Deklaratë e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/11/2022

Deklaratë e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Përshëndetje të gjithëve!

 

Sot gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave kemi miratuar marrëveshjen kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, dhe Albanian Seaports Development Company. E gjitha kjo është një marrëveshje kuadër e cila lidhet me ndërtimin e ballinës ujore të portit të Durrësit, si edhe me portin e Jahteve. Qëllimi i këtij projektligji është miratimi padyshim i kësaj marrëveshjeje kuadër me të gjithë partnerët që sapo citova.

 

Forma e bashkëpunimit të shtetit në këtë investim u miratua përmes pjesëmarrjes së shtetit në një shoqëri tregtare të përbashkët me investitorin privat, kushtëzuar ky vendim nga arritja e një marrëveshjeje të vlefshme mes palëve. Është pikërisht kjo shoqëri tregtare e krijuar nga të dy partnerët, publik dhe privat, e cila do të zhvillojë projektin dhe do të përfitojë prej tij duke qenë mbajtësi i masave mbështetëse.

 

Kemi parasysh që ne e kemi bërë disa herë publike, duke qenë se negociatat zyrtare kanë zgjatur rreth një vit, por ne e kemi nisur këtë punë shumë më parë dhe kemi bërë publike disa herë ecurinë e këtyre negociatave. Duhet pasur parasysh që flitet për një projekt zhvillues i cili ka një tipologji të veçantë. Për herë të parë, Republika e Shqipërisë është mbajtëse e aksioneve përsa i përket një projekti kaq të madh. Dy miliardë euro do të jetë investimi i cili do të shkojë në Portin e Durrësit dhe parashikohet në mënyrë direkte dhe indirekte punësimi i 10 mijë deri në 12 mijë persona.

 

Ky është një projekt i cili nuk do të ndikojë vetëm qytetin e Durrësit, por është një projekt i cili do ta vendosë Shqipërinë në hartën globale të turizmit, duke e kthyer në një nga HUB-et më interesante përsa i përket turizmit, bashkuar këtu dhe me të gjitha vlerat që qyteti i Durrësit ka përsa i përket siteve antike apo edhe të gjithë Shqipërisë.

 

Kjo projektmarrëveshje në tërësi të saj dhe dokumentet e tjera që rrjedhin prej saj apo lidhen me të reflekton në mënyrë të qartë dhe të detajuar të drejtat dhe detyrimet e secilës palë pjesëmarrëse në këtë investim në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Duhet të themi dhe këto janë argumente të cilat do ta ndjekin të gjithë procesin, pasi pas miratimit në Këshillin e Ministrave dhe pas zbardhjes së këtij vendimi, do të shkojë në parlament për tu aprovuar atje pasi të kalojë nga të gjithë komisionet përkatëse.

 

Duhet pasur parasysh që shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim, ashtu siç thashë, për herë të parë përmes një kompanie të përbashkët të krijuar midis investitorit privat dhe investitorit shtetëror. Gjithashtu pjesëmarrja shtetërore propozohet në nivele të tilla, të cilat nuk shuajnë ose reduktojnë ndjeshëm riskun operacional në ngarkim të investitorit.

 

Pavarësisht veprimeve të aksionerit privat, pra pavarësisht se ai mund të shtojë kapitalin ndër vite, në bazë të kësaj marrëveshje kuota e aksionerit shtetëror nuk do të cënohet. Pra kemi një kuotë e cila do të qëndrojë e palëvizshme pavarësisht sasisë së kapitalit të shtuar nga investitori privat. Bregdeti, deti përkatës dhe brigjet mbeten prona shtetërore të patjetërsueshme tek privati edhe pasi të zhvillohen. Ato do ti nënshtrohen proceseve moderne të pastrimit ambiental dhe fizik, ashtu siç është parashikuar në planin e punës dhe në projektin teknik të këtij procesi. Pronat private dhe publike të zonës objekt zhvillimi do të pësojnë një rritje vlere të konsiderueshme, duke qenë se do të ndodhen në zonën pranë një zhvillimi modern dhe luksoz. Aktiviteti i portit nuk do të ndërpritet dhe as nuk do të pengohet gjatë fazave të projektit, duke pasur parasysh që ky projekt do të ketë disa faza.

 

Në fazën e parë ne jemi gjatë parashikimeve për të përdorur ato pjesë të portit, të cilat nuk janë funksionale dhe që nuk do të ndërpritet asnjë lloj operacioni në portin ekzistues. Ndërkohë duke e pasur parasysh që ne prek kohësh dhe për arsye komplet të tjera, siç është ndotja ambientale, ndotja akustike, trafiku i rënduar në qytetin e Durrësit, ne kemi vendosur prej kohësh nisjen e një projekti i cili është dizenjuar nga Royal Haskoning, një nga kompanitë më të mëdha Europiane, një kompani holandeze, për ndërtimin e portit të ri komercial të Durrësit, i cili do të vendoset në zonën e Porto Romanos dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të projektit, edhe përsa i përket partneriteteve për ta çuar përpara këtë projekt, edhe faktit që aty ne kemi vendosur që të krijojmë dhe të ndërtojmë edhe një bazë të faciliteteve të NATO-s. Gjë që e kemi bërë bashkë me kryeministrin përgjatë një prezantimi që kemi pasur në selinë qendrore të NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të saj.

 

Gjithashtu duhet pasur parasysh që porti i ri i Durrësit do të jetë një port i cili nuk do ti shërbejë vetëm Shqipërisë. Do të jetë një port që do ti shërbejë të gjithë zonës së Ballkanit Perëndimor. Fillimisht me një port të thatë, i cili do të lidhet përmes hekurudhës nga Porti i Durrësit në Portin e Thatë të Prishtinës dhe gjithashtu ne kemi pasur diskutime intensive edhe me fqinj të tjerë, siç është Maqedonia e Veriut apo edhe Serbia, të cilët janë të gatshëm për të përdorur portin e Durrësit.

 

Porti i ri i Durrësit i vendosur në zonën e Porto Romanos do të jetë një port i cili do të mbulojë kapacitetet e nevojshme për Shqipërinë edhe për vendet fqinje për disa dekada. Një port modern i cili do ti përgjigjet kërkesave në shtim gjatë viteve. Kështu që këto dy projekte të lidhura ngushtësisht me njëra – tjetrën, i hapin rrugë një zhvillimi të integruar i cili mbështet si fushën e turizmit, ashtu edhe fushën e zhvillimit të porteve detare në Shqipëri që janë pjesë e strategjive prioritare të Qeverisë Shqiptare.

 

Sot është një ditë e rëndësishme. Me këtë vendim i hapet rrugë pra çuarjes së projektmarrëveshjes në parlament për ta përmbyllur këtë, shpresojmë brenda vitit dhe menjëherë për të nisur kantierin për ndërtimin e ballinës ujore të Durrësit dhe sigurisht edhe të portit të Jahteve.

 

Faleminderit!