Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri gjatë takimit me Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë në Botë “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”:
Faleminderit që më dhatë mundësinë t’ju adresohem në këtë audiencë, audiencë e nderuar. Patjetër diplomacia ekonomike është një dimension shumë i rëndësishëm, unë vërtetë jam Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe po shikoja një statistikë, ku pash që sektori mbulonte gati 83% të investimeve, apo Partneritetit Publik Privat, ku roli i kapitalit privat kuptohet luan rolin kryesor për zhvillimin e infrastrukturës, qoftë në energji, po qoftë në infrastrukturën e përgjithshme, komunikacionin, rrugët, portet dhe aeroportet. Dhe realisht kjo është një mundësi e mirë, dhe fakti që është brenda një ministrie do ti bëjë këto procese edhe më të thjeshta, sepse cikli i të gjithë investimit duke filluar që nga prodhimi deri te lejet e ndërtimit do të jenë nën një çati dhe kjo e lehtëson shumë rolin e investitorëve, pasi shpeshherë ata ndeshen me probleme burokratike, sidomos përsa i përket edhe lejeve, që kanë edhe ato procesin e tyre, ndonjëherë edhe shqetësues edhe pengues. Kuptohet ministria që drejtoj ka fituar eksperiencën e saj me projekte të mëdha të huaja dhe kjo është avantazh, ka qenë edhe sfidë për ne, siç janë edhe absorbimi i projekteve të mëdha që u përmendën këtu si TAP-i, Devolli, sepse na kanë dhënë edhe mundësi që të krijojmë eksperiencën e duhur për të zgjidhur shumë probleme në kohë. Unë e kam thënë që, shembulli i një investitori të mirë apo të kënaqur nga Shqipëria, është jashtëzakonisht atraktiv për shumë investitorë të tjerë. Shpeshherë kontrata komplekse, edhe në vende të tjera më të zhvilluara se ne mund të mbeten rrugëve, apo mund të krijojnë problem të mëdha që e bëjnë investimin të vështirë. Deri diku ne e kemi kaluar këtë test më këto investime të mëdha, të cilat nuk janë të vetme. Së fundi ne kemi kontraktuar me sukses duke adresuar edhe një shqetësim që e ngriti me të drejtë Ministri i Financave që, mund të ketë një rënie pas asaj platesë që ka arritur me investime të huaja përsa i përket TAP-it apo Devollit, por kemi kontraktuar disa vepra të mëdha energjitike, siç janë dy vepra energjitike në lumin Vjosë, pra Poçemi me Kalivaçin, kjo e fundit është duke u negociuar kontrata me një kompani investitorë turke, e cila është prezente në Shqipëri dhe është ai shembulli që kompanitë që janë prezente ndonjëherë janë shumë më të interesuara për të zgjeruar portofolin e tyre, apo edhe një hidrocentral në lumin Shal, që prapw është një grup nga Emirate e Bashkuara, një konsorcium i fortë financiar i cili edhe ai është i gatshëm të investojë duke bërë një protofol prej të paktën 250-300 mln $ të tjera të cilat do të injektohen, për mendimin tim në 2-3 vitet e ardhshme, kur të fillojë të maturohet investimi. Kështu që këto janë disa shembuj që ne kemi shumë potenciale si në sektorin elektroenergjitik, përsa i përket burimeve natyrore, po ashtu edhe në sektorin minerar me ato mundësi që janë, dhe praktikisht të gjithë janë kryesisht investitorë të huaj, dhe unë kam patur edhe raste konkrete, këtu në ndryshim edhe nga disa kolegë, kam patur, ambasadorë që kanë qenë shumë aktiv, dhe pa dashur të përmend emra, po janë shumë ambasadorë që më kanë qenë aktiv, më kanë marrë në telefon dhe unë i kam krijuar mundësinë edhe të takohen me kompanitë, dhe kanë bërë një punë të mirë për promovimin e investimeve në Shqipëri. Jo të gjitha kanë qenë të suksesshme, sepse jo çdo ide mund të materializohet në investim, por ka patur edhe interesim, kuptohet ka edhe të tjerë, që kanë patur shumë mundësi dhe nuk e kanë bërë këtë rol. Po unë realisht kam disa raste, qoftë në fushën e gazit, përshembull promovimi i një kompanie shumë të madhe holandeze shtetërore të cilin jemi duke diskutuar për projekte afatgjata në fushën e gazit, qoftë nga Turqia e cila ka vazhdimisht potencial për investitorë, edhe për ato shkaqet politike që ka Turqia ka shumë investitorë turk të cilët duan të diversifikojnë portofolin e investimit duke u zhvendosur një pjesë edhe nga Turqia në Shqipëri, dhe sidomos në Turqi ka shumë investitorë që kanë eksperiencë në fushat e punëve civile në energjitikë, dhe realisht ka një interes të madh nga investitorët turk për të ardhur në Shqipëri. Potencial i madh që unë mendoj për t’u bërë më praktik, do të jetë edhe paketa që u tha, paketa 1 miliard dollarëshe, kjo jo vetëm për faktin se kuptohet janë para të cilat mbase mungojnë në Shqipëri, megjithëse mund të ketë iniciatorë firma shqiptare të cilat kanë marrë iniciativën për të investuar në këtë fushë, sidomos në ndërtimin e rrugëve, dhe për t’ua u bërë të qartë më shumë, këto janë para, pagesa që do të garantohen nga shteti në vazhdimësi dhe janë trajtuar në mënyrë të kujdesshme, që ato të mos krijojnë një destabilitet financiar, përkundrazi, brenda hapësirës fiskale që e monitoron shumë mirë qeveria nëpërmjet Ministrisë së Financave, bën të mundur shtrirjen e pagesave në shumë kohë, por kryerjen e veprës në avancë, pra marrjen e veprës publike, në një periudhë 2-3 vjeçare sepse për ne është shumë e rëndësishme që të investohet ky kapital, jo vetëm që do kontribuojë direkt në rritjen ekonomike dhe në investime në vende pune, por mbi të gjitha do të bëjë edhe infrastrukturën konkrete të vlefshme.
Ne kemi disa paketa të cilat shtrihen në rrugët kryesore kombëtare, siç janë bërë edhe publike, por unë dua t’i përsëris edhe një herë, do të investohet në Milot – Balldren, duke qenë pjesë e korridorit Adriatiko- Jonian, pra korridorit blu, një korridor tashmë që ka marrë një rëndësi edhe rajonale, dhe realisht ka një studim fizibiliteti për të gjitha vendet që do të përshkruajë ky korridor, ku Shqipëria me iniciativën e saj dhe nëpërmjet kapitalit privat do të bëjë të mundur realizimin e këtyre segmenteve. Pjesa tjetër Thumanë-Kashar, e cila edhe kjo do të jetë pjesë e projektit me PPP. Ka mundësi edhe për rrugë të tjera me toll, pra me pagesë ku riskun e merr kryesisht privati, pra investitori privat dhe shteti mund të garantojë një minimum trafiku, por që realisht kjo është një kontratë shumë e preferuar për ne, sepse riskun financiar dhe të veprës e merr kryesisht kapitali privat. Tani do të thoni ju dakord, ka disa iniciativa që janë në Shqipëri, si do të përfshihet kapitali i huaj këtu, ka shumë mundësi. Jam i sigurtë që partner shqiptar dhe në si qeveri do të dëshironim, që ata që kanë qenë iniciatorë të kishin mundësi të thithnin edhe fonde investimesh apo partnerë të tjerë të huaj. Sepse këto janë vepra që kërkojnë financime, shpesh herë këto financime nuk janë aq të thjeshta në Shqipëri kështu që hapet një mundësi e artë oportuniteti për shumë kompani të huaja nga vende të huaja, sidomos nga ato vende që i kanë praktikuar këto lloj kontratash dhe iniciativash. Ka shumë vende në zhvillim apo vende që janë zhvilluar shumë kohët e fundit, sidomos vendet India, Kina ka praktika të tilla dhe shumë vende të tjera, të cilat nëpërmjet investimeve me Partneritet Publik Privat, kanë zhvilluar shumë infrastrukturën e tyre dhe realisht kjo do të jetë një mundësi më e mirë edhe për ju për të qenë më konkret, që ka disa projekte, mund të ketë kompani që janë shumë të interesuara.
Ne patjetër na takon që ta propagandojmë dhe ta bëjmë më të qartë edhe se çfarë përfaqësojnë këto iniciativa, kush janë kontratat që po lidhen dhe informacionin e nevojshëm ta keni në mënyrë që kur të shkoni të flisni ti keni këto të dhëna bazë në mënyrë që të zgjohet interesi i investitorëve të huaj. Me këtë paketë ne do të kemi mundësi të thithim investime në infrastrukturë për të paktën 1 miliard dollarësh. Roli i investitorëve të huaj këtu do të jetë deçiziv duke krijuar partneritet me shumë nga kompanitë shqiptare. Kjo nuk është vetëm në fushën e infrastrukturës rrugore, mundësi të tjera jam i bindur që do të hapen edhe në fusha të tjera të infrastrukturës. Ditët e fundit unë kam lidhur edhe një kontratë për fillimin e një studimi fizibiliteti për aeroportin e jugut për Sarandën. Saranda ka potencial turistik, ka një perspektivë shumë të mirë turistike dhe e gjithë ajo zonë e jugut, për arsye se është në distancë të afërt me një vend të rëndësishëm turistik siç është Korfuzi. Ka një numër të madh shtretërish dhe po vizitohet nga kroçiera të huaja dhe nga vizitorë të huaj në një numër jashtëzakonisht të lartë krahasuar me zonat e tjera të Shqipërisë. Bërja e një aeroporti turistik atje do të krijojë avantazhe të ndryshme. Por patjetër ky aeroport i cili kryesisht do të bëhet me kapital privat mund të krijojë një mundësi tjetër dhe jam i bindur që ju me kontaktet tuaja do të keni mundësi të afroni edhe kompani të cilat do të jenë të interesuara të shikojnë edhe çështjen në mënyrë që të investojnë në një aeroport në jug që do të hapë hapësira shumë të mëdha.
Nga ana tjetër përmbushja e projektit TAP në kohë do të gjenerojë ide dhe mundësi të tjera për biznesin. Shqipëria ka përgatitur edhe një masterplan për gazin i cili është edhe në gjuhën angleze dhe është i asorbueshëm për cilindo investitor të interesuar, apo qoftë edhe për ata njerëz të cilët e njohin fushën e gazifikimit. Ne jemi një vend i virgjër në këtë drejtim sepse nuk kemi një strukturë të tillë. Po mundohemi ta ndërtojmë në të ardhmen dhe jam i bindur që ky dokument bazë do të zgjojë interesin e biznesit privat. Ne tashti kemi edhe një kompani shtetërore të gazit e cila po bashkëpunon me partnerë të huaj për të krijuar të paktën mundësitë e para të biznesit, siç janë shërbimet për TAP-in, por këtë dokument që është një dokument i qeverisë shqiptare, një dokument strategjik sepse hap rrugën për investime në këtë sektor ju duhet ta promovoni. Mund të mendohet edhe një mënyrë sesi do të bëhet i vlefshëm përveç aksesit online dhe keni mundësi, sidomos ato vende që kanë filluar procesin e gazifikimit 20-30 vitet e fundit, por marr disa shembuj në rajon që kanë qenë shumë të suksesshëm mund të kenë shumë interes që të vijnë dhe të investojnë edhe në këtë fushë. Pra, bërja e një projekti strategjik sjell mundësi të tjera, pra një ekonomi të lidhur zinxhir dhe jam i bindur që nëqoftëse ne do të kemi edhe rritje më të madhe të prodhimit të naftës, e cila mbetet një sektor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, nëqoftëse do të kemi shtim të këtij prodhimi dhe pasjen e gazit njëkohësisht në Shqipëri, aksesin në gaz, jam i bindur që këto janë elementët e nevojshëm për të krijuar edhe industrinë pertrokimike. Se edhe dikur në kohën e diktaturës nuk ishte rastësi që u krijua ajo industri sepse ishin burimet natyrore dhe u pa si një mundësi e mirë që Shqipëria i ka për ta ringjallur këtë industri. Zona e Fierit apo zona ku do të ketë tubacione me gaz do të krijojë mundësi të mëdha edhe në këtë fushë dhe vendet që kanë eksperiencë dhe që kanë industri të zhvilluar do ta shohin këtë si oportunitet.
Në energji do të vazhdojmë investimet në sektorin e shpërndarjes. Kuptohet kompani të ndryshme të huaja do të jenë prezente me projektet e tyre teknologjike për të qenë pjesë e zhvillimeve në këtë fushë në Shqipëri dhe ne nëpërmjet procedurave transparente jemi të gatshëm ti ofrojmë të gjitha kompanive që i kanë këto specialitete për t’u bërë pjesë e këtij zhvillimi.
Mendoj që hapësirat janë të mëdha, duhet patjetër punë edhe nga ana jonë për ti bërë të thjeshta për ju, për komunikimin me investitorë të huaj. Jo më larg se dje pata një bisedë interesante me një prej ambasadorëve këtu, i cili solli një grup të interesuar për zhvillimin e kabllove të bakrit. E shihnin me interes. U tregoj një shembull konkret që ka industri që kanë operuar edhe në vende të treta edhe në kushte të vështira po shohim avantazhet që ka Shqipëria në këtë drejtim. Përmirësimi i rrjetit rrugor, aksesi më i madh në portet tona do të japin mundësi Shqipërisë që të kthehet në një zonë të rëndësishme për ekonominë rajonale. Ne zhvillimin nuk duhet ta shohim thjesht brenda vendit tonë. Ne jemi vend me dalje në det dhe një infrastrukturë e përmirësuar, qoftë nesër edhe në hekurudhë, ka edhe aty projekte që janë në fazën e studimeve të fizibilitetit për hekurudhën.
Hekurudha vërtet është një sektor shumë i vështirë, sidomos për transportin e udhëtarëve mund të jetë vazhdimisht me humbje, por në fushën e mallrave, pra kargo, Shqipëria ka shumë mundësi. Portet tona do të marrin jetë vetëm nëpërmjet një rrjeti modern hekurudhor, për të cilin ne duhet të punojmë në këtë drejtim, kuptohet këtu duam partnerë strategjikë, investitorë të cilat do ta bëjnë të mundur këtë. Ne si Shqipëri duhet të bëjmë projektet gati dhe të ofrojmë ato mundësi që mund të krijohen për investitorë të huaj për zhvillimin edhe të këtij sektori.
Në fushën e energjive të rinovueshme ka disa zhvillime interesante. Ne po përgatisim një ankand për 30 megavat fotovoltaikë, pra impiantin e parë të një shkalle të madhe në Shqipëri, në toka shtetërore jo bujqësore, sepse qëllimi i qeverisë shqiptare është që të promovojë investimin në toka jo bujqësore. Kur keni informacion apo ka kompani që janë të interesuara le të drejtohen për të marrë pjesë në këtë ankand.
Së fundi edhe promovimi i eksporteve shqiptare edhe me disa linja prodhimi, përshembull t’iu jap një shembull, një shoqëri që ka ngritur një impiant prodhimi, një fabrikë prodhimi për struktura metalike prodhonte deri në Japoni kulla për turbinat me erë, deri në Japoni shkonte eksporti i tyre për të mos thënë në Itali dhe disa vende të tjera. Pra ka industri në Shqipëri që i kanë këto mundësi dhe që mund të hapin mundësi eksporti më të mëdha në të gjitha vendet tuaja sepse kostoja është më e lirë dhe aksesi në shumë tregje është shumë i mundshëm për shkak të pozicionit gjeografik.
Unë si ministër do të jem i gatshëm për të pasur komunikim me gjithsecilin nga ju. Gjithçka që kemi do t’jua vëmë në dispozicion në mënyrë që ta bëjmë më të thjeshtë promovimin e hapësirave për investim nga vendet të cilat ju jeni dhe përfaqësoni Shqipërinë me dinjitet.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë