Në lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, e cila kalon në zonën e Shkozës, po vijon puna për ndërtimin e viaduktit, vepra më e rëndësishme në këtë lot, me një gjatësi prej 420 metrash. Në këtë lot realizimi fizik i punimeve ka arritur në 32%.
Menjëherë pas hapjes së kantierit, punimet kanë ecur me ritme të shpejta, ndërkohë ka përfunduar edhe ndërtimi i 176 trarëve të cilët do të përdoren për këtë viadukt, ndërkohë që projekti e trajton zonën edhe me elementët urbanë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.
“Në momentin që është liruar sheshi ndërtimit kemi arritur me ritme të shpejta nga 300 pilota që duhet të ndërtohen për bazamentet e urës së madhe, kemi realizuar rreth 170 pilota. Janë betonuar 10 bazamente nga 15 që ka në total dhe ka filluar të ngrihet këmba e parë e urës. Brenda muajit Dhjetor do të kemi gati 5 këmbë të ngritura në mënyrë të tillë që të vazhdojmë me mbështetjen e trarëve”, sqaroi drejtori ARRSH.
Ministrja Balluku tha se ky lot ka pasur shumë kompleksitet për shkak se përshkruan një zonë të dendur me banesa, por falë marrëveshjes me banorët, situata u tejkalua dhe me hapjen e kantierit punimet kanë avancuar ndjeshëm.
“Është një lot shumë kompleks pasi këtu kemi ndërtimin e një viadukti rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin tre. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës, jemi në një zonë shumë të banuar, një zonë ku kemi pasur ndërtime ilegale të cilat na është dashur që ashtu siç bëjmë ne gjithmonë në bashkëpunim me qytetarët, pavarësisht se këto prona janë të pa legalizuara, përmes marrëveshjeve që janë bërë, përmes një diskutimi të gjerë me komunitetin, kemi arritur ti japim zgjidhje”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se do të respektohen afatet kontraktuale për këtë vepër, pavarësisht vështirësive gjeologjike. Balluku nënvizoi se të gjitha projektet e ARRSH, në të gjithë vendin, janë brenda afatet të parashikuara kontraktuale, duke synuar madje përfundimin e tyre edhe para afatit në mënyrë që këto vepra të mund të aksesohen nga qytetarët.
“Gjeologjia e Tiranës është gjeologji e vështirë siç na ndodh dhe në pjesën e Murrizit. Ne kemi një afat kontraktual është vera e vitit 2024, sot ndodhemi diku në 32% të ecurisë së punimeve, por nga momenti që trarët janë gati dhe janë të prodhuar, me përfundimin e pilotave fillon vendosja e tyre, kështu që ne jemi të angazhuar që të ruajmë kohët kontraktuale, vera e 2024, për pak muaj do të jetë gati edhe ky segment. Megjithatë duhet thënë që ne asnjë nga kantieret nuk i kemi jashtë afatit. Është diçka që Autoriteti Rrugor Shqiptar është angazhuar dhe është duke e mbajtur ritmin, madje edhe ato projekte që janë trashëguar me vonesë tashmë pothuajse janë mbyllur. Duhen pasur parasysh që të gjitha kontratat që janë lidhur vitet e fundit janë të gjitha në afatet e tyre, madje ne kemi arritur ti mbyllim disa muaj më parë”, u shpreh Balluku.
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej afro 29 kilometrash. Ndërtimi i saj do të bëjë të mundur shpërndarjen e trafikut, si dhe do të krijojë mundësi të reja hyrjeje për në kryeqytet.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë