DEKLARATË PËR SHTYP - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/02/2021

DEKLARATË PËR SHTYP

Deklaratë për shtyp e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të madh të OSHEE, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të ditës së djeshme.

Ismet Isaraj, 64 vjeç dhe Selfo Kallfa, 52 vjeç, me detyre elektricistë në Degën Rajonale të OSHEE Gjirokastër, janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 6 KV të fiderit radiostacion në nënstacionin Gjirokastër.

Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar menjëherë Forcat e Rendit dhe më pas Forcat e Specializuara Polumbare bënë të mundur gjetjen e trupave.

Ismeti ka qenë 22 vite pjese e familjes së OSHEE dhe Selfo 34, pasi e kish nisur punën në moshën 18 vjeçare aq sa është sot i biri Fabiani.

OSHEE do të kujdeset për familjet e dy punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme.

Respekt për heroizmin e treguar nga punonjësit e OSHEE dhe OST në çdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti, për të minimizuar dhe për të riparuar sa më shpejt defektet elektrike për të mos lenë askënd pa energji.

Kam kërkuar nga drejtuesit e OSHEE dhe drejtuesi i OST të paraqesin pranë Këshillit Mbikëqyrës, kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithë punën e palodhur që kanë kryer gjatë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem.