Balluku merr pjesë në tryezën “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën digjitale” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/12/2024

Balluku merr pjesë në tryezën “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën digjitale”

Fjala e Zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

 

E dashura Etilda, shumë faleminderit edhe për fjalët motivuese.

Të dashura kolege,

Të dashura motra, shoqe, zonja,

Të dashur partnerë ndërkombëtarë, që na jeni në krah gjatë gjithë kohës.

Unë me të vërtetë kam ndoshta në qeveri si grua, pozicionin më të lartë, por nga ana tjetër nuk e kam konsideruar kurrë atë pozicion si një privilegj, sepse jam grua. Edi Rama që në krye të herës apo që kur unë, Ogerta, Albana Koçiu, rastësisht kemi qenë të gjitha pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës në fillim të viteve 2000, e ka pasur parim që burrat dhe gratë duhet të kenë të njëjtat shanse, që nuk ka asnjë diferencë mes burrave dhe grave dhe nganjëherë bëhet edhe pak i padrejtë, duke thënë që gratë prodhojnë më shumë, janë më besnike, janë më të sinqerta, më të angazhuara. Unë them që është çështje karakteri, është çështje individi dhe nuk ka të bëjë me gratë apo me burra.

Sigurisht, kjo tryezë ka një tematikë shumë të rëndësishme që prek dy çështje shumë të rëndësishme, barazinë gjinore, forcimin e grave, mbrojtjen e tyre ndaj dhunës, por çka është më e rëndësishme për ditët e sotme dhe çka është shumë koherente me çka po ndodh, ndikimin që kanë mediat sociale, dixhitalizimi. Dixhitalizimi si një proces revolucionar. Sot të gjithë së bashku biem dakord për faktin që kemi hyrë në epokën e revolucionit dixhital dhe Shqipëria është flamurmbajtëse e këtij revolucioni, por si çdo revolucion, si çdo produkt ka benefite dhe efektet anësore negative. Tek benefitet jemi të gjithë të qartë dhe nuk jemi këtu për t’i analizuar sot se çfarë ka sjellë dixhitalizimi, ndërkohë përsa i përket efekteve anësore negative të gjithë në këtë sallë, gratë, vajzat, por unë jam e sigurt edhe burrat që na janë bashkuar sot, për të cilët unë kam respekt të jashtëzakonshëm kur mblidhen në salla që kanë si axhendë çështje që kanë të bëjnë me gratë, por ne kemi dhe burra në tryezë.

Unë dua që secili prej jush, kam një fjalim, kam gjithmonë fjalime përpara, por që nuk më pëlqen t’i lexoj, sepse do desha që të bënim një bisedë ndryshe me njëri-tjetrin. Secili prej jush në këtë tryezë në një mënyrë apo në një tjetër është viktimë. Është viktimë, zonjat e ndasisë gjinore, qoftë kjo dixhitale apo qoftë kjo reale. Secili prej nesh këtu mund të ketë qenë dhe dje viktimë e një sulmi dixhital apo e një sulmi me bazë gjinore. Mund të ketë qenë dhe sot në mëngjes, mund të jetë çdo sekondë dhe çdo ditë.

Sot shikoja lajmet dhe pavarësisht se unë dje dhe koleget e mia kemi qenë në seancën parlamentare, na merr edhe ne ajo rutina dhe ca gjëra i dëgjojmë, ca nuk i dëgjojmë. Po dëgjoja prononcime dhe copëzave të ndryshme të mediave. Dëgjoja kolegët tanë deputetë, nuk po i ndaj majtas apo të djathtas se ka pak rëndësi sot, këtu jemi të gjithë bashkë, tek flisnin që ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Seksizëm total! Se zakonisht gratë janë ato që mbajnë parfumet apo që akuzohen për parfumet. Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet, të cilat kushtojnë nga 100 lekë edhe shumë më shumë, po nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatje për t’i ndarë sesa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte, nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë, ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës, i cili tregonte sesi kanë ndryshuar disa prej grave të këtij parlamenti në pamjen e tyre. Unë nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi ne në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi të komisionit, e drejtuesit të Komisionit të Ligjeve është grua, apo nuk e di sa rëndësishme është pamja ime, sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash, supozohet që është punë burrash, se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit.

Kështu që, për sa i përket sulmeve me bazë gjinore i kemi çdo ditë, çdo sekondë dhe i ka provuar secili prej jush në këtë tryezë, pa ndasi majtas apo djathtas, apo pjesë e shoqërisë civile apo pjesë e shoëbizit, ne jemi të gjithë të ekspozuar ndaj këtyre sulmeve. Çështja është çfarë bëjmë ne sëbashku për t’i ndaluar, parandaluar këto sulme. Çfarë bëjmë ne sëbashku, që të japim shembullin e mirë për vajzën time 13 vjeçare apo për vajzat e tjera që keni secili prej jush këtu në tryezë. Çfarë bëjmë ne? Dalim të enjteve në televizor nga salla e parlamentit, meqenëse ndodhemi në një nga sallat e parlamentit dhe japim spektaklin javor sesi dhunohen gratë.

Çfarë bëjnë sot mediat, të cilat nuk pëlqejnë një figurë të shoëbizit apo nuk pëlqejnë një figurë të politikës. E nxjerrin ndër vite ndër pamje të ndryshme. Po pse kujt duhet t’i marrim leje kur shëndoshemi se sapo kemi lindur apo kur dobësohemi se duhet të dobësohemi, mund të na ketë dalë kolesteroli i lartë. Kujt duhet t’ja marrim këtë leje? Sa nga ju janë nën presionin e sesi duken. Ditën kur vëmë buzëkuq, kemi vënë shumë, ditën kur nuk vëmë, çfarë na ka ndodhur, a kemi ndonjë problem, a jemi mirë apo nuk jemi mirë. E gjitha kjo transmetohet në një mënyrë banale në mediat sociale, të cilat nuk kanë filtër, pasi liria e fjalës është shumë e rëndësishme. Po kush nga ne në këtë tryezë mund të thotë, ku fillon dhe ku mbaron liria e fjalës dhe ku fillon dhe ku mbaron liria e individit.

Angazhimin e qeverisë shqiptare besoj që e kanë të qartë të gjithë, përsa i përket barazisë gjinore, përsa i përket dhunës që ndodh në mediat dixhitale dhe çfarë aksionesh dhe veprimesh konkrete kemi marrë ne nga ligji për mediat audiovizive dhe shumë hapa të tjerë ligjorë që janë ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe kanë kaluar të gjitha instancat e parlamentit shqiptar deri në miratimin e tyre. Këto janë evidente dhe janë të qarta. Edhe vetë fakti që sot në këtë tryezë ndodhen tre përfaqësues të kabinet qeveritar, të lidhur për shkak të detyrës dhe të pozicionit dhe për shkak të angazhimit tonë gjatë gjithë karrierës, që të treja me çështjet e barazisë gjinore dhe padyshim me atë aksion të madh që Shqipëria dhe Qeveria Shqiptare bënë prej disa vitesh përsa i përket forcimit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare.

Këto tryeza padyshim kanë produktet e tyre, janë të domosdoshme dhe unë e përgëzoj Etildën. E kam ndjekur gjatë gjithë kohës në procesin e saj si reportere dhe gjithçka ajo ka bërë pikërisht, për të gjitha risqet që një shoqëri moderne prezanton në jetën e një gruaje, por nga ana tjetër, veprimtaria jonë e secilës prej nesh nuk duhet të mbetet vetëm ditën kur ne ulemi në këto tryeza. Nuk duhet të mbetet vetëm në letrat e disa raporteve që prodhohen, që janë shumë të vlefshme për të thënë të drejtën, sepse na bëjnë koshient për atë çka ndodh rreth nesh, por unë do ta quaj të domosdoshme një aktivitet të përditshëm nga secila grua, nga secila zonjë, në cilindo rol që të ketë dhe jo thjesht insistoj përsa i përket dhunës me bazë gjinore, por për çdo lloj dhune virtuale. Çdo lloj dhune virtuale është e rrezikshme në ditët e sotme edhe për shembullin që krijon. Shembujt që po krijohen, ekspozimi i vajzave të reja ndaj presioneve që bëhen në mediat online, sigurisht ka të gjithë shanset që të përhapet në mënyrën më të shpejtë, nëse deri dje me anë të ligjit, me anë të rregulloreve ushtrohej njëfarë kontrolli përsa i përkiste gjuhës së dhunës, pamjeve të dhunshme apo dhunës me bazë gjinore në mediat audiovizive, sot në mediat sociale ky kontroll është pothuajse i pamundur.

Ne jemi të gjithë të qartë edhe si prindër, sesa e vështirë është sot që të ndash një fëmijë nga dixhitalizimi, pavarësisht se ne mundohemi të gjithë ta bëjmë duke i kufizuar oraret apo duke i marrë mjetet dixhitale, nga ana tjetër ne e dimë shumë mirë se duke bërë këtë e lëmë disi të izoluar me një pjesë të proceseve të domosdoshme për jetën e sotme, që është research-i që ai bën për arsye të mësimeve, që është informacioni që ai duhet marrë apo kontakti edhe me shokët. Kështu që e ndan një vijë shumë e hollë, benefitet që ka dixhitalizimi me efektet anësore negative që ai sjell, duke mos përjashtuar këtu edhe dhunën gjinore.

Unë nuk dua të zgjatem, pasi do desha shumë që kjo tryezë të diskutonte në baza të eksperiencave personale, do desha shumë që kjo tryezë të dilte me një produkt të mirëfilltë dhe me një rezolutë e cila të ndihmojë situatën sot në vendin tonë, që nuk është fare e ndryshme nga situatat në të gjitha vendet e tjera. Dhe dua ta nënvizoj këtë, pasi ka një lloj përdorimi gjithçka që ndodh, kërkojmë që t’i japim një peshë tjetër për vendin tonë, që kjo që ndodh në Shqipëri ndërkohë që nuk është e vërtetë, sepse një nga efektet e tjera që ka dixhitalizimi është që nuk ka kufi. Është pa kufi, si aviacioni, ‘no borders’ dhe një situatë apo një ngjarje e rëndë, negative, që ndodh në një shtet tjetër ka të njëjtin impakt negativ, duke krijuar shembull në vendin tonë pikërisht për shkak të dixhitalizimit.

Kështu që duhet të reflektojmë të gjithë. Duhet të mendohemi dhe të kuptojmë që është e lehtë të politizosh disa gjëra, disa ngjarje, disa fakte. Është e lehtë që t’i vësh vulën, është e lehtë të bullizosh, është e lehtë të bësh keq. Ajo që është e vështirë është që të bëhemi të gjithë bashkë. E vështirë është që nga një ngjarje e rëndë të nxjerrësh mësime për të përmirësuar situatën. E vështirë është që të marrësh benefitet e një produkti të ri, siç është dixhitalizimi, por nga ana tjetër të zvogëlosh sa më shumë efektet e tij negative dhe kjo bëhet vetëm nëse shoqëria bëhet bashkë.

Shumë faleminderit!