Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti sot në takim ambasadorin e ri të Norvegjisë në Shqipëri z.Strand Sjasstad. Gjatë bashkëbisedimit u vlerësua bashkëpunimi sinjitifikativ i deritanishëm në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Norvegjisë ku përfshihet investimi i kompanisë Statkraft ashtu sikurse mbështetja norvegjeze për Tregun e Energjisë.
Ambasadori Sjasstad shprehu angazhimin e tij për rritjen e nivelit të bashkëpunimit në energji, infrastrukture etj. Ai theksoi vlerësimin për harmonizimin e investimeve në prodhimin e energjisë në aspektin e ndikimit mjedisor dhe interesit ekonomik e social. Po ashtu, ambasadori u angazhua për ndihmën e Norvegjisë në aspektin e bashkëpunimit rajonal edhe në sektorin e energjisë.
Ministri Gjiknuri shprehu besimin se procesi i krijimit të Bursës së Energjisë, i cili pritet të materializohet në vitin 2018 është pa kthim prapa, në koordinim dhe harmonizim të plotë me politikat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Z.Gjiknuri shprehu vlerësimin e tij për investimet norvegjeze në fushën e prodhimit të energjisë, duke vlerësuar potencialet e reja si HEC Moglica. Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e ekspertizës dhe asistencës norvegjeze në sektorin e Shpërndarjes së Energjisë elektrike dhe të sistemeve “smart”.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë