Balluku në Korçë inspekton institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët, garanton angazhimin e Qeverisë në mbështetje të investitorëve te huaj - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 14/07/2019

Balluku në Korçë inspekton institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët, garanton angazhimin e Qeverisë në mbështetje të investitorëve te huaj

Qarku i Korçës ishte ndalesa e radhës e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në kuadër të ditës së punës në qark. Ministrja Balluku inspektoi disa prej institucioneve të cilat ofrojnë shërbim për qytetarët ku u njoh me ecurinë e punës dhe problematikat që hasin ndërsa vizitoi edhe një biznes fason i cili ushtron aktivitetin e tij në qytetin e Korçës.

Administratorja e këtij biznes, bëri të ditur se kompania është 100 përqind me kapital italian teksa shtoi se ka punësuar 130 punonjës dhe se parashikohet që të rrisë numrin e tyre duke nisur nga vjeshta e këtij viti. “Perspektiva është për ta rritur më shumë numrin e punëtorëve. Mendojmë që deri nga fundi i shtatorit, fillimi i tetorit ta dyfishojmë numrin e punëtorëve ndoshta në vitet që vijnë edhe më shumë, deri në 500 duam ta çojmë kapacitetin. Është një kompani me kapital 100 përqind italian me gati 50 vjet histori në treg”, u shpreh administratorja e biznesit fason.

Nga ana e saj, ministrja Balluku e vuri theksin tek angazhimi i Qeverisë Shqiptare por edhe institucioneve shtetërore për të ofruar kushte sa më të mira për të gjithë sipërmarrësit të cilët duan të investojnë apo të zgjerojnë biznesin e tyre. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi gjithashtu se është e rëndësishme që qytetarëve t’ju ofrohen mundësi punësimi.

“Për gjithë qeverinë, për gjithë strukturat shtetërore, është shumë e rëndësishme që bizneset apo investimet e huaja, si dhe ato shqiptare sigurisht, të gjejnë komoditetin e të punuarit në Shqipëri me transparencë të plotë duke përmbushur të gjitha kërkesat e legjislacionit shqiptar por sigurisht duke ju ofruar qytetarëve tanë mundësi punësimi, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Ministrja shtoi më tej se krahas zhvillimit të turizmit, Korça ofron të gjitha mundësitë edhe për zhvillimin e industrisë, duke shmangur dëmtimin e mjedisit.

Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor ku u njoh me mbarëvajtjen e procesit të punës. Drejtuesit e kësaj drejtorie bën të ditur se nismat e ndërmarra së fundmi kanë lehtësuar procedurat duke u kursyer kohë qytetarëve.

Balluku u ndal edhe në Spitali Rajonal të Korçës ku bisedoi me mjekë dhe infermierë të këtij spitali sa i takon problematikave dhe ecurisë së punës, si dhe u njoh me planin e masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik.