Font Resize
 Balluku: Sistemi i ri i faturimit të energjisë për furrat e bukës nuk rrit kostot - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 22/04/2024

Balluku: Sistemi i ri i faturimit të energjisë për furrat e bukës nuk rrit kostot

Duke nisur nga muaji i ardhshëm të gjitha furrat e bukës në vendin tonë do të faturohen sipas një sistemi të ri, i cili jo vetëm nuk parashikon rritje të çmimit, por vendos një sistem të drejtë duke respektuar konkurrencën mes subjekteve. Ky sistem i ri është dakordësuar edhe me vetë përfaqësuesit e Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.

Furrat e bukës, të cilat tregtojnë vetëm bukë, do të vijojnë të kenë çmimin e pandryshuar, 7.6 lekë për kilovatorë. Furrat e bukës, që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri, do të kenë një çmim prej 9.5 lekë për kilovatorë, ndërsa ato subjekte që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri si dhe funksionojnë edhe si bar- kafe do të kenë një çmim prej 14 lekësh për kilovatorë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSHEE, Enea Karakaçi dhe përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, ishin në Tiranë në një subjekt i cili funksionon si furrë buke, por tregton edhe produkte pastiçerie. Me sistemin e ri ky tipologji biznesi përfiton një ulje të çmimit, krahasuar me çmimin që kanë paguar deri më tani.

“Na rezulton që me çmimin 9.5 lekë, përveçse sistemojmë gjendjen, nuk ka asnjë rritje çmimi, madje i bie të paguajnë pak më pak. Edhe ky elementi që ka një rritje çmimi edhe për këtë lloj tipologjie nuk është i vërtetë, por arrinë vetëm atë që sistemojmë subjektin, nuk ka më nevojë që të vijojë të kontrollohet nëse ka dy matësa apo jo, ka krijuar dy nipte apo jo, ka një çmim unik dhe patjetër ushtron aktivitetin e tij”, u shpreh Karakaçi.

Sistemi i ri i faturimit i jep fund abuzimit duke i dhënë zgjidhje një problematike shumëvjeçare, për tipologjinë e furrave të bukës të cilat kanë zgjeruar aktivitetin e tyre dhe tashmë tregtojnë edhe produkte pastriçerie. Ky sistem faturimi do të nisë të aplikohet duke nisur nga muaji i ardhshëm. “Nuk duhet ta harrojmë që ka pasur dhe një abuzim, diçka që ne e kemi identifikuar qoftë nga subjektet, edhe qoftë edhe nga vetë punonjësit e faturimit, gjë të cilën duke e unifikuar me një kontratë të vetme, zgjidhet njëherë e mirë një problem i rëndësishëm që kemi mbartur ndër vite”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shtoi më tej se ka pasur një dialog të vazhdueshëm me përfaqësues të shoqatës, duke arritur dakordësinë për sistemin e ri të faturimit, ndërsa theksoi se Qeveria Shqiptare do të jetë në krah të sipërmarrjes për të nxitur zhvillimin e tyre, si një element i rëndësishëm i rritjes ekonomike.

“Fakti që kemi pasur një dialog të hapur me shoqatën, jemi ulur në tryezë, kemi dëgjuar dhe na kanë dëgjuar na ka sjellë në këtë rezultat. Ju do të jeni të qartë për çka po bëjmë sot në 1 qershor, kur t’ju vijë fatura e parë do të keni mundësi që të krahasoni dy faturat që ke paguar gjatë gjithë kohëve, me faturën unike të bashkuar që do të vijë në 1 qershor”, tha Balluku.

Vetë përfaqësuesit e Shoqatës së Brumërave shprehën mbështetjen për këtë skemë, si dhe angazhimin për të njohur të gjitha subjektet me këtë vendim të ri, i cili është në favor të tyre.