Posta Shqiptare zhvilloi eventin “105-vjetori i emetimit të pullës së parë shqiptare”. Ishte ky eventi i cili bëri bashkë në ambientet e Muzeut Kombëtar përfaqësues të lartë të qeverisë, drejtues, ish drejtues, punonjës, filatelistë dhe bashkëpunëtor të pa ndarë ndër vite të Postës Shqiptare.
Zv. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj.Dorina Çinari përshëndeti këtë aktivitet në emër të MIE, në ditën e 105 vjetorit të pullës së parë postare dhe njëkohësisht emetimin e pullës së posaçme që do fiksojë në historinë e filatelisë shqiptare logon e vitit të Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.
Ajo theksoi që është emocionues fakti që pulla e parë postare e emetuar në 5 maj 1913 mban me vete dhe një fakt që dëshmon për rëndësinë që ka pasur dhe ka sektori i postë – telekomunikacioneve. Znj. Çinari falenderoi me këtë rast Postën Shqiptare jo vetëm për kontributin që ajo ka në emetimin e pullës postare shqiptare, por për gjithë aktivitetin kontributin që jep në ofrimin e shërbimeve publike postare për qytetarët.
Pulla e parë postare është një pullë-vulë që ka në qendër shqiponjën dykrenare dhe shënimin Ministria e Poste Telegraf Telefonavet, pasi ishte pullë e nxjerrë Ministria e PTT, si një nga vetëm shtatë ministri që kishte qeveria e parë e Ismail Qemalit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si ministria përgjegjëse për politikat e zhvillimit të sektorit postar, ka vijuar punën me plotësimin e përmirësimin e kuadrit ligjor postar. MIE do fillojë së shpejti procesin e rishikimit të dokumentit të politikës për zhvillimin e sektorit postar dhe do mbështesë Postën Shqiptare në nismat që çojnë në përmirësimin e shërbimeve postare në kushtet e zhvillimeve të reja teknologjike dhe ekonomisë dixhitale, rritjes së performancës së shërbimit postar në ofrimin e tregtisë elektronike etj.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë