Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti sot në takim ambasadoren e Greqisë në Shqipëri znj.Eleni Sourani. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i mirë me Greqinë në sektorin e energjisë duke vënë theksin tek ecuria e projektit të gazsjellësit TAP që prek dy vendet tona.
Duke vlerësuar eksperiencën greke, bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek bashkëpunimi i mundshëm mes operatorëv të gazit.
Ambasadorja Sourani theksoi se bashkëpunimi ekonomik është shumë më i rëndësisshëm në raport me retorikat negative dhe të pamerituara për të dy vendet. Ajo nënvizoi edhe rëndësinë e shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë si pjesë e politikave të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua mbi hapat konkret që mund të hidhen në fushën e bashkëpunimit trilateral Shqipëri-Greqi-Kosovë për rritjen e burimeve të prodhimit te energjise, duke shfytëzuar edhe potencialet e qymyrgurit të Kosovës. Ambasadorja greke vuri theksin mbi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e energjive të rinovueshme.
Ministri Gjiknuri prezantoi gjithashtu të dhënat mbi ecurinë e kuadrit ligjor të këtij sektori dhe për kalimin e shpejtë në Kuvend të ligjit për Nxitjen e Energjive të rinovueshme.
Sipas ambasadores, Greqia mbetet e hapur për bashkëpunim në këtë aspekt pasi sot në këtë vend 18% e energjisë prodhohet nga burimet e rinovueshme.
Po ashtu u vlerësua edhe bashkëpunimi e asistenca e dhënë në fushën e sigurisë së tubacioneve të gazit, si një element shumë i rëndësishëm i cili do jetë një nga efektet multilaterale, për rritjen e standarteve të implementimit të infrastrukturave bashkëkohore.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë