Deklaratë për shtyp e Ministres Belinda Balluku - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/12/2021

Deklaratë për shtyp e Ministres Belinda Balluku

Deklaratë për shtyp e Ministres Belinda Balluku:

Kryeministri Rama ka lënë porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Republikën e Kosovës gjatë datës 31 Dhjetor dhe 1 Janar. Këtu, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore, specialistët tanë, së bashku me specialistët e Korporatës Elektroenergjetike për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë shumë të rëndësishme.

Kështu që pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Elektronergjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3600 megavat/orë për datën 31 dhjetor dhe 4080 megavat/orë për datën 1 janar, në total 7680 megavat/orë, të cilat do të jepen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës, duke kërkuar që ti rikthehen Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror, kur kushtet tona hidrike fillojnë dhe bëhen të vështira. Kështu që kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji në Republikën e Kosovës do kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës, pra nga muaji qershor deri në muajin shtator. Kam komunikuar gjithashtu edhe me kolegen time, Ministren e Energjisë në Kosovë e cila sot ka qenë në Parlament pikërisht për një debat mbi energjinë.

Kriza energjetike ka prekur të gjitha botë, çmimet e larta të gazit tashmë, por edhe të burimeve të rinovueshme kanë sjellë që shtetet të marrin vendime të rëndësishme për rritjen e çmimit, si të abonentëve ashtu edhe të konsumit të bizneseve përsa i përket energjisë elektrike. Por, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri pasi Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një vendim shumë të rëndësishëm për të mbrojtur të gjithë brezin e abonentëve familjarë dhe të bizneseve të vogla.

Në ditët në vazhdim ne do të kemi mundësi për të folur më gjerë edhe për abonentët të cilët janë të lidhur në rrjetin e tensionit të mesëm, pasi ashtu siç ju jeni në dijeni ka një kuadër ligjor që i detyron që të dalin në tregun e lirë. Por, sigurisht në këto kushte kaq të vështira, ku çmimi i megavat/ orë ka arritur në nivele të pa perceptueshme deri më sot, Qeveria Shqiptare po analizon dhe po merr masat e duhura edhe për këtë target grup.

Megjithatë sot fokusohemi tek Kosova. Është kënaqësi për ne dhe është detyrë mbi të gjitha që ti ofrojmë vëllezërve tanë në Kosovë mundësinë për të pasur në mënyrë të pandërprerë shërbim energjetik gjatë dy ditëve të rëndësishme të vitit të ri për shqiptarët, siç është data 31 dhe 1. Me porosi të veçantë të Kryeministrit kjo detyrë është marrë shumë seriozisht nga ne dhe ne angazhohemi që përveç të gjithë ndihmës që do ti japim Kosovës do të ofrojmë shërbim të pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë.

Unë ju falenderoj për vëmendjen dhe ju uroj festa të mbara!