Balluku inspekton në Pogradec aksionin e Task Forcës për trajtimin e ujërave larës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/04/2024

Balluku inspekton në Pogradec aksionin e Task Forcës për trajtimin e ujërave larës

Task Forca për zbatimin e aktit normativ e cila ka si qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, vijon kontrollet në terren në të gjitha subjektet që preken nga zbatimi i këtij akti. Aksioni përfshinë të gjitha strukturat hoteliere të cilat operojnë në zonën bregdetare.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe drejtori i AKUK, Klevis Jahaj ishin në Pogradec për të ndjekur nga afër aksionin e Task Forca për monitorimin e procesit të instalimit të impianteve.

Drejtori Jahaj sqaroi procedurën e ndjekur nga ana e inspektorëve dhe asistenca që ata ofrojnë për subjektet. “Ne verifikojmë në këto raste në qoftë se është brenda teknologjisë dhe kapaciteteve. Grupet tona të Task Forcës kanë marrë dhe trajnimet e para, asistojnë edhe në një farë mënyre për të parë zgjidhjet e mundshme që janë në treg dhe çfarë parashikojnë trajtimi i ujërave të ndotura”, tha Jahaj, duke shtuar se stafit të Task Forcës i janë bashkangjitur edhe profesionistë biokimistë të cilët merren me pjesën e analizave që del nga impiantet e trajtimit nëse janë brenda standardeve dhe rregullores së kërkuar.

120 subjekte në zonën e Pogradecit preken nga ky akt normativ dhe që janë njoftuar për hapat që ndahen ndjekur për vendosjen e impiantit të përpunimit të ujërave të ndotur, duke respektuar edhe afatet e parashikuar.

Ministrja Belinda Balluku tha se është e rëndësishme angazhimi i të gjitha subjekteve që ti përgjigjen pozitivisht akti normativ pasi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimit. “Është në dobi të punës dhe të mbarëvajtjes së këtij sezoni që të kemi angazhimin e të gjithë subjekteve përgjatë këtyre ditëve që kanë mbetur, por edhe në fillim të muajit maj. Duke qenë se është dashur një kohë që ata të merrnin informacionin e duhur, që të gjenin materialet e duhura që do të përdoren teknikisht përsa i përket impianteve dhe unë besoj që edhe vetë subjektet e kuptojnë që ne duhet ta përfundojmë këtë proces të parë deri në datën 15 maj, deri në 1 maj është afati patjetër, por sigurisht ne do mirëkuptojmë edhe disa procese që mund të zgjasin pak më shumë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që i gjithë ky proces të përfundojë para nisjes së sezonit për të mos krijuar asnjë problematikë në operimin e subjekteve.

“Unë besoj që tashmë në një sintoni dhe sinergji të plotë midis palëve, si Task-Forca, ashtu edhe AKUK, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe vetë subjektet jemi që të gjithë të koordinuar për të bërë punën më të mirë dhe për të arritur që të plotësojmë të gjitha këto kushte pa u dashur që të vëmë në fuqi masat administrative. Asnjëri nga ne nuk do të donte që kjo të ndodhte, por thjesht duhet ta përshpejtojmë këtë proces për të mos pasur asnjë problematikë gjatë sezonit turistik”, tha Balluku.

Agjencia Europiane për Ujërat Larës për vitin 2022 klasifikoi 67.5% të ujërave larës në Shqipërisë me cilësi “shkëlqyeshëm”, ndërkohë që synohet që përmes këtij procesi të arrihet në 95% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”.