Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII po punohet paralelisht në disa lote me qëllim avancimin e punimeve me ritme sa më të shpejta. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin 4 të këtij aksi, i cili përfshinë zonën e Librazhdit.
Ky lot ka një gjatësi prej 1.86 kilometrash dhe do të shërbejë edhe si një bypass për qytetin e Librazhdit. Gjithashtu pjesë e projektit është edhe trajtimi i mbrojtjes lumore, si dhe skarpateve. “Loti 4 ka një gjatësi prej 1.86 kilometra. Shërben edhe si një bypass për qytetin e Librazhdit. Është rrugë e kategorisë B me nga dy korsi kalimi për secilën anë. Në këtë kantier ndodhen tre ura. Ura e parë me gjatësi 175 metra, është dublim i urës ekzistuese të qytetit të Librazhdit janë dhe dy ura të tjera me gjatësi 105 metra. Janë trajtuar dhe të gjitha mbrojtjet lumore si dhe të shpateve në këtë kantier”, u shpreh drejtori Gjyli.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke vlerësuar ecurinë e punimeve theksoi rëndësinë e Korridorit VIII, si një aks rrugor i cili lidh Shqipërinë me vendet fqinje, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe rritur parametrat e sigurisë rrugore.
“Korridori i VIII, ashtu siç ne të gjithë e dimë dhe e kemi thënë shpesh është një nga akset rrugore më të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, pasi është një Korridor lidh Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit, një Korridor që ndihmon lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht e kemi përsëritur disa herë, por unë do të vazhdoj ta them për ta bërë më të qartë për të gjithë ata që na ndjekin, që do të ketë një pikë të re kufitare, nuk do të nevojitet më Qafë-Thana, sigurisht ajo do të mbetet funksionale, por në ndërkohë do të kemi një lidhje të re kufitare me një tunel i cili do të lidhë Korridorin e VIII afër urës së Bushtricës. Nga ana tjetër, përsëri ky Korridor shërben duke u lidhur më pas me Qukës-Qafë Plloçë për kalimin e të gjithë automjeteve që shkojnë në kufirin me Greqinë, në Kapshticë”, tha Balluku.
Gjithashtu, ky aks do të lidhet edhe me segmentet e tjera rrugore të cilat janë duke u ndërtuar apo janë parashikuar si projekte. “Korridori i VIII do të jetë i lidhur gjithashtu me të gjitha akset e tjera, ato që janë në ndërtim apo ato që do të ndërtohen në të ardhmen, siç është pjesa e Kashar-Lekaj apo siç është pjesa Elbasan përmes Cërrikut në drejtim të Rrogozhinës, të cilat do të jenë akse që do të lidhen me portin e ri të Durrësit. Kështu që flitet për një segment tejet të rëndësishëm rrugor, por që në lotin e 4 ka edhe një rëndësi të madhe pasi qyteti i Librazhdit do të ketë një siguri më të madhe rrugore”, nënvizoi Balluku.
Aktualisht në lotin 4 janë realizuar më shumë se 13% e punimeve. Deri më tani në këtë lot nuk janë evidentuar problematika sa i takon gjeologjisë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë