmë qytetarëve shqiptarë. Në vitin 2005, kur zotëria erdhi në pushtet, çmimi i energjisë ishte 4.5 lekë për kilovat. Për shkak të manovrave e aventurave, përfshirë edhe ato që ju lexova se përse u rrit çmimi i energjisë me 9.7 lekë mesatarja; për të përballuar edhe një privatizim të dështuar dhe detyrimet që kishte për të kompensuar aferën e tij me marrjen e asaj kompanie; privatizimin e parakohshëm që shkaktoi krizën më të madhe energjetike; ja çoi tarifën shqiptarëve në 9.7 lekë mesataren. Kuptohet, e fshehu në dy fasha por tarifa mesatare ajo është.

Ne bëmë reformën e duhur strukturore të tarifës së energjisë, bëmë ritarifikimin duke e ulur çmimin mesatar, i cili është tanimë 9.5 lekë dhe duke garantuar 203 mijë familje me buxhet të mjaftueshëm për të kompensuar çdo luhatje nga ky ristrukturim tarifash. Në fund të fundit, këto janë parimet e reformës kudo në botë, këto janë parimet e tarifimit të energjisë elektrike dhe Shqipëria në atë rrugë duhet të shkojë. Nga ana tjetër, duhet ta pranojmë dhe nuk kemi se si ta mohojmë pasi shifrat janë konkrete. Ishin 210 milion USD që taksapaguesit shqiptarë në vend që ti çonin për rrugë, shkolla e vepra të tjera, paguanin dyfish. Edhe jua rritët tarifën nga 4.5 në 9.7 lekë por njëkohësisht taksat që ata paguanin, në vend që të shkonin për zhvillimin ekonomik në sektorë të tjerë, shkonin për të mbushur eksperimentin dhe gropën e energjisë.

Ku është realiteti sot? Garancitë shtetërore janë vetëm 5 miliard lekë, pra rreth 50 milion USD të cilat shkojnë për investime sepse sektori energjetik kërkon investime. Për shkak të disiplinës financiare, arkëtimi është dyfish i vitit 2013 pasi këtë vit shkon në 65 miliard lekë nga 38 që ishte. Nuk mund të bëhet me idenë që thotë Sali Berisha se meqë po del me fitim duhet të ulim tarifat. Jo, harron një gjë ai, po gropën financiare të krijuar kush do ta mbushë?! Pikërisht, këto para të mbledhura shkojnë për të larë kreditë e ekzagjeruara për shkak të krizës që shkaktuan, të lajnë gropën financiare që krijuan me eksperimentet që bënë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që e çuan në falimentim, dhe të sigurojnë mbi të gjitha garancinë e furnizimit me energji përmes investimeve të qëndrueshme.

Rrjeti energjetik shqiptar ka nevojë për investime serioze, ka nevojë për investime mbi 1.5 miliard dollar në vitet në vijim. Patjetër, këto para nuk është kollaj për tu gjetur por ka dy mënyra: nëpërmjet disiplinës financiare, tarifave që paguhen, dhe që qytetarët të ndjejnë veten aksionerë të këtij sistemi energjetik, tashmë të kthyer në pronësi të shtetit. Kjo do të krijojë mundësinë që tashmë të përmirësohet edhe rrjeti energjetik. Pikërisht kjo filozofi është reflektuar në të gjithë politikën tonë të këtyre dy viteve. Pse? Po të shikoni vlerën e investimeve në vitin 2013 në sektorin e shpërndarjes ishte vetëm 450 milion lekë. Vitin e fundit, në sektorin e shpërndarjes janë investuar gati 7 miliard lekë, pra rreth 65 milion USD. Investime që kanë shkuar në të gjitha ato qytete ku ka përqendrim të popullatës dhe konsumit të energjisë elektrike. Duke përforcuar rrjetin, duke përmirësuar rrjetin, duke përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji.

A ka problem? Patjetër, nuk jam naiv dhe nuk dua të bëhemi qesharak që të themi problemet u eliminuan për shkak të një rrjeti tërësisht të amortizuar. Fakti që kemi plan të qartë për investimet dhe qëndrueshmëri në pagesa, bën të mundur që të kemi shpresë por njëkohësisht ti japim shpresë edhe investitorëve privatë në fushën e energjisë elektrike. Sepse ajo “superfuqia” energjetike apo ai gjigandizmi që kishte ndërmend zotëria u bazua vetëm në letër, pasi la një borxh prej 80 milion USD ndaj hidrocentraleve private. Pse? Sepse i gënjeu njerëzit me populizmin e tij. Ai njeri gjithçka e bëri në funksion të populizmit të tij. Premtoi tarifa të lira energjie, bëri një privatizim të dështuar dhe njëkohësisht nuk siguronte të ardhura të mjaftueshme për të siguruar investimet private që në fund të fundit, duhet t’ia themi shqiptarëve që paguhen nga konsumatori shqiptar.

Çdo investim privat reflektohet në tarifë. Çfarë bëri Sali Berisha? Pikërisht e ngriu tarifën pasi kishte hallin e zgjedhjeve, krijoi borxhin më të madh financiar ndonjëherë në energji që shkoi mbi 1.1 miliard dollar dhe i futi në krizë totale edhe investitorët privatë. Për shkak të pagesave të shtuara, kësaj disipline financiare, u bë e mundur shlyerja e të gjitha detyrimeve ndaj HEC-eve private dhe garantohet sot pagesa korente e energjisë elektrike ndaj prodhuesve privat.

Ju e dini shumë mirë se nuk ka më prodhues privat që të ankohen pasi pagesat po i marrin në kohë. Pikërisht, për shkak të kësaj qëndrueshmërie vetëm dy vitet e fundit, në ndërtimin e gjenerimeve të reja janë 61 miliard lekë. Pra, investimet kanë vazhduar të garantohen përkundër propagandës tuaj se pse investimet nuk po vijnë. Investimet vitin tjetër parashikohen 20 miliard lekë në sektorin energjetik në tërësi. Këtu futen të tre komponentët, KESH-i, OST-ja dhe OSHEE-ja. Ku do të shkojnë? Përforcimi i Kaskadës së Drinit dhe modernizimi i saj; përforcimi i lidhjeve të Shqipërisë me rrjetin Ballkanik e Evropian ndërsa Shqipëria po bëhet për herë të parë pjesë e rrjetit. Do të përfundohet linja me Kosovën, po përfundon Unaza e Jugut dhe në Janar inaugurohet. Do të përforcohet Unaza e Tiranës dhe financimet janë siguruar për këtë, ndërkohë që shumë shpejt do të fillojë edhe lidhja e Shqipërisë me Maqedoninë, një projekt që për shkak të seriozitetit në reformë, Shqipëria po përfiton grant financiar. Për shkak të performancës së mirë, janë siguruar dhe ky është fakt i njohur publikisht, 300 milion euro për investime për sektorin energjetik. E gjitha pas marrëveshjes që ju e anatemoni për zgjidhjen e konfliktit me CEZ-in. Ky 300 milionëshi do të çlirohej në momentin e zgjidhjes së konfliktit dhe kjo ndodhi.

Jemi duke negociuar, nuk ka pse të mos e them këtë. Do të kemi edhe një financim shtesë nga Banka Evropiane për Zhvillim për të ristrukturuar të gjitha kreditë afatshkurtra të KESH-it, të cilat ju i morët shtrenjtë për shkak të krizës, në kredi afatgjata të cilat do të kthehen në investime dhe para më tepër. Janë 200 milion USD të tjera të garantuara të cilat që nga gjashtë mujori i parë i vitit tjetër do të bëhen efektive.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë një siguri tek kjo reformë. Partnerët financiare ndërkombëtarë kuptojnë se qeveria shqiptare e ka marrë seriozisht dhe nuk është pre e populizmit, megjithë kostot politike që ka mungesa e populizmit. Njerëzit nuk janë budallenj. Janë mësuar me gënjeshtrat, ky popull vazhdimisht është gënjyer por ka ikur ajo kohë kur gënjente ai zotëria me ëndrra në diell. Kanë filluar ta kuptojnë se kush është njeriu serioz dhe cila është qeverisja që dëshiron të bëjë gjëra serioze, apo kush do të bëjë demagogji që nuk të shtyn larg veç të çon një ditë dhe tjetrën pëson zhgënjimin.

Ndaj, këto reforma vërtet janë të vështira por rezultatin e tyre do ta japin e në fund të fundit shkon në të mirën e qytetarëve shqiptarë. Po flas për sistemin energjetik që është një aset shumë i rëndësishëm kombëtar dhe i përket të gjithë popullit shqiptar. Aq më tepër që tanimë është pronë e shtetit shqiptar, qytetarëve dhe ndaj ata e kanë mirëpritur edhe atë që ju e cilësoni aksion. Luani me fjalët sikur burgosen njerëzit se nuk paguajnë energjinë, por ju e dini shumë mirë se burgosen hajdutët dhe jo debitorët e energjisë. Debitorët e energjisë në nevojë e kanë gjetur zgjidhjen, përfshirë edhe faljen e fundit, ne kemi falur 60 milion USD detyrime ndaj qytetarëve. Kuptohet bëhet fjalë për ata qytetarë që kanë pranuar të hyjnë në aktmarrëveshje dhe ta paguajnë energjinë. Ndërkohë, kemi krijuar lehtësira për të gjitha ato detyrime të vjetra të cilat tregtoheshin për interesa politike dhe që na çuan aty ku e morëm gropën më të madhe. Kjo qëndrueshmëri në pagesa po sjell besim dhe ndaj qytetarët shqiptarë e kanë mirëpritur.

A ka nevojë për përmirësim shërbimesh? Patjetër dhe fokusi edhe në vitet në vazhdim do të jetë përmirësimi i furnizimit, përmirësimi i trajtimit të klientëve për problemet që kanë. Ky është një proces i rëndësishëm që do të dojë kohën e vet. E rëndësishme është që qeveria shqiptare e ka një plan të qartë të rimëkëmbjes, jo më të bazuar në demagogji por të bazuar në program konkret të mirënegociuar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Një program ku futet edhe aspekti i liberalizimit apo krijimi i bursës energjetike ku jemi avangard duke marrë një nga konsulentët më të mirë dhe kemi të gjitha shanset që të krijojmë Power Exchange shumë më përpara se vendet fqinje. Duke kryer edhe gjitha interkonjeksionet me vendet fqinje kemi mundësinë që ato burimet potenciale të Shqipërisë vërtet ti kthejmë në një vlerë të shtuar për eksport dhe jo të mburremi duke krijuar një borxh më të thellë siç bënin zotërinjtë që asgjë nuk llogarisnin kur jepnin koncesione por ecnin me parimin, vërsuluni, zini ndonjë përrua se pastaj paratë se kush do ti paguajë një zot e di.

Unë e kam thënë, ju i detyroheni një apologji, një falje të madhe, sidomos ish-kryeministri i cili përpara se të hedhë helm dhe vazhdimisht e ndjej se ka xhelozinë më të madhe. i dështoi ëndrra për superfuqi energjetike dhe i detyrohet një apologji shqiptarëve. Mbase u nis nga dëshira e mirë por dështoi dhe dështimi është pjesë e politikës normale, aq më tepër tek ai njeri që ka dështuar në shumë gjëra.

Duhet të shpjegoj se Ministria e Energjisë nuk ka ndonjë buxhet të madh sepse është një buxhet më shumë për të mbështetur politikat. Gjithsesi, sektori energjetik po siguron të ardhura të mjaftueshme nga kjo situatë për të ju përgjigjur qytetarëve në kohë, për t’iu përgjigjur me investimet që ata kanë nevojë.

Faleminderit!