Ministri Gjiknuri pret drejtuesit e kompanisë turke Koc Holding - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 06/01/2017

Ministri Gjiknuri pret drejtuesit e kompanisë turke Koc Holding

big_p1220993

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti në një takim Kryetarin e Bordit të kompanisë turke Koc Holding A.s. z. Mehmet Omer Koc dhe delegacionin që e shoqëronte. Ministri prezantoi para të pranishmëve potencialet e Shqipërisë në sektorët e energjisë dhe minierave duke theksuar se energjia është një element jetik e strategjik për sigurinë ekonomike.

Gjatë bashkëbisedimit, mes dy palëve u fol edhe për zhvillimet e suksesshme të projektit të gazsjellësit TAP në Shqipëri, planifikimin e rrjetit të shpërndarjes si dhe promovimin e përdorimit të gazit për nevoja industriale të Shqipërisë. Ministri u ndal më tej në potencialet hidrike të Shqipërisë, si dhe investimet në sektorin hidroenergjitik, duke e vënë theksin tek investimet në rrjetet e interkonjeksionit si dhe të rrjetit të shpërndarjes me fokus në zonat ku vendi ka potenciale turistike.

Në takim u nënvizua vëmendja e qeverisë shqiptare për rivitalizimin e sektorit të përpunimit të hidrokarbureve, sektor i cili ka nevojë imediate për investime kapitale. Gjithashtu zhvillimi i sektorit të minierave, veçanërisht të mineraleve të bakrit, nikelit, si dhe të kromit.

Kreu i Bordit të Koc Holding A.S., z. Mehmet Omer Koc bëri një ekspoze të aktiviteteve të kompanisë,  duke evidentuar sektorët e energjisë si shpërndarjen e gazit të lëngët, depozitimit, rafinimit dhe shpërndarjes së naftës, prodhimin e energjisë si dhe shfrytëzimin e minierave të qymyrgurit, hekurit, bakrit zinkut etj. Në këtë kontekst z. Koc prezantoi edhe sektorët e tjerë të aktivitetit të Koc Holding A.S., ku përfshihen industria e makinave, ndërtimi, turizmi, marina, sistemi financiar dhe ai bankar, industria ushqimore, teknologjia e informacionit, industria e pajisjeve elektroshtëpiake, arsimi etj.

Z. Koc theksoi se është hera e parë që viziton Shqipërinë dhe vlerëson potencialet e saj si mundësi investimi dhe bashkëpunimi real.  Në përfundim të takimit, nga ana e Ministrit Gjiknuri dhe z. Koc u parashtruan hapësirat konkrete të bashkëpunimit në Shqipëri si në sektorët e shpërndarjes së gazit, rafinimit dhe shpërndarjes së naftës, në sektorin e minierave si dhe të zgjerimit të tregut të pajisjeve elektroshtëpiake etj.