Ligjislacioni baze qe menaxhon aktiviteti e kërkimit dhe prodhimit te hidrokarbureve ne Shqipëri eshte:
• Ligji nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkim, prodhim)”, të ndryshuar;
• Ligj 7811 datë 12.4.1994 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.782, datë 22.2.1994 “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”, te ndryshuar;
• Rregullorja “Për Procedurat e Miratimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure dhe Licencë e Marrëveshjeve, si dhe afatet përkatëse”, miratuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; e ndryshuar me Urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë nr. 121, datë 08.05.2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në “Rregulloren për Procedurat e Miratimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure dhe Licencë e Marrëveshjeve, si dhe afatet përkatëse”
Në baze dhe ne zbatim të këtij kuadri rregullator ligjor Ministria hyn në Marrëveshje Hidrokarburesh me çdo Person, duke autorizuar atë Person sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje, të kërkojë, zhvillojë dhe prodhojë hidrokarbure në Zonën e Kontratës, sipas procedurave te mëposhtme.
Personi që është i interesuar për të lidhur marrëveshje hidrokarbure duhet të sigurojë burimet financiare dhe kompetencën teknike të kërkuar për të përmbushur detyrimet e Kontraktorit nën Marrëveshjen e Hidrokarbureve, nëse Personi nuk i siguron këto dy kritere ai nuk mund të hyje me Ministrinë për të lidhur Marrëveshje Hidrokarbure.
Procedura për përgatitjen dhe miratimin e një Marrëveshje Hidrokarbure, nga MEI, AKBN dhe Albpetrol, sipas zonave që kanë në administrim si dhe afatet kohore të miratimit të tyre janë si më poshtë:
MEI dhe AKBN publikojnë në faqen e tyre të internetit hartën me blloqet e lira të naftës dhe gazit në territorin e Republikës se Shqipërisë si dhe formularin e aplikimit. Në formatin e aplikimit duhet të përfshihet edhe afati i dorëzimit të aplikimeve për blloqet e lira.
Subjektet e interesuara paraqesin pranë MEI, AKBN ose Albpetrol (në rastin e zonave që administrohen nga Albpetrol) një aplikim për të hyrë në Marrëveshje Hidrokarbure. Në rast aplikimi në MEI, ai dërgohet për shqyrtim në AKBN brenda 10 ditëve.
AKBN e shqyrton aplikimin sipas procedurës se mëposhtme:
– Në rastin kur në AKBN ose Albpetrol ka aplikim nga një subjekt i vetëm për një bllok ose vendburim të lirë, AKBN ose Albpetrol sipas rastit, brenda 10 ditëve nga marrja e aplikimit, i paraqet Ministrisë se Energjisë dhe Industrisë (MEI) dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesën për miratimin e fillimit të negocimeve. MEI jep aprovimin ose jo për fillimin e negociatave brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit nga AKBN ose Albpetrol.
– Në rast se, ka me shume se një aplikim për një bllok ose vendburim të lirë, AKBN ose Albpetrol sipas rastit, do të përcjellin në MEI dokumentacionin e shoqërive aplikuese dhe vlerësimin e AKBN ose Albpetrol bazuar në kapacitetin teknik, financiar si dhe termat dhe kushtet kryesore të marrëveshjes hidrokarbure. Mbi këtë dokumentacion të paraqitur, MEI miraton ose jo shoqërinë fituese.
Në rast miratimi nga MEI të kërkesës se AKBN ose Albpetrol, përfaqësuesit e AKBN ose Albpetrol fillojnë negociatat me subjektin e përzgjedhur fitues nga MEI për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, në baze të aplikimit të paraqitur nga subjekti fitues. Me urdhër të Ministrit, në grupin negociator do të caktohen përfaqësues nga MEI ose eksperte të jashtëm. Pasi palët bien dakord, dokumenti nënshkruhet nga të dy palët dhe i përcillet MEI për miratim. Gjate procesit të negociatave do të mbahen minutat e takimeve.
Afatet:
• AKBN apo Albpetrol do t’i përcjellë Ministrisë për miratim Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit.
• Ministria do të japë miratimin apo refuzimin e saj për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes brenda 10 ditëve nga marrja e dokumentit të nënshkruar të Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes.
Në rast miratimi të Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, AKBN apo Albpetrol, fillojnë procesin e negocimit.
Procesi përfundon kur drafti përfundimtar firmoset në çdo faqe nga përfaqësuesit e AKBN apo Albpetrol dhe subjektit të interesuar.
– Drafti i përfunduar përkthehet në shqip dhe i përcillet Ministrisë për miratim.
– Në rast se AKBN apo Albpetrol gjykojnë të nevojshëm, kryejnë oponenca,
drafti rishikohet dhe i përcillet Ministrit për miratim.
Afatet:
• AKBN apo Albpetrol do të fillojnë negocimet brenda 30 ditëve nga marrja e miratimit për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure.
• AKBN apo Albpetrol do t’i përcjelle Ministrisë për miratim draftin përfundimtar të Marrëveshjes Hidrokarbure brenda 15 ditëve nga data e firmosejs se tij, në çdo faqe nga palët.
• Kur drafti dërgohet për oponence, atëherë rinegocimi dhe rishikimi i draftit bëhet brenda 20 ditëve nga data e marrjes se oponencës.
Drafti i firmosur i Marrëveshjes Hidrokarbure, mund të dërgohet për oponence nga Ministria, nëse e gjykon të nevojshme. Ministria e dërgon draftin për mendim në Ministrinë e linjës.
Në rast vërejtjesh nga oponenca e kryer ose Ministritë e sipërpërmendura dhe kur ato gjykohen si të drejta, drafti rinegociohet.
Pas kryerjes se rinegocimeve, Albpetrol e përcjell draftin e rinegociuar për miratim, ndërsa AKBN për miratim dhe nënshkrim, tek Ministri.
Afatet:
• Kur drafti dërgohet për oponence, atëherë rinegocimi dhe rishikimi i draftit behet brenda 20 ditëve nga data e marrjes se oponencës.
• Kur drafti dërgohet për mendim në Ministrinë e linjës, atëherë rinegocimi dhe rishikimi i draftit behet brenda 20 ditëve nga data e marrjes se mendimit nga Ministritë e mësipërme.
• Drafti i rinegociuar dërgohet në Ministri brenda 10 ditëve.
• Ministri është gati të nënshkruajë Marrëveshjen Hidrokarbure për zonat që administron AKBN, brenda 10 ditësh.
• Ministri jep miratimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Hidrokarbure për zonat që administron Albpetrol, brenda 10 ditëve. Albpetrol duhet të jete gati për nënshkrimin e Marrëveshjes Hidrokarbure brenda 10 ditëve nga ky miratim.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes Hidrokarbure, ajo dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e Ministrave.
Procedura për përgatitjen dhe miratimin e një Licencë Marrëveshje, si dhe afatet kohore të miratimit të tyre, janë si me poshtë:
Albpetrol paraqet pranë AKBN kerkesen për t’u pajisur me Licencë Marrëveshje nga Ministri, pas miratimit të Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure nga Ministria.
Afatet:
• Kërkesa paraqitet brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i dokumentit të Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure.
a. AKBN përgatit dhe i dërgon Albpetrol-it draftin e Licencë Marrëveshjes. Drafti i Licencë Marrëveshjes diskutohet mes Albpetrol-it dhe AKBN dhe përgatitet drafti përfundimtar që firmoset në çdo faqe. Drafti përfundimtar i paraqitet Ministrisë për miratim dhe nënshkrim.
Afatet:
• AKBN brenda 30 ditësh përgatit dhe i paraqet Albpetrol-it draftin e propozuar të Licencë Marrëveshjes.
• Diskutimet për draftin përfundimtar kryhen brenda 50 ditësh.
• Drafti përfundimtar i paraqitet Ministrisë për miratim dhe nënshkrim brenda 10 ditëve.
• Ministri brenda 10 ditëve nënshkruan apo kërkon bërjen e ndryshimeve.
• Në rast se Ministri kërkon ndryshimin e draftit, ato kryhen brenda 30 ditëve dhe drafti i rishikuar i Licencë Marrëveshjes riparaqitet për nënshkrim.
• Licencë Marrëveshja nënshkruhet nga Ministri dhe Albpetrol brenda 10 ditësh, pasi është dhënë miratimi për Marrëveshjen Hidrokarbure.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë