Replika e Ministrit Gjiknuri pas fjalës së deputetit Genc Pollo
Zoti Polloi përmendi një projekt sëfundi për dhënie hidrocentrali. Ai e vuri në fyshim por unë do ta quaja të suksesshëm. Është bërë me një procedurë krejt transparente, botuar në një gazetë ndërkombëtare. Mbi të gjitha, për ta ditur edhe publiku, është një hidrocentral i dhënë pa asnjë lloj garancie për blerje të energjisë elektrike. Pra, ndryshe nga të gjitha llojet e kontratave koncesionare që bëtë ju dhe që zhytët sektorin energjetik në krizë. Madje paguhen edhe kontrata të tipit si ai I hidrocentralit të Ashtës me 60 euro mega ku çmimi mesatar i energjisë sot është 40 euro mega. Janë çmime të garantuara, pra nga shteti dhe me garanci qeveritare. Ky hidrocentral për të cilin ju flisni është dhënë pa asnjë lloj garancie dhe është tërësisht një investim privat.
Këto janë llojet e investimeve që ne po promovojmë dhe për këtë duhet të jemi krenar. Kompanive po u rikthehet besimi tek sektori elektroenergjitik, ka ‘cash floë’ pozitiv, ka likujditet dhe investitorët arrijnë të investojnë me rriskun e tyre. Ky është një dyshim i hedhur kot. Është thjesht përpjekja juaj që çdo gjë të mirë ta baltosësh, madje dole edhe kundër ish kryeministrit tënd dhe ish kryetarit të partisë, i cili para një jave tha përshëndes qeverinë që ka bërë një koncesion se nuk ka bërë të tjera. Pra, ti edhe atë që e tha ai për të mirë, ti u mundove ta hedhësh poshtë.
Ndërkohë, koncesionet tuaja, meqenëse je edhe nga Berati, ti e di kujt ja kanë dhënë koncesionin e hidrocentralit të Osumit?! 160 mega, një njeriu hiç, një shqiptari me një të huaj që kanë krijuar një shpk. Ndërkohë, konsorciumi për të cilin ne po flasim, që ishin dy kompani të cilat u bashkuan në këtë ofertë është një konsorcium i cili ka demonstruar që ndërton hidrocentrale në Shqipëri dhe që ka hidrocentrale në Turqi. Pra, ja diferenca. Në kohën tuaj, në vitin 2013 i ke dhënë lumin e Osumit dy anonimëve dhe akoma nuk kanë bërë asgjë. Ashtu keni dhënë edhe shumë koncesione të tjera dhe kjo është diferencë e madhe.
Në lidhje me një gjë tjetër, me rafinerinë e naftës sepse u përmend këtu. Ju po i kërkoni kësaj qeverie llogari për gjithë katrahurën që shkaktuat vet me atë lloj privatizimi, me atë spekulant që sillte Realin e Madridit në Shqipëri, nën hundën tuaj dhe që dilte në fotografi me ju, apo dhuronte para për ish qeverisjen tuaj. Për gjithë atë shpërdorim që i bëri asetit më të madh publik, që u shit dhe u privatizua, tani i kërkohet llogari kësaj qeverie. Dështimin tuaj mos u mundoni t’ia faturoni të tjerëve. Për gjërat që nuk i ke bërë mirë, njeriu ka një rrugë dhe hesht. Për ato akuzat e tjera, jam mësuar se ju vazhdimisht fabrikoni akuza, por ato gjëra që janë bërë mirë nga kjo qeveri duhet ti përshëndesni.
Së fundi, edhe kapacitetet e reja gjeneruese në fushën e energjisë elektrike që ne po japim me konkurencë, me garë të plotë dhe mbi të gjitha pa asnjë lloj garancie financiare qeveritare, as me blerje energjie elektrike janë modele ekonomike për tu përshëndetur. Të paktën, me eksperiencën që ke, ti e di shumë mirë se këto janë modele për tu inkurajuar. Që investitori merr riskun e tij dhe shteti nuk ka asnjë risk financiar, përkundrazi krijon mundësitë me lejet administrative etj., që investitorët të investojnë. Kështu që z.Pollo merrni informacionet në mënyrë më të saktë, herës tjetër kur të hidhni akuzat.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë