Balluku në Kuvend “Për buxhetin faktik të vitit 2023” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 07/11/2024

Balluku në Kuvend “Për buxhetin faktik të vitit 2023”

Fjala e Ministres Belinda Balluku në Kuvend për projektligjin “Për buxhetin faktik të vitit 2023”:

 

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Projektbuxheti i vitit 2025 është pa dyshim një projektbuxhet frymëzues për ekonominë shqiptare dhe mbi të gjitha, është një pasqyrim i qartë i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbështetur mbi një vizion: “Shqipërinë 2030”. Megjithatë, ky nuk është viti i parë që buxhetet tona janë të konsoliduar, janë buxhete të mirëstudiuara, duke pasur parasysh që tashmë ne nuk bëjmë as projekte e as reforma elektorale, por projekte të ndërlidhura, të mirëstudiuara, sektoriale të fushave të ndryshme, të cilat praktikisht kanë për qëllim rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Prej kohësh tashmë duhet thënë se këto reforma kanë nisur të japin rezultatet e tyre, siç po japin edhe projektet e mëdha të cilat realizohen vit pas viti.

Ndërkohë, nëse sot do të analizonin buxhetin faktit të vitit 2023, duhej ta nisnim duke thënë se viti 2023 është viti i parë i normalitetit ekonomik dhe financiar të vendit tonë pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë 2020-2021 dhe pas krizës energjetike të viti 2022. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në buxhetin e vitit 2023 ka menaxhuar fonde në vlerën 54,7 miliardë lekë, të cilat kanë qenë të ndara në shpenzime korrente në vlerën 5,3 miliardë lekë dhe në shpenzime kapitale në vlerën 49,4 miliardë lekë. Financimi i brendshëm i shpenzimeve kapitale ka qenë i parashikuar në vlerën 29,4 miliardë lekë ose, thënë ndryshe, 59,5% e totalit, ndërkohë që financimi i huaj në vlerën e 19,9 miliardë lekëve ose, thënë ndryshe, 40,5% e totalit.

Gjatë vitit 2023 buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pësoi ndryshime në kuadër të rishikimit të buxhetit, konkretisht me aktin normativ nr. 5 të datës 18.10.2023 dhe më pas me aktin e fundvitit të datës 14.12.2023. Rishikimet e ligjit në buxhetin e vitit 2023 i akorduan Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një buxhet total në vlerën 68,3 miliardë lekë, pra një rritje prej 15 miliardë lekësh në vlerë nominale apo 28% të buxhetit fillestar, të cilat u shpërndanë në shpenzime korrente në vlerën 7,6 miliardë lekë, me një rritje prej 2,3 miliardë lekësh; shpenzime kapitale në vlerën 60,7 miliardë lekë, me një rritje prej 12,6 miliardë lekësh. Gjithashtu, financimi i brendshëm mbajti peshën e një vlere prej 51,5 miliardë lekësh, ndërkohë që financimi i huaj në vlerën e 9,2 miliardë lekëve, u referohem shpenzimeve kapitale.

Realizimi i buxhetit të vitit 2023 është i ngjashëm edhe me realizimin e viteve të mëparshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pra nisur nga viti 2019, dhe totali i tij është realizuar në masën 97,7%; shpenzimet korrente janë realizuar në masën 98,2%, ndërkohë që shpenzimet kapitale në masën 97,65%, ndër të cilat shpenzimet kapitale me financim të brendshëm u realizuan në masën 99,4%, ndërkohë që shpenzimet kapitale me financim të huaj u realizuan në masën 74,2%.

Është shumë e rëndësishme të përmendim që në buxhetin e vitit 2023 u sigurua një mbështetje buxhetore për reformën e pagave të punonjësve të administratës publike dhe pati disa risi të tjera për trajtimin e punonjësve të administratës publike, duke krijuar kështu një sistem meritokracie dhe rritje të kapitalit njerëzor, si një nga shtyllat kryesore për të përparuar në procesin e anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, sa i takon realizimit të investimeve kapitale, në sektorin e infrastrukturës rrugore, që mban pjesën kryesore të këtij buxheti, në zërat “ndërtim rruge”, i shprehur në sasi, për vitin 2023 ishte parashikuar ndërtimi i 70,14 kilometrave rrugë dhe është realizuar përkatësisht ndërtimi i 70,14 kilometrave rrugë. Në terma sasiore, pra në kilometra, sipas tipologjisë së infrastrukturës rrugore për vitin 2023 janë ndërtuar autostrada të kategorisë “A” 4,62 kilometra; të kategorisë “A2” 7,28 kilometra; të kategorisë “B” 12,48 kilometra; të kategorisë “C2” 55,43 kilometra. Ndërkohë, në zërin “sinjalistikë dhe siguri rrugore”, i shprehur në sasi, për vitin 2023 ishte parashikuar rehabilitimi i sinjalistikës rrugore për 526,19 kilometra rrugë dhe janë realizuar përkatësisht 526,03 kilometra rrugë.

Sa u takon shpenzimeve kapitale me financim të huaj, në sasi, në zërin “ndërtim rrugësh” kategoritë “B”, “C” dhe kategori të ndryshme, pjesë të mirëmbajtjes, ishin planifikuar 1 338 kilometra rrugë dhe janë realizuar 1 337 kilometra rrugë.

Një tjetër program i rëndësishëm, me peshë të madhe buxhetore, është programi i furnizimit me ujë dhe kanalizime. Realizimi i këtij programi, i shprehur në përqindje, për vitin 2023 është: për investimet për projekte të reja në ujësjellës-kanalizime realizimi buxhetor është në masën 99%; për sa u përket kanalizimeve të reja, realizimi i buxhetit është po ashtu në masën 99%; për investimet për rikonstruksionin e kanalizimeve ekzistuese, realizimi është në masën 100%; për investimet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, realizimi është në masën buxhetore 99%; për investimet për studime dhe projektime, realizimi është në masën buxhetore 100%.

Po përmend disa nga projektet më të rëndësishme të realizuara gjatë vitit 2023: kanë përfunduar punimet për rehabilitimin e aksit Levan – Vlorë dhe Shkozet – Plepa; kanë përfunduar punimet për ujësjellësin e ri të Gjirokastrës, për ujësjellësin e ri të Lushnjës; kanë nisur punimet për Korridorin 8, në fazat një dhe dy të zgjerimit të segmentit Elbasan – Qafë Thanë; kanë nisur punimet për fazën e parë të Qendrës së Monitorimit të Trafikut; kemi nisur punimet për aksin Berat – Ballaban, loti i tretë; kemi nisur punimet për realizimin e aksit Maqellarë – Peshkopi, si dhe kemi nisur punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit në qytetin e Elbasanit.

Sigurisht, buxhetin e vitit 2023 shqiptarët do ta mbajnë mend: për rritjen e pagave të administratës publike, do të mbahet mend si viti i bumit të madh turistik, ku për herë të parë në vendin tonë numri i vizitorëve arriti në 10,1 milionë dhe të ardhurat nga sektori i turizmit arritën në 4,2 miliardë. Do të mbahet mend për rritjen e investimeve publike; për numrin e shtuar të investitorëve të huaj në fusha të infrastrukturës kritike. Padyshim kapërcimi i krizës energjetike të vitit 2022, qëndrueshmëria ekonomike. Do të mbahet mend për uljen e borxhit.

Nëse sot do të shtrohej pyetja, që e dëgjova fatkeqësisht, qytetarët janë më mirë sot apo kanë qenë më mirë para shumë vjetësh, kjo mund të jetë shaka dhe pas një seance të ngarkuar, mund të kishim qeshur të gjithë së bashku dhe do të qeshnin edhe qytetarët nga shtëpitë e tyre kur e dëgjojnë këtë pyetje, sepse nuk e di sesi paskan qenë më mirë qytetarët, kur në vitin 2007 kishte vetëm 5 orë drita në kryeqytet këtu në Tiranë dhe jo më zonat rurale! Ndërkohë, sot, nëse shkëputen dritat në Theth, ku rrinin me muaj pa drita, duhet të ndërhyjmë brenda 20 minutash, pasi në Theth sot ka bujtina të mbushura me turistë të huaj. Si mund t’i pyesim shqiptarët nëse janë më mirë sot apo kanë qenë më mirë para 15 vitesh, kur për të shkuar në Dibër duheshin 7 orë, ndërsa sot shkon për 1 orë e 40 minuta?! Si mundet t’i pyesim qytetarët që, kur flitej për Shqipërinë, kishin turp të thoshin se vinin nga Shqipëria, ndërkohë sot është krenaria më e madhe?! Nuk e di se si mund të shtrohet kjo pyetje, a janë më mirë sot shqiptarët!

Shumë faleminderit!