Janë drejt përfundimit punimet për rikonstruksionin dhe rritjen e kapaciteteve të nënstacionit elektrik Tirana 1, pranë Zogut të Zi në Tiranë. Një nënstacion i ndërtuar në vitin 1951, ku janë realizuar ndërhyrje herë pas here, por asnjëherë të plota. Investimi që po kryhet i përgjigjet zhvillimit të zonës, pasi përmes këtij nënstacioni furnizohen me energji elektrike afro 25 mijë banorë dhe biznese të kryeqytetit.
Punimet përfshinë rikonstruksionin e ndërtesës, instalimin e pajisjeve të reja dhe gjithë setin e nevojshëm të transformatorëve, me teknologji bashkëkohore.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSSH, Blendian Dalipi ndoqën nga afër punimet ku deri më tani janë realizuar afro 90% e punonjësve.
“Kemi filluar punimet për rikonstruksionin total të ambienteve të shërbimeve, godinës, sheshit, rrethimit. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që duhet ta theksojmë, ky nënstacion tashmë nuk do të jetë më 35 kilovolt, por do jetë një nënstacion 110 kilovolt”, theksoi Dalipi referuar punimeve në këtë projekt, ndërsa bëri të ditur se aktualisht po investohet në të gjithë vendin, si për rikonstruksionin e nënstacioneve ekzistuese, por edhe për ngritjen e nënstacioneve të reja.
Këto investime, bëri të ditur Zëvendëskryeministrja Balluku, jo vetëm përmirësojnë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e treguesve të performancës për vetë kompaninë.
“Të gjitha nënstacionet të cilat po fuqizohen, po rindërtohen apo edhe nënstacionet e reja do ti përgjigjen qëllimit tonë kryesor që është ofrimi i një shërbimi cilësor. Do ti përgjigjen ritmit të shpejtë të zhvillimit të qyteteve, siç është kjo zonë këtu në Zogun e Zi, por nga ana tjetër do të na ofrojë edhe çka ne synojmë, uljen e humbjeve teknike të cilat rrisin fuqinë ekonomike të kompanisë për të bërë më shumë investime, për të ulur çmimin e energjisë, ashtu siç kemi bërë edhe në fillim të këtij viti, duke ulur çmimin për të gjithë konsumatorët familjarë që konsumojnë nga 0 deri në 700 kilovolt”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë solli në vëmendje gjithashtu edhe hapjen e thirrjes së dytë për abonentët familjarë, të cilët kanë interes për të vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit. Një nisëm e cila ndikon në reduktimin e faturës së energjisë dhe që 70% e investimit mbulohet nga buxheti i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë.
“Përfitoj nga rasti për të bërë edhe një kujtesë për të gjithë qytetarët që janë të interesuar, pasi kemi hapur thirrjen e dytë për panelet diellore, të cilat shërbejnë për ngrohjen e ujit në tarracat e shtëpive, duke ulur faturën mujore energjetike nga 20 deri në 30%. Në thirrjen e parë mbi 1980 njësi janë vendosur në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Ne mendojmë se dhe thirrja e dytë, prej 2000 njësish, do të jetë po ashtu e suksesshme, ndaj mos vononi, paraqisni të gjithë dokumentacionin. Është shumë e thjeshtë që të bësh aplikimin dhe akoma më e thjeshtë që të vendoset, të implementohet në banesën tuaj”, deklaroi Balluku.
Punimet në nënstacionin elektrik Tirana 1, përfundojnë në muajin Maj të këtij viti, afro 1 vit para afatit të parashikuar.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë